Anija “peshkon” kufomë të mbështjellë me natriban, policia: Dyshohet vrasje

AKTUALITET


Një anije peshkatarësh në Durrës ka gjetur gjatë lundrimit në det kufomën e një mashkulli të dekompozuar, që sipas peshkatarëve ishte i mbështjellë me natriban.

Ka qenë anija e peshkimit “Emiliano”, ajo që ka konstatuar rreth 6 milje larg Durrësit kufomën. Me konstatimin e kufomës, ekuipazhi i anijes së peshkimit ka njoftuar me radio policinë. Pas njoftimit, policia kufitare ka transportuar në portin detar kufomën e më tej është dërguar në morg.


Sipas peshkatarëve, kufoma ka qenë pjesërisht e mbështjellë me letër natriban, çka hedh dyshimet e para të grupit hetimor se mund të jetë vrarë dhe më pas është hedhur në det për të zhdukur gjurmët, por kjo do të vërtetohet nga këqyrja e ekspertëve mjekoligjorë. Policia, deri në orët e pasdites të dielës, nuk dha asnjë informacion zyrtar mbi këtë rast.

Ende nuk ka të dhëna për moshën e përafërt të kufomës së gjetur në det apo kohën kur mund të ketë ndërruar jetë. Pas marrjes së këtyre informacioneve nga mjekësia ligjore, qoftë edhe të përafërta, policia do të verifikojë në listën e të zhdukurve nëse të dhënat e tyre përputhen me ato të kufomës së zbuluar në det.




Skip to toolbar