“Listat e hapura mashtrim”/ Replikat në seancë, Spiropali: Kujdes me gjuhën. Dil në votim Rudina. Hajdari: Po të jap dinjitet Elisë

Replika të ashpra në parlament mes deputetes Rudina Hajdari dhe ministres së shtetit për marrëdhëniet me Parlamentit Elisa Spiropali. Hajdari tha se koha e kësaj qeverie ka mbaruar dhe se maxhoranca ka treguar se në këtë parlament ekziston vetëm mashtrimi dhe pandershmëria duke e quajtur mashtrim hapjen e listave.

Por i ashpër ka qenë dhe reagimi i Spiropalit e cila i kërkuar të mbajë gojën dhe të frenojë gjuhën duke sfiduar Hajdarin që të votohet, pasi sipas saj nuk ka ardhur në parlament e votuar.

DEBATI

Rudina Hajdari: Koha juaj ka mbaruar, ka mbaruar sot sepse e shikoj në sytë e shqiptarëve, që duan një të ardhme më të mirë në këtë vend. I takoj çdo ditë dhe ndjej në sytë e tyre që koha juaj ka mbaruar. Keni treguar që jeni ata njerëz që në kryefjalën e këtij parlamenti ekziston vetëm mashtrimi dhe pandershmëria. Kjo pandershmëri arriti kulmin, ku PS bërë propozimin për hapje listash, por që nuk ishte e tillë. Edi Rama ishte ai që i pa shqiptarët në sy dhe nga ky Kuvend tha listat do të hapen. Ky mashtrim i Ramës do të renditet si një nga mashtrimet më të mëdha që është bërë në këto 30 vite. Ju keni frikë nga populli. Nuk i dilni dot përballë që të zgjedhin ata.

Elisa Spiropali: E nderuar Rudina mbaj gojën në Kuvendin e Shqipërisë. Vëri fre vetes. Iu drejtove deputetëve të nderuar, më të shumtët në këtë sallë gra. Nuk të kanë asnjë borxh që i fyen për korrupsion dhe broçkullit këtu pa sens. Nuk të kemi asnjë borxh. Nëse maxhoranca mban përgjegjësi për listën tonë, mbaj dhe ti përgjegjësi zonjë e dashur për të gjithë dhe për anëtarët e familjes tënde biologjike dhe për anëtarët e familjes tënde politike nga ke dalë. Nëse do të flasësh këtu për lista dhe për zgjedhje, ti nuk je e votuar. Ti ke hyrë në Kuvendin e Shqipërisë si e votuar nga lista e PD-së. Dil në votim, provoje dhe pije detin Rudina. Hyji detit më këmbë! Ta shohim se ku do dalësh. Do dalësh matanë apo në breg të lumit. Ne nuk jemi këtu për të fyer njeri-tjetrin, për të bërë akuza populiste, për të thurur pretenca. Shko bëji në një vend tjetër ato nëse ke akuza. Jemi këtu për të diskutuar për rezolutën, për integrimit, për të cilën ti ke punuar. Unë u habita që nuk iu referove rezolutës në asnjë germë nga ato që the rezolutës. Është arritje që më 26 mars të 2020 KE ka votuar pro çeljes së negociatave. Roli i këtij Kuvendi ka qenë determinant. Betejat që ka bërë këtu për të kaluar disa nga reformat më të rëndësishme, mbi reformën në drejtësi…Ne kemi ngritur institucionet e reja të drejtësisë mbi ato të kalbura.

Do ishte në nderin e këtij Kuvendi të përmendje mbështetjen e partnerëve tanë.

Nuk është kjo dita e parë e diskutimit dhe nuk është ky diskutimi i parë. Kemi vite që tentojmë të ulim në tryezë një opozitë që ka dalë jashtë kufijve institucionalë. Shumë nga deputetët këtu janë produkt i kësaj çartallosje të kësaj opozite. Kaë hyrë në këtë kuvend me shumë dinjitet dhe kanë detyrat që i takojnë. Ne si maxhorancë duhet të ulim palët. Nëse këshilli politik shpesh herë është kthyer në një shaka publike se në vend të prodhojë zgjidhje, prodhon ngërçe, pengesa është detyrë e kuvendit të vijë këtu dhe të flasë për sisteme. Nuk ka sisteme në botë që e bëjnë minorancën maxhorancë. Nuk ka sistem që e kthen humbësin në fitues, nuk ka sistem që ndryshojnë demokracinë sa hap e mbyll sytë. Këto janë ëndrra por këtu duhet të japim zgjidhje. Propozimet e PS për ndryshime në Kodin zgjedhor janë të duhurat.

