Reforma në drejtësi në
Shqipëri prej disa vitesh po prodhon debate të forta, në fillim me hartimin dhe
me pas me zbatimin. Sot bashkëhartues dhe miratues të saj si dhe ekspertë të
sistemit të drejtësisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit.
Opozita dhe presidenti mendojnë se reforma është deformuar në zbatim dhe nuk i
përmbahet tekstit kushtuetues të miratuar me unanimitet, dhe se po shkon drejt
kapjes politike të sistemit. Eksponentë të PS në qeveri, si dhe ekspertë
pjesmarrës në hartimin e reformës sjellin argumenta të kundërta. Vështirësitë
në zbatim kanë sjellë mosfunksionimin e Gjykatës kushtetuese dhe Gjykatës së
lartë. Mimoza Picari raporton nga Tirana.
Reforma në drejtësi u
miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016. Ajo u
parapri nga debate të forta, për më shumë se një vit dhe u asistua nga ekspertë
të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe
ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.
Ecuria e zbatimit të
reformës në drejtësi ka patur ulje ngritje dhe autorë të hartimit dhe miratimit
të saj si dhe ekspertë të sistemit kanë këndvështrimë të ndryshme për rezultatet,
3 vjet pas miratimit.
“Kjo është një periudhë e
vështirë tranzicioni, edhe sikur idealisht kjo periudhë tranzicioni të shkonte
sipas mënyrës që u ideua, aq komplekse sa ishte, do kishte vështirësitë e veta
teknike”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të
reformës në drejtësi.
“Nuk do të them, a është
sukses apo është dështim, por mund t’ju them se nëse do të ishte vërtet një
sukses, Shqipëria asnjë sekond nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese”- shprehet
Ilir Meta, President i Shqiperisë.
“Shqiptarët kishin nevojë
për reformën në drejtësi, si ujët e pakët. Por mënyra se si bëhët reforma në
drejtësi është thelbësore. Ne kemi një sistem që është rrënuar tashmë, dhe
ndërkohë nuk është ngritur ende i riu”- pohon
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.
“Nëse do të shohim
kushtetuën në dispozitat tranzitore, aty janë vënë ca afate. Nëse do të ishin
respektuar me atë consensus që u miratua kushtetuta, sigurisht që ne nuk do
ishim në këtë gjendje, ku ka problematikë përsa i përket funksionimit të
organeve”- pohon Sokol Sadushi, Drejtor
i shkollës së magjistraturës.
Ndarja mes palëve nisi
menjëherë pas miratimit me konsensus të reformes. Në gusht 2016, nuk u arritën
afatet e miratimit të 7 ligjeve të emergjencës sic u quajtën ato për ngritjen e
organeve qeverisëse të sistemit, përfshi dhe Vettingun rivlerësimin e
gjyqatrëve dhe prokurorëve.
“Nga ana tjetër ne kemi
faktin që ligjet sot kanë ndryshuar në thelb sistemin e drejtësisë që u miratua
në datën 22 korrik 2016. I vetmi ligj që miratua me consensus ishte ai për
ngritjen e SPAK”- sqaron Oerd Bylykbashi,
nënkryetar i komisonit të refromës në drejtësi.
“Duhet të pranojmë që PD
hyri e sforcuar në konsensusin e 140 votave të Kuvendit. Një vit u vonua
Vetting-u në proçesin e zbatimit. 6 muaj ju desh me ankimin në Gjykatën
Kushtetuese dhe 6 muaj nga çadra. Sepse vetëm pas marrëveshjes së majit të
2017-ës u bë e mundur që të ngriheshin institucionet e Vetting-ut, për arsye
sepse mosardhja e përfaqësuesve të PD e bëntë proçedurialisht të pamndur
proçesin”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës
në drejtësi.
“Askush nuk mund të guxojë
të thotë pa u skuqur, që vonesë shkaktoi opozita pse dërgoi në Gjykatë
Kushtetuese ligjin e Vetting-ut për shkeljet që i ishin bërë kushtetutës së 22
korrikut. Kjo është e drejtë e pamohueshme e kujtdo” – argumenton
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
Sipas kryetarit të
komisionit për hartimin e reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj, bllokimi i
ngritjes së organeve të Vetting solli bllokimin e Këshillit të emërimeve në
drejtësi për nje vit.
“Këshilli i emërimeve në
Drejtësi solli efektin tek Gjykata Kushtetuese. Të mos harrojmë ping-pongun mes
presidencës dhe kuvendit apo konfliktin me prokurorinë për kriteret e
përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pra një sërë proçesesh.
