Dhoma
e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të mërkurën në mbrëmje dy akuza
për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i
nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në
Kushtetutë.
Votimi
historik, i ndarë prerazi në vija partiake, ashtu siç është ndarë mbarë vendi
për këtë çështje, e akuzon presidentin e 45 për abuzim të pushtetit të zyrës së
tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për
zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të
hetimeve të Kongresit për këtë çështje.
Gjyqi
ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të
pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet
e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzar nga Dhoma e
Përfaqësuesve.
Gjyqi
ndaj presidentit pritet të zhvillohet në muajin janar. Për shkarkimin e
presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët
kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa
Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pak, ose asnjë republikan, pritet të
votojë për shkarkimin e presidentit.
Gjatë
ditës së mërkurë, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve debatonte rreth akuzave,
presidenti Trump u shpreh përmes një postimi në Twitter se e gjitha kjo ishte
“një gënjeshtër e shëmtuar e të majtës radikale, një sulm ndaj Amerikës
dhe një sulm ndaj Partisë Republikane”.
Ligjvënësit
demokratë thonë se Presidenti Trump duhet larguar nga detyra pasi përdori
ndihmën për Ukraninën për interesat e tij personale politike.
Demokrati
Jerrold Nadler është Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Cili
është rreziku nëse nuk veprojmë? Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga
Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e
padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga
Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet
për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin
e zgjedhjeve”, tha ai.
Nga
ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun
ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në
Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se
demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e zotit Trump.
Debbie
Lesko është ligjvënëse republikane.
“Ata
paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin
asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë
këtë vend”, tha ajo.
Historikisht
proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse
gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se
opinioni publik është në anën e tyre.
Nancy
Pelosi është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
“Publiku
mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara
dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne
mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe
pengim të Kongresit”, tha ajo.
Edhe
pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin
Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit
do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane.
Kevin
McCarthy është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Presidentit
iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka
dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror
do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të
mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”,
tha ai.
Procesi
i shkarkimit të presidentit është një moment i rrallë në historinë politike të
Shteteve të Bashkuara.