Me 67 mijë paund të padeklaruara në çantën e shpinës në Rinas, procedohet 63-vjeçari nga Tunizia

Policia Kufitare godet një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi duke sekuestruar 67850 paund.

Procedohet penalisht nje 63-vjeçar nga Tunizia.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, si rezultat i shtimit të kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, shtetasin J. D., 63 vjeç, lindur në Tunizi dhe banues në Angli.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shtetasit të lartpërmendur, në çantën e tij të shpinës dhe në valixhe, shërbimet e Policisë Kufitare, i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 67850 paund.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga ana e seksionit të ZMP-së, shtetasi J. D. u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Mjegulla e dendur, Aviacioni Civil sqaron qytetarët për fluturimet që u anuluan të dielën

Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil u bëri thirrje qytetarëve, që gjatë ditës së diel në 19 janar humbën fluturimet e tyre, të informohen pranë kompanive ku kishin rezervuar biletat për fluturimet e ardhshme. Sipas AAC, dje u anuluan disa fluturime për shkak të motit të keq, mjegullës që përfshiu Tiranën. Ndaj, Aviacioni Civil njofton se të gjitha kompanitë që anuluan fluturimet të dielën, do t`i kryejnë ato gjatë ditës së hënë, por përsëri do të ketë vonesa.

“Njoftim i rëndësishëm për të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesat apo anullimet e fluturimeve të datës 19 janar 2020, për shkak të motit të keq. Njoftohen të gjithë pasagjerët e prekur nga vonesat apo anullimet e fluturimeve të djeshme për ose nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, se për shkak të mjegullës së dendur, kompanitë ajrore Air Albania, Alitalia, Austrian Airlines, Albawings, Air Serbia, Blue Panorama, Pegasus dhe Wizz Air, do t’i kryejnë të gjitha fluturimet e vonuara apo anulluara brenda ditës së sotme, por me vonesa.

Pasagjerët duhet të presin udhëzimet nga kompanitë ajrore dhe të zbatojnë oraret që do të marrin prej tyre, përpara se të nisen për në aeroport. AAC informon publikun, se ngjarje të tilla të lidhura me kushtet të pazakonta të motit janë të pranueshme në industrinë e aviacionit, ku kryesore për pasagjerin mbetet siguria në operim”, shkruan AAC.

“Nuk jam kavie”, i arrestuari për grabitjen në Rinas, refuzon analizën e ADN

Një nga të arrestuarit për grabitjen e bujshme në Rinas, që ndodhi në 9 prill 2019, Oltion Veseli refuzoi të japë material biologjik për të kryer analizën e ADN.

Sipas Balkanëeb, Veseli refuzoi në fillimin në Prokurori të japë materialin, duke u shprehur se “nuk është kavie”. Më pas, ai është transferuar në institutin e Mjekësisë Ligjore për të dhënë materialin biologjik.

Por dhe aty nuk praoi të zbatojë vendimin e gjykatës. Sipas tij, policia i  ka marrë njëherë kampionet për ADN. Ndaj, Oltion Veseli këmbëngulë që t`i bëhen të ditura rezultatet e analizës së parë.

“Refuzoj, pasi duhet të më ktheni përgjigje çfarë është bërë me të parën dhe më pas unë mund ta jap për herë të dytë”, ka thënë Veseli, gjatë seancës së sotme gjyqësore.

Do ikte në Angli me dokumente false, 2 në pranga në Rinas

Në aeroportin e Rinasit u godit një rast i kalimit të paligjshëm të kufirit. Në pranga janë vënë dy shtetas, një prej tyre punonjës i aeroportit. Sipas një komunikate të Policisë së Shtetit mësohet se është finalizuar operacioni policor “New Start”.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara gjatë vitit 2019 nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për dhënie ndihme, kundrejt fitimit, për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme u finalizua me sukses operacionin e koduar “NEË START”, si rezulatat i të cilit u bë i mundur arrestimi i shtetasve:

Xh. K., 23 vjeçe, banuese në Mat. Arrestimi i saj u bë si e dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”. R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht punonjës i sigurisë te kontrolli i pasagjerëve me skaner, në terminalin në varësi të TIA-s. Ky shtetas ka qenë i proceduar më parë nga Policia Kufitare, pasi është kapur në zonën sterile me 2700 euro dhe telefon celular.

Arrestimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”. Shtetasja XH. K. ka tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me dokumentacion të rregullt, por pas dyshimeve të punonjësve të Policisë Kufitare mbi qëllimin e udhëtimit dhe arsyet e dhëna, është kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm, ku i është gjetur një kartë italiane e falsifikuar.

