Me anë të një
qarkore të brendshme, Partia Demokratike i etiketonte si ‘armike’ disa media, përfshirë
dhe Realstory.al, duke i akuzuar ato për qëndrime ‘antiopozitare’. Dokumenti i
publikuar nga disa portale, është publikuar dhe në Realstory.al, ku pikërisht
një ndër mediat që sulmon Lulzim Basha jemi dhe ne. Pas publikimit të këtij dokumenti,
ka ardhur reagimi i disa figurave të rëndësishme
të kësaj partie, të cilët e quajnë të tuprshme dhe qesharake këtë qëndrim të
PD-së ndaj mediave.
Ish-anëtari i Këshillit
Kombëtar, Edvin Kulluri ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të PD për mediat, duke
e quajtur të ‘turpshëm’. “Nëse ky
dokument është i vërtetë është një turp i parapri! Si mundet partia që
rrëzoi komunizmin dhe sanksionoi lirinë e shprehjes dhe medias të trajtojë me këtë
fjalor komunist mediat që kanë qëndrime ndryshe nga Lulzim Basha!”, shkruan
Kulluri. Më tej ai vijon duke u shprehur se Basha dhe bashkëpunëtorët e tij
mund t`i përgjigjen mediave nëse nuk bien dakord, por jo ti etiketojnë si “armiq”.
“Si mundet që të njëjtat qëndrime të Edi Ramës
për gazetarët që s`i pëlqejnë si “kazan” etj, t`i përdorë edhe më keq Partia Demokratike
e Shqipërisë?! Basha dhe bashkëpunëtorët e tij mund t`i përgjigjen mediave dhe
gazetarëve me të cilët nuk bien dakord dhe të polemizojnë me to nëse nuk janë
dakord, por t`i etiketosh si Komiteti Qendror i PPSH njëherë e një kohë “armiqtë e vijës së Partisë
dhe Shokut Enver”, është më së shumti e turpshme dhe më së paku qesharake”,
shkruan Kulluri.
Email u është dërguar anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe forumeve drejtuese të PD, më 23 gusht, ndërkohë që veç sulmeve ndaj Realstory, Basha ka vënë në shënjestër edhe dy portale të tjera. “Për të sulmuar me shpifje dhe të pavërteta PD dhe lidershipin e saj, Edi Rama, pas konsultimit të madh të Mero Bazes dhe Skënder Minxhozit, prej shumë vitesh në shërbim të pushtet të Edi Ramës, ka hedhur në skakierën antiopozitare edhe Sokol Ballën me portalin Realstory”, deklaron Basha në shkresën e tij.
Kritikët e Luzlim Bashës i kutjojnë përsëri kryedemokratit zgjedhjet e
30 qershorit. Ibsen Elezi, ish-kreu i PD në Kukës, ka shkruar një status në
rrjetin social, ku shprehet se “30 Qershori si vazhdim i marrëveshjes së 17
majit”. Në këtë koment, ai vijon duke u shprehur se “demokratët harruan vitin e
zi 2017, dhe tashmë do harrojnë 30 qershorin”.
“Mos kini merak, se ashtu si harruam vitin e zi 2017, ashtu do harrojmë
edhe 30 qershorin. Harruam 5 skandalet e 2017, marrëveshjen e fshehtë të 17
majit, listën e 140 deputetëve pa asnjë standard, fushatën e shitur 3 javore të
“Republikës së Re” dhe të zhdukjes së
simboleve të PD, me një humbje katastrofike, moskryerjen e procesit të analizës
pas një humbje të rëndë, duke shkelur çdo normë statusore, zgjedhjet fals për
kryetar të PDSH dhe manipulimin e turpshëm të pjesëmarrjes. Pse të mos harrojmë
dhe 30 qershorin dhe 60 bashkitë e shitura në tavolinë?!”, shkruan Elezi.