Por nga ana tjetër nuk e përjashtoj faktin, që me pak kujdes dhe me më shumë
vëmendje mund të kishtë një ritëm shumë më të mirë”- sqaron
Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
“E gjithë beteja sot është
se kush do të kontrollojë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse e
kontrollon kryeministri Edi Rama, jo vetëm do të rrëzojë dekretet e
Presidentit, jo vetëm do të shkarkojë presidentin e republikës, por do t’i vërë
vulën e Gjykatës Kushtetuese të gjitha ligjeve, siç është ligji i teatrit apo
konçensionet skandaloze nëse shkojnë në Gjykatë Kushtetuese”- argumenton
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
“Gjatë gjithë periudhës së
qeverisjes së saj, lidershipi i PD ka funksionuar mbi bazën e kontrollit
politik të sistemit. Në mentalitetin e tyre ishte që sistemi është i
kontrolluar. Vetë sistemi është ndërtuar pikërisht për të shmangur kontrollin
politik”- thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të
reformës në drejtësi.
“Kushtetuta u transformua, u
ndryshua, u dhunua për të prodhuar sistemin që do të prodhojë kapjen dhe sot
Vetting-u është një instrument qartazi, ku ata që i duhen PS selektohen dhe
kalojnë për miratim në organet e tjera”- shprehet
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
“Këtë nuk mund ta thotë
opozita për një fakt fare të thjeshtë. Opozita ka qenë bashkëpjesmarrëse në
përzgjdhjen e emrave të komisionerëve të organave të Vetting-ut. Emrat janë
votuar edhe nga PS edhe nga PD edhe nga LSI”- thotë
Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
Presidenti i republikes ILir
Meta ish-kryetar i LSI, ka shprehur rezerva të forta për reformën në drejtësi
duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin i ndihmuar nga një kor
i strukturuar ndërkombëtarësh, si është shprehur ai.
“Unë kam bërë çdo përpjekje,
ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos mbetet bëhët një vend qesharak. As para
së të bëhej reforma në drejtësi, edhe për zbatimin e reformës, e cila është
kthyer në një ramaformë, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese që u
miratua me konsensusin e të gjithëve nuk do ishim në këtë situatë”- shprehet
Ilir Meta, President i Republikës në një komunkim me median.
“Presidenti dhe partia që ai
ka drejtuar para së të zgjidhej president, kanë votuar 7 ligjet kuadër të
reformës në drejtësi, pra do të thotë që ka patur vullnetin e plotë në proçesin
e hartimit dhe miratimit të këtyre 7 ligjeve. Nëse sot janë në opozitë dhe ka
gjykim tjetër, nëse sot ka një interes tjetër, kjo është çëhtje tjetër. Po i
them Presidentit dhe kujtdo tjetër në këtë vend, kush të dojë Fatmir Xhafaj,
Edi Rama Ilir Meta mund të shohin ëndrra për ta kapur sistemin, por nuk kapet
më ky sistem”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës
në drejtësi.
“E kam thënë dhe herë tjetër
kur politika të kuptojë se nuk do të ketë më dorë mbi sistemin e drejtësisë
atëherë do të këtë dhe acarimin”- shprehet Sokol Sadushi,
drejtor i shkollës së magjistraturës.
“Reforma e Drejtësisë në
fakt është zbatuar në përputhje më kushtetutën dhe legjislacionin vendas. Ky
është një proçes kompleks. Reforma po ecën përpara dhe është e
pakthyeshme”- u shpreh Luigi Soreca, Ambasador i BE në
Shqipëri.
Sot tre vjet pas miratimit
të reformës në drejtësi Gjykata kushtetuese ka vetëm një anëtare të cilës i ka
mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për vendime.
Vettingu, ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë ndërsa 35 kanë dhënë
dorëheqje. Në systemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë dhe prokurorë, tej
parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme.
“A do kishte largime kaq të
mëdha. Kjo është një çështje që nuk mund të mendohej nga askush. Si mund të
mendohej, përsa kohë që nuk kishte të dhëna objektive, fakte”- pohon
Sokol Sadushi drejtor i shkollës së magjistraturës.