Në bashkëpunim me specialistët për hetimin e trafiqeve të paligjshme në DVP Tiranë u organizua puna dhe pas hetimeve të para hetimore rezultoi se:  Shtetasi R. K., punonjës i aeroportit të Rinasit në kontrollin me skaner, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi kishin siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitete italiane, kanë tentuar ta kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit tranzit drejt aeroportit të Romës, Milano, me destinacion final në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasen Xh. K..

Vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfsihrë në këtë veprimtari të paligjshme, pasi dyshohet se kanë pajisur edhe shtetas të tjerë me dokumente të falsifikuara, që do t’i ndihmonin për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë së Madhe.  Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet njoftimin e Policisë së Shtetit.

Rinas, fierakja zbardh rrjetin e prostitucionit, tutori ia mbath me vrap

Deklaratat e dyshimta të një 30-vjeçare për arsyen e udhëtimit në Itali, bëri të zbulohet një rrjet i prostitucionit dhe trafikimit të femrave.

Ngjarja ndodhi në aeroportin e Rinasit, ku policia arrestoi tutorin e 30-vjeçares dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë, të përfshirë në trafikimin për prostitucion.

Policia kufitare në Rinas, pasi nuk është bindur nga deklaratat kontradiktore të një 30-vjeçareje nga Fieri lidhur me arsyen e lëvizjes drejt Italisë, ka bërë që ajo të ndalohet dhe të njoftohet seksioni kundër trafiqeve. Ndalimi i fierakes, ka trembur tutorin që e shoqëronte, shtetasin me iniciale E. Ç., 40 vjeç, i cili ka ikur me vrap nga aeroporti i Rinas. Arratia e tij ka zgjatur vetëm pak minuta pasi është ndaluar nga policia.

Pas hetimeve në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë me iniciale A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., të përfshirë në trafikimin dhe prostituimin e femrave.

Sipas dëshmisë së 30-vjeçares, këta persona e ka dhunuar sistematikisht, që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali. Dërgimi i saj do të bëhej mbrëmjen e të shtunës, por plani u prish pas veprimit të policisë në aeroportin e Rinasit.

Policia vijon hetimet për kapjen e 3 personave të tjerë dhe zbardhjen e  plotë të rrjetit të prostitucionit.

Greva në Itali, apeli i AAC: Më 6 shtator vonesa në Rinas

Të premten në datën 6 shtator, i gjithë sistemi i  transportit në Itali ka paralajmëruar një grevë të përgjithshme prej 24 orësh. Ndërkohë, nga greva pritet të preken dhe qytetarët shqiptarë që kanë parashikuar të udhëtojnë në këtë datë drejt vendit fqinj. Për këtë arsye, me anë të një deklarate për shtyp, Autoriteti i Aviacionit Civil ka paralajmëruar qytetarët shqiptarë, se gjatë kësaj dite do të ketë vonesa në nisje dhe mbrritje të pasagjerëve në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

“Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, i bën apel gjithë pasagjerëve që do të udhëtojnë në datën 6 Shtator 2019 nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, se për shkak të një grevë që pritet të jetë 24 orëshe, do të ketë anullime dhe vonesa të fluturimeve”.

“Vonesat dhe anulllimet vijnë si pasojë e një greve të përgjithshme të transportit kombëtar në Itali. Për të shmangur pritjet e gjata, këshillojmë të gjithë personat që kanë parashikuar të udhëtojnë nga dhe drejt Italisë në datën 6 Shtator të kontrollojnë dhe të komunikojmë me kompanitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimit për tu njohur nësë afektohet fluturimi juaj”, përfundon njoftimi.

15 mijë paund për një emigrant në Britani, arrestohen dy persona në Rinas

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të emigrantëve në kufi. Ndalimi dhe zbulimi i këtyre shtetasve u bë gjatë operacionit të koduar ‘LUTTON’, ku dy të arrestuarit merrnin 15 mijë paund për kalimin e emigrantëve drejt Anglisë.

Në pranga ranë shtetasit  V. L., 52 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin  dhe H. N., 19 vjeç, lindur dhe banues ne Burrel, Mat. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.L., i dyshuar si bashkëpunëtor  në këtë vepër penale.