Angazhimi q do ketë ky Kuvend për të siguruar një dialog konstruktiv nuk ka munguar kurrë nga ana jonë. Vështirësitë që kemi hasur lidhen me atë nyjën gordiane, që është reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi i ka ndezur gjakrat.

Ne nuk jemi këtu një tufë njerëzish që ju mund të na lëshoni gurë dhe baltë sa herë dilni në foltore. Përgjigjen do ta merrni siç e meritoni dhe kujdes me gjuhën. Ejani këtu, propozoni zgjidhje.

Hajdari: Është mashtrim i madh hapja e listave. Mos bie në nivelin e shefit tënd, të lexosh mesazhe nga shefi jot. Se unë po luftoj dhe për dinjitetin tënd në këtë kuvend që të vish me vota. Po të jap dinjitet Elisë, që të kesh lista të hapura dhe të mos rrish pas shefit tënd.

“Politika të marrë përgjegjësitë”, Hajdari: Zbuloni arsyet pse shqiptarët kërkojnë azil

Fenomeni i emigrimit është shqetësues në vend dhe për këtë Rudina Hajdari kërkon që të ketë një vlerësim të sakët të arsyeve që i shtyjnë shqiptarët të kërkojnë azil në një vend tjetër për të parandaluar këtë fenomen. Gjatë fjalës në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, Hajdari ka kërkuar të hartohet një program për integrimin e personave të deportuar nga vendet e huaja dhe të kuptohet se pse shqiptarët kërkojnë të largohen edhe kur kanë një profesion dhe jetë të mirë në Shqipëri. Ajo tha se kjo klasë politike e ka theksuar edhe më shumë fenomenin, dhe për këtë duhet të punojmë për të marrë përgjegjësitë tona.

Duhet një program për integrimin e personave të deportuar. Duhet të merremi me indicie se pse njerëzit me një jetë mesatare dhe me profesion zgjedhin të ikin drejt vendeve të BE. Duhet të jemi sa më të hapur dhe të pranojmë përgjegjësitë tona si një klasë politike. Sepse politika e ka zhvilluar akoma më shumë këtë fenomen. Nuk mund ta sheshojë fakti se meqë po ndodh nëpër vendet e tjera le të ndodhë edhe tek ne. Duhen marrë parasysh shumë faktorë në momentin kur bëjmë këtë lloj analize. Çdo ditë dëgjojmë njerëz që duan të largohen nga Shqipëria”, tha Hajdari.

Këshilli Politik: Opozita paraqet kërkesat

Zgjati më pak se një orë takimi i dytë i “Këshillit Politik” për Reformën Zgjedhore, që u mbajt të enjten pasdite. E para që doli nga mbledhja ishte Rudina Hajdari. Gjatë fjalës së saj për mediat, bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore u shpreh se takimi ishte pozitiv. Megjithatë, Hajdari përsëriti kërkesën kryesore të saj dhe opozitës parlamentare, përfshirjen në ndryshimet ligjore edhe atë për listat e hapura. “Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Mendoj që hapja e listave do të ishte një gjë shumë pozitive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë. Ju garantoj që tani e tutje do vazhdojmë të takohemi, mbase edhe përditë, pasi duhet bërë një punë shumë intensive”, tha Hajdari.

Por, në kushtet kur Partia Demokratike apo opozita e ka zhvlerësuar rolin e opozitës parlamentare në hartimin e Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari përdori një fjalë të re në artikulimin e saj, “veton”. Ajo u shpreh, se si bashkëkryetare e Komisionit të Reformës Zgjedhore ka të drejtën e përdorimit të “vetos” në produktin final, nëse ai nuk do të ketë konsensus.  “U diskutua fakti që roli jonë kyç në këtë tryezë tregon se ne do vazhdojmë të japim kontributin tonë dhe komisioni do vazhdojë e do ketë rolin e saj lidhur me rolin që çdo përfaqësues ka në atë komision. Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese, mundësinë e vetos në produktin final, që do kalohet në parlament. Për ne është e rëndësishme që produkti final duhet të jetë një produkt që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të përfshijë sa më shumë aktorë politikë. Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus dhe me sa shoh edhe palët tjera kanë filluar të flasin për ndryshim të sistemit, pra nuk është përjashtuar nga tavolina, por po gjithëpranohet nga palët e tjera. Është një gjë për t’u parë”, tha Hajdari.

