Nga Çapajev Gjokutaj
Performanca e presidentit të republikës, zotit
Ilir Meta, në konferencën e fundit për shtyp s’ishte si zakonisht. Prej 5-6 vitesh
shfaqjet e tij në publik u janë nënshtruar disa motove të artikuluara shkurt
dhe të ndërtuara mbi të njëjtën strukturë si: ‘me qetësi dhe dashuri’, ‘me
qetësi dhe përgjegjshmëri’, ‘me qetësi dhe shqiptari’ etj.
Këto moto bazike përsërisnin gjithnjë fjalën
‘qetësi’ që, në këtë kontekst jept e merr me kuptimet: gjakftohtësi, maturi,
vetpërmbajtje. Performancës së fundit të z. President i mungonte pikërisht
qetësia dhe dukej e mbingarkuar me agresivitet ose, siç shkruante Lapsi.al ‘i
ngjante një kapsolleje që shtinte në rreze 360 gradë’.
Dukej që përtej se kjo dalje publike shënonte
braktisje të qetësisë dhe maturisë, thenë më përgjithshëm shenonte një ikje nga
norma. Në shkencë dhe sidomos në disiplinat që merren me ligjërimin, ikja nga
norma ngjall kureshtje dhe nxit hulumtimin. Nuk është e rastit që humbjen e
qetësisë dhe agresivitetin e vunë re shumica e opinionistëve dhe natyrshëm u
përpoqën ta analizonin, t’i gjenin rrënjët dhe të zbulonin synimet e pasojat.
Siç ndodh rëndom një pjesë jo e vogël e
opinionistëve, mbështetur në orientimin e tyre politik qëmtuan elementët që u
vinin hosh dhe ndërtuan realitete të ndryshme, madje edhe diametralisht të
kundërta. Kështu opinionistët pranë opozitës thanë se agresiviteti i z.
President shprehte forcë, kurse ata pranë qeverisë shpallën të kundërtën:
performanca agresive shprehte frikë dhe dobësi.
Në fakt argumentat e të dyja palëve,
megjithëse të kundërta, mbështeteshin mbi të njejtin fakt: pjesëmarrja në
zgjedhjet e 30 qershorit. Për të parët pjesëmarrja 20 e ca përqind ishte dëshmi
se masa e qytetarëve iu kundërvunë këmbënguljes së kryeministrit për të mos
shtyrë zgjedhjet dhe automatikisht dolën në mbështetje të presidentit. Ky i
fundit, duke parë gati 80 përqind të shqiptarëve në mbështetje të tij u ndie i
fortë.
Opinionistët pranë qeverisë bënin një tjetër
lexim. Sipas tyre 20 e ca përqind e qytetareve që dolën në zgjedhje ishin diç
më shumë se ata që e kishin votuar PS-në në 2017, gjë që dëshmon se maxhoranca
mbetet maxhorancë edhe në mes të mandatit të dytë pas shumë përplasjesh e
skandalesh. Jo vetëm kaq, shtonte kjo palë, por shqiptarët, përfshirë këtu edhe
abstenuesit, nuk mbështetën skenarët me dhunë e përplasje sociale.
Në këtë lojë shifrash të dyja palët linin në
harresë elektoratin gri, dmth atë pjesë të qytetarëve që, të velur dhe të
neveritur nga konflikti çerekshekullor mes maxhorancave dhe opozitave që kanë
alternuar njera tjetrën në pushtet duke mbetur në thelb po ato, i kanë kthyer
krahët politikës dhe shpresëhumbur ose rropaten t’i zgjidhin hallet me
përpjekje individuale, ose mezi presin rastin të ikin dhe ta sigurojnë jetesën
në dhera të huaj. Dhe s’janë pak por diç më shumë se një të tretën e
elektoratit. Po të shtosh këtu edhe masën e emigrantëve që de facto janë
përjashtuar nga votimet, rezulton se si maxhoranca ashtu dhe opozita i bëjnë
hesapet dhe kegjtimojnë veten duke injoruar shumicën dërmuese të votuesve.
2.
Përtej kësaj loje luftrash mes përkrahësve të
maxhorancës dhe atyre të opozites, artikulimet e z. President në konferencën e
fundit për shtyp përmbajnë disa elementë tekstorë që, në varësi të pëlqimeve
politike të opinionistëve mund të lexohen edhe si shprehje force, edhe si
dëshmi frike. Fjala është për dy miniarrativa: identifikimi me figura historike
dhe komplotet.
“Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit
është presidenti i vendit dhe i del për zot. Jam i racës së Avni Rustemit, Mic
Sokolit, Vojo Kushit”, citohet të ketë thenë z. President. Gjëja e parë që
tërheq vemendje në këtë deklarate është qendrimi i tejndezur nacionalist,
qendrim që shpie në kundërvenie mes dy ‘racave’ apo, më saktë, mes dy etnive:
asaj shqiptare dhe asaj maqedonase. Eshtë padyshim një lapsus, një lajthitje pa
vetdije, por që gjithsesi shenon një ikje nga vetja, ikje e papërfytyrueshme
për botvështrimin e një të majti, siç e klasifikoi veten z. President.
