Asambleja e PS më 23 korrik, kriteret e zgjedhjeve në parti

Asambleja e Partisë Socialiste do të zhvillohet më 23 korrik, ditën e martë në orën 16:00. Punimet e Asamblesë do të hapen nga kryeministri Rama dhe në fokus të diskutimeve do të jetë analiza e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Gjithashtu një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë diskutimi mbi organizimin dhe vendosjen e kritereve për zhvillimin e zgjedhjeve brenda partisë.

Rendi i ditës së Asamblesë së Partisë Socialiste

1. Fjala e Kryetarit të PS, Edi RAMA.

2. Analizë mbi rezultatet e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019.

3. Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Vendimit “Për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti”.

4. Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit “Për Zgjedhjet e reja të përgjithshme në parti”.

5. Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit “Për kriteret përzgjedhëse për delegatet e kongresit, kryetaret e partisë të bashkive, kryetarët e KS të Nj.A dhe kryetaret e OS.

6. Të ndryshme.

Rama nxjerr jashtë loje Metën, i shtrin dorën Bashës për dialog

Pas një mbledhje kryesie që ka zgjatur plot 5 orë, kryeministri Rama e bëri të qartë dhe njëherë si për presidentin Meta, ashtu edhe për kreun e PD-së, Basha, se nuk e njeh dekretin e 13 tetorit dhe se nuk do të ketë zgjedhje të tjera përveç atyre të vitit 2021.

Rama gjithashtu u shpreh i gatshëm të ulet dhe të dialogojë me opozitën por jo për çështje që lidhen me ndryshime kushtetuese apo për kufizim të mandatit qeverisës. Ai tha se maxhoranca e tij e ka detyrim të forcojë kulturën e ligjit në vend. Ndryshe nga sa propozon Meta e që mbështetet nga Basha e Kryemadhi që në 13 tetor të zhvillohen 3 procese zgjedhor në kundërshtim me Kushtetutën.

“13 tetori për mua është njëlloj si 12 tetori, 6 nëntor, 22 dhjetori…. S’njoh ndonjë 13 tetor. Është një e diel si të gjithë të tjerat që kemi përpara.

Ne jemi absolutisht të disponueshëm për t’u ulur në tryezë me të gjithë pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë paragjykim për të diskutuar për sfidat e vendit dhe për ç’ka është e rëndësishme në funksion të rregullave të lokës, pra në funksion të reformës zgjedhore. Për sa i përket kushtetutës dhe mandatit tonë qeverisës këto nuk janë çështje që i kemi për diskutim me askënd tjetër, sepse lidhen me detyrimet tona. Ne kemi detyrimin të forcojmë kulturën e ligjit dhe nga ana tjetër kemi detyrimin të mbajmë me nder dhe dinjitet një mandat që na është dhënë për të qeverisur deri në vitin 2021”, është shprehur Rama.

I pyetur disa herë për dekretin e Metës, Rama tha se “zgjedhjet janë bërë në 30 qershor. Ne e kemi sfidën me problemet e njerëzve dhe jo me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo të presidencës”.

Me këtë deklaratë Rama i jep përgjigjen përfundimtare insistimit të vazhdueshëm të presidentit Meta që palët të shohin si zgjidhje të krizës datën 13 tetor. Për Ramën kjo datë nuk ekziston, zgjedhjet janë bërë, ndërsa opozitës i shtrin dorën për dialog për reformën zgjedhore dhe çdo çështje tjetër që nuk lidhet me ndryshimin e Kushtetutës apo zgjedhje të parakohshme, duke e nxjerrë jasht loje Metën dhe tentativen e tij për negociata./realstory.al

Deshi luftë, Qeveria ja jep: i mbyll hotelin Bylykbashit

Pas kritikave të ashpra që kryeministri Rama u bëri tatimorëve në mbledhjen e së hënës, ku kërkoi luftë kundër informalitetit, kanë nisur masat e para. Vetë kryeministri ka publikuar fotot e bllokimit të një hoteli nga Tatimet që mesa duket nuk ishte në rregull me pagesat.  Kryeministri shkruan se nuk do të lejohen shkelësit e ligjit, ndaj të gjithë të bëjnë llogaritë.