I dyti që doli nga takimi, ku u bë konstituimi i “Këshillit Politik”, ishte Oerd Bylykbashi dha detaje rreth kërkesave të opozitës. Ai tha se prioritetet kyçe janë shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, keqpërdorimi i Policisë apo manipulimi i listave. Ndërkohë, Bylkbashi tregoi se të gjitha ndryshimet duhet të jenë gati përpara 15 marsit, duke treguar se tashmë do të jenë ekspertët ata që do të punojnë për të pasqyruar kërkesat e OSBE/ODIHR.

“Sapo u konstitua Këshilli Politik sipas dokumentit të kompromisit i cili përcakton rrugën që do të eci Reforma Zgjedhore. Këshilli autorizoi përfaqësuesit politikë dhe ekspertët që të operojnë me konsensus që duhet të vazhdojë deri në miratim. Ajo që ne bëmë të ditur, është që prioriteti i çështjeve sipas edhe OSBE është lufta kundër shitblerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit, presionit mbi administratën, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, manipulimit të listave, cënimi i sekretit apo lirisë së votës. Por edhe çështjeve të tjera pa asnjë përjashtim. Dokumenti do iu bëhet publik. Detyra është që ekspertët të ecin sa më shpejt. Detyra jonë është të ecim shpejt, deri në 15 mars e kemi afatin. Unë nuk kam çfarë të shtoj nga dokumenti i kompromisit. Parlamenti duhet ta miratojë pa asnjë ndryshim produktin që do dalë për Reformën Zgjedhore sipas dokumentit”, tha  Bylykbashi.

Damian Gjiknuri foli më shkurt se kolegët e tij të “Këshillit Politik”. Megjithatë, ai u shpreh se parësor mbeten çështjet e administrimit zgjedhor, por nuk la pa përmendur edhe diskutimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor. “Kjo është një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet për këtë grup pune është objekti i punës së komisionit, çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit. E rëndësishme është që të  fokusohemi. PD-ja ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrime te saj ekstremiste dhe unë jam shumë i lumtur, që PD-PS dhe të tjerat u ulën për kompromis” tha Gjiknuri. Pjesë e “Këshillit Politik” u bën dhe përfaqësues të tjerë, që do të punojnë për Reformën Zgjedhore. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të përfaqësohet nga Ervin Bushati. Grupi Parlamentar i demokratëve në Kuvend do të përfaqësohet nga Alban Zeneli, i cili zëvendësoi Myslim Murrizin. Nihmet Musai do të përfaqësojë të pavarurit në Kuvend. Nga opozita jashtëparlamentare janë pesë përfaqësues. Veç Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, tryezës i shtohen: Mesila Doda nga PDIU, Fatmir Mediu nga PR dhe Vangjel Dule nga PBDNJ. Ndërsa Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri janë gjithashtu dhe bashkëkryetarët e Komisionit Parlametar të Reformës Zgjedhore. /Realstory.al/

Debate në Komisionin e Integrimit, Hajdari dhe Ralf Gjoni braktisin mbledhjen

Mbledhja e Komisionit të Integrimit ku po diskutohet buxheti 2020 është shoqëruar me debate që çoi deri në largimin dhe braktisjen e tij nga deputetët e opozitës së re Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni. Shkak i largimit është bërë, vonesa e zëvendësministrit të Jashtëm Etjen Xhafaj dhe mos prania në këtë komision e ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Kryetarja e Komisionit, Hajdari e cilësoi të papranueshme vonesën e Xhafajt si dhe tha se duhej të ishte këtu edhe Gent Cakaj.

“E papranueshme vonesa në mbledhje. Në komision duhet të jetë ministri në detyrë. Kjo është shpërfillje e komisionit”, tha Hajdari e cila së bashku me deputetin Ralf Gjoni zgjodhën të braktisin mbledhjen.

Zëvendësministri Xhafaj ka kërkuar ndjesë për vonesën, ndërsa tha se ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka udhëtuar drejt Bratislavës, ku pritet që vendi të marrë presidencën e OSBE.  

Pas largimit të Hajdarit dhe Gjonit, mbledhja është drejtuar nga nënkryetarja e Komisionit Senida Mesi ku kanë vijuar diskutimet për buxhetin 2020.

Çështja Kajmaku, Hajdari: Të ndryshohet sistemi zgjedhor

Rasti i Agim Kajmakut, për deputeten demokrate Rudina Hajdari tregon se sistemi është kalbur. Në një reagim, pas vendimit të KQZ për t`i ndërprerë mandatin Agim Kajmakut, Rudina Hajdari shkruan se për të tilla raste duhet të mbajnë përgjegjësi jo vetëm individët, por dhe partitë.

