“Do dështojë”, PD-LSI ‘pendohen’ që votuan Reformën në Drejtësi

AKTUALITET


Tre vjet nga data 21-22 korrik, që solli miratimin unanim të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, që i hapën rrugën Reformës në Drejtësi, ka bërë që përfaqësues të opozitës të reagojnë, duke përkujtuar atë datë. I pari që reagoi nga opozita, ishte Oerd Bylykbashi, ish-nënkryetar i Komisionit përgjegjës për hartimin e Reformës në Drejtësi. Tre vjet pas votimit në kuvend, ish-deputeti i opozitës shprehet për se drejtësia tashmë është kapur nga Edi Rama.

“Ja ku jemi tre vite më ps. Para dy ditësh Gjykata e Durrësit skandalizoi të gjithë komunitetin e juristëve, por edhe shumë njerëz të thjeshtë, duke marrë një vendim për konfirmimin e mandatit të kandidates së PS për kryetare bashkie kur po kjo gjykatë me vendim ia kishte refuzuar mandatin. Një brutalitet antikushtetues! Rama kësaj rradhe ka bërë gjyqtar-shopping. Ky skandal ka tmerruar çdo parim të sigurisë juridike”, shkruan ndër të tjera Bylykbashi në një status të tij. Më pas ka reaguar dhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili gjithashtu shprehet se Edi Rama ka kapur drejtësinë. “Të gjitha detyrimet e vëna në Kushtetutë në 21-22 korrik nga strikte, të prera e rigide, u bënë si llastik që e hapte qeveria, pa kushtetutë e ligj, sa i do qejfi për ta kapur totalisht drejtësinë, shumë më keq se më parë”, shkruan ndër të tjera Vasili.


Në këto kushte, si Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili shprehen të zhgënjyer, ndoshta për votën që i dhanë reformës në drejtësi. “Qytetarët i besuan puthjes së 21-22 korrikut, por zhgënjimi i tyre pasi humbën edhe atë pak drejtësi që kishin, kërkon sot që ndërkombëtarët ti japin shuplaka dhe jo lëvdata qeverisë për kapjen skandaloze të drejtësisë”, shkruan ndër të tjera Vasili, duke pasur parasysh takimin e ish-ambasadorit të SHBA Donald Lu dhe asaj të BE Romana Vlahutin, të cilët pas votimit në parlament të reformës, patën një takim miqësor mes tyre.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi shprehet dhe më pesimist dhe i zhgënjyer, duke treguar se sipas tij ky sistem drejtësie do të dështoi brenda 10 vitesh. “Para tre vitesh kam deklaruar publikisht se me këtë arkitekturë hibride që nuk ka kushëri askund mes sistemeve evropiane, frut i një eksperimenti, ky sistem drejtësie dështon brenda 10 vitesh. Nuk është se kam ndryshuar mendim, por shpresën e kam që ta kem gabim. Tani bindja ka triumfuar mbi shpresën, për fat të keq”, shprehet ndër të tjera Bylykbashi.

Opozita refuzoi fillimisht të bashkëpunonte dhe votonte ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, por më pas, e gjendur nën presionin ndërkombëtar të SHBA dhe BE, të cilët u investuan fuqishëm për miratimin e kësaj reforme, opozita votoi në unanimitet pro ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, tre vite më pas, reagimet dhe qëndrimet e opozitës, shpesh duke sulmuar dhe ndërkombëtarët, tregojnë raportin e saj me reformën në drejtësi, aq sa tani lë të kuptohet se është bër pishman që ka votuar këtë reformë.




Skip to toolbar