Do hetojnë politikanët/ Paga të larta dhe mbrojtje speciale për prokurorët e SPAK

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të dërgojnë para Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar me burime të ligjshme, do të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare. Kështu parashikon ligji për statusin e magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te SPAK-ut. Në një kohë kur përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar përmes 7 mesazheve se pushtetarët e korruptuar dhe bosët e krimit do të japin llogari para SPAK-ut, goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm. Neni 16 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti. Ndërkaq rregullorja e miratuar nga KLP, e cila shërben si standard, parashikon hetimi i çështjeve të ndërlikuara ligjërisht dhe në fakte është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë profesion. Sipas rregullores së KLP, ‘çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në fakte’ konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik, të cilat kanë një numër të madh të pandehurish ose një numër të madh veprash penale, që passjellin pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e personave ose shkaktojnë dëm të madh ekonomik, të cilat rezultojnë në konfiskimin e aseteve me vlera të mëdha etj.

Mbrojtja e veçantë dhe eskortë

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, pavarësisht arritjeve në detyrë, gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti jo vetëm gjatë ushtrimit të detyrës, bashkë me familjet, por edh pasi të dalin në pension. Ligji për statusin parashikon që magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit të magjistratit. Ndërkaq, një vendim i qeverisë, i miratuar disa ditë më parë, parashikon që në raste të veçanta dhe me kërkesë të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorit të SPAK i sigurohet mbrojtje për banesën dhe eskortë. Komisione të posaçme, në varësi të të dhënave dhe gjendjes së rrezikshmërisë, kanë të drejtë të vendosin përforcimin e masave mbrojtëse për ruajtjen dhe shoqërimin e subjekteve, të cilave u garantohet mbrojtja, si dhe të banesave të tyre.

Shtëpi nga shteti

Prokurori i SPAK-ut ka të që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes së tij, i cili jeton në të njëjtën banesë me prokurorin e posaçëm, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Në rast se në një familje janë dy persona kanë të drejtë të përfitojnë kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti, do të përfitohet vetëm nga një prej tyre.

Paga

Prokurorët e SPAK-ut do të marrin një pagë trefish më të lartë se paga aktuale e prokurorëve që nuk kanë kaluar Vetingun. Nëse aktualisht, paga mesatare për prokurorët është nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, paga e prokurorit të posaçëm do të bëhet nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi Presidentin dhe kryeministrin. Kjo vlen edhe për të gjitha gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar Vetingun. Paga llogaritet në bazë të nenit 12 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas nenit 12, paga bazë e prokurorit të SPAK-ut apo e çdo prokurori që kalon Vetingun shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës. Por, nuk mbaron me kaq. Prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t’u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.

Kontrolli i bisedave

Fillimisht, para se të emërohen, prokurorët e posaçëm duhet të firmosin një deklaratë me shkrim për heqjen dorë nga e drejta e tyre për privatësi në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare. Edhe familjarët e tyre duhet të firmosin të njëjtën deklaratë me shkrim. Ata kanë vetëm nga një telefon celular, vetëm nga një numër telefoni dhe vetëm një adresë poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik, në të kundërt provokojnë shkarkimin nga detyra. Ndërkaq, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kryejë vëzhgimin periodik të të gjitha telekomunikimeve të prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të të gjithë stafit të Byrosë së Hetimit. Hetuesi që vëzhgon bisedat e prokurorëve specialë do të zgjidhjet me short. Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje. Por, edhe vetë oficeri përgjegjës i Byrosë së Hetimit që monitoron komunikimet, është nën monitorim. Çdo muaj, një prokuror i posaçëm përzgjidhet me short për të shërbyer si prokuror i posaçëm i gatshëm, i cili drejton, kontrollon dhe monitoron oficerin përgjegjës në detyrë.

Kontrolli i pasurisë

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave cakton një punonjës të saj, në konsultim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, për të mbikëqyrur llogaritë financiare të prokurorëve të posaçëm dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Personi që kontrollon lëvizjet në llogaritë bankare ndryshohet një herë në dy vjet. Ai duhet të sinjalizojë për çdo lëvizje të dyshimtë. Ndërkaq, të gjitha lëvizjet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave mbikëqyren nga një oficer përgjegjës, konkretisht hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave bashkërendojnë veprimtaritë e tyre dhe takohen, sipas nevojës, por jo më rrallë se një herë në muaj, për të diskutuar mbi veprimtari të dyshimta. Oficeri përgjegjës i raporton prokurorit të posaçëm të gatshëm çdo informacion që mbështet një dyshim të arsyeshëm lidhur me çdo lëvizje të dyshimtë të parave. Nëse prokurori i posaçëm duket i përfshirë në veprimtarinë kriminale, atëherë oficeri përgjegjës i raporton cilitdo prej prokurorëve të posaçëm në Prokurorinë e Posaçme, i cili duket se nuk është i përfshirë në transaksione të mëdha financiare, modele të pazakonta transaksionesh financiare, transaksione financiare nga burime të pazakonta apo kriminale apo në ekzistencë llogarish financiare, të cilat nuk janë deklaruar./shqiptarja.com/

