Athina mbron “burgaxhiun” Bejleri, por atë e kap dekriminalizimi

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të mos lejuar Fredi Bejlerin të kandidojë për Bashkinë Himarë. Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa Bejleri ka qenë për rreth 3 orë në Prokurorinë për Krimet e Rënda për t’u pyetur sërish për masakrën e Peshkëpisë.

Fredi Bejlerit i është mohuar e drejta për të kandiduar për Bashkinë Himarë, pasi ai është dënuar dhe krimi i është parashkruar nga ligji i dekriminalizimit duke mos e lejuar atë të kandidojë deri në vitin 2021.

Ministria e Jashtme greke e cilëson respektimin e të drejtave të minoriteteve si një nga 5 pikat kryesore të lidhura me integrimin, ndërsa akuzoi Shqipërinë se po bën hapa pas me pengimin e kandidimit të Fredi Bejlerit për përfaqësimin politik të minoritetit grek për zgjedhjet në Himarë.

“Greqia është duke punuar për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe mbështet procedurën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në kushtet që janë zbatuar për të gjitha vendet e anëtarësuara, duke përmbushur të gjitha kërkesat. Siç është bërë e qartë në raportin e Komisionit Europian, respektimi i të drejtave të minoritetit grek është i lidhur drejtpërdrejt me perspektivën europiane të Shqipërisë dhe është pjesë integrale e pesë prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave të vendit për anëtarësim në BE, përmbushja e të cilave do të trajtohet nga Këshilli i Europës. Në këtë kontekst, ne presim garanci për të drejtat e minoritetit në të gjithë Shqipërinë, një masë që Shqipëria kishte ndërmarrë për ta miratuar deri në Maj 2018, dhe zbatimin e ligjit të pronësisë për anëtarët e minoritetit. Së fundmi, po vëmë re metoda që synojnë të anulojnë kandidaturën e kreut të OMONIA-s Fredi Bejleri për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e ardhshme vendore. Këto veprime shkelin të drejtën e përfaqësimit politik të minoritetit grek për zgjedhjet në Himarë. I bëjmë thirrje Shqipërisë që të kthehet në rrugën e përparimit dhe jo të bëjë prapa, në mënyrë që procesi i saj i pranimit të përparojë’ – thuhet në reagim.

Kryemadhi për raportin e KE: Arsye për të mos u tërhequr nga kauza jonë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me progres raportin e KE për Shqipërinë, duke deklaruar se është një arsye më shumë për të mos u tërhequr nga kauza e tyre.

“Progres Raporti i Shqipërisë është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në kauzën e tyre, të drejtën legjitime ku vlerat europiane fillojnë me votën e lirë dhe mundësinë për të zgjedhur! Rekomandimi pozitiv është pjesë e statusit të Shqipërisë që prej vitit 2016 dhe askush nuk e mendonte 3 vite më parë, se ne do të endeshim kaq gjatë, në pritjen e pafundme të çeljes së negociatave dhe zvarritjes në keqqeverisje të një qeverie që është dehur nga pushteti!” shkruan Kryemadhi ndërsa thekson se e vlerëson këtë raport më shumë se çdo raport tjetër.

