Një emigrant shqiptar është protagonisti i një ngjarje të rëndë në Itali, ku pas një sherri banal ka goditur me çekiç gruan, fqinjën dhe më pas ka goditur veten. Mediat italiane shkruajnë se 65-vjeçari shqiptar, emri i të cilit ende nuk është publikuar, ka humbur arsyen në kulmin e një debati dhe më pas ka marrë çekiçin dhe ka goditur bashkëshorten.
Ngjarja ndodhi këtë të hënë rreth orës 09:40 në shtëpinë e çiftit në Paullo, provincë e Milanos.
Sipas mediave italiane, 65-vjeçari që kishte mbetur pa punë prej pak kohësh është shtruar në spital, ndërsa rrezikon seriozisht jetën. Po ashtu edhe bashkëshortja e tij 59-vjeçare.
Në gjendje më të stabilizuar ndodhet fqinja e tyre, një 77 vjeçare që shqiptari i gjeti në shkallë teksa dilte nga shtëpia. Në inat e sipër, siç shkruan “La Repubblica”, ai goditi edhe mbi të.
Sherri mes çiftit, sipas policisë së San Donato, kishte shpërthyer për arsye të parëndësishme. Po sipas tyre, nuk ka ankesa të mëparshme nga gruaja kundër bashkëshortit të saj, i cili tani është nën arrest.