Socialistët po sjellin mënyra të reja për të
zhvilluar fushatën elektorale, larg mitingjeve në salla të mbyllura apo
mbledhjeve të stërzgjatura.
Tani Rama e Veliaj zgjedhin t’i takojnë votuesit
nëpër kafe apo edhe në trotuar si në rastin konkret.
Fotot janë shkrepur mëngjesin e së premtes, ku Rama, Veliaj dhe Gjylamenti shihen duke ecur në trotuarin tek zona e Shallvareve dhe ku më pas janë ulur në një kafe aty pranë.
‘Zgjedhjet e qeverisë do të mbahen në 2021 dhe zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen në 2023” tha Rama, i cili theksoi se këto data nuk do të ndryshojnë, janë kushtetuese. I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse pas zgjedhjeve të 30 qershorit do të kishte negociata, kryeministri Rama tha se nuk do të ketë asnjë negociatë që lidhet se kush do të qeverisë, por mund të ketë dialog me opozitën për interesat kombëtar.
‘Deri para fillimit të fushatës i kam bërë 6 letra për t’u ulur në tavolinën e dialogut. Pas 30 qershorit, ditës së zgjedhjeve mund të ketë negociata për interesin kombëtar, por jo negociata për të përcaktuar se kush do të qeverisë. Qeverinë e përcakton populli zgjedhjet e ardhshme janë në 2021 dhe zgjedhjet e tjera lokale janë në 2023. Dorëheqjen time e ka në dorë shumica në parlament ose e kam vetë në dorë. Opozita nuk vendos dot kush do të qeverisë, pasi i takon popullit të vendos.”
Kryeministri Rama konfirmoi edhe një herë nga studio e “Real Story” se data 30 qershor nuk do të ndryshojë, zgjedhjet do të mbahen dhe nuk do të ketë asnjë negociatë. Kjo do të jetë një datë historike për të treguar vijën e kuqe të një politike që kërkon të marrë peng popullin dhe demokracinë e një vendi.
‘Nuk ka shtyrje zgjedhjet dhe nuk do të këtë asnjë negocim me asnjë. Unë jam në fushatë elektorale dhe 30 qershori është një datë historike pasi do të vihet vija e kuqe për këtë lloj politike që kërkon të marrë peng vendin, popullin dhe demokracinë e një vendi duke e kërcënuar me molotov, kapsolla e dhunë në rrugë. Kjo vije e kuqe duhet të vihet se përndryshe çfarë kuptimi ka. Nesër do të vijë një parti tjetër dhe do kërkojë të njëjtën gjë duke kapur peng demokracinë. Nuk kemi asnjë presion ndërkombëtar për datën e zgjedhjeve.’
Rama tha gjithashtu se “Nëse zgjedhjet bëhen sot ne fitojmë më fort se ne 2017. Ketë nuk e kam bindje por e kam fakt. Opozita ka filluar dishezën në periudhën prill-maj. Shqiptarët nuk e pranojnë këtë lloj dhune dhe qasje që po bën opozita.”
I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse përgjimet ishin shkaku që Vangjush
Dakon nuk kandidoi më në Bashkinë Durrës, Rama tha në Real Story se ishin një sërë
faktorësh që bënë që Dako hiqte dorë nga kandidimi.
“Kemi bërë një vlerësim të të gjitha gjërave dhe vetë Dako erdhi dhe tha që nuk dua të kandidojë më pasi ishte i lodhur nga baltosja politike dhe kishte 3 mandate në krye të Durrësit. Në videot e përgjimeve nuk ka asnjë provë që vërtetojnë shitblerjen e votave dhe këto grupe kriminale që sot ndodhen pas hekurave nuk kanë marrë kurrë asnjë favor nga Bashkia e Durrësit. Për aq kohë sa nuk ka asnjë provë për shitblerjen e votave, çdo muhabet tjetër është i kotë.Kjo është një lojë politike e ndyrë që nga një anë synon goditjen e qeverisë dhe nga ana tjetër synon dëmtimin e imazhit të vendit ne procesin e integrimit. “
Në orën 21:00 Kryeministri Edi Rama do të jetë i ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në Vizion Plus. Rama përballë analistëve për të sqaruar publikimin e përgjimeve për dosjen 339 që përfshin drejtues politikë e lokalë të Durrësi me elementët kriminalë.
Cili do të jetë qëndrimi ndaj Dakos? Dhe në kulm të një krize të shkaktuar nga opozita nën akuza për blerje votash, si dhe sa ndikon kjo ngjarje? A ka një opsion final Rama për zgjidhjen e krizës?
A ka vend për tërheqje nga ana e mazhorancës ndaj kërkesave të opozitës? A do të ketë zgjedhje në 30 qershor, por për më shumë a është mazhoranca e përgatitur për çdo skenar të mundshëm të protestës së radhës të shtunën?
Për të gjitha këto, ndiqni Kryeministrin Edi Rama në orë 21:00 në “Real Story” në Vizion Plus.