Report Tv raporton se hoteli në fjalë është në pronësi të ish deputetit demokrat Aurel Bylykbashi dhe ndodhet në zonën e llixhave të Elbasanit. Kujtojmë se Bylykbashi para zgjedhjeve të 30 qershorit bëri thirrje për vëlla vrasje vetëm që të pengohej procesi zgjedhor. Për këtë arsye ai u shoqërua në polici.

“Stop informalitetit. A i’a vlen humbja që sjell bllokimi ligjor për përfitimet nga shkelja e ligjit?! Kushdo që shkel ende ligjin le t’i bjerë lapsit. Numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës”, shkruan Rama në një postim në Facebook. 

Të hënën, kreu i qeverisë, Edi Rama paralajmëroi  “furtunë” te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas shkarkimit të drejtorit Enton Duro. Në prezantimin e drejtoreshës së re të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, Rama theksoi se rezultati do të jetë bazik për çdo drejtor e punonjës të administratës shtetërore. Duke iu drejtuar të gjithë bizneseve në vend ai u bëri thirrje që të lëshojnë rregullisht faturat, pasi në të kundërt pasojat do të jenë të rënda.

#STOPINFORMALITETIT✋A i’a vlen humbja që sjell bllokimi ligjor për përfitimet nga shkelja e ligjit?! Kushdo që shkel…

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 16. Juli 2019

Rama braktis Vlorën. Tani në krye të katër qarqeve të Veriut

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kryesinë e PS-së në orën 09:00 të mërkurën ku ka vendosur ta shtyjë me një ditë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë. Kjo mbledhje do të zhvillohet në datën 23 korrik në orën 18.00. Në Asamble pritet të votohen ndryshimet organizative të strukturave të PS-së.

Ditën e martë Rama zhvilloi në selinë e PS një takim me drejtuesit në qarqet që ai do të marrë në koordinim politik, Lezhën, Shkodrën, Dibrën dhe Kukësin. Në takimin 1 orësh që kryeministri Rama pati me drejtuesit e qarqeve të veriut, mësohet se ka dhënë porosi që vëmendja kryesore duhet të jetë në konstituimin e këshillave të qarqeve. Gjithashtu, mësohet se kryeministri ka kërkuar që pranë bashkive të vijnë njerëz me integritet, ndërsa ka ripërsëritur se asnjë grua apo vajzë që e meriton vendin e punës në bashki nuk do të hiqet nga puna.

Kryeministri Rama do të braktisë Vlorën nga ka dalë deputet dhe do të ngjitet në veri të vendit duke qenë koordinator i 4 qarqeve së bashku, Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër. Drejtuesit aktualë politikë, Ditmir Bushati, Safet Gjici, Lindita Nikolla dhe Olta Xhaçka do të raportojnë te numri një i socialistëve. Ndërsa Taulant Balla do të ketë nën koordinim kryeqytetin, Durrësin, Elbasanin dhe Korçën. Blerina Gjylameti, Vangjush Dako dhe Niko Peleshi do të raportojnë te numri dy i partisë. Ndërkohë te Gramoz Ruçi do të japin llogari drejtuesit politikë të Fierit, Beratit, Gjirokastrës dhe Vlorës, Blendi Klosi, Bledi Çuçi dhe Damian Gjiknuri.

Detyrat e caktuara nga kryeministri Rama

Zgjedhjet e 30 qershorit na kanë ngarkuar me një barrë të jashtëzakonshme përgjegjësie dhe mbajtja e saj është përgjegjësi e drejtuesve politikë; deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve dhe kryetarëve të partisë së çdo njësie administrative.

Për këtë arsye po jo vetëm, është koha për këtë forum drejtues e koordinues të Partisë Socialiste (PS), Grupit të Partisë Socialiste (GPS), Qeverisë dhe Bashkive.

1. Si fillim ka shumë rendesi mirëadministrimi i procesit të konstituimit dhe planifikimi i analizave të qeverisjes vendore në çdo Bashki (aty ku e kemi pasur dhe aty ku nuk e kemi pasur drejtimin).

2. Tranzicioni në ish-bashkitë e djathta do të jetë i butë, i ngadaltë dhe transparent.

Natyrshëm do të shkarkohen menjëhere stafet politike, por zëvendësimet do të behen me propozim të Kryetarit të Bashkisë dhe miratim të Këshillit Drejtues të Rajonit (në vijim Këshillit). Në dy nënkryetarë një duhet të jetë detyrimisht grua.