“E vlerësoj këtë raport më shumë se çdo raport tjetër, pasi më në fund risjell në vëmendje shtyllën kryesore të ekzistencës së një shteti, ekonominë. Në fund të fundit integrim do të thotë një ekonomi më e fortë dhe më konkurrente, do të thotë më shumë investime dhe vende pune. Por vizioni i cunguar i një artisti nuk mundet kurrë të kuptojë nevojën ulëritëse që ka çdo familje shqiptare për të ndjerë siguri, për të ushqyer fëmijët e për t’i dhënë frymëmarrje biznesit. Për të dhe qeverinë e tij, koncesionet dhe PPP janë e vetmja alternativë, për të falimentuar shqiptarët dhe për të pastruar paratë e pista. Unë jam e bindur se të gjithë bashkë do ta fitojmë integrimin, kur të largojmë një herë e mirë, atë që sot mban peng këtë aspiratë të madhe, atë që mban peng të ardhmen e të rinjve tanë.LSI ka qenë dhe mbetet partia e integrimit europian. Historia e ka bërë tashmë atë pjesë të pandarë të këtij procesi që në arsyen pse u krijua, në liberalizimin e vizave dhe në statusin e vendit kandidat. Ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit mundësinë e çeljes së negociatave, por jo në partneritet me krimin, por vetëm me shqiptarët! Era e ndryshimit është shumë pranë dhe bashkë me të, edhe Shqipëria Europiane!”, deklaron Kryemadhi.

Progres Raporti i Shqipërisë është një arsye më shumë për opozitën dhe gjithë qytetarët shqiptarë të mos tërhiqen në…

Gepostet von Monika Kryemadhi am Donnerstag, 30. Mai 2019

Haradinaj pranon raportin por jo heqjen e taksës: Vetëm kur Serbia të njoh Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duket i vendosur për të mos hequr taksën 100 % ndaj produkteve serbe edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve. Pas takimit me përfaqësuesen e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, e cila i dorëzoi edhe progres raportin, Haradinaj tha se heqja e taksës do të ndodh vetëm kur të ketë një njohje reciproke mes shteteve.

“Heqja e taksës ndaj Serbisë do të bëhet vetëm nëse do të ketë njohje reciproke Kosovë-Serbi.”

Haradinaj foli edhe për raportin e KE, duke e cilësuar si të përzierë, ku në disa raste ishte pozitiv dhe në disa të tjera kishte kritika si në rastin e taksës.

“Në disa raste është pozitiv, ndërsa në raste të tjera ka kritika, shembull si rasti i taksës, por përgjithësisht është raport që përmban suksese dhe kritika ndaj Kosovës” – tha Haradinaj

KE dritë jeshile për Shqipërinë, Merkel ende në mëdyshje

Edhe pse KE rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se Merkel kërkon të bëjë një vlerësim të hollësishëm të këtij raporti dhe më pas të jap një vendim zyrtar mbi hapjen apo jo të negociatave.

Raporti i komisionit të BE-së rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ky rekomandim duhet të shqyrtohet tani në 28 shtetet anëtare. Njëri prej të cilëve është Gjermania.

Qeveria gjermane ende nuk ka krijuar një opinion unik për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministri socialdemokrat i Evropës, Michael Roth, rekomandon qartazi çejen e negociatave, kabineti i kancelares Angela Merkel pret progres-raportet që ta shqyrtojë me hollësi vendimin e komisionit.

E pyetur në konferencën e rregullt për shtyp nga Dë për këtë çështje zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz tha, se “do ta analizojmë me kujdes dhe pastaj do të shohim se cilat janë konkluzionet operative që do të ndërmarrim”.

Por sikurse i ka deklaruar agjencisë gjermane të lajmeve DPA, kryetari i komisionit të Bundestagut për Europën, deputeti kristiandemokrat Gunther Krichbaum, nga ana e unionit konservator “mund të jetë tetor kur të merret një vendim”. Sipas tij “sigurisht që s’pritet gjë” me një votë pozitive të 28 vendeve anëtare në mes të qershorit.