Kryeministri Rama vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit në qytetin e Cërrikut. I shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS dhe njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Taulant Basha, ato zhvilluan një takim me qytetarët e Cërrikut, ku kanë prezantuar kandidatin për kreun e Bashkisë, Andi Salla. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se të vetmet ndërhyrje që janë bërë në qytet kanë qenë në kohën e programit të rilindjes urbane, por që më pas “ora e zhvillimit” të tij ngeci në mes. Kryeministri përsëriti edhe një herë thirrjen për mos cenimin e zgjedhje duke deklaruar se ndëshkimi do të jetë i madh, jo vetëm me burg, por edhe do t’ju ndalohet hyrja në kufijtë e vendeve të BE, jo vetëm personave që kanë bërë krimin, por dhe familjarëve të tyre.
“ E kemi detyrë të lajmërojmë se për çdo krim nga më i vogli që pengon zgjedhjet apo qytetarët të hedhin votën e tyre, do shkojnë parapa hekurave. Kush cenon zgjedhjet do ta ketë përherë të ndaluar të kalojë kufijtë e Bashkimit Europiane dhe jo vetëm ata që kanë dëmtuar procesin demokratik, por dhe anëtarët e familjes së tyre.”- tha Rama
Rama foli edhe për mos pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje duke thwnë se ato kanë frikë nga humbja e tyre dhe zgjedhin të hedhin kapsolla dhe të ulërijnë në rrugë duke mos u përballuar me popullin. Zgjedhjet nuk do të shtyhen dhe se ato janë legjitime edhe pa opozitën, e cila u vetëpërjashtua.
“Ata kanë frikë nga zgjedhjet, prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve. Kanë frikë të dalin para popullit, të thonë çfarë kanë bërë dhe të tregojnë se sa të zotë janë për t’i bërë gjërat që thonë. Në vend të dalin para popullit që t’i thonë pse e duan votën, i kërcënojnë se s’do i lënë të votojnë. Nuk kanë idenë, nuk logjikojnë me argumente dhe prandaj kujtojnë se do imponojnë logjikën e kapsollave dhe të molotovit. Por një gjë ta keni të sigurt, ata janë të lirë që të vendosin për veten e tyre, dhe nëse vendosin që të vrasin vete politikisht nuk i pengojmë dot, por nuk vendosin për asgjë tjetër për Shqipërinë. Ka njerëz që me dashamirësi thonë si mund të bëhen zgjedhjet pa ata. Nëse shkaku i mos hyrjes së tyre në zgjedhje nuk do ishin ata vetë, po ne, atëherë zgjedhjet do ishin antidemokratike. Por ata e vendosën vetë, kështu që zgjedhjet pa ata janë demokratike dhe kush mendon se rruga më e urtë do të ishte që meqë ata kanë dalë mendsh ne duhet ecim me parimin “budallait” hapi rrugë, duhet ta imagjinojë se çdo të thotë kjo. Kjo do të thotë që t’i hapësh rrugë një historie që nuk mbaron më…kështu zgjedhjet kthehen në të drejtën e partive për të luajtur me Kushtetutën si top lecke dhe me popullin si ta kenë ata për mbarë. Zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Imagjinoni ça do të ndodhte sikur ne të pranonin imponinim e logjikës së dhunë, kjo do të thoshte t’i hapim rrugës politikës destructive.’ tha Rama
Kryeministri Rama ka qene edhe në zonën e Belshit ku ka prezantuar kryetarin e kësaj bashkie, Arif Tafanin dhe renditi punët e bëra ndër vite. “Ja ku jemi sot krahasoni Belshin e katër viteve me Belshin që kemi. Askush mos të mendoj që këto mjaftojnë. Askush mos të kujtojë se tani mbaruam punë dhe nuk kemi më punë për të bërë. Sot ka ndodhur e paimagjinueshmja që njerëzit vijnë nga Tirana në Belsh, vijnë dhe të huaj.“
Partia Demokratike ka reaguar të enjten përmes
ish deputetit Enkelejd Aliebaj, i cili iu referuar përgjimeve të publikuara nga
Bild, teksa akuzoi Ramën se vazhdon të mbrojë Dakon dhe çdo kriminel.
Alibeaj tha se Rama nuk e jep dorëheqjen sepse
mbron kirminelët e votave.
“Pas skandalit të publikuar nga gazeta
gjermane Bild, ku del në dritë mekanizmi i blerjes së votave nëpërmjet krimit
dhe se drejtuesi real i fushatës për Partinë Socialiste është një trafikant
ndërkombëtar droge, me të drejtë, të gjithë presin dorëheqjen e Edi Ramës.
Por, kur bëhet fjalë për pushtetin dhe
mbajtjen e tij në çdo formë e me çdo mjet, Edi Rama, është krejt i
parashikueshëm dhe nuk zhgënjen asnjëherë.
Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me
votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës
Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të
Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr
sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave”, tha Alibeaj. Ai shtoi
se me publikimin e këtyre përgjimeve Rama është bërë një kryeministër i besueshëm
në sytë e të gjithëve.
“Me apo pa dorëheqje, Edi Ramën nuk e beson më
askush. Edhe ata që besonin sadopak tek kryeministri mafioz, sot janë të qartë
së gjithçka ka ndodhur me bekimin e tij.
Nëse do të ishte e kundërta, Edi Rama do të
kishte dhënë dorëheqjen me dhjetëra herë”, u shpreh Alibeaj, i cili gjithashtu sulmoi
prokurorinë duke thënë se është vendosur nën kontrollin e Ramës.
“Pas përgjimeve të Bild, që faktojnë blerjen e
pushtetit përmes krimit, është e qartë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën
kontrollin e plotë të tij. Një prokurori e pavaruar, do të kishte zbatuar
ligjin, do t’i kishte vënë para drejtësisë pushtetarët e lidhur me krimin dhe
të përfshirë në afera të rënda korruptive.
Edi Rama i mbron kriminelët e tij brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin”, tha Alibeja i cili u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e opozitës më 8 qershor.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar të enjten se
do të flasë në mbrëmje në emisionin Real Story të Sokol Ballës për zgjedhjet,
aktualitetin politik por edhe për negociatat e Shqipërisë me BE-në.
Kryeministri ka postuar një foto në Instagram
e cila menjëherë ka marrë qindra pëlqime.
Intervistën e Ramës mund të ndiqni sonte në orën
21 në Vizion plus por edhe në realstory.al, direkt nga telefonat tuaj.
Kjo intervistë vjen në kulmin e krizës politike në vend, dhe pritet që kryeministri të flasë për qëndrimin e maxhorancës dhe kërkesat e opozitës si dhe cila do të ishte zgjidhja më e mundshme në këtë situatë.
Kryeministri Edi Rama ka uruar mëngjesin e
sotëm të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit.
Rama ka publikuar një foto të xhamisë të
Namasgjasë ku shkruan ‘Gëzuar Bajramin’.
Festimet e Fiter Bajramit kanë filluar që në
orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut.
Fiter Bajrami është festa që shënon fundin e muajit të Ramazanit kur besimtarët për 30 ditë kanë agjëruar ndërsa ditën e Bajramit ata shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohen me të varfrit.
Kryeministri Edi Rama pas prezantimit të kandidates
Majlinda Cara në bashkinë e Kurbinit, është ndalur edhe në qytetin e Mirditës
ku prezanton kandidatin Ndrec Deda. Gjatë fjalës së tij Rama nuk i kurseu
akuzat për kreun e opozitës duke i cilësuar si shkatërrues të qetësisë së
vendit, dembela që nuk janë të aftë të bëjnë asnjë punë si dhe përmes dhunës
dhe trazirave në protesta fshehin atë që e dinë shumë mirë ‘që janë humbës në zgjedhjet
e 30 qershorit’.
“Njerëzit e bëjnë dallimin se kush është kalë për t’u ngarkuar dhe kush është gomar për t’u përcjellë në rrugën e vete.” tha Rama i cili përsëriti edhe një herë thirrjen për të rinjtë dhe qytetarët të mos tërhiqen nga opozita për të cenuar zgjedhje, pasi masat e marra do të jenë të rënda.
“U them atyre që protestojnë, që nuk duan qeveri, që duan që unë të iki një orë e më parë, mendoni si shqiptarë, e mos mendoni si huliganë. Ata nuk kanë për t`ia dalë. Ata mund të marrin më qafë disa njerëz, t’i çojnë pas hekurave, e pastaj për vete shkojnë e flenë të qetë në shtëpi. Nuk do të hyni dot në BE, mos ja digjni këtë mundësi vetes duke ndjekur Lulin nga pas.” – tha Rama
Rama bëri edhe një dallim të qartë se si
ka ndryshuar Mirëdita sot nga ajo që ishte para 4 vjetësh, falë punës dhe
përkushtimit të qeverisë.
“Është e qartë për këdo që do të shikojë dhe do të përdori mendjen e tij duhet të dijë se ne nuk jemi me te mirët por më të mirë se ne nuk ka. Ata janë pak dhe do të jenë përditë e më pak, sepse njerëzit që i ndjekin pas do i braktisin çdo ditë. Akuzojnë policinë për dhunë, por në fakt filmimet tregojnë se protestuesit dhunohen nga huliganët me kapuça të zinj. Këto janë shembuj pse në protestat e opozitës, njerëzit me mend në kokë nuk mund të bëhen pjesë, edhe pse mund të jenë të pakënaqur me qeverinë.”
Gjithashtu Rama përsëriti edhe një herë se nuk do të largohet pse e kërkon opozita rrugore por “ne do të ikim vetëm kur të vendos populli”.