3. Administrata nuk do te preket, kurresesi! Fillimisht do të përgatitet pasqyra ekzistuese e burimeve njerëzore, me te gjitha te dhenat e nevojshme, duke filluar nga nivelet drejtuese.

4. Çdo largim i nevojshem, do të argumentohet ne Këshill dhe çdo emërim do të propozohet nga kryetari i bashkise po do te miratohet detyrimisht në Këshill. Në mënyrë kategorike nuk do të levizë për asnjë arsye asnjë grua dhe vajzë, në çdo nivel qoftë – kur dhe vetëm nëse do të verifikohet në kushtet e papajtueshmërisë me detyrën, rasti do t’i percillet Keshillit.

5. Kryetarët e Bashkive do të paraqesin paraprakisht në Këshillin Drejtues të Rajonit planet, vendimet dhe kerkesat apo ankesat e tyre lidhur me Qeverinë, Kuvendin apo ministra ose deputete të veçante.

Këshilli Drejtues i Rajonit do të jetë dhoma konsultative e PS-së për mirëqeverisjen vendore. Gjithashtu në këtë Këshill do të diskutohen e do të miratohen propozimet për largime apo punesime – natyrisht vetem per rastet kur nuk janë subjekte të Shërbimit Civil të Republikës. Nderhyrjet individuale nga lart dhe qokat personale nga poshte, duhet te marrin fundit.

6. Në çdo Qark do të pergatitet edhe analiza e sherbimeve publike te institucioneve qendrore, e cila do te zhvillohet ne muajin shtator.

7. Çdo drejtorie dhe drejtori te institucioneve te lartpermendura, duhet t’i behet analiza e performancës nga këndvështrimi i cilesise se shërbimit ndaj komunitetit si edhe reputacionit në komunitet.

8. Shkarkimet apo spostimet per performance te dobet apo humbje te besimit te komunitetit, nuk mjaftojne nese nuk garantohen zëvendësime dinjitoze dhe transparente. Keshilli do te jete pergjegjes per kete dhe do te mbaje qendrim per cdo shkelje te kesaj kerkese nga cilidoqofte.

9. Do të pergatitet analiza kapilare e çdo qendre votimi dhe duhet të behet verifikimi i gjendjes fizike e morale të çdo organizate socialiste.

Të gjithë kryetarët e Organizatave Socialiste (OS) që nuk kanë performuar sipas objektivave nuk duhet te rikandidojne per drejtimin e OS.

10. Ne kuader te hapjes se metejshme te Partise Socialiste do të përgatitet plani për Forumet e Hapura Qytetare të nxënësve, studentëve dhe te tjerëve.

Forumet do të shërbejnë si hapësira komplementare të PS-së ku u jepet mundesia e përfshirjes simpatizantëve tanë.

Keshillat Drejtues të tre Rajoneve do të funksionojnë mbi bazën e një dokumenti vlerash, parimesh e rregullash të pranuara nga të gjithe. Ky dokument do te miratohet nga kryesia e Partise Socialiste dhe do te bazohet në vlera të cilat shprehin papajtueshmërinë me fenomene si nepotizmi, precedentët kriminale apo korruptive, diplomat fallco, mospërputhja e vendit te punës me arsimin perkates.

Parimet e meritokracisë, transparencës dhe konkurueshmëria janë parimet që do të udheheqin punen e ketij Këshilli.

10 porositë e Ramës: Kujdes shkarkimet, mos largoni asnjë femër

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e martë drejtuesit e katër qarqeve të veriut në selinë e Partisë Socialiste, konkretisht drejtuesit e Shkodrës, Kukësit, Lezhës dhe Dibrës. Takimi vjen një ditë pasi Rama vendosi të jetë koordinator për zonë e veriut.

