Nga rindërtimi, paketa “anti-KÇK” dhe infrastruktura, Rama tregon 7 prioritetet e qeverisë për 2020

Kryeministri Edi Rama foli pas mbledhjes maratonë të qeverisë, që u mbajt të hënën në Golem. Rama deklaroi së pari se gjatë mbledhjes u diskutua për aktivitetin e ministrive duke u përqëndruar te problemet dhe prioritetet. Kryeministri theksoi se gjatë diskutimit pjesa më e rëndëisshme i është kushtuar rindërtimit.

“Ne në fund të çdo sesioni parlamentar në prag të pushimeve të verës dhe në prag të vitit të ri bëjmë një mbledhje të gjatë ku kalojmë të gjithë aktivitetin e ministrive duke u përqendruar te problemet dhe prioritetet. Kemi pasur një pjesë të rëndësishme për rindërtimin, kemi një plan shumë solid për të nisur procesin. Objektivi është që brenda pranverës të jetë e nisur dhe brenda 6 mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re. Për ata që do të hyjnë në lagjet e reja do të vijojnë të qëndrojnë me qira, deri kur të jenë gati”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri tregoi edhe temat e tjera të diskutuara gjatë mbledhjes së qeverisë. Rama pohoi se në fillim të janarit do të miratohet aktin normativ për paketën “Anti-Kap Ç`të Kapësh”. Gjithashtu, Rama renditi edhe 7 prioritetet e tjera të qeverisë shqiptare për vitin 2020, të cilat konsistojnë në investime të rëndësishme në arsim, infrastrukturë, etj.

“Kemi diskutuar ato që ju i keni parë, si 7 prioritetet e qeverisjes. Në fillim të janarit do të kalojmë aktin që u pengua për shkak të gjendjes së emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK dhe njëkohësisht do të vijojmë punën për Paktin për Universitetin, në pranverë fillon puna për Kampusin e madh, por edhe laboratori i ri shkencor, që do të jetë një risi për policinë e shtetit”.

“Te Akademia e Arteve do të rindërtojmë nga e para pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane. Energjinë dhe infrastrukturën kemi nisur procedurën për aeroportin e Vlorës, shumë shpejt procedura për portin e fotovoltaikëve. Shumë shpejt procedura për rrugën e re, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë. Po punohet dhe besoj se shpejt do të shpallet edhe për tunelin e Llogarasë dhe pastaj një sërë veprash të tjera, Shëngjin-Velipojë dhe të tjera. Shumë shpejt kalojmë ligjin e ri për tokën në parlament, do u japim zgjidhje aty ku nuk ka funksionuar 7501″, u shpreh Rama.

Një nga objektivat e qeverisë për vitin 2020 do të jetë dhe ofrimi i shumë shërbimeve online, që sipas Kryeministrit do të jenë në ndihmë të qytetarëve. Ai tha se synimi i qeverisë është që deri në fund të vitit 2020 të mbyllen të gjitha sportelet që ofrojnë shërbimet për qytetarët, me qëllim që këto shërbime të ofrohen online. Kështu, sipas Kryeministrit do të shmangen ryshfetet.

“Shërbimet online i kemi prioritet, në janar shumë shërbime kalojnë online, qytetarët nuk do të jenë të detyruar të shkojnë në zyra dhe sportele dhe me të renë që të gjitha dokumentet që qytetarët duhet ti marrin nga institucionet, do i garantojë vetë shteti. Në qershor do të jetë vala e dytë dhe në 2020 do të mbyllim të gjitha sportelet, kanalet e ryshfetit dhe radhëve në pritje përgjigje dhe e fundit, shengeni rajonal, që është një prioritet” tha ai.

Ngjela në Real Story: Kur të ngrihet SPAK, qeveria vihet nën hetim

Spartak Ngjela bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ai u shpreh se nën momentin që nis punën SPAK, do të bierë qeveria. Sipas Ngjelës, SPAK do të fillojë hetimin fillimisht me qeverinë. “Kjo 45% e popullsisë ndihet e frustuar së brendshmi. Janë sisteme bipolare. Edhe Italia që kishte një mori kaq të madh ishte bipolare. Këtu një pol nuk është i përfaqësuar. Që të arrihet në përfaqësim duhen zgjedhje. Por që të bëhen zgjedhjet duhet reforma. Sa më shumë të shpejtohet reforma, ta them unë, SPAK-u, aq më afër zgjedhjeve të reja je. Në momentet kur do fillojë SPAK-u hetimin, qeveria bie, nuk rrëzohet”, tha Ngjela.

