SHBA dhuron pajisje për asgjësimin e “pakove bombë”

AKTUALITET


Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Ushtrisë Shqiptare disa pajisje që shëbejnë për shpërthimin e kontrolluar të lëndëve plasëse. Pajisjet i janë dorëzuar Batalionit Xhenier të Forcave të Armatosura Shqiptare. Njoftimin e dha me anë të një deklarate për shtyp Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhuroi muajin e kaluar pajisje për asgjësimin e lëndëve plasëse për Batalionin Xhenier të Forcave të Armatosura Shqiptare. Pajisjet do të përdoren për të rritur aftësitë e forcave të armatosura shqiptare në asgjësimin e lëndëve plasëse, në mbështetje të operacioneve aktuale të Shqipërisë me NATO-n, si dhe në mbështetje të operacioneve të ardhshme paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në mbarë botën. Ne jemi NATO”, thuhet në deklaratën e ambasadës.


Dhurimi i pajisjeve për shpërthimin e kontrolluar të lëndëve plasëse është kontributi i radhës që SHBA i jep institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri. Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhuruan pesë poligrafë të cilët do të përdoren për Byronë Kombëtare të Hetimit. Poligrafët do të përdoren gjatë intervistimit të kandidatëve që do të synojnë të bëhen pjesë e BKH-s, por më vonë ato mund të përdoren edhe për qëllime hetimi.




Skip to toolbar