Ibsen Elezi, është pjesë e lëvizjes “Basha Ik”, e cila do të fillojë së
shpejti dhe ka si synim mbajtjen e zgjedhjeve brenda PD, dhe një proces të
thellë analize. Kësaj lëvizje, paralajmëruar nga Realstory.al, i janë bashkuar
shumë figura të Partisë Demokratikë, që kanë pasur rol të rëndësishëm dikur, si
ish-kryeparlamentarja në kohën që PD ishte në pushtet, Jozefina Topalli, apo
ish nr.2 i kësaj partie, Arben Ristani, dhe shumë ish-ministra e deputetë.
Presidenti i Republikës Ilir Meta, që ka nisur pushime të gjata verore
në Prevallë, ka zgjedhur emisionin “Kojshia Shoë” në RTV21 në Kosovë, për të
treguar ambiciet e tij në alpinizëm. Kreu i shtetit shqiptar, para se të fliste
për krizën politike në vend, ka treguar se po përgatitet për të ngjitur majat më
të larta në Shqipëri. “Sivjet pas këtyre
dy javëve në Prevallë kam objektiv të ngjis majën e Korabit, që është maja më e
lartë e Shqipërisë. Kjo më jep një kënaqësi të veçantë, sepse dashuria për
malet është e lindur, meqenëse kam lindur në malet e Skraparit. Duhet të jemi
më krenar për malet tona, për bukuritë që kemi, që na i mësuan më shumë çekët,
polakët dhe turistët e tjerë që t’i rivlerësojmë. Unë jam i lumtur që u jam
rikthyer maleve dhe përpiqem t’i promovoj bukuritë e Shqipërisë, apo edhe të
Kosovës e të rajonit”, – është shprehur Meta.
Më tej, gjatë fjalës së tij në emisonin në tv kosovar, Ilir Meta ka
folur dhe për krizën politike në vend. Ai është shprehur se Rama dhe Basha
duhet të ngrihen mbi interesat personale dhe të zgjidhin krizën. Sipas Metës,
zgjidhja vjen nga zgjedhjet. “Për Shqipërinë është e nevojshme që të gjithë
politikanët të vënë interesat e vendit mbi interesin e axhendave të tyre afatshkurtra.
T’i shërbejnë stabilitetit të vendit, dialogut politik, forcimit të
institucioneve demokratike, sidomos institucioneve të pavarura. Shqipëria po
vuan një largim serioz të të rinjve, të gjeneratës më krijuese dhe më të
domosdoshme për zhvillimin e vendit dhe kjo ndodh për shkak të këtij konflikti
që vazhdon në Shqipëri në një mënyrë skizofrenike do të thoja, edhe pas 30
vjetësh”.
“Është një konflikt tërësisht artificial dhe që është një këmbanë
alarmi për të reflektuar të gjithë urgjentisht. Nuk mund të jetë Shqipëria, për të gjithë
shqiptarët kudo ku jetojnë, një shembull frymëzimi dhe pozitiv, në këtë mënyrë
siç zhvillimet e fundit kanë ndodhur në vendin tonë për fat të keq. Nuk ka
zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve”, është shprehur Meta, duke lakuar për herë të
parë se krizë është artificiale. Megjithatë, Ilir Meta ka lënë të kuptohet se
pas largimit nga presidenca, nuk ka synim të rikthehet te LSI, por të rikthejë,
sipas tij, ‘vendin në rrugën e demokracisë dhe sovranitetit’.
“Kjo nuk është beteja ime për të ardhmen. Beteja ime për të ardhmen
është rivendosja e vendit në rrugën e demokracisë, sepse ka dalë nga kjo rrugë.
Së dyti, në rrugën e kushtetueshmërisë dhe të funksionimit të institucioneve në
mënyrë demokratike. Beteja ime kryesore sot si President, por edhe nesër nëse
do të jetë e nevojshme kur të mos jem President, do të jetë për rikthimin e
sovranitetit të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë humbur kontrollin e tyre
mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi pushtetin vendor, mbi të gjitha institucionet
që duhet të jenë në shërbimin e tyre dhe duhet të jenë të kontrolluara prej
tyre. Kjo është beteja ime kryesore dhe nuk është kurrsesi rikthimi në Lëvizjen
Socialiste për Integrim”, është shprehur Ilir Meta, duke lënë të kuptohet se
hapi i radhës mund të jetë krijimi i një partie të re.
