U dënua në Itali me 12 vjet burg për trafik droge, kapet në Rinas shkodrani me dy emra

Policia kufitare e Rinasit ka vënë në pranga të enjten 40 vjeçarin nga Shkodra që përdor dy emra  Domi Vuksani ose Nikel Vuksani, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge e organizatë kriminale.

40-vjeçari rezulton se është i dënuar me 12 vite burg nga drejtësia italiane.

Shërbimet e Komisariati të Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas verifikimeve të imtësishme të bërë në sistem të të dhënave të 40-vjeçarit, i cili kishte ndërruar gjeneralitet me qëllim shmangien e dënimit në Itali, kanë bërë arrestimin me qëllim ekstradimi në Itali të shtetasit shqiptar Domi Vuksani alias Nikel Vuksani, 40 vjeç, lindur në Shkodër.

Shtetasi Domi Vuksani ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në vitin 2014, pasi Gjykata e Firences në Itali e ka dënuar me 12 vjet burg për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”.

Tentoi të nxirrte një shumë të madhe eurosh të padeklaruara, një i arrestuar në Rinas

Një person është shoqëruar në polici pasi u kap në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria me një sasi të madhe parash të padeklaruara. Policia kufitare ka ndaluar në Rinas, 55-vjeçarin Hasan Lluca, i cili u kap me 23 mijë e 250 euro të padeklaruar, që i kishte fshehur në trupin e tij.

Hasan Lluca po tentonte të dilte me sasinë e parave jashtë Shqipërisë përmes aeroportit të Rinas, por pas kontrollit fizik të tij, iu gjetën parë. Policia bëri verifikimet e duhura dhe konstatoi se eurot ishin të padeklaruara.

Policia sekuestroi paratë në cilësinë e provës materiale, ndërsa ka nisur procedim penal ndaj 55-vjeçarit. Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave  dhe i sendeve me vlerë”.

Ndihmoi grabitësit në Rinas, arrestohet punonjësi i aeroportit

Policia njofton se ka arrestuar të shtunën një tjetër person për grabitjen e parave në Rinas. Bëhet fjalë për shtetasin Hasan Kanaçi që i ndihmoi nga brenda aeroportit grabitësit dhe që ishte punonjës në pjesën cargo, aty përpunohen paratë dhe mallrat.

Dyshohet se personi ka njoftuar për futjen e parave në pistë, orarin dhe lëvizjet. Mësohet se prokurorët janë duke marrë në pyetje pjesëtarë të stafit në aeroport.

Nga ky hetim është zbuluar edhe përfshirja e personave të tjerë të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Në grabitjen e ndodhur në Rinas në datën 9 prill u morën miliona euro në vetëm pak minuta, teksa grabitësit u futën në pistë me një fugon të modifikuar ‘hetimi tatimor’.

Pas largimit të grabitësve gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë u vra Admir Murataj i cili dyshohet se ishte edhe organizatori i grabitjes.

Deri më tani policia ka vënë në pranga 6 persona të dyshuar si të përfshirë në grabitje, Ragip Hajdini, Elton Pikli, Alkond Bengasi, Renaldo Sulaj, Oltjan Veseli dhe Saimir Cela dhe janë shpallur në kërkim Klement  dhe Eldi Çala.

Njoftimi i Policise

Vihet në pranga një tjetër i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarjen e datës 09.04.2019 ku u vodhën me armë nje sasi e kosiderueshme vlerash monetare në Aeroportin e Rinas.

Sekuestrohen sasi të konsiderueshme vlerash monetare në valutë (euro, paund, dollarë) dhe në lekë.