Në prag të publikimit të progres-raporteve të Komisionit të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, i është drejtuar opinionit të sotëm gjerman me një koment të botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Michael Roth, i cili është edhe vetë deputet socialdemokrat, por edhe përgjegjës për politikën gjermane në Bashkimin Evropian, ka përsëritur kërkesën për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pjesën për Shqipërinë, ministri shtetit thotë se “në vështrim të parë situata mund të duket më e komplikuar. Por arsyeja është sepse opozita ia del vazhdimisht që të prodhojë tablo dramatike – në vend që të garojë me qeverinë me ide konstruktive në parlament, të cilin për momentin e bojkoton.” Roth tërheq vëmendjen se : “Kjo politikë e papërgjegjshme penguese nuk duhet të fshehë atë që ka arritur vendi.” Duke përmendur këtu reformën e drejtësisë, bashkëpunimin e suksesshëm të organeve shqiptare të sigurisë, me partnerët gjermanë, austriakë dhe Italinë si edhe rishtazi me agjencinë kufitare të BE-së, Frontex./ Deutsche Welle

Soreca i dorëzon raportin, Meta: Të shpresojmë për hapjen e negociatave

Presidenti Ilir Meta ka pritur ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili i ka dorëzuar raportin e progresit për Shqipërinë nga Komisioni Europian.

Gjatë takimit Meta ka thënë se e mirëpret rekomandimin pozitiv të përsëritur të KE që Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe shpreson se në qershor Shqipëria të marrë edhe miratimin e vendeve anëtare.

“Kënaqësi të takoja sot ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, z. Luigi Soreca, me rastin e publikimit të Raportit të Progresit për Shqipërinë nga Komisioni Europian. E mirëprita dhe e përshëndes rekomandimin e përsëritur të KE që Shqipëria të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, me shpresën që të marrë edhe miratimin e vendeve anëtare” shkruan Meta.

Kënaqësi të takoja sot ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, z. Luigi Soreca, me rastin e…

Gepostet von Ilir Meta am Mittwoch, 29. Mai 2019

Gjonaj: Reforma historike në drejtësi, vlerësim në raportin e KE

“Rezultatet e arritura në reformat e vështira që kemi ndërmarrë, të njohura tashmë nga Komisioni Evropian, janë një dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur të konsolidimit të shtetit ligjor.” Kështu e ka përshëndetur Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Gjonaj tha se qëndrueshmëria e zbatimit të reformës në drejtësi është vlerësuar nga Komisioni Evropian dhe ngritja e institucioneve të tjera të drejtësisë do ju japi qytetarëve drejtësinë e pavarur dhe larg korrupsionit.

“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë është lajmi më i mirë për shqiptarët. Rezultatet e arritura në reformat e vështira që kemi ndërmarrë, të njohura tashmë nga Komisioni Evropian, janë një dëshmi e qartë se jemi në rrugën e duhur të konsolidimit të shtetit ligjor. Rezultatet pozitive të procesit reformues në drejtësi, si një reformë unikale dhe historike, ka dëshmuar se jemi të vendosur për t’i dhënë qytetarëve shqiptarë një drejtësi të pavarur, të pakorruptuar, të drejtë dhe efektive. Qëndrueshmëria e zbatimit të reformës në drejtësi është vlerësuar nga Komisioni Evropian, dhe me ngritjen e institucioneve të tjera të drejtësisë, do të kemi një sistem drejtësie të bazuar tek profesionalizmi, që lufton korrupsionin dhe në të cilin qytetarët do te kenë besim se do të marrin drejtësi.

Lufta kundër korrupsionit është një sfidë e cila na ka udhëhequr dhe do vazhdojë te na udhëheqë në të gjithë veprimtarinë tonë shtet-bërës dhe është një nga objektivat prioritare të kësaj Qeverie.
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht masat që ne kemi ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit, duke njohur avancimin në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale në Luftën Kundër Korrupsionit dhe Planin e Veprimit 2018-2020, ndryshimet në kuadrin ligjor, si edhe rezultatet konkrete pozitive dhe proaktivitetin e Task Forcës kundër Korrupsionit dhe fillesat e procedimit të zyrtarëve të lartë.
Qeveria, shumica qeverisëse është e angazhuar plotësisht ne vijimin e të gjitha proceseve reformuese qe ka ndërmarrë, në interes të shqiptarëve, në rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë.” – shkruan Gjonaj në Facebook

Skip to toolbar