Në fakt, kjo deklaratë e Metës mund të duket e befasishme, por Realstory.al, paralajmëroi më 9 korrik këtë lëvizje të Ilir Metës. Çfarë ndodhi në atë kohë? Në një artikull të Realstory.al, parashikohej krijimi i një lëvizje të re politike nga Ilir Meta pas largimit nga posti i presidentit. Më 9 korrik, (lexo shkrimin e Realstory.al) Meta zhvilloi një takim me Rexhep Taip Erdogan në Bosnje, vetëm pak ditë pasi hodhi akuza të forta ndaj Sorosit, dhe përmendi Viktor Orban dhe lëvizje të tjera nacionaliste dhe sovraniste, ashtu sikundër është dhe partia e Erdogan. /Realstory.al/
Gjatë një takimi me banorët e Fushë-Arrëzit, Lulzim Basha u ka thënë
demokratëve të kësaj zone, se “Partia Demokratike i fiton zgjedhjet, kurdo që të
mbahen ato”. Kreydemokrati e ka cilësuar, sipas tij, “refuzimin që shqiptarët i
bën Edi Ramës në 30 qershor, si një aleancë të madhe politike, që ka njohur
ndonjëherë Shqipëria”.
“Përmes 6 muajsh protestash i kemi dhënë
kurojo çdo shqiptari, kemi vetëdijësuar çdo shqiptar dhe sot pas 30 qershorit,
nuk janë vetëm sondazhet ato që tregojnë PD dhe aleatët fitues të zgjedhjeve të
ardhshme, të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato, por është vetë përmasa
e 30 qershorit. Janë 85 përqind e shqiptarëve të cilët ushtuan me refuzimin e
tyre në 30 qershor, thirrjen kombëtare: “Rama ik” dhe vulosën kësisoj
aleancën më të madhe politike që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët që nga
vitit 1992″, është shprehur Basha, sipas një komunikate shpërndarë nga
zyra e shtypit e Selisë Blu.
Duke folur për 30 qershorin, Lulzim Basha
pretendon se rezultati i zgjedhjeve ka treguar që Edi Ramën e kanë ‘braktisur
dhe socialistët’. “Me 30 qershor Edi Ramën dhe regjimin e tij e kanë
braktisur edhe socialistët e ndershëm. 30 qershori është dita e bashkimit më të
madh “Rama ik”, por është edhe një klithmë, një kushtrim për ndryshim”,
është shprehur Basha.
Në fund, të mesazhit të shpërndarë nga PD, mësohet
se Lulzim Basha ka është shprehur se tani ka ardhur koha që t`i jepet zgjidhje krizës,
që sipas tij është e tmerrshme. “Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se
denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe
rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur
koha ti ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta
shndërrojmë shumicën 85 përqind
“Rama ik”, në shumicën e re qeverisëse që do ti prijë
transformimit ekonomik dhe politik të vendit”, ka thënë Basha.
Por, kjo është hera e parë, që Lulzim Basha shprehet se ‘ka ardhur koha që t`i ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza’. Pasi, në qëndrimet që ka mbajtur deri më sot, Lulzim Basha është shprehur i vendosur se “nuk ka zgjidhje të krizës pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe pa Edi Ramën”. Ky qëndrim i ndryshuar i kryedemokratit vjen vetëm pak ditë, pasi Realstory.al (lexo shkrimin) publikoi një shkrim për lëvizjen “Basha ik”, që pritet të fillojë në fund të muajit gusht apo fillim të shtatorit, nga demokratë që kanë shprehur qëndrimin kritik të Lulzim Bashës.
