Socialistët marrin Kamzën. Mziu bën thirrje për protestë

Kandidati socialist Rakip Suli është betuar të mërkurën si kryebashkiaku i ri i Kamzës,  duke e kaluar këtë bashki, të cilësuar bastion të demokratëve, në administrimin e PS-së.

Bashkia e Kamzës është drejtuar përgjatë 12 viteve të fundit nga Xhelal Mziu i PD-së, i cili edhe gjatë ditës së mëkurë ka qëndruar në zyrën e tij dhe ka deklaruar se nuk do ta lirojë atë pasi zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme. Për më tepër Mziu ka publikuar në facebook një thirrje për protesta për të mbrojtur bashkinë kundër “komunizmit, krimit, korrupsionit, votimeve moniste” jo 6%!”.

Mziu bëri thirrje që demokratët të mblidhen në orën 12.00 pranë bashkisë së Kamzës, ku janë mbledhur një numër i vogël militantësh të PD-së.

Ndërkohë që ceremonia e betimit të kryetarit të ri është zhvilluar në ambientet e një shkolle të Kamzës.

Pas përfundimit të konstituimit të këshillit bashkiak, disa nga anëtarët e këshillit do të shkojnë në ambientet e bashkisë, por nëse Mziu nuk do dalë nga zyra do të largohen për t’u kthyer sërish në orën 16:00. Nëse Mziu nuk do të dalë nga zyra pritet që edhe forcat e policisë të ndërhyjnë për të bërë të mundur largimin e tij, duke qenë se zyrtarisht nga sot, kryebashkiak i Kamzës është Rakip Suli.

Ajo që bie në sy është mungesa e qëndresës e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha i cili u kishte premtuar kryebashkiakëve të tij se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul dhe se ata nuk do të dalin nga zyrat e tyre. Por një nga një kryebashkiakët e djathtë i liruan zyrat ndërsa premtimet e Bashës mbetën rrugëve.

Rama paralajmëron shkarkime drejtorësh në shtator

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Bashkiakë në çdo bashki brenda datës 15 gusht, ndërkohë që ka bërë të qartë se të gjithë drejtorët në rrethe që nuk kapin ritmet e PS-së do të shkarkohen nga detyra.

Këto deklarata kreu i PS-së, i bëri gjatë një takimi që zhvilloi të premten me drejtuesit e PS-së për rajonin e veriut, për të cilin është ai përgjegjes, pasi nga Vlora, Rama vendosi të marrë në duart e tij koordinimin e punëve të PS-së në qytetet e Veriut.

Kryeministri gjithashtu ka dhënë porosi se duhet të bëhet vlerësimi për çdo punonjës bashkiak.

“Drejtorët të cilët nuk kapin ritmin do të largohen nga PS. Kryebashkiakët të kenë gati planet deri në fund të gushtit”, ka thënë Rama në mbledhje.

Sipas Ramës administrata në terren ka probleme dhe në muajt shtator- tetor do të bëhet vlerësimi.

Gjatë këtij takimi kryeministri Rama ka prezantuar ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj si drejtuesin e ri në qarkun e Lezhës.

Ky vendim u mor në Asamblenë e PS që u zhvillua ditën e martë dhe ku Rama njoftoi ndryshime në kupolën drejtuese të PS-së.

Kështu në Shkodër në vendin e Ditmir Bushatit u vendos kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri, në Lezhë shkon ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në vendin e Lindita Nikollës, ndërsa në Tiranë largohet Blerina Gjylameti për t’i lënë vendin dyshes drejtuese Elisa Spiropali-Ervin Bushati. Lëvizjet prekën edhe sekretariatet e partisë, teksa risi është ministri i jashtëm Gent Cakaj te rinia.

Rama ndryshon kupolën e PS dhe vë kushtin parësor për t’u zgjedhur deputet

Megjithëse zgjedhjet e vitit 2021 janë gati 2 vite larg, kryetari i PS-së, Rama ka bërë ndryshime rrënjësore në kupolën drejtuese të partisë në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për fushatën e ardhshme zgjedhore.

