Qëllon me thikë një person, arrestohet i moshuari në Fier

Policia e Fierit ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes dy personave, që mund të kishte rezultuar fatal. Me anë të një komunikate publike, Policia e Fierit njofton se ka ndaluar një person, i cili dyshohet se ka goditur me thikë një tjetër person për motive të dobëta duke e lënë të plagosur. Sipas uniformave Blu, mësohet se shtetasi me inicialet A.M., 64 vjeç, gjatë një konflikti në lagjen “16 Prilli” në Fier, ka goditur me mjet prerës shtetasin L.T., 46 vjeç.

Gjatë momentit të konfliktit janë njoftuar punonjësit e patrullës së policisë, të cilët kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Në këto rrethana, Blutë e Fierit kanë arrestuar shtetasin A.M., ndërsa shtetasi i plagosur është dërguar në spital për të marrë kurim nga mjekët.

“Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Fier ka kapur në flagrancë autorin e dyshuar së bashku me thikën me të cilën kreu krimin. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e policisë.

Tiranë, 61-vjeçari i jep fund jetës, hidhet nga kati i 9-të

Policia njofton për një ngjarje tragjike të ndodhur mëngjesin e së martës në Tiranë në rrugën “Kongresi i Tiranës”, ku një 61-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i 9- të i pallatit.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, ndërsa 61-vjeçari, F. XH. ishte në kushte të rënduara psikike. Ai ka ndërruar jetë në vend.

Njoftimi i plotë:

Rreth orës 9 në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dyshohet se në kushte të rënduara psikike, është vetëhedhur nga kati i 9- të i banesës shtetasi F. XH.,61 vjeç,  ku si pasojë ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Sekuestrohen 1 mijë rrënjë kanabis, tre persona në pranga

Policia ka përfunduar operacionin “Ballenjë-2019”  duke sekuestruar 1 mijë rrënjë kanabis që ishin gati për t’u mbjellë dhe ka arrestuar 3 persona në Martanesh.

Sipas policisë, kubiket ishin çuar në një zonë të pyllëzuar dhe ishin gati për t’u mbjellë ne malin e Ballenjës në Martanesh.

Në kuadër të operacionit policia ka sekuestruar armë zjarri, municion luftarak, kubikë ku ishin kultivuar fara cannabis sativa dhe bazë materiale që do shërbente për të kultivuar në tokë fidanët narkotikë.

Personat e arrestuar janë:

A.Ll, 26 vjeç, banues në Mirditë.

K.H, 25 vjeç, banues në Tiranë.

O.K, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale :

•Një armë zjarri automatik model 56, me 30 fishek

•1324 kubik(gota plastike), të mbjella të dyshuara me fara cannabis sativa

•Vegla pune, tuba plastike që do shërbenin për kultivimin në tokë të fidanëve që u gjetën në gotat plastike.

Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim.

Shkrumbohet mjeti i një personi në Elbasan, Policia: Zjarri i qëllimshëm


Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një makinë është djegur në qytetin e Elbasanit. Mësohet se zjarri ka shkrumbuar mjetin e shtetasit Enea Çorbaxhi, ndërsa lloji i mjetit është një “Pasat”.

Policia ka dhënë informacion paraprak për këtë ngjarje, ku deklaron se mjeti ishte parkuar pranë banesës së pronarit. Po sipas policisë së Elbasanit, mësohet se nga hetimet paraprake, zjarri është i qëllimshëm.

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes, si dhe identifikimin e autorëve të saj. Si pasojë e flakëve, mjeti është djegur pjesërisht, ndërsa për pronarin e saj, policia nuk raporton nëse ka pasur probleme ose jo.

Elbasan/ Informacion paraprak nga Policia

Në orët e para të mëngjesit në Elbasan, ka rënë zjarr në mjetit tip “Pasat”, në pronësi të shtetasit E.Ç. i cili ishte i parkuar në rrugë pranë banesës.

Si pasojë mjeti është djegur pjesërisht.

Nga hetimi paraprak dyshohet se zjarri është i qëllimshëm, grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

I dënuar për trafik droge në Itali, kapet në Durrës 48 vjeçari

Policia ka arrestuar një 48-vjeçar të dënuar me 13 vite burg në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Në pranga sipas policisë ka rënë A.D., 48 vjeç, banues në Durrës.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Parto në Itali  e ka dënuar me 13 vjet e 4 muaj burgim për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirë organizuar, arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

• A.D., 48 vjeç, banues në Durrës”, njofton policia.