Gjithashtu, ky qëndrim, i kreut të PD-së,
vjen edhe pas presionit të aleatëve të tij, që ndryshe nga Basha, kanë kërkuar dialog
me Edi Ramën dhe zgjidhje të krizës. Ndërkohë, kujtojmë, se këtë të diel,
dekreti i Ilir Metës për zgjedhjet e 13 Tetorit, bie zyrtarisht edhe për shkak
të djegies së afateve kushtetuese për regjistrimin e subjekteve politike në garë.
Kriza politike në vend mbetet ende një temë e
rëndësishme diskutimi për çdo shqiptar. Ndonëse palët
kanë ulur tonet e rënduar të retorikës, që na ka shoqëruar prej shkurtit
deri më 8 korrik, kur u mbajt protesta e fundit e opozitës, përsëri, problemi
mbetet aty. Kriza nuk është zgjidhur, dhe në këtë rast, në dështimin e politikës
për t`i dhënë fund këtij ngërçi, janë miqtë ndërkombëtar të cilët na vijnë në
ndihmë.
Për këtë arsye, në studion e “Real Styry”, të
gazetarit Sokol Balla, mbrëmjen e sotme në Vizion Plus, i ftuar do të jetë ambasadori
i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo. Kriza politike në vend, përgjegjësit për
nisjen e saj, përgjegjësia e opozitës, qeverisë, presidentit dhe si mund të
dilet prej krizës? Cilat janë opsionet që duhet të jenë mbi tavolinë? A ka një
misionar ndërkombëtar për të zgjidhur këtë krizë?
Ndërkohë, në pjesën e dytë të emisionit, do të
transmetohet një intervistë e filantropit George Soros, intervistë dhënë
gazetarit Sokol Balla 14 vjet më parë, e cila do të ritransmetohet mbrëmjen e së
hënës në “Real Story”. Në këtë intervistë, do të rikthehen dhe njëherë mesazhet
e dhëna 14 vjet më parë, të cilat janë aktuale për Berishën, për Edi Ramën, për
përfshirjen e tij në zhvillimet politike në vend. Të gjitha, këto, i ndiqni në orën
21:00 në “Real Story” në dhe në Realstory.al.
Rreth 81% e qytetarëve shqiptarë e vlerësojnë “të drejtë” shkrkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Kjo është përgjigja ‘pro’ që i kanë dhënë sondazhit të “Realstory.al”, rreth 944 votues në pak më shumë se 24 orë, nga hapja e pyetësorit, që Realstory.al i drejton shqiptarëve për vendimin e Qeverisë mbi shkarkimin e kreut të shtetit. Ndërkohë, 19% e votuesve e vlerësojnë si të gabuar vendimin për shkarkimin e Ilir Metës nga posti që mban. Të hënën Parlamenti votoi me 101 vota pro kërkesën e Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor, i cili do të hetojë shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe më pas do të kërkojë nga Parlamenti shkarkimin e tij.
Ilir Meta, sipas
raportit të Komisionit të Ligjeve, ka bërë disa shkelje të rënda kushtetuese, të
cilat lidhen me dekretin e datës 10 qershor, për anulimin e dekretit të mëparshëm,
që cakton 30 qershorin si datë të ligjshme të zgjedhjeve. Në këtë pikë, Ilir
Meta vulosi fatin e tij në zyrën e Presidentit, pasi bëri një akt të
paprecendentë dhe mbi të gjitha i pabazuar në Kushtetutë, pasi akti themeltar
i shtetit, nuk e njeh çdekretimin si
veprim.
Ndaj, Qeveria
vendosi t`i shkojë deri në fund shkarkimit të Ilir Metës, çka tashmë duket se
ka dhe mbështetje të gjerë qytetare, referuar sondazhit të Realstory.al. Duket
se qytetarët, në shumicë kanë kuptuar qartë veprimet e Presidentit, i cili me
dekretin anti-kushtetues, jo vetëm që nuk i dha zgjidhje krizës politike në
vend, por e drejtoi vendin drejt një përplasje civile, që për fatin e mirë të
Shqiptarëve, u shmang pas ndërhyrjes së menjëhershme të Shteteve të Bashkuara
ta Amerikës. Ndërkohë, sondazhi i Realstory.al, vijon të jetë i hapur për të
gjithë qytetarët shqiptarë që duan të shprehin mendimin e tyre. Ju mund të
votoni në Facebook, dhe në ueb në www.realstory.al.
Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Sokol Balla i është përgjigjur sulmit të sotëm të presidentit Meta duke e ftuar atë në emision “për të thënë të vërtetat e tij”.
Balla ka postuar një mesazh për Metën të cilin
e shoqëron dhe më një foto të përbashkët në Kremlin në vitin 2002.
Gazetari i përgjigjet presidentit se e pret në
emision në ora 21, ballë për ballë. Por Balla thotë se Presidenti është i lirë
të zgjedhë vetë orën, që në pesë të mëngjesit.
Me poshtë postimi i plotë i Sokol Ballës në
Instagramin e tij, me një foto me Ilir Metën, që nuk duket e rastësishme:
“Me Ilir Metën në Kremlin në 2002, kur ishte zëvendëskryeministër.
Sot Presidenti Ilir Meta më sulmoi e kërcënoi mua dhe fëmijët e mi. Por dhe më
sfidoi për të ardhur në emision dhe të përballej me të vërtetën sipas tij dhe të
vërtetën sipas meje. Ilir! Të pres të enjten në ora 21 në #realstory në
@vizionplus. Ballë për Ballë. Gjithsesi orën zgjidhe vetë. Qoftë dhe në 5 të mëngjesit”,
shkruan gazetari Balla në instagram ku i ka bërë tag edhe presidentit, nga i
cili pret përgjigje për “të thënë të vërtetat e tij” gjërë e gjatë dhe ballë për
ballë.
Edhe për amerikanët, “miqtë” e Ballës sipas presidentit, të cilët ai i sulmoi njëkohësisht me një gjuhë të paprecedentë.
https://www.instagram.com/p/BzahAAugq3-/
META KËRCËNON GAZETARIN SOKOL BALLA, I PËRMEND FËMIJËT
Në shpërthimin e tij plot akuza dhe kërcënime, Presidenti Meta, ku gjatë gjithë kohës nuk ka treguar qetësinë që trumbeton si thirrje për politikanët shqiptarë, nuk ka kursyer nga sulmet e tij, edhe gazetarin Sokol Balla, duke i përmendur dhe fëmijët, kur u pyet nga gazetari Thimi Samarxhiu i Vizion Plus se për shkak të situatës që është krijuar në vend, mos vallë politikanët po bëhen qesharakë dhe nuk po sjellin siguri për rritjen e fëmijëve në Shqipëri, duke e kthyer vendin në 2 korrik 1990.
Replika e Metës me gazetarin
Gazetari: Zoti President, duke parë diskursin tuaj që nga 10 qershori deri më sot, që jeni partiak kjo është e dukshme, por miqësisht dhe si një qytetar i këtij vendi, a mos po bëheni qesharak, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve duan t’i rrisin fëmijët në këtë vend, përfshirë edhe mua dhe duan që ky vend të bëhet. Por, ju dhe flas për të gjithë politikën, por më shumë për ju, për shkak të interesave të tuaja politikë, apo frikërave tuaja po e çoni këtë vend lëmsh në 2 korrikun e ’90-s, që e përmendët dhe ju? Faleminderit!
