Gjykata e Krime të Rënda ka zbardhur të plotë vendimin e dënimit të dhënë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, me të gjitha argumentet e rrëzimit të akuzave të prokurorisë për të, duke argumentuar se ato përbëjnë dyshimin e arsyeshëm për të hetuar, por asnjë prej tyre nuk është provë për dënimin e ish ministrit për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Sipas Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, janë vlerësuar si të pamjaftueshme provat e paraqitura nga Prokuroria për të lidhur Saimir Tahirin me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe e vetmja lidhje e provuar e ish-ministrit të Brendshëm me Habilajt është ajo farefisnore.
Organi i akuzës i mbështet provat te makina tip Audi A8, që Saimir Tahiri ia ka shitur Artan Habilajt, udhëtimet me skafin e Orest Sotës dhe udhëtimin e përbashkët për në Itali të dy prindërve të Saimir Tahirit me Moisi Habilajn. Për të tria këto episode, gjykata thotë se ato të krijojnë “dyshimin e arsyeshëm” të lidhjes së fortë të Saimir Tahirit me grupin e Habilajve, por në asnjërin prej këtyre rasteve, sipas vendimit të zbardhur të gjykatës, nuk kalohet caku i “dyshimit të arsyeshëm”. Pra, për gjykatën dyshimet e prokurorisë mbeten thjesht dyshime që nuk janë provuar në dosje dhe për këtë arsye gjykata i ka rrëzuar si prova që të lidhin Saimir Tahirin me trafikun e drogës.
Në rastin e shitjes së Audit, gjykata i referohet procesit gjyqësor të zhvilluar në vitin 2015 në Gjykatën e Fierit ndaj ish-oficerit të antidrogës, Dritan Zagani. Zagani ishte i pari që denoncoi se Habilajt lëviznin të lirë me makinën e Saimir Tahirit, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm.
Për llogari të këtij procesi është marrë në pyetje vetë Saimir Tahiri. Sipas procesverbalit të pasqyruar edhe në dosjen e prokurorisë për Krimet e Rënda, ish-ministri i Brendshëm ka pranuar se ka lidhje farefisnore të largët me Artan, Florian dhe Moisi Habilajn. Në këtë dëshmi, Tahiri pranon se ia ka shitur Audin Artan Habilajt dhe vetë ky i fundit e përsërit këtë. Ndërmjetësues në këtë transaksion ka qenë xhaxhai i Saimir Tahirit, Kujtimi. Prokuroria ngriti dyshimet se automjeti ishte lënë vetë në emër të Saimir Tahirit për t’u mundësuar Habilajve qarkullimin pa pengesa dhe shmangien e kontrolleve. Por, gjykata e hodhi poshtë këtë dyshim duke deklaruar se nuk provohej ky pretendim i prokurorisë.
Edhe sa u takon udhëtimeve të Saimir Tahiri me këtë mjet edhe pas shitjes së tij, Gjykata rrëzon pretendimet e prokurorisë se ato provojnë akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Gjykata ka rrëzuar edhe dëshminë e një shtetasi italian të arrestuar në Katania si bashkëpunëtor i Habilajve. Antonio Riela ka deklaruar në dëshminë e tij se Moisi Habilaj i kishte thënë disa herë që të mos shqetësohej, pasi në Tiranë kishte një person të pushtetshëm që e mbronte.
Gjatë përgjimeve ambientale dhe atyre telefonike mes Shqipërisë dhe Italisë, prokuroria përfshiu në dosje edhe përmendjen e emrit Saimir nga trafikantët. Në vendimin e arsyetuar, gjykata vëren se ky emër është përmendur dy herë. Por, në të dyja rastet gjykata thotë se nuk kalohet caku i dyshimit të arsyeshëm për të akuzuar Saimir Tahirin si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Gjykata ka rrëzuar edhe një tjetër provë të fortë të prokurorisë, një përgjim mes xhaxhait të Saimir Tahirit, Kujtim Tahiri dhe Artan Habilajt. Bëhet fjalë për një përgjim të shtatorit të 2017, kur xhaxhai i Saimir Tahiri, Kujtim Tahiri telefonon Artan Habilajn. Megjithatë, në vlerësimin e gjykatës as ky përgjim nuk provon se Saimir Tahiri kishte një rol në grupin e strukturuar kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
Gjykata rrëzon gjithashtu edhe përgjimet e tjera ambientale të palës italiane, ku prokuroria pretendon se Moisi Habilaj dhe të tjerët flasin për dhurata që i kanë blerë për Saimir Tahirin dhe prindërit e tij. Gjykata thotë se për sa kohë nuk është gjendur asnjë prej materialeve të përmendura në këto përgjime, dyshimet mbesin dyshime.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre më 19 shtator, në seancën maratonë që zgjati 13 orë në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ai u dënua me 5 vite burg dhe pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul me 3 vite e 4 muaj burg. Zbutje vazhdoi më tej duke u kaluar në shërbim prove për të njëjtën periudhë kohore.
Tahiri u shfaq i pakënaqur me këtë vendim dhe apeloi çështjen, duke kërkuar pafajësinë. PO ashtu ky vendim u apelua edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda e tashmë dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.