Shmanget presidenca, e pyesin për Palmer, flet për Engel

I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratën e shkurtër që u dha nga VOA, e zotit Palmeri, duket se presidenca ka vendosur t’i shmanget pyetjes. Në vend të Palmer, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka vendosur të reagojë për një deklaratë të dhënë pak orë më herët nga kongresmeni amerikan Eliot Engel. Engel konfirmoi atë që tashmë dihej, SHBA njeh 30 qershorin dhe se vendi duhet t’i thotë mjaft krizave sa herë ka zgjedhje. Presidenca tha në njoftimin  saj se bën të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike,  të lira dhe të ndershme.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës. Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e  Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.’ – thuhet në reagimin e presidencës.

Në fakt kjo shmangie e presidencës për t’iu përgjigjur deklaratave të Palmer ishte e pritur. Palmer gjatë një interviste për VOA deklaroi hapur dhe në mënyrë de facto që SHBA nuk njohin presidentin Meta dhe aq më pak dekretin e tij të fundit për vendosjen e datës së re të zgjedhjeve më 13 tetor. Palmer tha se zgjedhjet janë më 30 qershor dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendos zgjidhjen e krizës institucionale.

Mero Baze: Në vend të mandateve, Presidenti duhet të numërojë ditët!

Presidenti Meta ka investuar për një kohë të gjatë, sidomos vitin e fundit, të mbajë nën tension qeverinë, duke paralajmëruar dorëheqje të tij. Sa herë që diçka nuk funksiononte, sa herë tejkalonte kompetencat e veta dhe bllokonte emërime ministrash, përfshi dhe krizën me zgjedhjet e fundit, dërgonte kasnecë tek Edi Rama, të cilët të “alarmuar”, përcillnin lajmin se Ilir Meta mund të dorëhiqet e të bëhet krizë.

Nuk është se u shqetësua njeri prej këtyre skenareve, por ishte një tregues, që Presidenti mendonte se ishte i rëndësishëm për kundërshtarët e tij.

Tani po shikojmë anën tjetër të medaljes. Presidenti Ilir Meta ka dhjetë ditë që jep e merr letra me KQZ-në, në fillim për të numëruar deputetët, pastaj për të treguar si i kanë dorëzuar mandatet, ata që ikën. Pra do të dijë a është e ligjshme ajo që ka bërë gruaja e tij dhe Lulzim Basha.

Paraktikisht e ka nxjerrë përfundimin. Ai mendon se ata kanë bërë diçka të paligjshme, por të drejtë. D.m.th, sipas tij, ata duhet të jenë edhe deputetë, kur i duhen atij, për të mos e shkarkuar si President, edhe deputetë me mandate të djegura, kur duhet të sulmojë qeverinë.

Dhe sot gjendemi para një skene qesharake, ku Presidenti po verifikon procedurën administrative, se si i kanë dorëzuar mandatet ish- deputet e opozitës, për të konstatuar, se nuk i kanë dorëzuar në rregull. Duhet të paraqiteshin një nga një në sallë dhe të thoshin me zë të lartë: “Nuk e duam mandatin”.

Kur ata i dorëzuan, kolektivisht në grup, me letra të bëra gati, nga gruaja e tij dhe Lulzim Basha dhe të diktuara po nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, për Presidentin ishte në rregull.

Atij i duhej që ata të iknin nga Parlamenti për të rrëzuar Ramën, por meqë nuk e rrëzuan, por e forcuan, pasi i çuan dhuratë nja 40 deputetë të tjerë, tani po përpiqet t’i rikthejë, duke na mbushur mendjen të gjithëve “se ishte më mirë kur ishim keq”. Pra, ishte më mirë kur ata ishin në Parlament.

E gjithë kjo përpiqet të mbajë gjallë shpresën e tij të vakët, se duke mos i quajtur të ligjshëm djegiet e mandateve, ai do të quajë të paligjshme dhe shkarkimin me vota të opozitës së re.

Pra kemi një President, që shkatërroi Parlamentin me shpresë të rrëzonte qeverinë, dhe po përfundon i shkarkuar nga ky Parlament.

Tentoi të shkatërrojë zgjedhjet, duke nxjerrë një dekret anulimi, dhe tani po rrëzohet përfundimisht nga ajo që prodhoi, duke i bojkotuar ato.

