Shkëmbi i rrallë me mbishkrime prehistorike zbulohet në bjeshkët e Fanit në Mirditë

Një gur mbi të cilin shihen të gdhendura shkrime prehistorike është gjetur në Xhuxhe të Fanit në Mirditë, gjatë punimeve për hapjen e një shtegu. Guri shkëmbor që tërhoqi menjëherë vëmendjen e punëtorëve për shkak të simboleve të gdhendura mbi të ndodhet mes pyllit dhe askush nuk di të shpjegojë ekzistencën e tij. Punimet janë ndërprerë menjëherë, ndërsa në zonë mbërritën të parët autoritetet vendore. Administratori i Fanit, Kolin Marku, thotë se pritet ardhja e specialisteve të fushës për të analizuar rastin.

“Para tre ditësh disa banorë po hapnin një shteg ku u ka bërë përshtypje një gur me disa shkrime që duken të hershme. Ne si njësi njoftuam Bashkinë dhe Drejtorinë Kulturore të Bashkisë. Kanë ardhur për ta  verifikuar. Duhet t’ua lëmë specialistëve se çfarë guri është dhe kujt kohe i përket. Ne jemi të detyruar ta mirëmbajmë”, tha Kolin Marku Administrator i Fanit, shkruan shqiptarja.com.

Drejtori i Kulturës në Bashkinë Mirditë Gjergj Marku thotë se zona ku është gjetur guri mbart vlera të jashtëzakonshme historike. Sipas tij, objekti pritet të hapë një dritare të re në historinë e kësaj treve dhe me një vëzhgim të parë ai shprehet se ato mund të jenë pintograme

“Këtu është një zonë shumë interesante me shumë histori. Por gjetja e këtij guri e çon historinë e këtij vendi më në lartësi. Dihet që në zonën e Mirditës të shënuar në histori janë Pintogramet e Rubikut që jan monument i kulturës, të cilat janë mjaftë të vizituara.  Uroj që guri t të jetë I prej historisë I atyre datimeve ky gur do të jetë një ndër atraksionet më interesante”, tha ai.

Në zonën ku është gjetur guri pritet të shkojnë specialistet e Shërbimit Arkeologjik Shqiptar për të përcaktuar vlerën historike dhe trashëgimore të këtij guri.

Skip to toolbar