Nga Sektori për Krime të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda, në bazë të veprimeve hetimore të kryera, informacioneve të marra në rruge operative si dhe provave të siguruara gjatë hetimit, është bërë i mundur zbulimi, dokumentimi dhe ndalimi një tjetri autor të dyshuar të kësaj ngjarje kriminale e konkretisht i shtetasit:

• H.K., 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Jane sekuestruar në cilesinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme vlerë monetare në valutë dhe në lekë.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “Vjedhje me armë kryer në bashkëpunim” ” Grupi i strukturuar kriminal” ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” ”Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake” “ Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”

Tentoi të nxirrte 32 mijë dollarë të padeklaruara, arrestohet në Rinas

Një shtetas nga Azerbajxhani u arrestua në Rinas, pasi tentoi të dalë nga Republika e Shqipërisë me një sasi të madhe parash të padeklaruara.

Shtetasi i huaj u ndalua nga specialistët e Drejtorisë së Antitrafikut në Doganë, ndërsa sekuestruan 32 mijë dollarë të padeklaruara.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të origjinës së parave, kush ishte destinacioni i tyre dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Krimet e Rënda nisin hetimin pasuror për 6 të arrestuarit nga grabitja e Rinasit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror për 6 personat e arrestuar për grabitjen e ndodhur në Rinas më 9 prill të këtij vitit.

Mësohet se hetimi pasuror ka nisur për Ragip Hajdinin, Renaldo Sulajn, Oltjan Veselin, Saimir Çelën, Elton Piklin dhe Alkond Bengasin.

Krimet e Rënda informojnë se të arrestuarit disponojnë disa llogari bankare, automjete dhe prona të paluajtshme. Ata i kanë paraqitur kërkesa bankave, hipotekës dhe Drejtorisë së Transportit Rrugor për origjinën e këtyre pasurive.

Për grabitjen e 6 milionë eurove në Rinas, ku mbeti i vrarë Admir Murataj janë arrestuar 6 persona dhe 2 të tjerë janë në kërkim.

Vidhnin bagazhet e udhëtarëve, arrestohen dy punonjës në Rinas

Policia kufitare e Rinasit ka arrestuar dy punonjës të ngarkim-shkarkimit të dyshuar se vidhnin bagazhet e udhëtarëve, ndërsa dy të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.

Një shumë e konsiderueshme parash është sekuestruar në cilësinë e provës të vjedhura në bagazhin e një pasagjeri.

Njoftimi i plotë i policisë:

Operacion policor i koduar “Bagazhi i fundit”

Operacioni nga Policia Kufitare e Rinasit

Arrestohen dy punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve, të dyshuar për vjedhje të pasurisë nga bagazhet e udhëtarëve, si dhe procedohen në gjendje të lirë edhe dy punonjës të tjerë.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale shuma e eurove të vjedhura në bagazhin e një pasagjeri të një linje ajrore.

Zbardhen edhe katër vjedhje të tjera, ku autorë të dyshuar janë shtetasit e arrestuar.

Në kuadër të zbatimit të detyrave të Planit të masave “Për shtimin e masave të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas”, si dhe nisur

edhe nga disa kallzime dhe ankesa të administruar nga ana e Policisë Kufitare Rinas për vjedhje të pasurisë në bagazhe të udhëtarëve të linjave ajrore, Policia Kufitare e Rinasit ka organizuar punën për goditjen e personave që kryenin këtë veprimtari kriminale.

Në bazë të informacioneve të marra në rrrugë operative se disa nga punonjësit e sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në vendin e qëndrimit të avionëve në aeroportin “Nënë Tereza” – Rinas, dyshohet se kryenin vjedhje të pasurisë në bagazhet e pasagjerëve të linjave të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin policor “BAGAZHI I FUNDIT”.

Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

D. M. 22 vjeç, banues në Tiranë

E. Rr., 24 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”.

Si dhe janë proceduar penalisht edhe shtetasit A. E, 27 vjeç, banues në Mëzez në Tiranë dhe R.H. 27 vjeç, banues në Tiranë, edhe këta punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve të pasagjerëve të linjave ajrore.

Më datë 17.05.2019, shtetasi H.E ka kallzuar në Komisariatin e Policisë Rinas, vjedhjen e një sasie prej 4800 euro në bagazhin e tij të udhëtimit, vjedhje të cilën e ka konstauar në aeroportin e Lubjanës, Slloveni.

