“Burg kush bllokon rrugët dhe prek policinë”

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama zhvilloi të martën një takim me drejtues të policisë së shtetit të cilët i vlerësoi për punën e bërë gjatë protestave të opozitës, ndërsa premtoi ndryshime në Kodin Penal të cilat parashikojnë dënime me burg për ata persona që bllokojnë rrugët në mënyrë të paligjshme dhe sulmojnë policinë. Një përgjigje direkte kjo për opozitën dhe protestat e saj të dhunshme ku shpeshherë janë sulmuar policët me molotov e shashka.

“Nga ana tjetër është momenti i finalizimit të procesit të ligjvënies, me ndryshimet që do t’i bëjmë këtë javë Kodit penal, sulmi ndaj policit, prekja me dorë do konsiderohen vepra që dënohen me burg dhe jo me gjobë. Edhe bllokimi i rrugëve nuk do tolerohet më”, tha Rama. Ai bëri të ditur se gjatë protestave të opozitës janë plagosur 60 efektivë policie, mes tyre dhe Ina Nuka, policja që për pak desh humbi dorën nga një shashkë. Ajo u mori sot nga kryeministri yllin e mirënjohjes publike.


Rama dekoron policen Ina Nuka

“Faleminderit në emrin tim, të qeverisë dhe çdo qytetari të këtij vendi që sot ndihet i çliruar për zgjedhjet e 30 qershorit, i cili hyri në shtëpitë e shqiptarëve mu në prag të vendimit të negociatave. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie të pagatitur dhe të gatshëm për të reaguar. Mirënjohje për 60 policët e lënduar gjatë gjithë kohës së protestave të dhunshme. Më vjen mirë që mes jush është edhe simboli i rezistencës, kolegia, mikja juaj dhe mikja ime e cila ra pre e një sulmi. Ina Nuku reagoi menjëherë ndaj një sulmi që i rrezikoi jetën, por nuk shpëtoi dot dorën. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe të gjitha vajzave që shërbejnë në policinë e shtetit me akordimin e yllit të mirënjohjes së kryeministrit të vendit”, tha Rama.

Kryeministri i kërkoi policisë që të nisë punën për të identifikuar dhe vënë para ligjit çdo person që kryen ndërtime të paligjshme, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare. Rama gjithashtu kërkoi monitorim të rrugëve dhe moslejimin e automjeteve të vjedhura.

“Automjetet e vjedhura dhe të pa siguruara duhet të pamundësohen për të qarkulluar në vend. Është e domosdoshme rritja e nivelit të sjelljes me qytetarët, kush nuk di të sillet duhet të largohen. Policët duhet të jenë model mirësjelljeje. Kundravajtjet janë arsye për gjobë por jo për t’u sjellë keq”, tha kryeministri.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në fjalën e tij vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit gjatë protestave të opozitës. “Policia nuk lejoi krijimin e kaosit dhe frymën e një gjendjeje përçarëse në Shqipëri. Arritën të sigurojnë një nivel optimal të parametrave të sigurisë në vend”,- tha Lleshaj ndër të tjera.




Skip to toolbar