“Rasti i dytë brenda pak muajve nga Partia Socialiste që na tregon se sa i kalbur është sistemi ynë zgjedhor, ku njerëz me të kaluar kriminale vendosen nga kryetarët e partive si kandidatë për zgjedhje dhe cënojnë proceset integruese dhe demokracinë në vend. Patjetër që jo vetëm duhen marrë masa të rrepta si për individët, por dhe për partitë pasi duhet të mbajnë ata përgjegjësi, mbi të gjitha”, shkruan Rudina Hajdari.

Sipas saj, zgjidhja është ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke u hequr mundësinë kryetarëve të partive të pengojnë demokracinë e brendshme të partive. “E vetmja zgjidhje është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe futja e një mentaliteti më të shëndoshë. Nuk mundet që kryetarët e partisë të zgjedhin kë të duan dhe të kenë në dorën fatet e çdo njërit duke mbytur fjalën e lirë e demokracinë brenda partive të tyre, por dhe të tallen sa vjen e më shumë me fatin e vendit”, thotë Rudina Hajdari.

A duhet ndryshuar sistemi zgjedhor?

U kërcënua me jetë, Rudina fiton truprojë

Kryetarja e grupit demokrat në parlament Rudina Hajdari është marrë nën mbrojtje, pas deklarimeve se është kërcënuar në zyrën e saj në Kuvend. Garda mori përsipër sigurinë e deputetes së opozitës duke i vendosur një truproje të posaçme që e shoqëron Hajdarin në kryesinë e Kuvendit.

Rudina Hajdari tha në seancën parlamentare të 28 tetorit se është kërcënuar brenda në zyrën e saj në Kuvend dhe i kërkoi kreut të Kuvendit të marrë masa në lidhje me sigurinë e jetës së saj, pasi siç tha ajo një vrasje mund të ndodhë brenda në Kuvend.

“Para pak ditësh ju kam dërguar një shkresë në lidhje me një kërkesë që ju kërkon të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të Kryesisë së Kuvendit. Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet. Më kanë ardhur në zyrë e më kanë kërcënuar. Nuk mundet të ndodhë më, ka ikur ajo kohë. Merrni masa para se të kemi ndonjë viktimë në parlament. Asnjë deputet mos të hyjë pa u kontrolluar, asnjë deputet të mos vijë me përforcime me njerëz të tjerë dhe të shantazhojë”, tha Hajdari, ndërsa në përgjigje kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se e ka marrë shkresën e saj dhe ia ka kaluar ministrisë së Brendshme që të marrë masa shtesë.

Në lidhje me ngjarjen deputeti i opozitës Halit Valteri tha se këto kërcënime kanë ardhur nga brenda grupit, ndërsa deputeti Ligoraq Karamelo tha për mediat se kërcënuesi ishte Korab Lita, i cili kërkoi t’i merrte dhe kryesinë e grupit demokrat. Por në një dalje për mediat vetë Lita e mohoi një gjë të tillë duke thënë se nuk e ka kërcënuar Hajdarin.

Murrizi: Kryetare grupi, Hajdari. Disa deputetë u tërhoqën

Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi foli për tentativën për shkarkimin e kryetares së grupit “Demokrat” Rudina Hajdari. Murrizi tha se pati një kërkesë për disa deputetët për zëvendësimin e saj, por që në fund nuk u arrit pasi një pjesë e tyre u tërhoqën. Sipas Murrizit kjo ndodhi për arsye të mosmarrëveshjeve në grup, por që janë debate normale.

Çdo grup ka debate dhe kjo për mua është gjë e mirë. Për disa arsye të mos funksionimit në mënyrë perfekte të grupit, nga disa deputet u kërkua që znj.Hajdari të jepte dorëheqjen nga kreu i grupit duke menduar që është e ngarkuar me disa funksione të tjera. Pastaj disa deputet u tërhoqën nga kjo kërkesë dhe kaq. Rudina vazhdon të jetë kryetare e grupit.” tha Murrizi gjatë një interviste për “Gazetën Shqiptare”.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Murrizi tha se opozita e re është e bashkuar në qëllimin e saj madhor: Ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Opozita e re është e bashkuar rreth një qëllimi të vetëm që është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Për të tjera ata kanë treguar me vepra që janë deputetë rebelë e nuk mund të pretendoj askush se mund t’i mbajë në rresht apo t’i trajtojë si ushtarë.” – tha Murrizi.