“Kam qenë i vetëdijshëm që
një pjesë e mirë e atyre që shërbenin në sistem do të dilnin nga sistemi, por
deri në këto përmasa, që të jem dhe unë i sinqertë nuk e kam menduar”- pohon
Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
“Vettingu po shkakton një
situatë që ne e kemi paralajmëruar, do të krijojë një gropë të madhe”- thotë
Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
“Opozita ka parlajmëruar
vetëm një gjë që nuk e do reformën në drejtësi. Nuk them që nuk ka probleme,
por janë të përkohshme, dhe si të tilla të justifikuara në raport me atë cfarë
presim të ndërtojmë në këtë shoqëri” –argumenton Fatmir Xhafaj
kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
Në gjykatën Kushtetuese sot
ka 108 cështje që presin gjykimin, ndërsa në gjykatën e lartë mbi 32 mijë
cështje që do te duan sipas ekspertëve disa vite të shqyrtohen.
“Më garanto drejtësinë thotë
qytetari shqiptar, që kur të shkojë në gjykatën e shkallës së parë mundësisht
të mbaroj punë që aty, pa shkuar në shkallët e tjera”- thotë
Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
“Ne kemi aktualisht 5
çështje të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gerdecit. Në Gjykatën e
lartë ne nuk kemi ende një mundësi për t’u gjykuar, sepse presim të shprehet
kjo gjykatë e cila është bllokuar”- pohon
Dorjan Matlia, avokat.
“Midis gjyqësorit me disa
njerëz që e kishin kthyer në pazar dhënien e vendimeve, dhe një gjyqësori që
respekton ligjin dhe vetëm ligjin, unë do të preferja të zgjidhja këtë të dytin
edhe sikur për pak kohë të mungonte i pari”- shprehet
Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
Drejtor i shkollës së
magjistraturës porta furnizuese e sistemit me gjyqtarë dhe prokurorë thotë se
janë thuasje trefishuar kandidatët me qëllim plotësimin e boshllëqeve dhe
shpreson se deri në vitin 2026, kur është parashikuar të përfundojë Vettingu i
afro 700 gjyqtarëve dhe prokurorëve sistemi do ta ketë marrë veten. Ndërsa Z.
Fatmir Xhafaj shpreson se shumë shpejt Gjykata kushtetuese dhe ajo e lartë do
jenë funksionale.
“Organet e Vetting-ut duhet
të punojnë me prioritet për organet e reja të sistemit që do të thotë se
organet e Vetting-ut nuk kanë luksin të bëjnë pushime, dhe as të zvarrisin
çështjet, sepse prandaj paguhen shumë shumë herë më tepër se kushdo tjetër në
këtë vend, pikërisht për këtë gjë. Së dyti KED vetë duhet të ketë një ritëm
tjetër”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar
i komisionit të reformës në drejtësi.
Autoritetet thonë se së
shpejti priten të ngrihen dhe të zgjidhen dhe organe të tjera pjesë të reformës
në drejtësi si Inpsktori i drejtësisë Prokurori i përgjithshëm dhe Njësia e
posacme e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, ose Spak sic njihet
ndryshe, që do të hetojë dhe gjykojë zyrtarët e lartë dhe politikanët, Por a ka
vend për shpresë në përfundimin me sukses të reformës në drejtësi,
“Abuzohet shpeshherë me
faktin, 3 vjet çfarë u bë? Unë besoj që bëhet në mënyrë të qëllimshme nga
kundërshtarët e këtij proçesi dhe nga ata që kanë një pritshmëri të lartë”- thotë
Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
“Drejtësinë komplet
ramaformë, tani të marrë dhe gjithë pushtetin vendor dhe të gjithë të dalin në
diell dhe t’i bien dajres. Bukur shumë bukur”- shprehet
me ironi Ilir Meta President i Republikës gjatë një konference për shtyp.
“Ne nuk duhet ta shohim më
trishtim. Ju e dini që shkaku kryesor pse nisi reforma në drejtësi ishte
korrupsioni”- thotë Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së
magjistraturës.
“Në duam të shohim zbatimin
e ligjeve dhe njerëz në burg. Të gjithë politkanët të kuptojnë vlerën që ka
mbështetja e kësaj reforme që unë besoj se po shkon në drejtimin e
duhur”- pohoi Genoveva Calavera, në fjalën e saj në Samitin e
Poznamit në Poloni.
“Unë pres me padurim
ngritjen e SPAK-ut. Mundet të jetë një pritshmëri e gabuar por e presim të
gjithë. E presim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Nganjëherë dhe ajo që nuk është e mirë, është më mirë të shkojë para se sa të
mbetet në lluc”- thotë Oerd Bylykbashi,
nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi./VOA/