Gjatë mbledhjes së të martës së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama ndryshoi koordinatorët drejtues nëpër qarqe të ndryshme të vendit ndërsa i vuri një kusht deputetëve për të qenë sërish në lista. Rama kërkoi prej tyre që të zbresin me këmbë në tokë dhe të takojnë çdo qytetar të zonës së tyre. Nëse duan të jenë sërish deputetë, të gjithë pa përjashtim duhet të japin rezultate konkrete.

Ndërsa nga drejtuesit e qarqeve largoi Ditmir Bushatin, Lindita Nikollën dhe Blerina Gjylamentin. Por ndërsa Nikollën dhe Gjylametin u ngarkoi detyra të reja, duket sikur Bushatin e la në hije, megjithëse ish ministri nuk shfaqi shqetësim për këtë vendim.

Kështu në Shkodër në vendin e Ditmir Bushatit vendoset kryebashkiaku i ri Valdrin Pjetri, në Lezhë shkon ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në vendin e Lindita Nikollës, ndërsa në Tiranë largohet Blerina Gjylameti për t’i lënë vendin dyshes drejtuese Elisa Spiropali-Ervin Bushati. Lëvizjet prekën edhe sekretariatet e partisë, teksa risi është ministri i jashtëm Gent Cakaj te rinia.

Ndryshimet në tre qarqe, por edhe brenda sekretariateve, Rama i argumentoi për të pasur më shumë rezultat në të ardhmen.

Rama njoftoi se në shtator do të nisin zgjedhjet në parti dhe në Janar të 2020 do të mbahet kongresi, ndaj ai kërkoi nga strukturat hapjen e partisë, ndërsa i paralajmëroi deputetët dhe kryebashkiakët që nëse nuk do të zbresin me këmbë në tokë në bazë për të takuar njerëzit do të përjashtohen nga projekti politik i zgjedhjeve të 2021.

“Së pari kemi menduar të kemi një sekretar që të koordinojë punën e këtyre këshillave dhe rezultatet që dalin dhe nevoja për t’u adresuar nga qeveria apo institucionet e tjera. Për këtë ngarkojmë Ilir Beqjan që të bëjë këtë punë. Sekretare e Burimeve Njerëzor do të jetë  Nikolla. Ne vazhdojmë me regjistra të vdekur që mirë që janë me boshllëqe, por nuk i shërbejnë askujt. Këtë detyrë do ia ngarkojë Lindita Nikollit, i bindur që do të bëjë më të mirë. Ka qenë një çështje shqetësuese e Partisë Online.

Duke qenë i pari politikan që kam bërë “ciu-ciu” më takon që të ndjehem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë dhe prandaj për këtë besoj që Blerina është njeriu i duhur që eksperiencën e koordinimit ta vë në dispozicion në një organizim dixhital të partisë.

Në kushtet kur Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati do marrë drejtimin e Tiranës, drejtimin e Rinisë Gent Cakës dhe nëse nuk kam harruar ndonjë, pjesa tjetër e sekretariatit do të mbetet siç është, vetëm kur organizimi do të bëhet edhe nga Arbeni”, deklaroi Rama në Asamble.

Ndryshimet në kupolën drejtuese të PS-së

Valdrin Pjetri-koordinator për qarkun e Shkodrës në vendin e Ditmir Bushatit

Sandër Lleshaj-koordinator për qarkun e Lezhës në vendin e Lindita Nikollës

Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati-koordinator në Tiranë në vendin e Blerina Gjylametit

Gent Cakaj do të marrë sekretariatin për Rininë

Blerina Gjylamenti kalon te sekretariati për dixhitalizimin

Arben Pëllumbi-sekretar për koordinimin dhe organizimin

Lindita Nikolla-sekretare për burime njerëzore në PS

Ilir Beqja-sekretar per koordinimin e punes se keshillave

Rama braktis Vlorën. Tani në krye të katër qarqeve të Veriut

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kryesinë e PS-së në orën 09:00 të mërkurën ku ka vendosur ta shtyjë me një ditë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë. Kjo mbledhje do të zhvillohet në datën 23 korrik në orën 18.00. Në Asamble pritet të votohen ndryshimet organizative të strukturave të PS-së.