Rudina Hajdari vijon të qëndrojë në krye të grupit parlamentar demokrat, pasi dy deputetë të opozitës së re, Fatjona Dhimitri dhe Halit Valteri, u tërhoqën nga firma e tyre për të zgjedhur si kryetar të ri Korab Litën. Deputetja Hajdari tha se ndaj deputetëve është ushtruar presion nga Korab Lita dhe gangsterët e tij, dhe do i drejtohej prokurorisë me pamjet filmike të disponuara nga Kuvendi.

Hajdari: Miratojmë reformën, pastaj zgjedhje të parakohshme

Kryetarja e Grupit Parlamentar të deputetëve të Djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari, që mban dhe postin e bashkë-kryetares së Komisionit për Reformën Zgjedhore, kërkon zhbërjen e marrëveshjes se 2008.

Në një status në Twitter, Rudina Hajdari shkruan se “brenda dhjetorit të zhbëhet marrëveshja e 2008”, duke miratuar “rekomandimet e OSBE/ODIHR”, dhe më pas, sipas saj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale.

“Zgjidhja është vetëm 1: brenda dhjetorit të zhbëhet marrëveshja e 2008, të miratohen rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe vetëm më pas të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare e lokale dhe ta ndreqim këtë vend. Boll me kryetarë perandorakë që e kanë shkatërruar demokracinë në këtë vend”, shkruan Rudina Hajdari.

Disa ditë më parë, Rudina Hajdari u shpreh se opozita parlamentare nuk pranon që Reforma Zgjedhore të miratohet në dy faza, siç tha Kryeministri Edi Rama në 18 tetor. Opozita parlamentare kërkon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por dhe ndryshimi i sistemit të bëhet në të njëjtën kohë.

Hajdari: Plan veprimi me hapa konkrete për integrimin

Rudina Hajdari ka shprehur keqardhjen për vendimin e Këshillit të Europës për të mos çelur negociatat me Shqipërinë, ndërsa ka hedhur idenë e hartimit të një plan veprimi me hapa konkrete që duhet të marrë parlamenti, qeveria dhe të gjitha institucionet në Shqipëri për të përmbushur të gjitha kushtet që rrjedhin nga dokumenti i Bundestagut gjerman por dhe kërkesat e Francës dhe vendeve të tjera skeptike. Hajdari shkruan se e gjithë politika duhet të ulet në një tryezë të përbashkët dhe të vendosë në qendër të tij qytetarin. “Nëse fillojmë e punojmë për qytetarin, dyert e Europës do të jenë të hapura”, shkruan Hajdari.

“Vendimi i Këshillit Europian për hapjen e negociatave, siç ju të gjithë e dini tashmë, është negativ edhe këtë vit dhe vjen për të disatën herë.

Është për të ardhur keq që shpresa e shqiptarëve për të qënë një hap më afër Europës shtyhet për një moment tjetër.

A ka ndonjë përgjegjës në këtë vënd për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike? Përparësitë që ne duhet të kemi shtohen gjithnjë e më shumë. Pesë prioritetet e Komisionit Europian, vijojnë me 9 kushtet e Bundestagut, shtohen me Azilkërkuesit në Francë.

Sot është e rëndësishme që Qeveria Shqiptare, Kuvendi i Shqipërisë dhe institucionet e tjera kushtetuese dhe të krijuara me ligj, të marrin në dorë përfundimet e Këshillit Europian, të reflektojnë seriozisht mbi çfarë përmban ky dokument.

Çdo fjali e këtij dokumenti është një udhëzues i mirë për politikat e ardhshme, prandaj i kërkoj qeverisë shqiptare të marrin masat e menjëhershem që të hartojë një plan të detajuar masash, për të gjitha pikat e këtij dokumenti, duke përfshire shqetësimet e secilit prej vendeve anëtare që kanë qënë kundër hapjes se negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Të gjitha këto masa që do merren, duhet të konsultohen sa më shpejt me institucionet kushtetuese dhe të monitorohen hap pas hapi. Ky plan veprimi duhet të ketë koston buxhetore reale për mbështetjen e këtij procesi”, shkruan Hajdari.

Sipas saj, plani duhet të përmbajë hapa konkret, dhe proaktive sikurse edhe e rekomandojnë të gjitha dokumentat e organeve të Bashkimit Europian pë Shqipërinë.