“Burg kush bllokon rrugët dhe prek policinë”

Kryeministri Edi Rama zhvilloi të martën një takim me drejtues të policisë së shtetit të cilët i vlerësoi për punën e bërë gjatë protestave të opozitës, ndërsa premtoi ndryshime në Kodin Penal të cilat parashikojnë dënime me burg për ata persona që bllokojnë rrugët në mënyrë të paligjshme dhe sulmojnë policinë. Një përgjigje direkte kjo për opozitën dhe protestat e saj të dhunshme ku shpeshherë janë sulmuar policët me molotov e shashka.

“Nga ana tjetër është momenti i finalizimit të procesit të ligjvënies, me ndryshimet që do t’i bëjmë këtë javë Kodit penal, sulmi ndaj policit, prekja me dorë do konsiderohen vepra që dënohen me burg dhe jo me gjobë. Edhe bllokimi i rrugëve nuk do tolerohet më”, tha Rama. Ai bëri të ditur se gjatë protestave të opozitës janë plagosur 60 efektivë policie, mes tyre dhe Ina Nuka, policja që për pak desh humbi dorën nga një shashkë. Ajo u mori sot nga kryeministri yllin e mirënjohjes publike.

Rama dekoron policen Ina Nuka

“Faleminderit në emrin tim, të qeverisë dhe çdo qytetari të këtij vendi që sot ndihet i çliruar për zgjedhjet e 30 qershorit, i cili hyri në shtëpitë e shqiptarëve mu në prag të vendimit të negociatave. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie të pagatitur dhe të gatshëm për të reaguar. Mirënjohje për 60 policët e lënduar gjatë gjithë kohës së protestave të dhunshme. Më vjen mirë që mes jush është edhe simboli i rezistencës, kolegia, mikja juaj dhe mikja ime e cila ra pre e një sulmi. Ina Nuku reagoi menjëherë ndaj një sulmi që i rrezikoi jetën, por nuk shpëtoi dot dorën. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe të gjitha vajzave që shërbejnë në policinë e shtetit me akordimin e yllit të mirënjohjes së kryeministrit të vendit”, tha Rama.

Kryeministri i kërkoi policisë që të nisë punën për të identifikuar dhe vënë para ligjit çdo person që kryen ndërtime të paligjshme, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Rama gjithashtu kërkoi monitorim të rrugëve dhe moslejimin e automjeteve të vjedhura.

“Automjetet e vjedhura dhe të pa siguruara duhet të pamundësohen për të qarkulluar në vend. Është e domosdoshme rritja e nivelit të sjelljes me qytetarët, kush nuk di të sillet duhet të largohen. Policët duhet të jenë model mirësjelljeje. Kundravajtjet janë arsye për gjobë por jo për t’u sjellë keq”, tha kryeministri.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në fjalën e tij vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit gjatë protestave të opozitës. “Policia nuk lejoi krijimin e kaosit dhe frymën e një gjendjeje përçarëse në Shqipëri. Arritën të sigurojnë një nivel optimal të parametrave të sigurisë në vend”,- tha Lleshaj ndër të tjera.

Dhunimi i gazetarit, policia kërkon ndjesë: U treguam të pakujdesshëm

Mbrëmjen e së shtunës Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion për ndalimin e një personi me precedentë të shumëfishtë penalë në Peshkopi. Aksioni ka ndodhur në një ambient publik në qytetin e Peshkopisë, ku veç qytetarëve të ndryshëm, i pranishëm ka qenë dhe gazetari i Tv News 24, Enver Doçi. Ky i fundit, ka filmuar aksionin për arrestimin e personit të kërkuar nga policia, por efektivët Blu, në një moment, teksa ishin duke u larguar kanë shtyrë gazetarin. Pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka bërë një reagim publik, ku i ka kërkuar ndjesë gazetarit për incidentin, që ka ardhur në një moment tensoni dhe pamundësisë së punonjësit të policisë për të identifikuar gazetarin.

“Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks. Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar. Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin”. 

“Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”.  Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.  Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

I dënuar për drogë në Itali, arrestohet në Lezhë

Policia e Lezhës  ka arrestuar një të ri në moshën 24 vjeç, emri i të cilit nuk jepet i plotë, vetëm inicialet, K.M. Ky person është arrestuar për llogari të drejtësisë italiane, pasi 24-vjeçari nga Lezha akuzohet për përfshirjen në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 24-vjeçari nga Lezha dyshohet se ka qenë i përfshirë në organizata kriminale në shtetin fqinj.

Për këtë arsye, ndaj tij është vendosur në maj të këtij viti masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale në fushën  e narkotikëve, të parashikuara nga Kodi Penal në shtetin fqinj.