Ditën e martë Rama zhvilloi në selinë e PS një takim me drejtuesit në qarqet që ai do të marrë në koordinim politik, Lezhën, Shkodrën, Dibrën dhe Kukësin. Në takimin 1 orësh që kryeministri Rama pati me drejtuesit e qarqeve të veriut, mësohet se ka dhënë porosi që vëmendja kryesore duhet të jetë në konstituimin e këshillave të qarqeve. Gjithashtu, mësohet se kryeministri ka kërkuar që pranë bashkive të vijnë njerëz me integritet, ndërsa ka ripërsëritur se asnjë grua apo vajzë që e meriton vendin e punës në bashki nuk do të hiqet nga puna.

Kryeministri Rama do të braktisë Vlorën nga ka dalë deputet dhe do të ngjitet në veri të vendit duke qenë koordinator i 4 qarqeve së bashku, Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër. Drejtuesit aktualë politikë, Ditmir Bushati, Safet Gjici, Lindita Nikolla dhe Olta Xhaçka do të raportojnë te numri një i socialistëve. Ndërsa Taulant Balla do të ketë nën koordinim kryeqytetin, Durrësin, Elbasanin dhe Korçën. Blerina Gjylameti, Vangjush Dako dhe Niko Peleshi do të raportojnë te numri dy i partisë. Ndërkohë te Gramoz Ruçi do të japin llogari drejtuesit politikë të Fierit, Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës, Blendi Klosi, Bledi Çuçi dhe Damian Gjiknuri.

Detyrat e caktuara nga kryeministri Rama

Zgjedhjet e 30 qershorit na kanë ngarkuar me një barrë të jashtëzakonshme përgjegjësie dhe mbajtja e saj është përgjegjësi e drejtuesve politikë; deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve dhe kryetarëve të partisë së çdo njësie administrative.

Për këtë arsye po jo vetëm, është koha për këtë forum drejtues e koordinues të Partisë Socialiste (PS), Grupit të Partisë Socialiste (GPS), Qeverisë dhe Bashkive.

1. Si fillim ka shumë rendesi mirëadministrimi i procesit të konstituimit dhe planifikimi i analizave të qeverisjes vendore në çdo Bashki (aty ku e kemi pasur dhe aty ku nuk e kemi pasur drejtimin).

2. Tranzicioni në ish-bashkitë e djathta do të jetë i butë, i ngadaltë dhe transparent.

Natyrshëm do të shkarkohen menjëhere stafet politike, por zëvendësimet do të behen me propozim të Kryetarit të Bashkisë dhe miratim të Këshillit Drejtues të Rajonit (në vijim Këshillit). Në dy nënkryetarë një duhet të jetë detyrimisht grua.

3. Administrata nuk do te preket, kurresesi! Fillimisht do të përgatitet pasqyra ekzistuese e burimeve njerëzore, me te gjitha te dhenat e nevojshme, duke filluar nga nivelet drejtuese.

4. Çdo largim i nevojshem, do të argumentohet ne Këshill dhe çdo emërim do të propozohet nga kryetari i bashkise po do te miratohet detyrimisht në Këshill. Në mënyrë kategorike nuk do të levizë për asnjë arsye asnjë grua dhe vajzë, në çdo nivel qoftë – kur dhe vetëm nëse do të verifikohet në kushtet e papajtueshmërisë me detyrën, rasti do t’i percillet Keshillit.

5. Kryetarët e Bashkive do të paraqesin paraprakisht në Këshillin Drejtues të Rajonit planet, vendimet dhe kerkesat apo ankesat e tyre lidhur me Qeverinë, Kuvendin apo ministra ose deputete të veçante.