Dosja 184, ja kush do gjykojë Dibrën

Mesditën e të hënës janë caktuar dy prokurorët që do të gjykojnë dosjen hetimore për përgjimet në zgjedhjet e Dibrës, e njohur ndryshe dhe si dosja 184. Prokurorët Rifat Kojku dhe Belina Zeneli, janë dy hetuesit që tashmë do të kenë në dorë provat për hetimin e dosjes, ku të përfshirë janë dhe emra politikanësh.

Dosja 184 u transferua vetëm pak ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, te Prokuroria e Dibrës. Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për këtë dosje, pasi prokurorët gjykuan se të dyshuarit nuk përfshihen në grup të strukturuar kriminal.

Kjo është një nga dosjet më të bujshme, ku gjatë fushatës të vitit 2016 për zgjedhjet e pjesshme vendore në Dibër, janë përgjuar disa ministra dhe ish-ministra, si dhe kryeministri Edi Rama, me persona dhe drejtues lokal të PS.

Në fakt, përgjigjmet e prokurorisë u bën publike nga media gjermane Bild, ndërsa opozita e ka përdorur  për të sulmuar qeverinë, duke e akuzuar për përfshirjen ne vjedhjen e votave.

Basha pret SPAK-un për zgjidhjen e krizës (të arrestohen politikanët)

Lulzim Basha u ka thënë banorëve të Cërrikut, sipas një materiali dërguar nga zyra për shtyp e PD, se “kriza politike do të zgjidhet vetëm kur të arrestohen politikanët e korruptuar”. Kryedemokratik ka zhvilluar një takim me simpatizantët e tij në Cërrik, ku mësohet t`u ketë thënë se kriza nuk do të mbyllet, pa çuar para drejtësisë, sipas Bashës, politikanët që janë kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar.”- tha Lulzim Basha.

Në këtë kontekst, Lulzim Basha duket se nuk do të ulet në tryezën e dialogut, pa plotësuar kushtin e tij të ri, që është “Pranga politikanëve”. Në fakt, ngritja e SPAK, parashihet si mundësia e vetme që politikanë të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të vihen para drejtësisë. Kjo strukturë pritet të jetë funksionale në fund të muajit shtator, ndërsa në fillim të tetorit priten të hapen dhe dosjet e para që do të hetohen nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

20 të dyshuar për rrjedhjen e përgjimeve, në listë 5 prokurorët që hetuan çështjen

Prokuroria e Përgjithshme, Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Tiranës janë përfshirë në verifikime për mënyrën si kanë rrjedhur në media përgjimet e dosjes “339”.

Të dyshuarit janë afro 20 persona nisur nga prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe drejtues të prokurorisë së Krimeve të Rënda, si dhe punonjës të sektorit të përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithsme, që janë të dyshuar për nxjerrjen e përgjimevë në dosjen hetimore “339”.

Fillimisht me hetimin e saj është marrë prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini, dhe pas transferimit të tij në Shkodër dosja kaloi në duart e prokurorëve të tjerë si Besim Hajdarmataj, ish-kreu i Krimeve të Rënda e më pas te pasardhësja e tij Donika Prela, e më pas dy prokurorët që kanë aktualisht dosjen janë Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Pas publikimit të materialeve nga gazeta gjermane “Bild”, organi i akuzës i kryeqytetit ka nisur një hetim për nxjerrjen e materialeve hetimore nga dosja, e cila po shoqërohet edhe me një hetim administrativ nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda për të parë gjithe intinerarin që kanë përshkruar CD me përgjime.

Por ky nuk është hetimi i parë i nisur për këtë fakt, pasi një i ngjashëm nisi edhe në muajin janar, kur u publikuan përgjimet e para të transkriptuara te Zëri i Amerikës.

Hetimi u pasua edhe me një kallzim të bërë nga oficeri i policisë gjyqësore Petrit Gjeci, i cili ishte marrë me këtë dosje.

Ai kallëzoi në Prokurorinë e Tiranës 4 prokurorë të Krimeve të Rënda, Donika Prelën, Vladimir Marën, Dritan Prençin si dhe Besim Hajdarmatajn për nxjerrje të sekretit hetimor.