Dhe duke tentuar ta bëjë çdo gjë relative në këtë vend, edhe djegien e mandateve, edhe bojkotin, edhe zgjedhjet, shpreson se do ta fusë më në fund vendin në kaos, ku secili të mbrojë të drejtën e tij në rrugë primitive. Shumica, Parlamentin dhe zgjedhjet, ai ish- Parlamentin dhe bojkotin e zgjedhjeve.

Dhe e gjithë kjo, tani nuk bëhet më as për të shpëtuar opozitën, as për të shpëtuar nderin e Parlamentit, as për të shpëtuar zgjedhjet, por për të shpëtuar mandatin e tij të Presidentit.

Atë mandat me të cilin disa muaj më parë kërcënonte, se duke hequr dorë, do shkatërronte shumicën.

Tani po përpiqet të numërojë “mandate të paligjshme” për t’u mbrojtur nga shumica. Në fakt, më lehtë e ka të numërojë ditët.

Ironia e Hajdarit për Metën: Bën si patriot, por e ka gruan në parti, zgjedhjet shtyhen me 1 muaj!

Rudina Hajdari gjatë fjalës së saj në Kuvend, në seancën për mocionin e shkarkimit të presidentit Ilir Meta, ka ironizuar me këtë të fundit. Znj.Hajdari, u shpreh se Meta bën si patriot, ndërkohë që këtë gjë e quajti të shëmtuar. “Bën edhe gjeste patriotike. Nuk mund të më thotë presidenti se unë jam patriot. Është një akt i shëmtuar që të vjen për të qeshur kur e shikon. Duhet të kuptojmë thelbin”.

“Nëse argumentojmë në mënyrë juridike, sot mund të thotë ka takuar ca njerëz. Presidenti mund të thotë për hir të Shqipërisë të kthejmë ligjin me vdekje. Mendoni se organet e drejtësië mund ta kthejnë këtë. Ku jemi këtu. Ky njeri po bën akte në sajë të interesit të vet apo të publikut”.

Më tej, Rudina Hajdari u shpreh se Ilir Meta e ka gruan në parti, ndërkohë sipas saj, zgjedhjet mund të shtyhet maksimumi me vetëm një muaj. “Ai e ka gruan në parti. Jemi lodhur me këtë gjendje, e di çfarë mund të ndodhë të dashur shqiptarë në më të mirën e rastit zgjedhjet do shtyhen vetëm një muaj, muajin tjetër do kemi zgjedhje”.

A ja vlejti gjithë ky bojkot, a ia vlejti barra qiranë, absolutisht jo. Kjo bëhet që këta të tre të ulen bashkë dhe të bëjë një konsultë për të zgjatur pushtetin e tyre. Kaq është të dashur shqiptarë, kaq mund tu them që bëjnë politikanët në Shqipëri. Është koha që ne të largohemi nga këta njerëz“, u shpreh Hajdari.

Kushtetuesja e re në 2 muaj. Meta shkarkohet brenda verës?

Brenda kësaj vere, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e mbetur pa gjyqtarë për shkak të vettingut, pritet të bëhet sërish funksionale. Nga 9 gjyqtarë që ka gjithsej, 7 të tillë do të zgjidhen së shpejti.

Sipas Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, 9 anëtarë e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi i Shqipërisë, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Gazeta Shqiptarja.com shkruan të mërkurën se gjashtë anëtarët e parë, sipas të gjitha gjasave dhe bazuar në afatet ligjore, do të emërohen brenda dy muajve, ku së bashku me anëtaren aktuale Vitore Tusha, Gjykata Kushtetuese do të ketë të paktën 7 anëtarë, të cilët mund të nisin shqyrtimin e 79 kërkesave që janë në pritje për t’u shqyrtuar. Ndërkaq, Presidenti, Kuvendi, politika apo Gjykata e Lartë, kanë zero mundësi dhe hapësira për të bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, meqenëse Kushtetuesja ka vetëm një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, mund të depozitohen kërkesa, ndonëse nuk shqyrtohen. Nëse Kuvendi vendos të shkarkojë Presidentin, vendimi i shkarkimit mund të depozitohet në Kushtetuese, e cila mund ta shqyrtojë me përparësi sapo të emërohen gjashtë anëtarët e parë. 

Presidenti i Republikës ka një rol formal dhe figurativ në zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit është i detyruar që për çdo vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhë një emër mes tre emrave të parë në listën e renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse Presidenti refuzon që ta ushtrojë këtë të drejtë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në krye të listës konsiderohet i emëruar.

