15 mijë paund për një emigrant në Britani, arrestohen dy persona në Rinas

AKTUALITET


Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të emigrantëve në kufi. Ndalimi dhe zbulimi i këtyre shtetasve u bë gjatë operacionit të koduar ‘LUTTON’, ku dy të arrestuarit merrnin 15 mijë paund për kalimin e emigrantëve drejt Anglisë.

Në pranga ranë shtetasit  V. L., 52 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin  dhe H. N., 19 vjeç, lindur dhe banues ne Burrel, Mat. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.L., i dyshuar si bashkëpunëtor  në këtë vepër penale.


Sipas hetimeve të policisë, shtetasi V. L., rezident në Itali, pasi kishte siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër, ka ardhur në Shqipëri dhe ka pajisur me këto dokumente shtetasin H. N. Pas pajisjes me këto dokumente, shtetasi V. L. do ta shoqëronte shtetasin H. N. nga aeroporti i Rinasit, tranzit drejt aeroportit të Venecias me destinacion final në aeroportin e Luttonit, në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt përfitimit 15 000 paund britanikë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.




Skip to toolbar