Këshilli Drejtues i Rajonit do të jetë dhoma konsultative e PS-së për mirëqeverisjen vendore. Gjithashtu në këtë Këshill do të diskutohen e do të miratohen propozimet për largime apo punesime – natyrisht vetem per rastet kur nuk janë subjekte të Shërbimit Civil të Republikës. Nderhyrjet individuale nga lart dhe qokat personale nga poshte, duhet te marrin fundit.

6. Në çdo Qark do të pergatitet edhe analiza e sherbimeve publike te institucioneve qendrore, e cila do te zhvillohet ne muajin shtator.

7. Çdo drejtorie dhe drejtori te institucioneve te lartpermendura, duhet t’i behet analiza e performancës nga këndvështrimi i cilesise se shërbimit ndaj komunitetit si edhe reputacionit në komunitet.

8. Shkarkimet apo spostimet per performance te dobet apo humbje te besimit te komunitetit, nuk mjaftojne nese nuk garantohen zëvendësime dinjitoze dhe transparente. Keshilli do te jete pergjegjes per kete dhe do te mbaje qendrim per cdo shkelje te kesaj kerkese nga cilidoqofte.

9. Do të pergatitet analiza kapilare e çdo qendre votimi dhe duhet të behet verifikimi i gjendjes fizike e morale të çdo organizate socialiste.

Të gjithë kryetarët e Organizatave Socialiste (OS) që nuk kanë performuar sipas objektivave nuk duhet te rikandidojne per drejtimin e OS.

10. Ne kuader te hapjes se metejshme te Partise Socialiste do të përgatitet plani për Forumet e Hapura Qytetare të nxënësve, studentëve dhe te tjerëve.

Forumet do të shërbejnë si hapësira komplementare të PS-së ku u jepet mundesia e përfshirjes simpatizantëve tanë.

Keshillat Drejtues të tre Rajoneve do të funksionojnë mbi bazën e një dokumenti vlerash, parimesh e rregullash të pranuara nga të gjithe. Ky dokument do te miratohet nga kryesia e Partise Socialiste dhe do te bazohet në vlera të cilat shprehin papajtueshmërinë me fenomene si nepotizmi, precedentët kriminale apo korruptive, diplomat fallco, mospërputhja e vendit te punës me arsimin perkates.

Parimet e meritokracisë, transparencës dhe konkurueshmëria janë parimet që do të udheheqin punen e ketij Këshilli.

Negociata ndoshta, por PS paralajmëron Bashën dhe Kryemadhin: Zgjedhjet më 2021

Teksa Basha doli të martën në mbështetje të dekretit të Metës që në 13 tetor të zhvillohen 3 palë zgjedhje, pra zgjedhje lokale, të përgjithshme dhe presidenciale, ka reaguar menjëherë zëdhënësja e qeverisë.

Elisa Spiropali ia bëri të qartë si Bashës ashtu edhe Metës se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më 2021 dhe as që mendohet të ketë të tjera. Spiropali i kërkon Bashës që të mos merret më me 30 qershorin, se këto zgjedhje tashmë janë kryer, por të hedhë sytë te zgjedhjet e 2021.

“Lulzim aman ndërro pllakën e gramafonit se s’dëgjohet më as ajo kënga monotone, po veç gërvishtjet e pllakës! Ndërroje atë dreq pllake dhe harroje 30 qershorin bashkë me Baba Xhiken se po të ikën edhe qershori 2021”, shkruan Spiroali në Twitter.

Edhe kryeministri Rama e tha qartë në një dalje për mediat të hënën, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa qëndrimet e opozitës, i cilësoi si akte që çojnë në vetë eliminimin e saj.

