Kushtetuesja e re në 2 muaj. Meta shkarkohet brenda verës?

AKTUALITET


Brenda kësaj vere, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e mbetur pa gjyqtarë për shkak të vettingut, pritet të bëhet sërish funksionale. Nga 9 gjyqtarë që ka gjithsej, 7 të tillë do të zgjidhen së shpejti.

Sipas Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, 9 anëtarë e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi i Shqipërisë, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.


Gazeta Shqiptarja.com shkruan të mërkurën se gjashtë anëtarët e parë, sipas të gjitha gjasave dhe bazuar në afatet ligjore, do të emërohen brenda dy muajve, ku së bashku me anëtaren aktuale Vitore Tusha, Gjykata Kushtetuese do të ketë të paktën 7 anëtarë, të cilët mund të nisin shqyrtimin e 79 kërkesave që janë në pritje për t’u shqyrtuar. Ndërkaq, Presidenti, Kuvendi, politika apo Gjykata e Lartë, kanë zero mundësi dhe hapësira për të bllokuar zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Aktualisht, meqenëse Kushtetuesja ka vetëm një anëtare, konkretisht Vitore Tushën, mund të depozitohen kërkesa, ndonëse nuk shqyrtohen. Nëse Kuvendi vendos të shkarkojë Presidentin, vendimi i shkarkimit mund të depozitohet në Kushtetuese, e cila mund ta shqyrtojë me përparësi sapo të emërohen gjashtë anëtarët e parë. 

Presidenti i Republikës ka një rol formal dhe figurativ në zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit është i detyruar që për çdo vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të zgjedhë një emër mes tre emrave të parë në listën e renditur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse Presidenti refuzon që ta ushtrojë këtë të drejtë brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në krye të listës konsiderohet i emëruar.




Skip to toolbar