Presidenti Meta: Të falënderoj për pyetjen. Nuk e di në çfarë media punoni ju,
Gazetari: Vizion Plus
Presidenti Meta: Kush është aty kryeredaktor, drejtor… Po kush është mo, nuk e di kush është atje… Koli është?! A Kol Balla, po. Tani e kam dëgjuar këtë çështje edhe herë tjetër, prapë nga miku im Sokol Balla, edhe e di se ai ka merak të madh se jam në konflikt interesi sepse nëna e fëmijëve të mi është në opozitë. E nuk e di se ku qëndron interesi këtu, se ai ka interes që të ikë Rama, nuk ka interes që të marrë pjesë në zgjedhje gjithëpërfshirëse, por të gjithë e dini se Koli nuk ka interes, asnjë konflikt interesi me qeverinë, pavarësisht se nëna e fëmijëve të tij punon në qeveri apo jo?! Kështu që faleminderit për pyetjen. E gjykojnë shqiptarët se kush i krijon këto probleme, kush i krijon këto shqetësime dhe kush do e nxjerrë Shqipërinë nga rruga e normalitetit, nga rruga e shtetit ligjor, nga rruga e funksionimit të institucioneve dhe reforma në drejtësi e Edi Ramës ka fytyrën e skandalit të unazës së re. Genocid ndaj njerëzve, ndaj hallexhinjve dhe paprekshmëri edhe ndaj atyre që falsifikojnë dokumentet e shtetit amerikan. Asnjë recepsionist nuk është ndaluar akoma, me qindra hallexhinj dhe njerëz janë dhunuar atje. Dakord? Dhe nëse do të flasë ai për reformë apo Ramaformë, kur të dëshirojë, unë jam President dhe nuk dëshirojë të hyj në këto çështje, kur të dëshirojë ai, tek Sokol Balla, të marrë edhe ata miqtë e tij amerikanë dhe europianë të reformës, të marrë edhe zonjën Callavera, aty, s’kam nevojë vetëm aty dhe ta kuptojmë si ishte reforma dhe si u bë Ramaforma. Prandaj jemi këtu.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në “Real Story” për gazetarin Sokol Balla, se nuk ka arsye për të pasur frikë për të dalë për të votuar në 30 qershor. “Kjo botë nuk është e frikacakëve. Nuk ka arsye për të pasur frikë, mund të ketë gjëra sporadike, por ne i kemi marrë të gjitha masat, por kushdo që do të shkelë vijën e kuqe do të përballet me të gjitha pasojat. Është e vërtetë besimtar dhe votues, anëtar të atyre që nuk janë në garë, mund të jenë krejtësisht në pamundësi për të shkuar për të votuar, por këtë nuk ua hoqi PS, ua hoqi partia e tyre”, u shpreh Rama. Shefi i Qeverisë, që zgjodhi studion e “Real Story” për të mbyllur publikisht fushatën elektorale, u shpreh se PD-ja është tërhequr pas një presioni të jashtëzakonshëm të SHBA-së, ndërsa tha se plani për dhunë dështoi. “Merrni në pyetje kryebashkiakun e shkarkuar të Vaut të Dejës dhe dëgjoni çfarë thotë ai. Nga njëra anë PD thotë e organizuam ne sulmin ndaj KZAZ-së, ndërsa ai thotë që e organizoi partia. PD ka një javë që hedhë gurin dhe fsheh dorën, pas një trysnie të jashtëzakonshme nga SHBA. Kjo është e gjitha pjesë e të njëjtit plan, plani ka dështuar, por ka kërcitje tek-tuk. Nëse plani nuk do kishte dështuar, do ishin djegur të gjitha KZAZ-të e Shqipërisë. Pra ky ka qenë plani”, tha Kryeministri Rama.
Ram u shpreh gjithashtu, se Shqipëria do e kalojë me sukses testin e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa pas kësaj date, historia e partive politike që kërkojnë fitore në tavolinë dhe që imponojnë rregulla të pashkruara, do të marrë fund njëherë e mirë. Ndërkohë, shtoi se ai nuk e ndjen veten as fajtor, as faktor dhe aktor për krizën.