Sipas Gjecit, të katër prokurorët e mësipërm janë përgjegjës për zbulimin e informacioneve që përmban dosja “339”, të publikuara në shkrimin e Zërit të Amerikës në atë kohë, ku u zbuluan të dhëna mbi shitblerjen e votës në zgjedhjet e 2017-ës në Durrës, Kavajë, Dibër dhe Lezhë. Gazeta Tema

Publikimi i përgjimeve, Krimet e Rënda: Do vihen para përgjegjësisë penale prokurorët!

Pas Prokurorisë së Tiranës, që nisi hetimin për publikimin e pesë audi-përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dalë me një deklaratë të dytë. Publikimi i këtyre përgjimeve për dosjen nr.339, sipas Krimeve të Rënda, ka cënuar rëndë hetimin, ndërkohë që ky i fundit po kryhej nga 3 prokurorë dhe 10 Oficer të Policisë Gjyqësore.

“Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë. Faktet e publikuara ditën e sotme në mediat dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tëpër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar”, shkruan ndër të tjera Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Në deklaratën e saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se për këtë ka nisur një hetim, dhe çdokush nga prokurorët që ka bashkëpunuar për publikimin e këtyre përgjimeve. Sipas këndvështrimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, publikimi i pesë audio përgjimeve, është bërë me qëllim pengimit të hetimit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u ndodhur përpara një rasti të paprecedentë, të përsëritur të shkeljes së rëndë të ligjit njofton se po kryen me intesitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre. Në vlerësimin tonë kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshmë të hetimeve në këtë procedim penal”, shkruajnë Krimet e Rënda.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Reagimi i plote i Prokurorisë!

Prokuroria prane Gjykates Shkalles se Pare Per Krime te Renda Tirane, pasi u njoh me përmbajtjen e të dhënave të nxjerra në disa media të ndryshme sot më datë 5 Qershor 2019 për nxjerrjen e disa përgjimeve telefonike në procedimin penal nr.339/2016, njofton se:

Më datë 26.10.2018 në kuadër të procedimit penal nr 339 të vitit 2016 të regjistruar për veprat penale të “ Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të Narkotikëve” “ Grupit të strukturuar kriminal” si dhe “Kryerjes së veprës penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar krimal”, ka regjistruar dhe hetimin për veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a/3 i Kodit Penal.

Ky hetim është regjistruar pasi në disa media janë publikuar të dhëna sekrete që dëmtojnë rëndë hetimin e procedimit penal. Më datë 01.02.2019 nga ana e Drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, është vendosur që ky hetim të kryhet nga grup hetimorë i përbërë nga tre prokurorë, duke i shtuar grupit hetimorë ekzistues dhe një prokuror dhe një oficer tjetër të policisë gjyqësore të Prokurorisë, për rritjen e efikasitetit të hetimit.

Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake. Në kuadër të këtij hetimi ju njoftojmë se po hetohen 74 persona me masa sigurimi të ndryshme, për vepra penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” “Trafikim i narkotikëve” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

 Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për vepra të tjera penale si “Korrupsioni aktiv/pasiv i funksionarëve të lartë, ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga nenet 245 dhe 260 të Kodit Penal.

 Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet edhe për veprat penale “Korrupsion aktiv/pasiv në zgjedhje” parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal, pasi gjatë hetimit të procedimit penal janë konstatuar të dhëna për dyshime për përfshirje të përfaqësueve vendorë të subjekteve të ndryshme politike të gjithë spektrit politik në vend ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 në qarkun e  Durrësit dhe të Lezhës.

Ju bëjmë me dije se për ushtrimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal për shkak të kompleksitetit të tij, janë ngarkuar 3 prokurorë dhe 10 oficerë të policisë gjyqësore të cilët po vijojnë kryerjen e veprimeve hetimore në dinamikë.

Faktet e publikuara ditën e sotme në mediat dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal aq më tëpër kur hetimet nga ana jonë janë intensifikuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke u ndodhur përpara një rasti të paprecedentë, të përsëritur të shkeljes së rëndë të ligjit njofton se po kryen me intesitet hetimet për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilindo prokuror, oficer policie gjyqësore apo subjekte të tjera që kanë abuzuar rëndë me detyrën duke bërë publikimin e akteve përpara se të kryenin detyrën e tyre. Në vlerësimin tonë kjo është bërë me qëllim pengimin e hetimit, paragjykimin e tij si dhe komplikimin e mëtejshmë të hetimeve në këtë procedim penal.

Aktualisht njoftojmë opinionin e gjerë se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, është drejt zbardhjes së plotë të të gjitha fakteve penale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të çdo vepre penale që do të konkludohet nga ana e prokurorëve se është kryer në kuadër të këtij procedimi penal ashtu sikurse nuk ka hezituar të godasë dhe subjekte të tjera të përfshirë në krimin e organizuar në kuadër të procedimeve të tjera penale.

Skip to toolbar