Gjatë takimit kryeministri Rama u ka dhënë porosi në lidhje me vijimin e punës në bashkitë e veriut pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Porosia e Ramës në këtë takim është fokusuar me emërimet dhe shkarkimet e pajustifikuara nga bashkitë e djathta. Kryeministri u ka kërkuar drejtuesve të qarqeve që të  tregojnë kujdes me emërimet dhe shkarkimet në bashkitë e djathta dhe se nga këto bashki nuk do të hiqet asnjë vajzë ose grua nga puna. Në fakt, ky ishte edhe një nga premtimet që Rama dha disa herë gjatë fushatës elektorale të PS për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Të mos bëhet asnjë shkaktim apo lëvizje e pa justifikuar, por çdo gjë me arsye konkrete. Nuk do hiqet asnjë nga puna nga bashkitë ku kanë qenë të djathtët në drejtimin e tyre.  Nuk duhet prekur asnjë grua e vajzë. Të shihen vetëm postet politike.  Çdo vendim të merret në bazë të meritës” ka thënë Rama.

Ditën e hënë, Partia Socialiste vendosi tre drejtuesit Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla në koordinimin politik të 12 qarqeve të Shqipërisë. Përkatësisht Rama do të drejtojë rajonin Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës. Shqipëria e Mesme i është besuar Taulant Ballës i cili do të koordinojë qarqet Tiranë-Durrës-Elbasan-Korçë. Ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi do të jetë koordinatori rajonal i Fierit-Beratit-Vlorës-Gjirokastrës.

 Porositë:

1. Si fillim ka shumë rendësi miradministrimi i procesit të konstituimit dhe planifikimi i analizave të qeverisjes vendore në çdo Bashki (aty ku e kemi pasur dhe aty ku nuk e kemi pasur drejtimin).

2. Tranzicioni në ish-bashkitë e djathta do të jetë i butë, i ngadaltë dhe transparent. Natyrshëm do të shkarkohen menjëherë stafet politike, por zëvendësimet do të bëhen me propozim të Kryetarit të Bashkisë dhe miratim të Këshillit Drejtues të Rajonit (në vijim Këshillit). Në dy nënkryetarë një duhet të jetë detyrimisht grua.

3. Administrata nuk do te preket, kurrsesi! Fillimisht do të përgatitet pasqyra ekzistuese e burimeve njerëzore, me te gjitha te dhënat e nevojshme, duke filluar nga nivelet drejtuese.

4. Çdo largim i nevojshëm, do të argumentohet ne Këshill dhe çdo emërim do të propozohet nga kryetari i bashkisë po do te miratohet detyrimisht në Këshill. Në mënyrë kategorike nuk do të lëvizë për asnjë arsye asnjë grua dhe vajzë, në çdo nivel qoftë – kur dhe vetëm nëse do të verifikohet në kushtet e papajtueshmërisë me detyrën, rasti do t’i përcillet Këshillit.

5. Kryetarët e Bashkive do të paraqesin paraprakisht në Këshillin Drejtues të Rajonit planet, vendimet dhe kërkesat apo ankesat e tyre lidhur me Qeverinë, Kuvendin apo ministra ose deputete të veçante.

Këshilli Drejtues i Rajonit do të jetë dhoma konsultative e PS-së për mirëqeverisjen vendore. Gjithashtu në këtë Këshill do të diskutohen e do të miratohen propozimet për largime apo punësime – natyrisht vetëm për rastet kur nuk janë subjekte të Shërbimit Civil të Republikës. Ndërhyrjet individuale nga lart dhe qokat personale nga poshtë, duhet te marrin fundit.

6. Në çdo Qark do të përgatitet edhe analiza e shërbimeve publike te institucioneve qendrore, e cila do te zhvillohet ne muajin shtator.

7. Çdo drejtorie dhe drejtori te institucioneve te lartpërmendura, duhet t’i behet analiza e performancës nga këndvështrimi i cilësisë se shërbimit ndaj komunitetit si edhe reputacionit në komunitet.

8. Shkarkimet apo spostimet për performance te dobët apo humbje te besimit te komunitetit, nuk mjaftojnë nëse nuk garantohen zëvendësime dinjitoze dhe transparente. Këshilli do te jete përgjegjës për këtë dhe do te mbaje qëndrim për çdo shkelje te kësaj kërkese nga cilido qofte.

9. Do të përgatitet analiza kapilare e çdo qendre votimi dhe duhet të behet verifikimi i gjendjes fizike e morale të çdo organizate socialiste.

Të gjithë kryetarët e Organizatave Socialiste (OS) që nuk kanë performuar sipas objektivave nuk duhet te rikandidojne per drejtimin e OS.

