Kryeministri Edi Rama zhvilloi mbrëmjen e të mërkurës takimin e fundvitit me ambasadorët e huaj në Shqipëri. Mes dilemës nëse duhet të organizohej apo jo ky takim, Rama u shpreh se u vendos që takimi të zhvillohej, njëlloj siç u vendos edhe për zbukurimin e qyteteve të prekura nga tragjedia e tërmetit. Me një fjalim prekës, Rama fillimisht foli për mesazhet që ambasadorët i kishin dërguar për solidarizim pas tërmetit. Ai u shpreh se nuk do t`i publikojë kurrë ato mesazhe, por tha se njërin prej tyre, mesazhin e të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, e veçoi, me qëllim që kur djali i tij, Zaho, të pyes për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai t`i tregojë këtë mesazh.
“Përballë gërmadhave dhe lotëve të 26 nëntorit detyra juaj ishte të raportonit atë ditë nga ambasadat tuaja në qytetet respektive, ndërkohë që unë e di që nuk pritët as të zbardhte mirë dita për të na ofruar solidaritet dhe ndihmë. Nuk kam ndërmend t’i publikoj ndonjëherë mesazhet tuaja që vijnë në telefonin tim dhe as i ruaj në ndonjë aktiv, por mesazhin e Lejlës e kam nxjerrë në një folder të veçantë dhe kur im bir sot 5 vjeç, Zaho, të rritet dhe pak e të bëjë pyetjen e parë për SHBA unë do t’i lexoj atë mesazh për ta prezantuar si shqiptarë me Amerikën”.
“Ashtu sikundër nëse, kur im bir do inatoset me BE, kush nuk inatoset me BE, unë do t’i tregoj historinë e zbarkimit të trupave të kërkim-shpëtimit mbrëmjen e 26 nëntorit dhe heroizmat e atyre burrave e grave veshur me uniforma që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar jetë shqiptarësh”.
“Do jetë shumë më e lehtë hyrja në histori me fqinjët, duke ia nisur jo nga ngatërresat politike, por nga rrëfimi i nxjerrjes prej gërmadhave pas thuajse 24 orësh të një djali shqiptar nga trupat fantastike greke të kërkim-shpëtimit, apo rrëfimi i një beteje të përbashkët të trupave nga Serbia e Kosova për të shkëputur nga kthetrat e vdekjes të shqiptarëve. Ishte e gjitha një mrekulli. Dhe kalorësit italianë, krahas atyre turq, që rrethuan gërmadhat e kthyera nga kështjella të vdekjes dhe nxorën prej aty jetë shqiptare”, tha Rama.
E duke mbajtur këtë fjalim Kryeministri Edi Rama, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë Leyla Moses-Ones u përlot. Më tej, duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për të gjitha vendet që u angazhuan me misionet e kërkim-shpëtimit të jetëve të mbetur në rrënoja, Rama u bëri thirrje për ndihmë ambasadorëve. Ai tha se Shqipëria do ta përballojë së bashku me vendet mike faturën e rindërtimit pas tërmetit.
“Për procesin e rindërtimit kemi nevojë të vijojmë t’u kemi në krah dhe të jemi së bashku. Proces ika nisur, kemi krijuar një komitet dhe po punojmë pa pushim dhe orar për të përgatitur planet e rindërtimit. Kemi parashikuar si fillim 200 mln dollarë për nisjen e procesit të rindërtimit, që do të kërkojë më tepër se kaq. Bota e realiteteve ka kufijtë e saj, por e imagjinatës nuk i njeh, duhet të jemi realistë dhe ne jemi”.
“Nga njëra anë e dimë se për ta përmbyllur procesin e rindërtimit duhet më shumë, por nuk duam të bëhet në kurriz të së ardhmes. Për këtë arsye nuk kemi parashikuar asnjë taksë të re, asnjë ndërprerje të investimeve madhore dhe asnjë rritje të borxhit. As buxheti i mbrojtjes nuk do të preket dhe si anëtarë të NATO-s kemi marrë një angazhim dhe nuk mund që justifikimin e madh të rindërtimit ti bëjmë bisht asaj tryeze me vendet e tjera”, tha ai.