Arrestimi i tij është bërë pas informacioneve të marra nga Interpol Tirana dhe Drejtoria e Polcisë së Lezhës.

Pas ndalimit të shtetasit K.M., nga policia, materialet hetimore i kanë kaluar Gjykatës së Lezhës për të vijuar procedurat e mëtejshme të ekstradimit në Itali.

Ish-bashkiaku Hila në Polici: “Shkova vetë. Jam në detyrë. Dhuna jo nga unë”

Të premten Kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra, për shkak të urdhërit për djegien e KZAZ-së nr.6 në bashkinë Vau Djeës. Të shtunën, kryebashkiaku i shkarkuar i kësaj bashkie, Zef Hila, shoqërohet në Policinë e Shkodrës, për aktin e rëndë të djegies së materialeve zgjedhore në KZAZ-në e bashksië, që drejtohej prej tij. Zef Hila është paraqitur mesditën e të shtunës rreth orës 12:00 në Komisariatin e Policisë Shkodër, ku është marrë në pyetje nga Oficerët e Policisë, rreth aktit të rëndë të djegies së materialeve zgjedhore në shkollën “Ndre Mjeda”. Ai është shprehur para policisë se “nuk kam pasur dieni për çfarë do të ndodhte në KZAZ-në e Vaut të Dejës. Dija vetëm që do të bëhej protestë paqësore.

Nuk kam dijeni për asgjë tjetër”, mësohet të jetë shprehur Zef Hila. Kështu, ai i qëndron të njëjtëtit version të deklartës së tij, që bëri dhe të premten, kur u shpreh se dhuna ishte kryer nga militantët e PD-së, dhe kishte qenë kjo parti që kishte urdhëruar dhunën, dhe jo ai, duke nxjerr blof Lulzim Bashën. Kreu i PD-së i doli në mbrojtje Zef Hilës, pas firmosje së shkresës së shkarkimit si kryetar bashkie nga Kryeministri Edi Rama, për shkak të dhunës ndaj shkollës “Ndre Mjeda”, ku u dogjën materialet zgjedhoret të KZAZ-së.

“Unë nuk jam shoqëruar në polici. Unë jam thirrur si qytetar dhe i jam përgjigjur. Ka pak minuta që kam dalë nga policia, kam bërë deklarimin si qytetar. Kam marrë përgjigjen se nuk jam person nën hetim. Unë jam në krye të detyrës, vazhdoj punën normalisht. Po ndjekim gjithë procesin. Ka zgjatur pak minuta në polici. Në momentin që ka ndodhur ngjarja kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës nuk ka qenë në territorin e bashkisë. Faktet tregojnë se unë nuk kam qenë në protestën e organizuar. Nuk kam qenë në atë zonë fare. Unë kam qenë vetëm me avokatin në polici”, tha Zef Hila.

Më tej ai shtoi se do të ankimojë nga vendimin e Kryeministrit për ta  shkarkuar nga detyra, pas ngjarjeve të rënda në KZAZ-në e Vaut të Dejës. “Pyesni kryeministrin ju pse ka marrë vendimin. Unë po ndjek procedurat ligjore për ankimin. Unë mendoj se Edi Rama ka qenë i dezinformuar për rastin në fjalë. Unë nuk kam asnjë shkresë zyrtare për shkarkimin. Në momentin ë do marrë shkresën do vijojmë me procedurat ligjore të animimit”, u shpreh Zef Hila.

Franca e Belgjika kthejnë mbrapsht 32 shqiptarë që kërkonin azil

Franca e Belgjika kthejnë në Shqipëri 32 shtetas që kishin kërkuar azil.

Policia njofton se operacioni i riatdhesimit, u zhvillua në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Policinë franceze dhe atë belge, ku gjatë një fluturimi të përbashkët mes Francës dhe Belgjikës u riatdhesuan 32 shtetas shqiptarë të cilëve iu është refuzuar kërkesa për qëndrim.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.

Të gjithë qytetarët që duan të punësohen në BE duhet të ndjekin rrugën ligjore dhe të mos bien pre e mashtrimeve me dokumenta të falsifikuara apo me tendencën për të kërkuar azil, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta dhe mundësia për të fituar azil është zero.

Policia Kufitare ka forcuar masat në kontrollin e dokumentacionit në dalje në të gjitha pikat e kalimit si dhe ka shtuar patrullimet në kufirin e gjelbër. Në kufirin me Greqinë është duke u zhvilluar operacioni i përbashkët me FRONTEX.

Skip to toolbar