Socialistët marrin Kamzën. Mziu bën thirrje për protestë

AKTUALITET


Kandidati socialist Rakip Suli është betuar të mërkurën si kryebashkiaku i ri i Kamzës,  duke e kaluar këtë bashki, të cilësuar bastion të demokratëve, në administrimin e PS-së.

Bashkia e Kamzës është drejtuar përgjatë 12 viteve të fundit nga Xhelal Mziu i PD-së, i cili edhe gjatë ditës së mëkurë ka qëndruar në zyrën e tij dhe ka deklaruar se nuk do ta lirojë atë pasi zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme. Për më tepër Mziu ka publikuar në facebook një thirrje për protesta për të mbrojtur bashkinë kundër “komunizmit, krimit, korrupsionit, votimeve moniste” jo 6%!”.


Mziu bëri thirrje që demokratët të mblidhen në orën 12.00 pranë bashkisë së Kamzës, ku janë mbledhur një numër i vogël militantësh të PD-së.

Ndërkohë që ceremonia e betimit të kryetarit të ri është zhvilluar në ambientet e një shkolle të Kamzës.

Pas përfundimit të konstituimit të këshillit bashkiak, disa nga anëtarët e këshillit do të shkojnë në ambientet e bashkisë, por nëse Mziu nuk do dalë nga zyra do të largohen për t’u kthyer sërish në orën 16:00. Nëse Mziu nuk do të dalë nga zyra pritet që edhe forcat e policisë të ndërhyjnë për të bërë të mundur largimin e tij, duke qenë se zyrtarisht nga sot, kryebashkiak i Kamzës është Rakip Suli.

Ajo që bie në sy është mungesa e qëndresës e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha i cili u kishte premtuar kryebashkiakëve të tij se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul dhe se ata nuk do të dalin nga zyrat e tyre. Por një nga një kryebashkiakët e djathtë i liruan zyrat ndërsa premtimet e Bashës mbetën rrugëve.




Skip to toolbar