Meta: Opozita ka bërë një veprim të nxituar, të gjendet një marrëveshje

Presidenti Meta i ftuar në emisionin ‘Debat’ në TV Dukagjini, ka deklaruar se Shqipëria është në një krizë politike dhe për këtë opozita ka bërë disa hapa të nxituar. Sipas Metës opozita nuk ka vepruar drejtë në vendimin për djegien e mandateve. Po ashtu presidenti deklaron se edhe mazhoranca nuk duhet t’i kishte zëvendësuar aq shpejt mandatet që lanë bosh partitë opozitare.

Ndërkohë që fton të dy palët që të gjejnë  gjuhën për të zgjedhur këtë ngërç.

“Procesi është tepër i rrezikuar. Opozita ka bërë një veprim tepër të nxituar i djegjes së mandateve. Por për fat të keq edhe mazhoranca ka bërë një veprim të nxituar për zëvndosimin e mandateve. Kështu që jemi në një situatë kur duhet të dyja palët të bëjnë hapa pas dhe të gjejmë rrugën e duhur për të shkuar drejt zgjedhjeve të drejta. zgjedhjet janë problematike nëse bëhen pa opozitën. Unë shpresoj në një reflektim të dy palëve. Për sa i përket opozitës, për fat të mirë protesta e fundit ishte një protestë paqësore. Krizë shumë të thellë kushtetuese dhe përfaqësuese. Do të kisha qenë më kritik se ju për djegien e mandateve nëse Shqipëria do të kishte një Gjykatë Kushtetuese. Çdo mos pajtim që do kishte opozita ka se ku të ankohet. Çdo marrëveshje qe vendos normalitet të funksionimit të kushtetutës dhe përfaqësimi” ka deklaruar Meta.

Braçe: Presidenti nuk ka hapësirë ligjore të ndryshojë datën e zgjedhjeve

Zëvendëskryeministri Erion Braçe është shprehur mbrëmë në një intervistë në ABC news, se Presidenti nuk ka asnjë hapësirë ligjore për të ndryshuar datën e zgjedhjeve.

Ai e ka cilësuar precedent të rëndë faktin që vendi po shkon në zgjedhje pa opozitën, por kujton se Kushtetuta është mbi çdo gjë dhe data e zgjedhjeve nuk mund të ndryshojë. Ndërsa vetë presidenti Meta u shpreh i gatshëm dje, që nëse ekziston vullneti politik, mund të rishikohet data e zgjedhjeve vendore.

Pjesë nga intervista:

Mirela Milori: Situata politike që po kalon vendi e tremb sipërmarrjen e huaj, dua të flasim pak për këtë situatë të krijuar që nga shkurti, si i shihni qëndrimet e ish opozitës?

Erion Brace: Qëndrimi është antikushtetues, presidenti nuk ka asnjë hapësirë ligjore për të ndryshuar datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor dhe nuk ka asnjë që ta ndryshojë këtë.

Mirela Milori: Nëse dorëhiqet presidenti?

Erion Brace: Atëherë do të zgjidhet i ri.

Mirela Milori: Shkohet në zgjedhje pa opozitën?

Erion Brace: Kjo nuk është zgjedhja ime, është precedent i rëndë për demokracinë që synon ti heqë të drejtat kushtetuese të shqiptarëve por nga presidenti kam mësuar se kushtetuta është mbi çdo gjë. Nuk ka situatë tjetër. Për sa kohë që presidenti i referohet kushtetutës atëherë duhet të zbatojmë kushtetutën, presidenti gjithashtu.

Meta në Samit: Të zgjidhen konfliktet e vjetra në Ballkan

Gjatë fjalës së tij në samitin e sotëm të Brdo-Brijunit që po zhvillohet në Tiranë, Presidenti Ilir Meta vuri theksin në domosdoshmërinë që Ballkani të zgjidhë konfliktet e vjetra dhe kokëforte dhe fjalën këtu e kishte për konfliktin Serbi-Kosovë.

Ai gjithashtu kërkoi që BE të miratojë sa më parë liberalizimin e vizave për Kosoën, si dhe të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike”, tha Meta në samit.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

Sot, në fjalën time dëshiroj të përqendrohem në tri çështje kryesore: Së pari, në procesin e integrimit të vendeve tona.

“Paqja botërore nuk mund të zgjasë nëse nuk bëhen përpjekje krijuese dhe proporcionale ndaj rreziqeve që e kërcënojnë atë… Europa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, që fillimisht krijojnë një solidaritet de facto”.

Ky ishte prologu i deklaratës së Shumanit, që frymëzoi bashkëpunimin e mirëfilltë dhe krejtësisht të ri politik, për të pamundësuar një luftë tjetër në Europë. Ky ishte vizioni largpamës që krijoi paqen, bashkimin dhe begatinë europiane.

