10 porositë e Ramës: Kujdes shkarkimet, mos largoni asnjë femër

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e martë drejtuesit e katër qarqeve të veriut në selinë e Partisë Socialiste, konkretisht drejtuesit e Shkodrës, Kukësit, Lezhës dhe Dibrës. Takimi vjen një ditë pasi Rama vendosi të jetë koordinator për zonë e veriut.

Gjatë takimit kryeministri Rama u ka dhënë porosi në lidhje me vijimin e punës në bashkitë e veriut pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Porosia e Ramës në këtë takim është fokusuar me emërimet dhe shkarkimet e pajustifikuara nga bashkitë e djathta. Kryeministri u ka kërkuar drejtuesve të qarqeve që të  tregojnë kujdes me emërimet dhe shkarkimet në bashkitë e djathta dhe se nga këto bashki nuk do të hiqet asnjë vajzë ose grua nga puna. Në fakt, ky ishte edhe një nga premtimet që Rama dha disa herë gjatë fushatës elektorale të PS për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.


“Të mos bëhet asnjë shkaktim apo lëvizje e pa justifikuar, por çdo gjë me arsye konkrete. Nuk do hiqet asnjë nga puna nga bashkitë ku kanë qenë të djathtët në drejtimin e tyre.  Nuk duhet prekur asnjë grua e vajzë. Të shihen vetëm postet politike.  Çdo vendim të merret në bazë të meritës” ka thënë Rama.

Ditën e hënë, Partia Socialiste vendosi tre drejtuesit Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla në koordinimin politik të 12 qarqeve të Shqipërisë. Përkatësisht Rama do të drejtojë rajonin Lezhë-Shkodër-Dibër-Kukës. Shqipëria e Mesme i është besuar Taulant Ballës i cili do të koordinojë qarqet Tiranë-Durrës-Elbasan-Korçë. Ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi do të jetë koordinatori rajonal i Fierit-Beratit-Vlorës-Gjirokastrës.

 Porositë:

1. Si fillim ka shumë rendësi miradministrimi i procesit të konstituimit dhe planifikimi i analizave të qeverisjes vendore në çdo Bashki (aty ku e kemi pasur dhe aty ku nuk e kemi pasur drejtimin).

2. Tranzicioni në ish-bashkitë e djathta do të jetë i butë, i ngadaltë dhe transparent. Natyrshëm do të shkarkohen menjëherë stafet politike, por zëvendësimet do të bëhen me propozim të Kryetarit të Bashkisë dhe miratim të Këshillit Drejtues të Rajonit (në vijim Këshillit). Në dy nënkryetarë një duhet të jetë detyrimisht grua.

3. Administrata nuk do te preket, kurrsesi! Fillimisht do të përgatitet pasqyra ekzistuese e burimeve njerëzore, me te gjitha te dhënat e nevojshme, duke filluar nga nivelet drejtuese.

4. Çdo largim i nevojshëm, do të argumentohet ne Këshill dhe çdo emërim do të propozohet nga kryetari i bashkisë po do te miratohet detyrimisht në Këshill. Në mënyrë kategorike nuk do të lëvizë për asnjë arsye asnjë grua dhe vajzë, në çdo nivel qoftë – kur dhe vetëm nëse do të verifikohet në kushtet e papajtueshmërisë me detyrën, rasti do t’i përcillet Këshillit.

5. Kryetarët e Bashkive do të paraqesin paraprakisht në Këshillin Drejtues të Rajonit planet, vendimet dhe kërkesat apo ankesat e tyre lidhur me Qeverinë, Kuvendin apo ministra ose deputete të veçante.

Këshilli Drejtues i Rajonit do të jetë dhoma konsultative e PS-së për mirëqeverisjen vendore. Gjithashtu në këtë Këshill do të diskutohen e do të miratohen propozimet për largime apo punësime – natyrisht vetëm për rastet kur nuk janë subjekte të Shërbimit Civil të Republikës. Ndërhyrjet individuale nga lart dhe qokat personale nga poshtë, duhet te marrin fundit.

6. Në çdo Qark do të përgatitet edhe analiza e shërbimeve publike te institucioneve qendrore, e cila do te zhvillohet ne muajin shtator.

7. Çdo drejtorie dhe drejtori te institucioneve te lartpërmendura, duhet t’i behet analiza e performancës nga këndvështrimi i cilësisë se shërbimit ndaj komunitetit si edhe reputacionit në komunitet.

8. Shkarkimet apo spostimet për performance te dobët apo humbje te besimit te komunitetit, nuk mjaftojnë nëse nuk garantohen zëvendësime dinjitoze dhe transparente. Këshilli do te jete përgjegjës për këtë dhe do te mbaje qëndrim për çdo shkelje te kësaj kërkese nga cilido qofte.

9. Do të përgatitet analiza kapilare e çdo qendre votimi dhe duhet të behet verifikimi i gjendjes fizike e morale të çdo organizate socialiste.

Të gjithë kryetarët e Organizatave Socialiste (OS) që nuk kanë performuar sipas objektivave nuk duhet te rikandidojne per drejtimin e OS.

10. Ne kuadër te hapjes se mëtejshme te Partisë Socialiste do të përgatitet plani për Forumet e Hapura Qytetare të nxënësve, studentëve dhe te tjerëve. Forumet do të shërbejnë si hapësira komplementare të PS-së ku u jepet mundësia e përfshirjes simpatizantëve tanë. Këshillat Drejtues të tre Rajoneve do të funksionojnë mbi bazën e një dokumenti vlerash, parimesh e rregullash të pranuara nga të gjithe. Ky dokument do te miratohet nga kryesia e Partise Socialiste dhe do te bazohet në vlera të cilat shprehin papajtueshmërinë me fenomene si nepotizmi, precedentët kriminale apo korruptive, diplomat fallco, mospërputhja e vendit te punës me arsimin perkates. Parimet e meritokracisë, transparencës dhe konkurueshmëria janë parimet që do të udheheqin punen e ketij Këshilli.




Skip to toolbar