Meta, pas drejtësisë, sulm ambasadorit Soreca

Pas kritikave të djeshme drejtuar Euralius dhe Reformës në Drejtësi, presidenti Meta sot ka sulmuar ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, ndërsa ka thumbuar në distancë edhe kryeministrin Rama. Përmes zëdhënësit për shtyp, Meta i sugjeron Ramës të vazhdojë të këndojë “na fitorja në fitore”.

Gazetarët kanë pyetur sot zëdhënësin e Metës, Tedi Blushi në lidhje me qëndrimet e shprehura dje nga ambasadori i BE dhe kryeministri Rama për reformën në drejtësi. Përgjigja e tij ishte kjo:

“Kam vetëm një qëndrim për të dy.

Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit.

Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë.

Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë “na fitorja në fitorje”, si në variantin solo, ashtu edhe në kor”, reagoi zëdhënësi i Metës.

Skip to toolbar