10. Ne kuadër te hapjes se mëtejshme te Partisë Socialiste do të përgatitet plani për Forumet e Hapura Qytetare të nxënësve, studentëve dhe te tjerëve. Forumet do të shërbejnë si hapësira komplementare të PS-së ku u jepet mundësia e përfshirjes simpatizantëve tanë. Këshillat Drejtues të tre Rajoneve do të funksionojnë mbi bazën e një dokumenti vlerash, parimesh e rregullash të pranuara nga të gjithe. Ky dokument do te miratohet nga kryesia e Partise Socialiste dhe do te bazohet në vlera të cilat shprehin papajtueshmërinë me fenomene si nepotizmi, precedentët kriminale apo korruptive, diplomat fallco, mospërputhja e vendit te punës me arsimin perkates. Parimet e meritokracisë, transparencës dhe konkurueshmëria janë parimet që do të udheheqin punen e ketij Këshilli.

Lufta Meta -Rama, Presidenti kthen në Kuvend ligjin për arin

Lufta institucionale mes Kryeministrit Rama dhe presidentit Meta vazhdon të jetë e fortë. Presidenti Meta me një vendim të ditës së ka kthyer një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend atë për “rezervat materiale të shtetit” duke e cilësuar atë të pajustifikuar. Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domosdoshme të ruhet standardi ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimmarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimmarrjes së Këshillit të Ministrave dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik, Ministër – Kryeministër.  “Ky ndryshim përbën rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimmarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.” –shkruhet në arsyetimin e presidentit Meta.

Më herët edhe opozita akuzoi kryeministrin Rama se me ndryshimin në ligj ai merr të drejtën e blerjes së arit në Shqipëri.   

Qeveria kërkoi ndryshimin në këtë nen të ligjit duke argumentuar se kjo bëhej për të thjeshtuar procedurat. “Kjo mënyrë e re e vendimmarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave” – thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave.

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 36/2019:

“Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 20 qershor 2019 ka miratuar ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”. Me shkresën e Kuvendit nr. 2596 prot, datë 26.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.2003 prot, datë 26.06.2019, ligji nr. 36/2019, i është përcjellë Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje.

Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky projektligj është propozim i Këshillit të Ministrave, nisëm e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo nisëm ligjore është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Referuar relacionit shpjegues të Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar propozimin e projektligjit, si dhe raportit të datës 17.06.2019 të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, rezulton se ndryshimi ligjor i miratuar synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kjo mënyrë e re e vendimarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave.

Presidenti i Republikës për shqyrtimin e ligjit nr. 36/2019, ju referua përmbajtjes së vet aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim. Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së qëllimit për të cilën ky akt është propozuar në raport me interesin publik.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 36/2019, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.

Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr.36/2019, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” është vërtet i nevojshëm apo jo.

Konkretisht;

Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” ka krijuar bazën ligjore të nevojshme për rregullimin e të gjitha marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.

Ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që prej datës 10.04.2008, nuk është ndryshuar për një periudhë 11 vjeçare dhe implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjell ndonjë problematikë të theksuar, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë administrative të strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.

Sipas nenit 2 të ligjit ekzistues nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, rezervat materiale të shtetit janë lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, prodhimet dhe mjetet e tjera të domosdoshme për depozitimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, ndërkohë që administrimi i tyre është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër, që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.

Në po këtë nen në pikën 4 të tij, jepet përkufizimi i termit “lëvrim” ku sipas ligjit lëvrimi është dhënia, falas ose me pagesë, e rezervave materiale të shtetit.

Ndërkohë në nenin 3, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, përcaktohet se:

“Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare”.

Referuar dispozitës së mësipërme, është e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar të përcaktojë me ligj rëndësinë madhore që ka krijimi, administrimi dhe përdorimi i rezervave materiale të shtetit, të cilat përveç krijimit dhe rifreskimit permanent të tyre, përdoren kryesisht në ato raste kur vihet në rrezik jeta dhe shendeti i popullatës, apo prona publike dhe private që në thelb të tyre bëjnë pjesë në ato marrëdhënie juridiko shoqërore mbrojtja e të cilave përbën interes të lartë publik.

