“Prokuroria të nxjerrë fajtorët”, Rama: Propozimet e Bashës, gajasje

AKTUALITET


Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mëngjesin e së martës, kryeministri Rama ka kërkuar që prokuroria të nxjerrë fajtorët dhe përgjegjësit për shembjen e pallateve gjatë tërmetit, ndërsa ka komentuar edhe propozimet e Bashës për përballimin e kësaj situate. Rama tha se opozita është tronditur nga tërmeti dhe nuk ka fantazi në propozimet që bën, duke i cilësuar ato, gajasje.

“Opozita që pretendon të qeverisë vendin jo vetëm që nuk ka pranuar të ulet në tryezë për të ballafaquar idetë dhe nëse janë më të mirat do të marrim idetë e tyre. Deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një komponent i gjithë ekranit të madh që dita fillon duke qarë dhe mbaron duke qeshur. Tre pikat janë ushqim për buzëqeshje, nuk dua të them gajasje se nuk dua të ndihen keq kolegët e opozitës. Por të thuash të mblidhen 500 inxhinierë, po pse 500 dhe jo 600? Pika e dytë, të bëhet urgjent identifikimi i dëmeve, po por bëhet, është bërë Durrësi si ajo lagja para OKB-së që dëgjon të gjitha llojet e gjuhëve dhe sheh të gjitha racat. Edhe ajo pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët, vijon loja…dhe 150 milionë të mos i marrin oligarkët. Po çfarë janë këto para, të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë, të ndalojmë dializën, financimin për instrumentet mjekësore, të marrim makina qepëse për të qepura barqe për ata që duhet të operojnë mëlçinë. Dhe t’u themi se kemi ca të pastrehë prandaj barkun po ua hapim me gërshërë dhe qepim me makinë qepëse. Do të ndalojmë analizat edhe të fusim edhe një sistem për të hedhur fall për të thënë se shiko se më duket e ke diku poshtë problemin se më del një kupë me kokë poshtë dhe se më duket se shtatzënë. Të ndalojmë edhe kantierin e Rrugës së Arbrit. Pse sepse nuk kanë fantazi më shumë se kaq. I mirëkuptoj se edhe ata kanë problemet e tyre nga tërmeti. I ftoj me përulësi të vijnë në tryezë të diskutojmë për idetë”, deklaroi Rama.


Kryeministri ra dakord me kërkesën e presidentit, se prokuroria duhet të nxjerrë fjatorët e kësaj situate, ndërsa ironizoi justifikimet e ndërtuesve që kanë falimentuar dhe nuk mund të kryejnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti.

“Paralelisht sikur e kemi diskutuar dje në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti, urojmë që prokuroria të bëjë të gjithë punën e nevojshme për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse.

I bëj thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë. Mos gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më kanë çuar mesazh duke nxjerrë lloj- lloj bishtash por më ka bërë përshtypje arsyetimi se jemi të falimentuar, të shesin shtëpitë e tyre, të marrin  kredi, të bëjnë ç’të duan, por liria është më e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe përgjegjshmëri mund ti humbin të dyja”, theksoi Rama.

Kryeministri ngarkoi ministrin e Brendshëm që së bashku me policinë kriminale të përpilojë raporte për dëmet e shkaktuara dhe listën e personave shtëpitë e të cilëve do të riparohen.

“Ministri i Brendshëm duhet të ndjekë edhe procesin e identifikimit dhe të vënies së përgjegjësisë me policinë kriminale dhe të gjitha strukturat e tjera që përfshihen. Nga institutit i ndërtimit që duhet të japë indikacionet dhe me prokurorinë sa të jetë e mundur. Dua edhe raportin për çdo kat që është mbi lejen e ndërtimit brenda perimetrit të emergjencës. Duhet të kemi një listë shumë të saktë të personave që do të futen te rindërtimi. Të fillojmë të kthejmë në shtëpi nga hotelet ata që janë nga frika dhe nuk e kanë banesën e dëmtuar. Kujdes nga të moshuarit, nëse shikoni se nuk janë mirë, mos insistoni, prandaj duhet edhe psikologët të japin opinionet e tyre. Ashtu sikur edhe ata që janë të pastrehë më pare”, tha Rama.

Kryeministri më tej vlerësoi punën e bërë nga grupet ndërkombëtare në terren për identifikimin e godinave që kanë nevojë për riparime, ndërsa tha se edhe kancelarja gjermane Merkel, i kishte premtuar ekspertë nga Gjermania.

“Është bërë një punë voluminoze nga grupet e inspektimit. Grupet ndërkombëtar kanë qëndruar me orë të zgjatura në terren duke kuptuar nevojën tonë për një intensitet të lartë. Grupe të tjera do të vijnë sot dhe në vijim. Dje Merkel ka kërkuar edhe nga të gjithë landet që të përfshihen në këtë operacion për të dërguar ekspertët për të verifikuar standardet e sigurisë së godinave”, tha Rama.




Skip to toolbar