Megjithatë, ai shtoi se kjo nuk rrëzon mazhorancën, pasi sipas Avokat Ngjelës, mazhoranca do të zgjedhë një qeveri të re. “Qeveria është nën hetim. Nuk fillojnë ata me opozitën, do fillojnë me mazhorancën. Nëse kjo qeveri me kryeministrin me 8 ministra janë nën hetim, s`mund të rrijnë ata. Por kjo nuk do të thotë se bie mazhoranca. Ajo do zgjedhi qeveri tjetër. Kjo do t`i zgjidh më shpejt, se do t`i bierë dhe karta kundërshtarit që të mos punojë me Ramën”, – tha Ngjela./Realstory.al/.

“U puthën me Mogherinin”, Basha sulmon KE dhe qeverinë

Pak minuta pasi përfundoi konferenca për mediat e Kryeministrit Edi Rama, doli kreu i Partisë Demokratike. Bisedën me gazetarët Lulzim Basha e nisi fillimisht duke shprehur keqardhjen e opozitës për refuzimin e BE-së. “Nuk është ajo që kemi dëshiruar, por do të ishte gënjeshtër nëse do të thonim se nuk e prisnim. PD-ja dhe unë personalisht kemi punuar fort për të bindur miqtë tanë gjermanë të Merkel për ta transformuar ‘JO’-në e tyre. Dëshironim të kishim një rezultat ndryshe, por nuk prisnim më mirë se ajo që Bundestagu vendosi, pra një PO të prerë, arsyet janë të qarta” tha ai.

Europa, i kujt është faji?

Më tej, duke e parë si përgjegjësi të kryeministrit dështimin për negociatat, Basha tha se Rama nëse do të kishte pasur një fije patriotizmi, duhet të kishte dhënë dorëheqjen. “Rruga për hapjen e negociatave shkruhet në 9 kushtet e Bundestagut. Përsëritja e zgjedhjeve të 30 Qershorit sipas një kodi të ri. Dua të konfirmoj edhe njëherë se jemi të vendosur për të bërë gjithçka për të mos e pranuar gjendjen e sotme, tërësisht dhe kryekëput përgjegjësi e një njeriu që sot po të kishte pasur një fije patriotizmi, duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe asgjë më pak, por as unë dhe as ju nuk e prisnim, ndoshta ndonjë socialist idealist” tha ai.

Lulzim Basha sulmoi raportin e Komisionit Europian, që rekomandon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Sipas Lulzim Bashës, raportet e KE-së për zgjerimin janë të zbukuruara dhe nuk paraqesin  realitetin. Ai tregoi, se të premten ishte kthyer nga Gjermania me informacione të freskëta, që sipas Bashës, tregonin mbosbesimin e vendeve anëtare.  “Në orën 13:00 erdha nga Berlini me informacionet më të freskëta. Është e vërtetë që mbizotëron mosbesim me vendet anëtare në raport me raportet e KE për zgjerimin, konsiderohen të zbukuruara, nuk paraqesin realitetin. Këtë tha edhe Holanda kur u shpreh se në rast e Maqedonisë ishin dakord, për Shqipërinë, krimi, korrupsioni dhe ndarja e pushtetit i ndalonin për hapjen e negociatave, në raport të qartë me raportin e zbukuruar të KE-së”, u shpreh Basha.

Më tej ai shtoi se qeveria në vend të përmbushte kushtet e Bundestagut, u “puth” me Mogherinin.  “Në vend që të plotësonim kushtet shtesë të Bundestagut, vazhduam të putheshim dhe përfaqafoheshim me komisonerin për zgjerimin, me Federica Mogherinin. Këta thonin “që i kemi bëra detyrat, “Plastë armiku!”, “plaçin fashistët !”. Nuk hapen negociata me propagandë. Shumë gjëra ka arritur Edi Rama me propagandë në Shqipëri për shkak të standardit tonë të ulët europian si shoqëri, por në Europë nuk shkohet me propagandë. Në Europë shkohet më të vërteta, të kontrolluara dhe aty ku ka dyshim për kontrollin e parë, kontrollohet edhe një herë tjetër. Dhe kjo ndodhi.”, tha Basha.