Na duhet të pranojmë faktin se Bashkimi i sotëm Europian është rritur përtej përfytyrimit të Shumanit. Ai është zgjeruar, thelluar dhe forcuar me guxim, vendosmëri dhe palodhur.

Në këtë kontekst, dua të theksoj dy mesazhe kyçe:

Së pari, Vendet tona kanë ende shumë për të mësuar nga themeluesit dhe filozofia e këtij projekti historik, mbi çfarë mund të konsiderohen ide pionere, nxitëse të një epoke të re të bashkëjetesës në rajonin tonë.

Së dyti, padurimi i vendeve tona për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është tregues i qartë se ngrehina politike, ekonomike dhe shoqërore europiane mbetet po aq strategjike për ne, sa ç’ka qenë edhe më parë.

Në këtë kuadër, shpresoj që vendi im dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të çelin sa më parë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave pa vonesa të mëtejshme.

Çështja e dytë: bashkëpunimi rajonal.

Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj të pazëvendësueshëm si faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon. Ne do të vazhdojmë të përmbushim përgjegjësitë tona të shtuara si anëtarë të NATO-s për një fqinjësi paqësore dhe të sigurt, përfshirë vendosmërinë për të qëndruar përkrah aleatëve strategjikë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mosmarrëveshjet e vjetra, kokëforta e të paepura dypalëshe është e mundur të kapërcehen me zgjidhje që shohin drejt së ardhmes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë kanë mundësi të përmirësohen edhe më tej në rajonin tonë, nëse kanalizohen drejt perspektivës së duhur europiane dhe euroatlantike. Në këtë drejtim, pesha dhe rëndësia e Marrëveshjes së Prespës është e jashtëzakonshme, dhe si e tillë meriton të çmohet si një arritje e madhe.

Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte vendimi i duhur, në kohën e duhur. NATO-ja duhet të jetë krenare që në 70-të vjetorin e saj zgjerohet me anëtarin e 30-të, duke shtrirë edhe më tej perimetrin e paqes dhe sigurisë.

Duhet të pranojmë gjithashtu se Bashkimi Europian dhe vendet e tij anëtare e kanë vendosur rajonin tonë në rend të ditës, duke ndjekur politika plotësuese me ato të zgjerimit.

Procesi i Berlinit, që synon ndërlidhjen dhe pajtimin rajonal do të vazhdojë, dhe gjatë këtij viti do të organizohet në Poloni. E vlerësoj tej mase faktin që Samiti i Poznanit do t’i japë vëmendjen e merituar çështjeve të arsimit dhe rinisë, duke synuar mënjanimin e pengesave frustruese rajonale.

Është po aq domethënës fakti që Gjermania dhe Franca, themeluese të Bashkimit Europian, i kushtuan vëmendje të veçantë rajonit tonë në mes të fushatës politike për zgjedhjet europiane. Urojmë që Samiti i Parisit t’i japë një dinamikë të re e konstruktive këtij procesi.

Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit

Ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.

Si çështje të fundit, dua të nënvizoj se si vende në proces anëtarësimi në Bashkimin Europian, jemi zotuar për të respektuar parimet dhe vlerat e demokracisë liberale.

Përqendrimi tek mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit, ndërtimi i institucioneve funksionale demokratike, ekonomia e tregut, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive politike të popujve tanë, janë shtyllat kryesore të reformave të qëndrueshme.

Të gjithë kemi një rol vendimtar për ndërtimin e kësaj të ardhmeje për qytetarët tanë, duke gëzuar mbështetjen e miqve europianë, përfshirë edhe premtimin për të shpërblyer arritjet e rezultateve të besueshme dhe konkrete.

Meta, thirrje gazetarëve në Ditën e Lirisë së Shtypit: Denonconi presionet

Shqipëria cilësohet si vend me liri të pjesshme të medias, situatë kjo që duhet të marrë fund, thotë Presidenti Ilir Meta. Në ditën botërore të Lirisë së Shtypit, presidenti i bën thirrje gazetarëve që të mos pranojnë shantazhet dhe presionet por t’i denoncojnë ato.

“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante.

Kjo situatë duhet të marrë fund! Media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë.

Të dashur gazetarë,

Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës.

Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste.

Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë!

Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Welle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”, shkruan Meta.

Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias….

Publiée par Ilir Meta sur Jeudi 2 mai 2019

“A është dakord presidenti që të bllokohen rrugët?”