“Duhet të ulemi në tryezë të flasim për cdo pikë, pa dallimi politike, apo të cdo lloj përkatësie tjetër, ku në qëndër të vëmendjes duhet të mbajmë qytetarin shqiptar, familjet shqiptare, fëmijët e këtij vendi dhe duhet të pyesim çfarë të ardhme po i japim? Hyjmë apo nuk hyjmë në Europë, për mua ka rëndësi qytetari dhe në qoftë se vendosim në plan të parë atë, ju siguroj që dera e Europës do të jetë e hapur”, përfundon deputetja demokrate.

Liderët e KE nuk arritën në një përfundim unanim për çeljen e negociatave për Shqipërinë në Samitin e Brukselit, duke e shtyrë vendimin pas procesit të reformimit të BE-së, kërkesë kjo e bërë me këmbëngulje nga presidenti francez./realstory.al

Hajdari forcon pozitat te të djathtët

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi refuzoi të enjten kërkesën e Korab Litës, që pretendon se është zgjedhur drejtues i grupit të deputetëve të djathtë në Kuvend. Në fund të seancës plenare të Kuvendit, Ruçi u shpreh se në zyrën e tij kishte disa kërkesa. Së pari kishte shkuar kërkesa e Korab Litës që njoftonte se ishte zgjedhur kryetar grupi. Së dyti ishin kërkesat e Halit Valterit dhe Fatjona Dhimitrit që njoftonin dorëheqjen nga firma për zgjedhjen e Korab Litës kryetar, dhe më pas ishte një kërkesë e Rudina Hajdarit dhe Myslim Murrizit, që njoftonin se pesë deputet opozitar kërkonin të bashkoheshin me grupin e deputetëve të djathtë.

Megjithatë, Kreytari i Kuvendit nuk mori asnjë kërkesë parasysh, pasi sipas tij, deputetët duhet të zbatojnë rregulloren e Kuvendit. Ramoz Ruçi u kërkoi deputetëve që kërkuan ndryshime në drejtimin e grupit, të sjellin së pari rregulloren e funksionimit të grupit në Kuvend, dhe më pas të bëjnë riformatimin e grupit.

“Më ka ardhur një njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit Demokrat të cilët deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën nga deputetë të tjerë si Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri më kanë drejtuar shkresë për të më vendosur në dijeni se ky vendim nuk është marrë. Nga deputeti Murrizi dhe zonja Hajdari konfirmojnë të njëjtën gjë, dhe kam 5 kërkesa nga Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Ryci, Elda Hoti dhe Vasil Stejovski që deklarojnë pjesëmarrjen në grupin Demokrat”.

“Nga verifikimi që kam bërë kam tre gjëra për të thënë, e para jo vetëm këtij grupi por të treja, në fund të korrikut është miratuar rregullorja, që detyron që çdo grup të miratojë rregulloren, prandaj kërkoj që të vendosni në dispozicion rregulloret përkatëse. Lidhur me kërkesat e patë që janë disa, riformatoni grupin parlamentar zotërinj që keni kërkuar, qoftë për pjesëmarrjen, qoftë për mendimet apo vendimet, së bashku me prurjet e reja dhe së treti unifikoni qëndrimet dhe që është e drejta juaj të zgjidhni kë të dëshironi në krye të grupit” deklaroi Gramoz Ruçi. 

Rudina Hajdari e priti me duartrokitje vendimin e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, për të kthyer mbrapsht ndryshimet e kërkuara nga Korab Lita. Në fakt, Rudina Hajdari forcon pozitat në radhët e të djathtëve për të vijuar drejtimin e grupit Demokrat në Kuvend. Me bashkimin e pesë deputetëve të rinj, përfshirë dhe dy deputetët Valteri dhe Dhimitri, numri i mbështetësve të saj shkon në tetë deputetë, ndërsa Korab Lita, të paktën deri tani, mbetet me pesë mbështetës.

Tashmë, deputetët e djathtë, duhet të ridërgojnë në Kuvend kërkesën për ndryshimet në grupin parlamentar. Sipas rregullores së Kuvendit, përcaktuar në Nenin 15 pika 7, grupi Parlamentar nuk mund të krijohet pa pasur të paktën 7 deputetë. Me afrimin e pesë deputetëve të rinj në radhët e saj, Rudina Hajdari është gati të krijojë një grup të ri demokrat në Kuvend. Ndërkohë që tentativa e Korab Litës për të krijuar grupin parlamentar merr fund, të paktën deri tani, pasi numri i deputetëve mbështetës ndaj tij është pesë. /Realstory.al/

Skip to toolbar