Por pavarësisht sulmeve ndaj BE-së dhe qeverisë, Basha nuk kërkoi zgjedhje të parakohshme. Ndonëse u shpreh se opozita është gati për t`u futur në zgjedhje në çdo moment, ai u shpreh se së pari duhet bërë reforma zgjedhore, që sipas Lulzim Bashës, është urgjencë kombëtare. “Reforma zgjedhore është urgjencë kombëtare, por jo për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Dua të deklaroj mbështetjen tonë të plotë për objektivat e shpallura nga Bundestagu, krijimi i Kushtetueses, SPAK-ut dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë. BE ka pasur dhe do të ketë probleme, por kjo nuk lidhet me negociatat shqiptare”, u shpreh Basha.

Më tej, Basha, pavarësisht akuzave ndaj mazhorancës, u shpreh se opozita duhet të marrë përgjegjësi për të dalë nga gjendja që është vendi. Sipas tij, hapat konkret janë propozimet si në rastin e reformës zgjedhore, për organizimin e zgjedhjeve të lira. “Ne si opozitë sot kemi një mision; të dalim nga kjo gjendje duke marrë përgjegjësi. Përgjegjësi është akoma në krye të qeverisë. Ndaj detyra jonë fillon me propozimin e hapave konkretë si rasti i reformës zgjedhore, por është detyra e çdo shqiptari, të bashkohemi për të marrë në dorë fatin tonë për të vendosur standardin e zgjedhjeve të lira”, tha Basha.

Basha shtoi se rruga e opozitës janë kushtet e Gjermanisë ndaj Shqipërisë për negociatat. “Isha i qartë kur u thashë që opozita dhe Europa flasin me një gjuhë; e sotmja nuk është ajo që dëshironim, por nuk ishte e papritur, minimumi ishin kushtet e Gjermanisë. Prandaj kushtet janë rruga, plani për çdo shqiptar që duhet të thotë cfarë duhet të ndryshojmë. Reformë zgjedhore, zgjedhje të lira, zbatimi i reformës në drejtësi, para drejtësisë çdo kush që ka abuzuar.  9 kushtet e Bundestagut janë rruga e PD-së” tha Basha./Realstory.al/

Rama: Të gjithë prefektët të shkojnë në Durrës. Hapni stadiumin

Kryeministri Edi Rama ka zhvendosur të gjithë prefektët, Forcat e Armatosura, deputetët dhe ministrat, në qytetin e Durrësit, aty ku pasojat e tërmeteve ishin më të mëdha dhe më shkatërruese.

Në mbledhjen e së dielës me prefektët në Ministrinë e Mbrojtjes, kreu i qeverisë tha se të gjithë prefektët do të spostohen në Durrës për të nisur menjëherë komunikimin me qytetarët, që janë prekur më shumë nga tërmeti i fuqishëm 5.8 ballë.

 “Gjëja e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të konkatohet për t’u dëgjuar. Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete, dhe brenda ditës së diel, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikolog që kapërcehet me komunikim”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri vuri në dukje se nuk duhet të ndodhin incidente si një natë më parë në Durrës, duke iu referuar moshapjes së stadiumit. “Mbrëmë jam marrë unë me stadiumin për të ndezur dritat, nuk e di sa orë. Kjo nuk duhet të përsëritet më. Qëndroni afër njerëzve dhe shpjegojini qytetarëve gjithçka që të minimizojmë panikun për plasaritjet. Çdo plasaritje dhe dëmtim pallati të inspektohet në mënyrë profesionale, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me cenim të rrezikshëm. Çdo familje duhet kontaktuar “sy më sy” para se të vijë nata. Stadiumi të hapet me drita ndezur, jo si mbrëmë që njerëzit rrinin në errësirë. Tërmeti është në psikologjinë e njerëzve akoma, prandaj duhet t’u ofrojmë gjithçka me të gjitha kapacitetet që kemi. Strukturat e godinave, detyrë parësore. Më pas plasaritjet e shtëpisë. Familjet duan të dinë sa të sigurt janë në shtëpitë e tyre”, deklaroi kryeministri para prefektëve, emergjencave civile dhe strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme.