Maxhoranca nuk e njeh dekretin e Metës për 13 tetorin. Zgjedhjet lokale u zhvilluan dhe u njohën nga ndërkombëtarët. Zgjedhjet e parakohshme nuk ka asnjë arsye që të zhvillohen duke u nisur nga parashikimet e Kushtetutës, ndërsa ato presidencialet bien kryekëput në kundërshtim me Kushtetutën, dhe duken si një dëshirë e Metës për të mbajtur karrigen, në prag të shkarkimit.

“Shkelje etike”, PS kërkon shkarkimin e Arben Malajt, nga të njëjtët deputetë që e propozuan

Realstory.al ka mësuar ekskluzivisht se 28 deputetë i kanë bërë një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkojnë shkarkimin e Arben Malajt, nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shipërisë. Mësohet se kërkesa është depozituar tashmë në Kuvend, dhe shkarkimi i Malajt pritet të bëhet në seancës plenare të së enjtes. Argumenti i paraqitur nga deputetët për shkarkimin e Arben Malajt, është shkelja e etikës.  

Kërkesa për shkarkimin e Arben Malajt është firmosur nga një pjesë e deputetëve të cilët në 2018 e propozuan: Taulant Balla, Antonela Mema, Ervin Bushati dhe Ervin Skuqi. Arben Malaj u zgjodh si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 2018, i propozuar nga Partia Socialiste dhe i mbështetur në Kuvend. Megjithatë, Malaj, gjatë javëve dhe muajve të fundit, ka lënë mënjanë detyrën e tij si anëtar i Këshillit Mbikqyrës në BSH, dhe është rikthyer në ‘zanatin’ e vjetër, politikën.

Ai shpesh ka folur kundër kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, duke e cilësuar edhe “arrogant”, apo kundër Partisë Socialiste. “Është rritur arroganca e qeverisjes ndaj shqiptarëve. Rritja e arrogancës fillon nga Bashkia e Tiranës. Kam kundërshtuar moslejimin e shitësve në rrugë. Nuk po flas për qumështin, por si mund të sillesh me arrogancë për atë që nxjerr dy tufa presh, një arkë domate, disa qepë për të blerë një palë këpucë, për të dërguar djalin në shkollë apo për të shkuar diku”.

“Ne qeverisim me gjoba, jo me zemër. Dhe pastaj harxhon mijëra orë në TV duke mbjellë pemë për të përmirësuar imazhin. I gatshëm të përballem me Veliajn për këto çështje. Nuk kthehem në politikë nëpërmjet kësaj PS-je. PS e vërtetë janë njerëzit e thjeshtë, jo ato që vodhën pushtetin” , u shpreh në maj të këtij viti Arben Malaj. Ndaj, për këtë arsye, deputetët socialistë kanë vendosur të kërkojnë shkarkimin e Arben Malajt, i cili në fakt, më herët, ka qenë pjesë e kësaj organizate politike duke mbajtur gjithmonë poste të larta drejtuese.

Zguri është kundër, PS kërkon mandatet e këshillave në Kolegj

Partia Socialiste ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor 4 padi, ku kërkon shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit. Padia e PS vjen pasi KQZ-ja e ka të pamundur të shpërndajë mandatet për këshilltarët bashkiakë, pasi kërkohet shumicë e cilësuar votash të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjë që për momentin nuk është e mundur.

Shkaku është Klemt Zguri, i cili në të gjitha rastet ka votuar kundër shpërndarjes së mandateve, pasi kreu i KQZ nuk e njeh 30 qershorin si datë të ligjshme zgjedhjesh, duke respektuar dekretin e Ilir Metës. Aktualisht, PS kërkon nga Kolegji Zgjedhor shpërndarjen e mandateve në katër bashki: Ura Vajgurore, Konispoli, Devolli dhe Kuçova.

Ky veprim i PS vjen pasi kryetarët e rinj të bashkive të zgjedhur në 30 qershor, nuk mund të marrin dot mandatin e kryetarit pa bërë  betimin në Këshillin Bashkiak. Rrjedhimisht, Partia Socialiste do të kërkojë nga Kolegji Zgjedhor shpërndarjen e mandateve për të gjitha bashkitë e vendit, me qëllim që të përmbyllet gjithë procesi elektoral i 30 qershorit dhe kryetarët e rinj të marrin mandatin e tyre.