Si rezultat i veprimeve operative dhe proceduriale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumës prej e 4550 euro, ku dy shtetasit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me njëri -tjetrin ja kanë vjedhur shtetasit H.E nga bagazhet.

Po nga veprimet e kryera dyshohet se shteatsit e mësipërm në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë janë autorë të dyshuar edhe në disa raste të tjera vjedhje pasurie dhe konkretisht:

• Vjedhjes së një sasi vlerash monetare të shtetasit L.J, më datë15.04.2019

• Vjedhjes së një varse flori të shtetases A.Z më datë 24.04.2019

• Vjedhjes së një varse flori të shtetases D.H, më datë 13.05.2019

• Vjedhjes së një sasi vlerash monetare paund shtetasit L.K, më datë 10.03.2019.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.

Mbetet në burg “daja” nga Kosova

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Ragip Hajdinin, i njohur si “daja” nga Kosova i përfshirë në grabitjen në Rinas.

Gjykata e Apelit tha se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për të lehtësuar pozitën e Hajdinit dhe për këtë arsye ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

“Daja” nga Kosova u arrestua tek Shkëmbi i Kavajës si bashkëpunëtor i grabitjes në Rinas.

Mbërrin në atdhe trupi i dëshmores së atdheut, Zarife Hasanaj

Trupi i pajetë i dëshmores së atdheut, nëntetare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, mbërriti në atdhe.

Arkivoli me trupin e nëntetare Hasanajt, i mbuluar me flamurin kombëtar, u transportua me avion ushtarak nga Letonia dhe shoqërohej nga kolegët e saj shqiptarë, kanadezë dhe letonezë të grup-batalionit të NATO-s.

Për të pritur trupin e nëntetares Hasanaj, në Aeroportin “Nënë Tereza” dolën ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, deputetë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmores së atdheut.

Pas pritjes me nderim ushtarake në aeroport, trupi i pajetë i nëntetare Hasanajt u dërgua për në banesën e saj, për të vijuar me ritet tradicionale familjare.

Homazhet për dëshmoren e atdheut dhe më pas ceremonia shtetërore, do të zhvillohen ditën e premte në Pallatin e Kongreseve nga ora 10:00 – 12:30.

Pas kryerjes së homazheve dhe ceremonisë shtetërore, nëntetare Hasanajt do t’i jepet lamtumira e fundit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku do të prehet përjetësisht.

Kapet në Rinas me 26 mijë euro, arrestohet 38-vjeçari

Një 38 vjeçar është vënë sot në pranga nga Policia kufitare e Rinasit pasi u kap duke kaluar 26 mijë euro pa i deklaruar në doganë.

Policia njofton se “në kuadër të masave të përbashkëta të marra mes Policisë Kufitare dhe autoriteteve doganore për rritjen e masave në drejtim të forcimit të kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë paradites së sotme është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i transfertave të parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.

Gjatë kontrollit në vijën e dytë të shtetasit J. S. 38 vjeç, i cili do të udhëtonte për jashtë vendit Policia Kufitare në bashkëpunim me doganën, i gjeti këtij shtetasi 26500 euro te padeklaruara në doganën e Rinasit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.

Shifra zyrtare. Ja sa para u grabitën në Rinas

Nuk kanë qenë 10 milionë euro, por 6 milionë që u grabitën në Rinas më 9 prill. Kjo është shifra zyrtare që ka marrë Prokuroria e Krimeve të Rënda nga tre bankat e nivelit të dytë.

Pas debateve të ndryshme rreth shifrës së saktë se sa para u vodhën në Rinas, Prokuroria e Krimeve të Rënda u dërgoi kërkesë zyrtare bankave për të treguar shumë e saktë të parave të grabitura.

Për grabitjen e parave në Rinas janë arrestuar 6 persona ndërkohë që çështja vazhdon ende të jetë në hetim dhe sipas ministrit të Brendshëm priten arrestime të tjera.

Skip to toolbar