Të pastrehët nga tërmeti, Rama: Do ndërtojmë tre lagje të reja

AKTUALITET


Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ndërtohen tre lagje të reja për të pastrehët e tërmetit. Ai tha se në Tiranë, Durrës dhe Kurbin do të ndërtohet qyteza të reja. Rama tha se këto ndërtime nuk do të jenë si banesat sociale.

“Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja dhe objektivi im është që të arrijmë në një program rindërtimi, që rezultati të jetë krenari kombëtare. Jo banesa sociale të tipit që kemi njohur deri tani, që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë për gjithë jetën. Por të ndërtojmë në Durrës një lagje komplet të re, të jetë më e bukura pas 1990. Një lagje të re nga e para në Durrës, me infraskturë, kanalizime, ujësjellës, kopësht, çerdhe, etj”.


“Në Tiranë kemi në skenar për të ndërtuar një lagje të re dhe një tjetri për të ndërtuar dy më të vogla, do ta shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit ministria e Kulturës me arkitektë të huaj të famshëm me kontribut. Edhe në Kurbin do të ndërtojmë një lagje të vogël të re”.

“Kemi një objektiv për 10 mijë apartamente, sepse mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë të prekur por edhe ata me probleme sociale, por edhe të mos bëjmë gabim, që ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi tensione të vijueshme. Kujtoni Francën që është përballur nga revolucione dhe vandalizëm nga këto lagje, prandaj duhet të jenë mikse. Të përzihen njerëzit e të gjitha shtresave”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se gjatë dy viteve të ardhshme do të ketë kufizim në investime, duke përqëndruar një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit  do të shkojnë për ndërtimin e lagjeve të reja për të pastrehët e tërmetit.

“Të bëhet një rishikim tërësor për bllokun e investimeve në buxhetin e 2020 për ti orientuar projektet në vazhdim. Pavarësisht se do të ishte receta e qeverive të shkuara. Dhe përveç projekteve që kanë të bëjë me ujitje dhe kullimin asnjë projekt tjetër i ri të mos bëhet. Sepse duhet ta shohim këtë si një domosdoshmëri që në fund të 2020 në Vitin e Ri 2021 ne të kemi jo projekte, por këto lagje të reja që të flasin vetë. Këto do të jenë lagjet e Rilindjes në kuptimin më konkret të fjalës pas situatës së vdekjes dhe traumës kombëtare. Do të bëjmë ndërtime që do të jenë shembullore do të vendosin një standard, si qeveria mund të ndërtojë. Jo projekt financimi të ardhurash si blerje apartamentesh, por edhe si ata që e blejnë vetë një apartament është pjesë e skemës duke u studiuar”, tha Kryeministri.




Skip to toolbar