Sipas hetimeve të policisë, shtetasi V. L., rezident në Itali, pasi kishte siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër, ka ardhur në Shqipëri dhe ka pajisur me këto dokumente shtetasin H. N. Pas pajisjes me këto dokumente, shtetasi V. L. do ta shoqëronte shtetasin H. N. nga aeroporti i Rinasit, tranzit drejt aeroportit të Venecias me destinacion final në aeroportin e Luttonit, në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt përfitimit 15 000 paund britanikë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Arrestohen dy persona në Rinas, në kërkim ndërkombëtar nga UNMIK dhe Interpol

Polici e Shtetit ka arrestuar dy shtetas në Rinas, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas një komunikate për shtyp shpërndarë për mediat, policia njofton se Shërbimet e Policisës kufitare kanë arrestuar një shtetas me inicialet A.P., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

 Ky shtetas, i moshës 40-vjeç, ishte shpallur në kërkim na autoritetet italiane dhe Interpol Roma, pasi rezulton i dënuar. Gjykata e Venecias ka lëshuar një urdhër-arresti për shtetasin  e sipërpërmendur, pasi ka kryer konsumimin e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Gjithashtu po në Rinas nga shërbimet e Policisë Kufitare u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosvës i shtetasit kosovar   R.Xh., 39 vjeç. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim  ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arresti  për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Detaje të reja nga ngjarja në Rinas: Autorët 3 muaj prova për të kryer grabitjen

Grabitja e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit ishte një ngjarje që bëri bujë të madhe dhe u shoqëruar me arrestimin e disa personave. Megjithatë ende nuk dihen shumë detaje në lidhje me organizmin dhe ndarjen e detyrave që kanë pasur pjesëtar të ndryshëm të grupit kriminal.

Aktualisht ngjarja po hetohet nga prokurorët Besnik Muçi, Arenc Çela dhe Klodian Braho, të cilët janë duke ekzaminuar ADN e autorëve për të përcaktuar rolet e tyre gjatë grabitjes në Rinas.

Provat e gjetura në fugonin e pa djegur, si bidona me benzinë, armë automatik, telefon celular, pishtar për vënie flake, rroba të autorëve të dyshuar, karton dhe gjurmë gishtërinjsh, tashmë do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së për të mësuar rolin e gjithsecilit prej tyre raporton Report TV.

Grabitja e Rinasit ndodhur më 9 prill dyshohet se është programuar për plot 3 muaj me radhë nga marrja e fugonit në Kosovë, modifikimi i tij në Elbasan deri tek shikimi i filmave me grabitje dhe bërja e provave nga pjesëtarët e grupit pak ditë para se të ndërhynin në pistë.

Si autorë të grabitjes në Rinas u arrestuan  Ragip Hajdini i njohur me nofkën “Daja”, Elton Pikli, Alkond Bengasit, Renaldo Sulajt, Oltjan Veselit, ndërsa Klement, Saimri Cala dhe Talo Çela janë shpallur në kërkim.

Një tjetër i arrestuar si bashkëpunëtor i grupit të grabitjes është Hasan Kanaçi shefi i veprimeve cargo në pistën e Rinasit që kujdesen për ngarkim shkarkimin e mallrave në avion.

Grupi u zbulua pasi i arrestuari Alkond Bengasi, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Nga grabitja mbeti i vrarë kreu i grupit kriminal,  Admir Murataj , i cili kërkohej prej kohësh nga policia.

Grabitja e aeroportit në Brazil, CNN: E ngjashme me atë në Rinas

Një film i denjë për Hollywood, kështu është cilësuar grabitja e arit që u bë në aeroportin e San Paolos në Brazil. Në një kohë rekord prej 2 minuta e 30 sekonda, 8 persona të armatosur arritën që të merrnin 750 kilogram ar.

Ajo që bie në sy është ngjashmëria e kësaj vjedhje me atë të ndodhur në prill në aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Këtë ngjashmëri nuk ka hezituar ta theksojë edhe CNN, që në një shkrim të saj cilëson “ Grabitësit ishin veshur si agjentë, erdhën me një mjet që ngjante me mjetet e policisë federale të Brazilit,  dyshohet se kanë pasur akses në informacionin e brendshëm rreth operacioneve të aeroportit dhe nën kërcënimin e armëve arritën të vidhnin një sasi të madhe ari që kishte një vlerë mbi 40 milionë euro.”

 Ky përshkrim është thuajse i njëjtë me ngjarjen e ndodhur në Rinas, ku “autorët ishin maskuar si policë, erdhën me një fugon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, dyshohet se kishin informacion të brendshme në lidhej me transportin e parave dhe e gjithë vjedhja u krye në një kohë rekord në më pak se 4 minuta.”

Dy skena shumë të ngjashme grabitje, por që në atë të Rinas rezultoi me vrasjen e kreu i bandës, Admir Murataj.

Skip to toolbar