Gjatë fjalës së tij, Rama u la detyra konkrete prefektëve dhe institucioneve të tjera që të kontaktohet çdo person i prekur nga tërmeti. “Pasdite dua të shikoj hartën, kush bën çfarë. Kush është përgjegjës për çdo pallat për t’u marrë me njerëzit dhe infrastrukturën. Prefekti, drejtori i emergjencave dhe dikush nga instituti i ndërtimit duhet të punojmë bashkë. Nëse e kemi këtë hartë sot gjithçka do të shkojë mbarë. Edhe identifikimi i dëmeve duhet bërë me kujdes, të mos mbetet pa asistuar asnjë, por të mos kemi spekulantë, duhen kontrolluar të gjithë bashkë të unifikuar. Si në një hartë beteje. Ju duhet të keni deri sot pasdite (e diel) çdo pikë të dëmtuar me emra. Kërkohet solidariteti i prefektëve të tjerë. E fundit që kam, ata që janë dëmtuar do të jenë të sigurt që të mos harrohen” tha Edi Rama.

“Conte 2” betohet në presidencë, emrat e 21 ministrave

Giuseppe Conte është betuar para presidentit Matarrella së bashku me 21 ministrat e kabinetit të ri qeveritar. Kryeministri italian ja doli që me lëvizjen e tij të dorëheqjes, jo vetëm të shmangte marrjen e pushtetit nga Salvini, por ta nxirrte atë jashtë qeverisë dhe të drejtonte një kabinet të dytë qeveritar.

Qeveria e re italiane përbëhet nga 21 ministra, nga të cilët 7 janë gra. 10 prej tyre i përkasin partisë Lëvizja 5 Yjet, 9 nga Partia Demokratike dhe 1 nga partia Të lirë dhe të Barabartë.

Ministri i parë që u betua dhe firmosi ishte ai i Marrëdhënieve me Parlamentin, Federico D’inca. Në përbërjen e kabinetit të ri bie në sy edhe ndryshimi i gjeografisë nga vijnë ministrat, 11 prej të cilëve, janë nga Jugu i Italisë. Mosha measatare e ministrave është 47 vjeç. Më i riu është Luigi Di Maio, ministri i Jashtëm, 33 vjec. Ministrja me moshën më të madhe është Luciana Lamorgese, 66 vjeçe.

Kryeministri Conte u shpreh para Presidentit Matarrella se: “Bazohemi në një program që shikon drejt të ardhmes, do t’i kushtojmë energjinë tonë më të mirë dhe pasionin tonë për ta bërë Italinë një vend më të mirë në interes të të gjithë qytetarëve”.

Qeveria e re e Giuseppe Conte:

Ministër i Brendshëm – Luciana Lamorgese

Ministër i Drejtësisë – Alfonso Bonafede

Ministër i Mbrojtjes – Lorenzo Guerini

Ministër i Ekonomisë – Roberto Gualtieri

Ministër i Jashtëm – Luigi Di Maio

Ministër i Zhvillimit Ekonomik – Stefano Patuanelli

Ministër i Bujqësisë – Teresa Bellanova

Ministër i Ambientit – Sergio Costa

Ministër i Çështjeve Rajonale – Francesco Boçia

Ministër i Transportit – Paola De Micheli

Ministër për Jugun – Giuseppe Provenzano

Ministër i Inovacionit Teknologjik – Paola Pisano

Ministër i Administratës Publike – Fabiana Dadone

Ministër i Shanseve të Barabarta – Elena Bonetti

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin – Federico D’Incà

Ministër për Çështjet Europiane – Enzo Amendola

Ministër i Punës – Nunzia Catalfo

Ministër i Arsimit – Lorenzo Fioramonti

Ministër i Kulturës – Dario Franceschini

Ministër i Shëndetësisë – Roberto Speranza

Ministër i Sporteve – Vincenzo Spadafora

Qeveria e re në Itali, “Conte 2” drejt betimit në presidencë

Giuseppe Conte pasi mori mbështetjen për të krijuar një kabinet të dytë qeveritar pritet të shkojë pasditen e së mërkurës në Presidencë ku do të bëjë betimin për drejtimin e qeverisë së re.

