Operacioni “Transit”, burg vëllait të ish-shefit të rrugores në Dibër dhe 6 të tjerëve

AKTUALITET


Gjykata e Tiranës la në burg 7 personat e arrestuar në një operacion të gjerë anti-drogë, që u zhvillua disa ditë më parë në disa qytete të vendit. Mes të arrestuarëve ishte dhe vëllai i ish-shefit të qarkullimit rrugor në Dibër, shtetasi Pajtim Aga. Ai, së bashku me të arrestuarit e tjerë u lanë në masën “arrest në burg”.

Konkretisht, Edmond Rajta, Pajtim Aga, Shkëlzen Mazari, Devis Mija, Fatjon Paulin Dodaj, Marsida Piperi dhe Arjet Halilaj, u njohën të martën me masën e sigurisë. Ata u arrestuan pak ditë më parë nga policia, në operacionin “Transit”, pasi kryenin trafik të lëndëve narkotike, duke u kapur në flagrancë me 32.5 kg kanabis. Në fakt, gjithçka u zbulua rastësisht, pasi Policia kishte nën përgjim Pajtim Agën, i cili dyshohej për një tjetër vepër penale.


Ai që pranoi se ishte poseduesi i drogës, ishte Shkëlzen Mazari. Megjithatë, dyshimet janë se Aga dhe Rajta e çuan drogën në shtëpinë e Mazarit. Ndërsa nipi i këtij shtetasi, Devis Mija mori makinën me drogë te banesa e Mazarit, por u arrestua vetëm pas pak minutash. Ndërkohë sasia tjetër e drogës u kap në Gjirokastër. Më 18 janar Policia e Shtetit arrestoi 7 persona dhe sekuestroi 32.5 kg lëndë narkotike “cannabis sativa” në formë çokollate gjatë operacionit të koduar “TRANZIT”.

Shtetasit e lartpërmendur kishin siguruar lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në shtetit grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy shtetasve me banim në Gjirokastër.

Me pas lënda narkotike do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë. Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete. Pas operacionit, u pezullua nga detyra shefi i qarkullimit Dibër Robert Aga, emri i të cilit doli edhe në përgjimet e publikuara nga Bild për zgjedhjet në Dibër.




Skip to toolbar