Një situatë e ngjashme si kjo tani ka ndodhur në 2011, kur Kolegji Zgjedhor bëri certifikimin e mandateve për këshilltarët e zgjedhur të bashkisë së Tiranës. Sipas Kodit Zgjedhor, certifikimi i këshillave bashkiakë është i vlefshëm kur votojnë ‘pro’ jo më pak se 5 anëtar të KQZ-së. Kështu, në mungesë të shumicës absolute, pasi Klement Zguri voton kundër, Partia Socialiste është e detyruar të kërkojë shpërndarjen e mandateve nga Kolegji Zgjedhor.

Gjykatat u japin mandatin bashkiakëve të rinj

Pas Gledian Llatjas në Elbasan, Gjykatat në vend kanë konfirmuar mandatet e bashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, edhe për tre të zgjedhur të tjerë vendor. Kastriot Gurra në Librazhd, Armando Subashi në Fier dhe Redjan Krali në Kavajë, janë ligjëruar si kryetar të ligjshëm përkatësisht nga Gjykata e Elbasanit, Fierit dhe Kavajës. Në këtë mënyrë, nëpërmjet verdiktit gjyqësor, pas vendimit të KQZ, të zgjedhurit nga procesi elektoral i 30 qershorit, njihen zyrtarisht si kryetarët e rinj të bashkive në vend.

Gjithashtu, njohja ligjore e tyre, rrëzon përfundimisht pretendimet e opozitës dhe presidentit për paligjshmërinë e procesit zgjedhor të 30 qershorit. Tre ditë më parë, opozita nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, u bëri thirrje Gjykatave në vend, që të mos njohin mandatet e të zgjedhurve të rinj vendor, deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të bëjë dhe një vlerësim të ligjshmërisë së 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me Veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve”, tha Bardhi.

Ndërkohë, një ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryesuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover u shpreh se “do të jenë autoritetet e vendit dhe gjykatat ato që do të bëjnë certifikimin e rezultatit zgjedhor”. Në fakt, vendimet e ditëve të fundit nga disa gjykata në vend, po i japin të drejtë mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, që njohën si proces të ligjshëm zgjedhor atë të 30 qershorit, i përcaktuar sipas kornizës kushtetuese.

PS merr 70% të këshillave bashkiake, PSD del e dyta

Veç drejtimit të 60 bashkive të vendit, Partia Socialiste ka arritur të fitojë 70 % të mandateve të këshillave bashkiakë. ABC News ka siguruar të gjitha të dhënat zyrtare të KQZ për parlamentet lokalë, ku forcë e dytë rezulton partia e Tom Doshit, ndërsa alternativa opozitare, Bindja Demokratike, ka siguruar vetëm 1.5 % të vendeve në këshilla.

60 kryebashkiakët e zgjedhur nën logon e Partisë Socialiste, nuk do të kenë probleme në menaxhimin e pushtetit të tyre lokal, kjo pasi selia rozë ka arritur të sigurojë shumicë dërrmuese të këshillave bashkiakë në cdo bashki të vendit. Sipas të dhënave zyrtare që ABC News ka siguruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Edi Rama ka  fituar 70 % të mandateve lokale.

Në mbarë vendin janë zgjedhur 1 619 këshilltarë, nga të cilët 1 136 i ka fituar Partia Socialiste. Në dy bashki, në Delvinë dhe Konispol, PS i ka fituar 100 % të karrigeve të këshilltarëve.

Alternativa kryesore opozitare përballë Edi Ramës ka arritur të sigurojë vetëm 24 mandate këshilltarësh, që përbëjnë 1.5 % të totalit.