Në Palazzo Chigi, drejtuesit e ‘Lëvizjes 5 Yjet’ dhe Partisë Demokratike, i dhanë dorën e fundit marrëveshjes politike për krijimin e koalicionit të ri qeveritar që i jep fund krizës politike në Itali, me krijimin e një qeverie të drejtuar sërish nga Conte.

Mediat italiane raportojnë se në kabinetin ‘Conte 2’, Partia Demokratike dhe ‘Lëvizja 5 Yjet’ do të kenë numër pothuajse të barabartë të ministrave, pavarësisht se PD ka 104 deputetë dhe 51 senatorë kurse 5 Yjet, 216 deputetë dhe 107 senatorë.

Ekuilibrat e brishtë mesa duket për momentin janë forcuar me dakordësinë për postin e Ministrit të Jashtëm, i cili do t’i takojë Luigi di Maio-s.

Tani objektivi për Giuseppe Conte, është të ngjisë të mërkurën pasdite shkallët e pallatit presidencial për të bërë betimin e tij dhe qeverisë që ai do të drejtojë.

Vetëm pak javë më herët Giuseppe Conte dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit gjatë një fjalimi të mbajtur në parlament ndërsa hodhi akuza ndaj ministrit të Brendshëm Mateo Salvini. Presidenti Matarrella i dha afat partive politike që të arrijnë një kompromis në mënyrë që të shmangeshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Pas shumë negociatave u arrit një marrëveshje dhe Conte pranoi të drejtonte një kabinet të dytë qeveritar, ndërsa kushti ishte që Salvini të mbetej jashtë qeverisë.

PD i kërkon dorëheqjen, Rama: Do të jem në 2020 dhe … përtej

Kryeministri Rama ka gjetur një mënyrë origjinale për t’i kthyer përgjigje kërkesave pa fund të opozitës që ai të japë dorëheqjen. Gjatë ditës së shtunë shumë media e portale publikuan një shkrim të bazuar në një portal lokal grek, sipas të cilit kryeministri shqiptar ishte duke kaluar pushimet në Greqi. Mbrëmjen e së  shtunës ka reaguar Rama. Ai shkruan se është urdhër politik që jo vetëm ai, por të gjithë ministrat e qeverisë së tij, pushimet t’i bëjnë brenda kufijve të Shqipërisë.

Rama jep garanci se nuk ka bërë pushime jashtë Shqipërisë që nga vera e vitit 2013 (kur mori pushtetin) dhe nuk do të bëjë të tilla pushime deri në 2020 (kur i mbaron mandati) dhe X, duke e lënë të panjohur vitin se sa ai do të vijojë të qëndrojë si kryeministër.

Pasi kjo varet nga zgjedhjet e vitit 2020. Përmes kësaj deklarate kryeministri jo vetëm që i kthen përgjigje opozitës që prej shumë muajsh kërkon dorëheqjen e tij, por i kthen përgjigje edhe presidentit Meta që ka caktuar datën 13 tetor për zgjedhje vendore dhe të përgjithshme. Rama tregon se maxhoranca nuk do të pranojë asnjë kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Ramës mandati i qeverisë aktuale mbaron në 2020 dhe zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen pikërisht në atë vit. Madje ai shpreson se do të fitojë një mandat të 3-të qeverisës, të paktën kjo mendohet se fshihet pas X të panjohur. 

15-vjeçarja me sëmundje të rëndë niset drejt Turqisë, qeveria i mbulon shpenzimet

15-vjeçarja Elona Kuburja nga Fushë Kruja, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë dhe e rrallë, është dërguar për mjekim në Turqi. Kjo sëmundje nuk mund të trajtohet në Shqipëri dhe në Turqi kurimi dhe operacioni kanë një kosto vërtet të lartë. Rasti është mbështetur nga qeveria shqiptare, e cila do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e vajzës 15-vjeçare.

Lajmi është bëri i ditur nga kryeministri Rama, i cili thekson se 15-vjeçarja ka mbërritur në një spital në Stamboll dhe është në pritje të përcaktimit të ekipit të përshtatshëm mjekësor,  pasi problematika e kësaj sëmundje është tepër komplekse.