Pikërisht për nga shumëllojshmëria dhe rëndësia e materialeve që përbëjnë rezervat shtetërore, ligjvënësi në nenin 5, pika 3 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, ka përcaktuar se:

“Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave” .

Këshilli i Ministrave me vendimin nr.1128, datë 05.08.2008 ka miratuar listën përbërëse të mallrave rezervë shtetërore, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull, ku në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi parashikohet dhe Grupi A, i mallrave rezervë material shtetërore si më poshtë:

Kuvendi i Shqipërisë, për lëvrimin e mallrave të Grupit A, që kanë një rëndësi të lartë dhe një vlerë të konsiderueshme për rezervat shtetërore, ka përcaktuar në nenin 10 pika 1, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, se:

“Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit”.

Ndërkohë që me ndryshimet që propozohen të realizohen me ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, Kuvendi ka miratuar ndryshimin pikërisht të pikës 1, të nenit 10 të ligjit bazë. Sipas nenit 1 të ligjit nr. 36/2019, parashikohet se:

Pika 1, e nenit 10, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, ndryshohet si më poshtë:

“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.

Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri më tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.

Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre.

Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzitues.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 100 përcakton ndër të tjera se Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 9000, date 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ligj ky në të cilin është përcaktuar faqe qartë, mënyra se si mblidhet, kush e thërret dhe si i merr vendimet qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 13 të këtij ligji përcaktohet se mbledhja e Këshillit te Ministrave thirret nga Kryeministri ose, ne mungesë dhe me porosi të tij, nga Zëvendëskryeministri.

Pra, autoriteti që ka për detyrë dhe përgjegjësi që të thërrase mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është vet Kryeministri. Në këtë mënyrë rezulton se, ndryshimet e propozuara në ligjin nr.9900/2008, për t’i kaluar Kryeministrit një kompetencë të Këshillit të Ministrave, nën argumentin se Kryeministri mund të vonojë mbledhjen dhe vendimarrjen e këtij organi kolegjial është absolutisht i pambështetur në ligj dhe krejtësisht i pajustifikuar.

Për më tepër, ligji nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ka parashikuar edhe ato raste kur mbledhja e Këshillit të Ministrave është e domodoshme të realizohet në mënyrë urgjente dhe në raste të jashtëzakonshme.

Konkretisht në nenin 14 të ligjit, parashikohet se: “ Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të jashtëzakonshme nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji”.

Pra edhe sipas kësaj dispozite është parashikuar edhe zgjidhja e atyre situatave të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur zbatimin e rregullit se rendi i ditës dhe projektaktet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dërgohet 2 (ditë) përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.

Pra është vet ligji organik i Këshillit të Ministrave që e ka zgjidhur qartësisht se si veprohet në situata emergjece me rëndësi të jashtëzakonshme.

Në këtë mënyrë, referuar parashikimeve të ligjit nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, rezulton se argumenti i përdorur për ndryshimin e nenit 10 pika 1 të ligjit nr. 9900/2008 “Për rezervat material të shtetit”, nuk qëndron dhe është ligjërisht i pajustifikuar, pasi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të mblidhet në çdo kohë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vështirësojë procesin vendimarrës të tij, përfshi këtu edhe vendimarrjen për lëvrimin e mallrave pjesë e rezervës shtetërore.

Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.

Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.

Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.

Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.

Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.

Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë

Siç u relatua më sipër, në përfundim të këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, konstaton se;

Nisma ligjore për ndryshimin e nenit 10, pika 1 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, është e pajustifikuar;

Dispozitat e ligjit të miratuar nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.

Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.

Sinqerisht,Ilir META”

Air Albania me destinacione të reja, Rama shpërndan mesazhin me superlativa

Avioni me logon shqiptare Air Albania së shpejti do të nisë fluturimet edhe në destinacione të tjera evropiane përveç Stambollit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Rama, i cili ka shpërndarë edhe një mesazh me superlativa për udhëtimin me Air Albania, dërguar atij nga disa udhëtarë.

Ata shkruajnë se udhëtimi komod me Air Albania i ka bërë ata të ndjehen krenarë që janë shqiptarë.