Ka reaguar ashpër zëvendës kryeministri Erion Braçe kundër vendimit të opozitës për të bllokuar rrugët në vend, në shenjë proteste. Në një postim të gjatë në Instagram, Braçe akuzon Bashën dhe Kryemadhin se po ia bllokojnë rrugët popullit, ndërsa ngre edhe një pyetje të madhe: A është dakord presidenti që të bllokohen rrugët?!

Postimi i plotë i Erion Braçes:

LAJM I MADH DHE I VJETER;

AI DHE AJO,

LYLZIM BASHA DHE

MONIKA KRYEMADHI,

DO BLLOKOJNE RRUGET SOT!

Jo me nje, por dy ore!

Dakord, titulli dhe lajmi kane nje te vertete:

Nuk eshte populli qe po bllokon rruget, anormale kjo ne nje revolte por,

jane anetaret e dy partive dhe 5 kryetare te partive pa anetare, te cilet do bllokojne rruget!

Kur eshte keshtu, dy pyetje kam une;

E para,

KUJT DO JA BLLOKOJNE RRUGET KETA?

Edi Rames-te cilin e kane shenjester?!

JOOOOOO!

Deri tani Edi Ramen se kane bllokuar asnjehere, zero!

Ai e ka patur rrugen e lire dhe ka zhvilluar cdo aktivitet te planifikuar dhe masiv madje.

Ka nje arsye te qarte perse;

Ata qe bllokojne rruget jane gjithe e gjithe nga 50-200 vete maksimumi ne Milot, nuk jane shumice, jane pakice,

#NUKJANEPOPULLI por anetaret e partise kunder popullit!

Pra,

KUJT DO JA BLLOKOJNE RRUGET KETA?

POPULLIT, NATYRISHT!

VETEM POPULLIT!

PUNES DHE EKONOMISE SE TIJ!

Pyetja e dyte;

A ESHTE DAKORD PRESIDENTI I REPUBLIKES ME BLLOKIMIN E RRUGEVE POPULLIT,

PUNES DHE EKONOMISE SE TIJ?

E kam nje ide, prej viteve 1999-2000!

Aleatët e Bashës kërkojnë ndihmën e Metës dhe ndryshime kushtetuese

Megjithëse firmosën një marrëveshje bashkëpunimi me kreun e PD-së, partitë aleate të tij sot kanë prezantuar një tjetër platformë me 12 pika. Aleatët e Koalicionit Opozitar kërkojnë ndryshime rrënjësore kushtetuese. Përveç krijimit të një qeverie transitore dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve, partitë e vogla kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor, në mënyrë që deputetët të zgjidhen nga populli. Kërkojnë që presidenti të zgjidhet nga populli dhe kryeministrit t’i kufizohet mandati. Ata gjithashtu i drejtohen Ilir Metës, duke i kërkuar atij që të ulë opozitën dhe mazhorancën në tryezë për të zgjidhur krizën politike në vend.

Platforma për Marrëveshje Kushtetuese e Partive Aleate të PD

Duke vlerësuar se situata politike në vend është shumë e rëndë dhe e paprecedent, sistemi ynë kushtetues Republikë Parlamentare, pothuaj ka rënë tërësisht dhe transformuar në Republikë e Kryeministrit Rama;

Duke u ndodhur përballë pamundësisë politike dhe ligjore për të ndalur veprimet antikushtetuese të qeverisë dhe mazhorancës socialiste për mëse 2 vjet, për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese;

Duke vlerësuar qëllimin e Reformës në Drejtësi, si mundësi për krijimin e një drejtësie të pakorruptuar dhe të pavarur, por që u deformua qëllimisht nga Rama, për ta kontrolluar politikisht, me pasoja të rënda mbi të drejtat e qytetarëve, për shkak të pamundësisë së tyre për gjykimin në kohë të mijëra çështjeve administrative,  civile dhe penale, mungesa e një proçesi të drejtë gjyqësor, për shkak të mos funksionimit për mëse 2 vjet të Gjykatës së Lartë (duke dysfishuar numrin e dosjeve që presin për gjykim).