Nga të dhënat rezulton se Partia e dytë në rang kombëtar, pas sociaslitëve të jetë partia Social Demokrate, që pas tërheqjes së Gjinushit, praktikisht drejtohet nga deputeti Tom Doshi. Kjo parti ka siguruar 81 mandate, ose 5 % të totalit.

Numrin më të lartë të këshilltarëve, kjo parti e ka në Shkodër dhe Vaun e Dejës, zona ku Doshi ushtron dhe influencën e tij më të madhe politike.

Partia e tretë, që ka vetëm 2 mandate më pak se sa partia e Doshit, është Demokracia Sociale e Paskal Milos. Kjo parti ka fituar 79 mandate, ose 4.8 % të totalit, e cila një shtrirje me 1-3 mandate në mbarë vendin.

Me këto shifra PS do ta ketë të lehtë të garantojë shumicën në këshillat bashkiakë, një element i domosdoshëm që kryetarët të mund të kalojnë buxhetet apo projektet e debatueshme.

MANDATE NË MBARË VENDIN 1619 100%

PARTIA SOCIALISTE 1,136 – 70%

PARTIA SOCIALDEMOKRATE 81 – 5 %

PARTIA DEMOKRACIA SOCIALE 79 – 4.8 %

BINDJA DEMOKRATIKE 24 – 1.5 %

Zgjedhjet e 30 qershorit, PS ‘tejkalon veten’ 73 mijë vota më shumë se në 2015

Socialistët do t’i kalojnë ditët e nxehta të korrikut mes shifrash. Llogaritja e rezultateve të 30 qershorit dhe krahasimi me votën politike të vitit 2017 dhe votës së veçuar nga koalicioni në zgjedhjet e vitit 2015 do të jenë pasqyra e vlerësimit në Asamblenë e fund korrikut.

A2 CNN ka bërë llogaritjen e 12 bashkive kryesore në vend si qendër qarku, ku nga rezultatet e këshillave bashkiakë, që shquhet vota për siglën e partisë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2015, duket një thellim i rezultatit në adresë të Partisë Socialiste, me 73 496 vota.

Kështu, për qarkun më të madh në vend, Tiranën, në vitin 2015, ku garonte po Erjon Veliaj, PS kishte marrë 108 290 vota, ndërsa më 30 qershor, 138 090 vota, me një diferencë gati 30 mijë vota. Duhet nënvizuar se këto vota janë vetëm për siglën e Partisë Socialiste, pa votat e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Në vitin 2015, socialistëve iu shtuan edhe 54 mijë votat e LSI dhe disa mijëra të tjera nga aleatët e vegjël. Në vijim të kësaj logjike, diferenca e votave ndihet më shume në Fier, me 11 273 vota mbi rezultatin që vetë Armando Subashi kishte marrë në vitin 2015. Renditet I treti Elbasani, që ka shtuar votat e socialistëve me 10 248 vota më shumë se sa rezultati që pati paraardhësi i Gentian Llatjas, Qazim Sejdini.

Në listë vijon Vlora, Durrësi, Berati, Kukësi e Shkodra. Ndërsa diferencën më të vogël e ka bërë Lezha me vetëm 765 vota mbi rezultatin e vitit 2015, dhe e fundit Dibra me vetëm 315 vota shtesë. Nëse shohim rezultatet e vitit 2015, duket se këto janë vota të marra nga LSI, që ka pasur rezultatin e dytë më të mirë pas PS në koalicion.

Megjithatë, duhet të sjellim në vëmendje se në të dhënat krahasuese të vitit 2019, ne kutitë e votimin në 10 bashki, u gjetën më shumë fletë votimi se votues. Fenomenin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e justifikoi me faktin se të dhënat ishin përcjellë me telefon, dhe rrugës mund të ketë pasur lapsuse në llogaritje. Gjithsesi, analiza e votës do të tregojë në Asamblenë e Përgjithshme të PS, nëse do të ketë “prerje kokash” për ata që nuk kanë arritur objektivat e partisë, apo ngritje në detyrë për ata që kanë pasur performancën më të mirë.

Skip to toolbar