“Duke qenë se jo pak prej jush, interesoheni për Elonën, vajzën 15vjeçare që po lufton me një sëmundje shumë të rrallë e të rrezikshme, ju bëj me dije se e kemi asistuar me përkushtim të plotë dhe kemi ndjekur me shumë përparësi procedurën, për kurimin e saj në një spital publik të specializuar në Turqi. Presim nga ora në orë përgjigjen, po na duhet durim, sepse problematika shumë komplekse e kësaj sëmundjeje, ndikon në kohën e vendimmarrjes nga specialistët e palës tjetër, për të përcaktuar strukturën spitalore dhe ekipin më të përshtatshëm mjekësor për këtë rast shumë të rrallë.

Sidoqoftë Elona para pak ka mbërritur në një spital privat në Stamboll dhe në çdo rast, të gjitha shpenzimet për kurimin e saj, do t’i mbulojë Qeveria Shqiptare. Uroj me gjithë zemër që vogëlushja të kthehet shëndosh e mirë në Shqipëri.’- shkruan Rama

Thaçi kërkon kandidatin e ri për ngritjen e qeverisë së Kosovës

 Presidenti i Kosovës i kërkoi të premten koalicionit fitues të zgjedhjeve të vitit 2017, që të propozojë kandidatin e ri për themelimin e qeverisë, pas dorëheqjes së dy javëve më parë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në letrën drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli që ishte bartës i listës së koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe një grup partish më të vogla, presidenti Thaçi shkruan se në bazë të Kushtetutës koalicioni ka të drejtë të propozojë kandidatin duke i kërkuar që ta bëjë një gjë të tillë.

Letra e së premtes, pasoi fillimin e këshillimeve të tij me partitë politike për zgjidhjen e situatës së krijuar pas dorëheqjes së zotit Haradinaj. Gjatë javës, presidenti Thaçi takoi partitë e komuniteteve pakicë dhe kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të diskutuar zhvillimet politike në vend.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm të partitë politike ndaj kësaj letre e cila, mund të jetë një veprim për të përmbushur detyrimin kushtetues të presidentit i cili ose kërkon mandatar të ri ose në këshillim me partitë politike cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjatë javës ai tha se është i gatshëm t’i shpallë zgjedhjet e reja nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje tjetër për situatën e krijuar.

Partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja, ndërsa një pjesë e tyre ka kërkuar nga presidenti i vendit që të veprohet më shpejt në të kundërtën do të hedhin nismën për shpërndarjen e parlamentit përmes votimit që kërkon dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh.

Kosova po përballet me një krizë të re politike pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr javën e kaluar për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë. /VOA

Miratohet buxheti, qeveria jep 150 milion lekë për SPAK, gati prangat për ‘peshqit e mëdhenj’

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), është drejt ngritjes së saj. Të mërkurën kaloi me sukses Vettingun prokurori Altin Dumani, i cili është renditur kandidati me më shumë pikë nga KLP për t`u bërë anëtar i SPAK. Në të njëjtën ditë, në 31 maj, ndërkohë që Dumani dëgjonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në godinën e Kryeministrisë zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave. Në pikën e parë të rendit të ditës të kësaj mbledhje, ishte pikërisht miratimi i buxhetit për SPAK. 150 milionë lekë do të jenë në dispozicion të SPAK për të ushtruar aktivitetin gjatë muajve të mbetur të vitit 2019.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 10, të nenit 57, të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i përcaktohet për vitin 2019 buxheti fillestar prej 150 000 000 (njëqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve lidhur me ushtrimin e aktivitetit gjatë vitit 2019”, shkruhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet “të jetë funksionale në fund të muajit shtator”, është shprehur më herët kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Tashmë janë publikuar emrat e 15 porkurorëve të parë, që kanë marrë vlerësim pozitiv nga KLP dhe janë përzgjedhur si kandidat të SPAK.

Ky organ, sipas Kushtetutës përbëhet nga 15 porkurorë, ndërsa që të jetë funksionale mund të përbëhet dhe nga 10 prokurorë, të cilët si kushte kryesor që të bëhen anëtar të SPAK, duhet të kenë kaluar Vettingun dhe të jenë vlerësuar pozitivisht në kriteret profesionale dhe ato morale.

SPAK do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të politikës. Kjo strukturë pritet të “shkund” pluhurin e harresës të shumë dosjeve të politikanëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, të cilët në të kaluarën janë akuzuar për korrupsion, por që dosjet e tyre, ose nuk janë hetuar ose janë pushuar nga gjyqësori i kaluar.

Skip to toolbar