Duke vlerësuar me shqetësim gjendjen e rëndë në vend, korrupsionin masiv, trafikun e drogës, përhapjen dhe fuqizimin e krimit shqiptar, siç vlerëson edhe raporti i fundit i DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit);

Konstatimi se këto grupe kriminale në shumë qarqe të vendit, jo vetëm janë të paprekshëm, por zotërojnë potencial njerëzor aktiv kriminal dhe kontrollojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe investimeve publike të lidhura me korrupsionin qeveritar;

Duke dënuar kontrollin politik mbi Prokurorinë, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe mos hetimin e krimeve elektorale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve nga grupe kriminale dhe kartelet e drogës, në marrëdhënie dhe shërbim të pushtetit absolut të Ramës;

Duke vlerësuar se eksodi masiv ka marrë përmasat e një spastrimi të shqiptarëve, me pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale;

Duke konstatuar se në zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 janë regjistruar vetëm parti politike të mazhorancës, si dhe përpjekjet e Ramës për të organizuar zgjedhje farse, me qëllim që të krijojë idenë false se zgjedhjet do të jenë “konkuruese”, përballë Opozitës dhe qytetarëve nga ana tjetër, të vendosur për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farse, tentativën e qeverisë për një krim elektoral me pasoja shkatërruese për vendin, e cila do të çonte në një përplasje me pasoja për vendin dhe Unitetin e Popullit. 

Partitë tona të Qendrës së Djathtë, në respekt të marrëveshjes së nënshkruar me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, jashtë ndikimit të grupeve kriminale dhe qeverisë të lidhur me to, të angazhuar për t`a kthyer vendin në binarët kushtetues dhe plotësuar detyrimet e vendosura nga BE:

Partitë tona, si Grupim i Qendrës së Djathtë (GQD) të përbërë nga; PR, PAA, PBDNJ, LZHK dhe PDK, propozojnë realizimin e një Marrëveshje Politike Kushtetuese, duke propozuar sa më poshtë:

1-    Thirrja e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.

Bazuar në Nenin 86/1, Presidenti është garant i unitetit të popullit. Ky unitet garantohet nga respektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve, në respekt të Kushtetutës. 

Neni 1 i Kushtetutës sanskionon se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”.

Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, po shkatërron parimin themelor e kushtetues të pluralizimit.

•    Kjo tryezë të vlerësojë kushtet dhe kërkesat e OSBE/ODHIR për të shmangur shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe përdorimin  e Administratës Shtetërore.

•    Kontrolli mbi territorin dhe proçedimi i grupeve kriminale, të cilat janë evidentuar në shitblerjen e votës.

•    Proçedimin penal nga ana e Prokurorisë të dosjeve të bëra publike nga media, për manipulimin e zgjedhjeve.

•    Vlerësimin e skadimit të afatit të kartave të identitetit dhe paisjen e qytetarëve me karta.

•    Vlerësimin e përjashtimit nga lista të mbi 270,000 votuesve.

2-    Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore (qeverisje kujdestare) me dakortësi politike.

Data e zgjedhjeve të përcaktohet në përputhje me detyrimet dhe implementimin nga qeverisja tranzitore, e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shkëputjes së strukturave të Shtetit nga krimi i organizuar.

3-    Reformë zgjedhore e cila ndalon finacimin e paligjshëm, dënon jo vetëm njerëzit e angazhuar në blerje dhe manipulim votash, por edhe subjektet politike që marrin pjesë në manipulimin e zgjedhjeve.

4-    Kthimi i Parlamentit në një Parlament përfaqësues dhe kushtetues, nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, nëpërmjet një sitemi zgjedhor dhe  votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.

5-    Përcaktimi me një dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare, i krijimit të një Qeverie Kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj.

6-    Vlerësimi i kuadrit kushtetues të vendit, me një grup të posaçëm ekspertesh të së Drejtës Kushtetuese, vendas dhe të huaj, për të mundësuar kthimin e Republikës Parlamentare dhe funksionimin e saj, bazuar në pavarësinë dhe balancimin e pushteteve.

7-    Bashkëpunimi për një vlerësim të drejtë të Reformës në Drejtësi, funksionimi urgjent i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me një amendim të përkohshëm, për t`i bërë ato funksionale, duke zhvilluar një proçes për të  garantuar integritetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre.

8-     Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe  deputetëve.

9-    Të bëhet testi i drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.

10-    Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë.

11-    Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë.

12-    Rishikimi i Reformës Administrative, për t`a çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.

Nëse do të shohim përbërjen e këshillave bashkiakë, mbi 95% e tyre janë nga qendrat urbane, duke lënë të papërfaqësur pjesën më të madhe të popullsisë.

Partitë tona angazhohen në dialog me forcat e tjera politike, duke qenë të hapur për qëndrimet dhe gjykimet e tyre.

Skip to toolbar