Dhunimi i gazetarit, policia kërkon ndjesë: U treguam të pakujdesshëm

AKTUALITET


Mbrëmjen e së shtunës Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion për ndalimin e një personi me precedentë të shumëfishtë penalë në Peshkopi. Aksioni ka ndodhur në një ambient publik në qytetin e Peshkopisë, ku veç qytetarëve të ndryshëm, i pranishëm ka qenë dhe gazetari i Tv News 24, Enver Doçi. Ky i fundit, ka filmuar aksionin për arrestimin e personit të kërkuar nga policia, por efektivët Blu, në një moment, teksa ishin duke u larguar kanë shtyrë gazetarin. Pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka bërë një reagim publik, ku i ka kërkuar ndjesë gazetarit për incidentin, që ka ardhur në një moment tensoni dhe pamundësisë së punonjësit të policisë për të identifikuar gazetarin.

“Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks. Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar. Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin”. 


“Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”.  Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.  Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.




Skip to toolbar