“Nuk ndihem as aktor, as faktor as fajtor per krizën. Ndihem mirë që plani për të futur Shqipërinë në një rruge pa krye, ka dështuar. Unë ndihem mirë që Shqipëria do e kalojë këtë test me sukses. Plani i turpshëm për ta marrë peng procesin zgjedhor, dështoi. Mund të ketë dëmtuar çeljen e negociatave përkohësisht, por nuk ka arritur dot të imponojë një rregull të ri që një palë imponon rregull të pashkruar për palën tjetër. Nuk do kemi më pas 30 qershorit parti politike që do ëndërrojnë fitore duke braktisur zgjedhjet. Ky film ka këtë fund dhe ky është sezoni i fundit i një seriali që ka vite që zhvillohet. Do nis një serial i ri, që nuk përjashtohen tensionet dhe polemikat. Ama jo më kështu, kjo histori mbaroi. Nuk kanë për të parë më shqiptarët situata të tilla. Ky është një leksion historik demokracie”, tha Rama. /Relastory.al/
Letra e Presidentit Ilir Meta drejtuar Shefit të OSBE në Vjenë, Lajçak, vlen vetëm për të kuptuar se kujt mund t’i dërgojë aktualisht letër Ilir Meta. Ose më mirë, tregon se sa pak kuti postare ka, që pranojnë letra prej tij.
Letra nuk ka ndonjë dallim nga ato që Presidenti thotë dhe vepron publikisht si udhëheqësi më protagonist i opozitës.
Ai nuk e ka fshehur deri tani se mbështet kauzën e opozitës, mbështet bojkotin e zgjedhjeve dhe Parlamentit, mbështet protestat e dhunshme mbi institucionet, dënon reagimin e Policisë së Shtetit, urren Bindjen Demokratike, por mbi të gjitha nuk e ka fshehur që mbështet taktikën e opozitës për të nënshtruar sistemin demokratik në Shqipëri.
Në këtë pikë letra nuk të çudit, dhe nuk ja vlen as të komentohet.
Por siç thashë, letra vlen për të kuptuar se Ilir Metës i kanë mbetur shumë pak dyer për të trokitur.
Një letër të tillë ai mund t’ia niste Sekretarit Pompeu, por meqë gruaja e tij, një muaj më parë ishte vetë në SHBA dhe është sqaruar dhe bindur se SHBA nuk ka nevojë të sqarohet për gjendjen në Shqipëri, nuk ja ka shkruar atij.
Mund t’ia niste dhe Presidentit të BE, por meqë një javë më parë Presidenti Junker, e tha qartë pikpamjen e tij, dhe u duk se ishte i sqaruar, Ilir Meta nuk ia ka dërguar.
Mund t’ia çonte dhe Kancelares Merkel, apo Presidentit Macron, por dhe ata janë të qartë.
Ja ka çuar zotit Lajçak, jo se ai nuk është i qartë, por se shpreson që të bëjë dhe një diversion me këtë rast, me përfaqësinë e OSBE në Tiranë, duke u treguar këtyre që ky mund të komunikojë me shefin e tyre direkt.
Kjo është një gjë qesharake, por që tregon seriozitetin me të cilin Ilir Meta ka vepruar për të institucionalizuar linjën revolucionare antiinstitucionale të opozitës në Shqipëri.
Dhe në këtë pikë mendoj se i ka bërë dhe nder qeverisë. Zoti Lajçak do të ketë mundësinë të kuptojë nga vetë letra, se Presidenti është në krye të punëve të këtij revolucioni dhe po kërkon ndihmën e OSBE për t’i dhënë shanse të trimufojë.
Por problemi që ka OSBE, është se ajo merret me zgjedhje dhe jo me revolucion. OSBE është e vetmja adresë e gabuar për të ndihmuar revolucionin, pasi ajo ekziston ende, pikërisht se ka parti që prishin zgjedhjet. Biles më saktë, OSBE mund të ishte shkrirë, nëse nuk do të vidheshin votat nga tipa si Sali Bersha më ‘96, Ilir Meta më 2001 e në vazhdim.
Ndaj zoti Lajçak, edhe pse nuk është armiqësor me Ilir Metën, pasi e ka shpëtuar një herë pas vrasjeve më 21 janar, nuk e ndihmon dot, pasi i ka shkruar njeriut të gabuar. Por nuk ka faj, pasi Presidenti ynë, nuk ka kujt t’i shkruajë.