“I nderuar Z. Kryeminister, unë udhëtoj në gjithë botën, por ishte hera e parë që më rastisi të udhëtoj për në Stamboll me Air Albania. Pasi kisha dëgjuar statuse negative nga  “personazhe” të ndryshëm nëpër rrjetet sociale, isha i përgatitur shpirtërisht që mbase në bord nuk do na shërbenin as ujë.  Por surpriza ime dhe e gjithë familjes time ishte e madhe që në momentin që hipëm në avion, një Airbus i ri, super komod, me hapësira mes sediljeve, pushuese për këmbët, e gjithfarë komoditetesh, që edhe pasagjerët në klasën ekonomike të udhëtonin sa më mirë! Të mos flasim për shërbimin në bord, ku na u servir ushqim i ngrohtë, i freskët, tepër i shijshëm, i servirur bukur në tabaka. Stjuardesat shumë të sjellshme na flisnin shqip, dhe kudo ishte  mbishkrimi “Air Albania”! U ndjemë shumë krenare për këtë gjë në dukje të parëndësishme, por që i shton vlerë vendit tonë të vogël e na bën të ndihemi mirë fakti që edhe një udhëtar i huaj mund të shijojë një udhëtim komod (madje shumë më komod se në shumë linja me emër të madh botëror), –  në një avion shqiptar e të thotë: “Bravo Shqipëria!”. E për fat me ne në avion ishte duke udhëtuar edhe i madhi Mr. Rudy Giuliani, e jam i bindur edhe ai ka mbetur i impresionuar nga udhëtimi me linjën ajrore shqiptare! Komplimente Z. Kryeministër, pasi kjo ishte iniciativa juaj dhe e di që ky opinion i sinqertë do t’ju bëjë të ndiheni mirë edhe ju! Ju urojme punë të mbare dhe sa më shumë suksese të tilla! Me respekt,  Badush Kajtazi, Xhoana Milloshi dhe Glauk”, shkruhet në mesazhin e shpërndarë nga Rama.

Rama, bizneseve për informalitetin: Mos e sprovoni shtetin

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur të hënën në një takim drejtuesit e Tatimeve ku vërejti disa problematika duke nisur nga rritja e informalitetit në vend e deri tek mos lëshimi i kuponave nga bizneset.

Kryeministri në nisje të fjalës së tij tha se protestat e opozitës gjatë muajve të fundit dhe përpjekja e tyre për anti-shtet kanë ndikuar edhe në rritjen e informalitetit të vend dhe për këtë Rama kërkoi reagim frontal.

Ai prezantoi drejtoreshën e re të Tatimeve, Delina Ibrahmajn nga e cila kërkoi luftë ndaj informalitetit dhe rezultate konkrete, ndërsa çoi dhe një mesazh drejtuar bizneseve të cilët i këshilloi të mos e sprovojnë shtetin.  

“Apel për të gjithë bizesnet. Kemi zgjedhur për më shumë se 6 muajsh një qasje edukuese, informuese duke mos preferuar të shkojmë tek hapi i fundit pa bërë hapat e tjerë. Kjo periudhë ka përfunduar. Dhe besoj që legjislacioni është shumë i qartë dhe masat që legjislacioni parashikon për çdo biznes që nuk punon rregullisht me fatura përkatëse janë të atilla që nuk ia vlen aventura e moslëshimit të faturës. Dihet që nëse nuk lëshon një kupon në një lokal të mbyllet lokali, në njësitë tregtare të mbyllet njësia për një periudhë që sjell një dëm të madh. Kështu që ju lutem të gjithëve mos e sprovoni administratën dhe mos e sprovoni shtetin sepse nuk do të tolerohet askush”, tha Rama.  

Ai kërkoi që masat të jenë të matura nga ana e Tatimeve dhe larg çdo shfaqje agresiviteti dhe arbitrariteti ndaj biznesve.

“Hetimi tatimor nuk duhet të jetë një tufë paramilitare inspektimesh. Hetimi duhet të jetë shërbimi inteligjent i tatimeve. Do të jetë syri aty ku sheh kur të tjerët nuk shohin. Jo trupa që turret nëpër dyer sipërmarrjesh dhe që më shumë bën dëm sesa sjell rezultate. Kam besim se drejtuesja e re nën monitorimin e zëvendës kryeministrit i kanë të gjitha mundësitë për të bërë sukses. Por suksesi në këtë moment kërkon sakrificë, në kuptimin e angazhimit të çdo individi dhe çdo strukture me fokus objektiv”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra sa i përket mosfunksionimit të kasave në shumë biznese, duke ngritur pyetjen se kush duhet të mbajë përgjegjësi për 15 mijë kasa në biznese që nuk raportojnë.