Mes qindra heronjve që mund të përdoren si
ikona të shqiptarësisë, z. President zgjodhi vetëm tre që shquajnë sa për guxim
aq edhe për vendosmëri që shpie në vetmohim. Dëshira për t’u përqasur deri në
identifikim me figura të tilla sa heroike aq dhe tragjike, mund të lexohet si
shenjë vendosmërie në rrafsh retorik, por në rrafsh psikologjik rezulton të
jetë tregues frike e dobësie.
Identifikimi me të tjerë është prirje
mbarëhumane që shfaqet tek individi qysh në hapat e para të konstruktimit të
vetes, thonë psikologët. Në nënvetdije, foshnja realizon se nuk i del dot zot
as trupit të vet, s’është veçse një grumbull procesesh biologjike mbi të cilat
nuk ka kurrfarë autoriteti. Rrjedhimisht ndër detyrat e para të çdo foshnje
është të formojë, gradualisht e nëpër vite, një personalitet koherent që mbledh
e bën bashkë gjithë këto copëza fragmentare. Rruga më e natyrshme për këtë
është të huajë modele nga bota që e rrethon.
Parë kështu prirja për t’u identifikuar me të
tjerë qofshin këta prindërit, të afërmit dhe, ca më pas, mësuesit, heronjtë
etj. zë fill mbi ndjesinë e dobësisë, është mjet për t’i dhenë vetes kurajo dhe
për të dëshmuar koherencë dhe forcë në sytë e të tjerëve. Thonë se ky huq
foshnjor vazhdon gjithë jetën, vetëm se shumicën e herëve ngjan me lumenjtë e
shkretëtirës, del në sipërfaqe vetëm në periudha trazimesh emocionale si frikë,
ngazëllim etj.
Sado i vërtetë të jetë ky shpjegim, do të
tingëllonte vulgar e naiv po të përdorej për të thenë se humbja e qetësisë nga
z. President dhe shfaqja e tij publike me tone të dukshme agresive dëshmon
pasiguri e frikë përballë kërcënimeve për shkarkim që po i bën maxhoranca.
3.
Gjasat janë se kemi të bëjmë me një strategji
komunikimi. Duke e përqasur veten me Mic Sokolin e Vojo Kushin, z. President
syonte dhe, përgjithësisht ia arriti, të krijojë një shtjellë në ligjërimin
mediatik dhe të tërheqë vemendjen e publikut që në kësi rastesh nxitet të
interpretojë e të hamendësojë nenkuptime. Përmendja e atdhetarit dhe
atentatorit Avni Rustemi duket se i shërben edhe më shumë nxitjes së hamendjeve
dhe interpretimeve, ashtu siç kishte shërbyer kohë më parë Salvador Alende.
Edhe pretendimi për komplote mund të lexohet
si dëshmi frike në rrafsh psikologjik, por në rrafshet e retorikës dhe të
strategjive të komunikimit rezulton si mjet i parapëlqyer për të ngjallur
diskutime e për të tërhequr vemendje.
Prirja për t’i shpjeguar gjerat me komplote
dhe teori konspirative, thonë psikologët, i ka rrënjët tek frika dhe pasiguria.
Njeriu, duke u ndier i përkohshëm dhe i dobët i trembet deri në llahtar
rastësisë dhe kaosit. Teoritë konspirative janë mjet për t’i mbushur mendjen
vetes se kjo botë s’është aq kaotike sa duket, rrjedhat e saj përcaktohen nga
vullnte njerëzore, qofshin dhe okulte.
Gjithsesi mininarrativa e konspiracionit, që u
shfaq britshëm në daljen e fundit publike të z. President, ngjan të jetë
kryekëput strategji komunikimi. Përfolja e komploteve është mjet i parapëlqyer
për të tërhequr vemendjen e publikut dhe për të ngjallur vemendje dhe
diskutime.
Humbja e qetësisë dhe agresiviteti që, hera
herës u përzie edhe me nervozizëm të dukshëm, si në rastin e sulmeve kundër
Sokol Ballës psh, vështirë se mund të lexohen si shenjë force. Sipas shumicës
së gjasave kemi të bëjmë me një strategji komunikimi që synonte të përforconte
mesazhin se z. President, i gjendur përballë ndërmarjeve të maxhorancës për ta
shkarkuar, nuk ka për të ndenjur duarkryq.
Parë nga interesat e vendit ky mesazh ngjan të
jetë lajm i keq. Muajt në vijim palët politike, plus presidenca, mediat etj. do
të vazhdojnë të merren me konfliktet politike dhe vështirë se do të kujtohet
kush të flasë për punët dhe për njerëzit. ‘ Rroftë e qoftë politika, popullit
le t’i bjerë pika’ këndoi ai sazexhiu.
Jo vetëm kaq. Janë të gjitha gjasat që gërmëri
total që pritet të gjenerojë ky sherr i hapur në zemër të shtetit, të përbaltë
gjithçka, përfshirë dhe reformën në drejtësi.
Pa bërë orakullin për të parashikuar se cila
palë do të dalë fituese, një gjë duket thuajse e sigurt. Vazhdimi i këtij
sherri pa principe por edhe pa arbitër, herët a vonë do t’i shërbejë rotacionit
politik. Dy parti e gjysëm që kemi do t’ia dalin të çimentojnë më tej
vazhdimësinë e monopolit të pushtetit, kurse shoqëria, qytetarët e thjeshtë do
të dalin më shpresëvrarë, me më pak ëndrra e projekte për të jetuar në këto
troje dhe me një dëshirë dramatike e në rritje për të shpëtuar me këmbë.