“Si mundet të pranohet sot të kemi 15 mijë kasa jo raportuese në biznese që figurojnë aktive nga 1 qind e 12 mijë të tilla. Kujt i kërkohet përgjegjësia çdo ditë lidhur me këtë?”, tha Rama duke kërkuar luftë kundër çdo fenomeni korruptim brenda administratës tatimore.

Hapet tuneli i Pogradecit. U deshën 10 vjet dhe 3 qeveri për ta ndërtuar

Tuneli panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit, bëhet të hënën (sot) i kalueshëm për automjetet.

Lajmin e ka bërë të ditur, kryeministri Rama përmes një postimi në “Facebook”, të cilin e ka shoqëruar edhe disa foto. “Me tunelin panoramik të Pogradecit, që nga sot hapet për automjetet, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri.

U deshën gati 10 vjet për ta ndërtuar këtë tunel dhe miliona dollarë. Ndërtimi i tij u projektua keq në vitin 2009, gjatë qeverisjes së PD dhe ndërtimi nisi në vitin 2011. Sipas projektit fillestar tuneli ishte parashikuar që futej në brendësi të liqenit të Pogradecit dhe parashikonte prishjen e 2 bunkerëve në hyrje të qytetit por nuk merrte parasysh ndikimet në ambient. Ndërkohë projekti i rishikuar merr parasysh gjithë këta faktorë që nuk janë përfshirë më parë dhe nuk prek asnjë pjesë e liqenit.

Ish ministri Damian Gjiknuri premtoi në 2017 gjatë një vizite në Pogradec se tuneli do të përfundonte brenda vjeshtës së vitit 2018. Premtim ky që nuk u mbajt prej tij, por u bë e mundur me qeverinë e re të PS.

Më në fund ndërtimi i këtij tuneli përfundoi dhe tani është i kalueshëm për automjetet, por u deshën 3 qeveri për të përfunduar një segment rrugor, vlera e të cilit ka kushtuar miliona dollarë.

MIRËMËNGJES 😃dhe me tunelin panoramik të Pogradecit, që nga sot hapet për automjetet, ju uroj një javë të mbarë 😊

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 14. Juli 2019

Rama: Të zhvillojmë turizmin, mbështetje financiare për ngritjen e bujtinave

Synimi kryesor i qeverisë është që të nxisë turizmin në të gjithë vendin në të gjitha mënyrat’, ky ishte mesazhi që kryeministri Edi Rama dha nga fshati Lin i Pogradecit.

Gjatë takimit me banorët, Rama u kërkoi atyre që shtëpinë të mos e përdornin vetëm për t’u strehuar por ta kthenin atë në një burim të ardhurash duke e kthyer në një bujtinë. Rama theksoi se çdokush që kërkon ta kthejë shtëpinë e tij në një bujtinë me parametrat që kërkon ligji do gjej mbështetjen e plotë financiare nga ana e qeverisë. “Për nismat individuale të atyre qytetarëve që kërkojnë të kthejnë shtëpinë ë tyre ne bujtinë, do kenë mbështetjen e plotë financiare nga ana e qeverisë në formën e huasë,” tha Rama.

Duke prezantuar projektin “100 fshatrat” Rama theksoi nevojën e shfrytëzimit në maksimum të bukurive natyrore për turizëm, si një nga bazat e zhvillimit të ekonomisë

Nëse ky fshat kthehet në resort turistik ku çdo pronar shtëpie merr fitimin do fillojnë të rriten edhe çmimet ekzistuese. Ne do bëjmë disa ndërhyrje për ta kthyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi në këto vite që nis mandati i ri me kryetarin e ri të bashkisë. Unë besoj që këtu kemi një aleat shumë të madh që është natyra e mrekullueshme dhe trashëgimia e pasur dhe na duhet të bashkojmë forcat. Nga një drejtim ju për të bërë më shumë bujtina dhe nga ana tjetër ne me mbështetjen financiare“, tha Rama.

Skip to toolbar