PD proteston kundër Valdrin Pjetrit në Shkodër, Bardh Spahia drejton militantët, lë në hije Voltana Ademin

Në qytetin e Shkodrës pasditen e të mërkurës është mbajtur një protestë nga militantët e Partisë Demokratike, kundër Valdrin Pjetrit. Protesta e drejtuar nga funksionarë të lartë të PD-së në Shkodrë, është zhvilluar përpara Prefekturës së qytetit verior. Me parulla “Bijtë e etërve persekutorë larg Shkodrës”, “Tik-tak, Edi Rama në batak”, apo thirrje “Rama ik”, militantët e Partisë Demokratike kanë marshuar drejt bashkisë së këtij qyteti.

Ajo që ka rënë në sy gjatë protestës ka qenë roli protagonist i ish-deputetit Bardh Spahia, i cili ka drejtuar militantët e PD gjatë protestës. Spahia është shfaqur gjatë gjithë kohës i vetëm krahë militantëve, pa praninë e zyrtarëve të tjerë të PD në Shkodër. Madje në protetsë nuk është shfaqur as Voltana Ademi, kryebashkiakja aktuale e Shkodrës. Të paktën nga pamjet e transmetuara drejtpëdrejt Ademi nuk është dukur gjatë kohës që protestuesit marshonin nga prefektura në drejtim të bashkisë.

Edhe në fund të protestës, kur Bardh Spahia ka mbajtur një prononcim për mediat, ai është shfaqur vetëm i rrethuar nga protestues, ndërsa mungonte Voltana Ademi. Ademi ka qenë në protestë, por mesaduket ka zgjedhur të mos marrë rol protagonizmi në këtë protestë. Gjithsesi, nga fillimi deri në fund, kanë qenë qytetarët shkodranë dhe Bardh Spahia, që kanë folur për mediat në lidhje me organizimin e protetës të së mërkurës, kundër “uzurpimit të bashkisë së Shkodrës” nga Valdrin Pjetri.

Pas publikimit nga PD të disa dokumenteve, ku pretendohet dënimin i Pjetrit në Itali, konsituimi i këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë ka mbetur pezull, deri në daljen e të vërtetës zyrtare nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Valdrin Pjetri ka mohuar të jetë dënuar në Itali për shitje droge, ndërkohë që opozita pretendon se dokumentet e saj janë origjinale.

Për rastin në fjalë kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij, duke u distancuar deri në pritje të së vërtetës zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, në rast se vërtetohen akuzat e PD për Valdrin Pjetrin, në Shkodër do të duhet të përsëriten zgjedhjet për kryetar bashkie. Ky zhvillim i fundit në skenën politike në vend, parashihet edhe si një mundësi për t`i dhënë fund krizës së gjatë politike që ka nisur prej shkurtit të këtij viti.

Sherr në lokal, vëllezërit plagosin me thikë vëllain e policit

Dy vëllezër kanë plagosur me thikë 38-vjeçarin Vat Shpati, banues në Shkodër, ku i dëmtuari rezulton të jetë vëllai i një oficeri policie. Të dy autorët e ngjarjes janë identifikuar dhe janë vënë në kërkim nga policia për t’u arrestuar, ndërsa mësohet se i plagosuri ndodhet në spitalin e Shkodrës, ku ka marrë trajtimin mjekësor.

“Më datë 12.08.2019, në lagjen “Mark Lula” Shkodër, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, është plagosur me thikë shtetasi Vat Shpati, 38 vjeç banues në Shkodër, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, për ndihmë mjeksore.

Grupi hetimor ka bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar, dy vëllezërit A. M. dhe L. M., banues në Shkodër dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre.

I plagosuri është vëllai i oficerit të policisë për vrasjet, Pëllumb Shpati. Policia tha se do të marrë në pyetje të plagosurin për të mësuar më shumë detaje rreth konfliktit.

PD e Shkodrës, letër SHBA dhe BE: Të rrijë dhe pak Voltana

Bashkia Shkodër, bastioni i fundit i PD-së, pritet të “rrëzohet” shumë shpejt me betimin e kryebashkiakut të ri, Valdrin Pjetri. Këtë e ka kuptuar edhe Voltana Ademi, e cila paraditen e së enjtes paralajmëroi kapitulimin, duke iu drejtuar mbështetësve të vet se tashmë e vetmja rrugë kanë mbetur gjykatat. Ndërsa disa orë më vonë qëndrimin tërheqës e ka konfirmuar edhe dega e Partisë Demokratike në Shkodër, e cila ka nisur një letër duke “përdorur” qytetarët e saj, që i drejtohet për ndihmë ndërkombëtarëve me një gjuhë thuajse lutëse që të mbajnë edhe pak Voltanën në krye të bashkisë. Konkretisht, PD Shkodër ka kërkuar që kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri mos të betohet derisa të vijë një përgjigje për akuzat që vetë PD ka ngritur ndaj tij, ku pretendon se ai është ndaluar nga policia italiane në vitet 2001-2002.

Në një letër pa firmë dhe vulë, që PD e Shkodër ka shpërndarë për mediat, ka deklaruar se qytetarët shkodranë u kanë kërkuar ambasadorëve të SHBA dhe BE të “ushtrojnë presion te Rama për të mos konstituuar këshillin e ri bashkiak, deri sa Italia të kthejë përgjigje”.

 “Kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos kostituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit Valdrin Pjetri! Kështu ndihmojmë edhe vetë zotin Pjetri sot, për të mos e shpallur “non grata” në Bashkinë e Shkodrës nesër.”- shkruhet në letër

Në fakt në gjuhën e përdorur “nga qytetarët” në letër duket se dhe ato janë “infektuar” nga fjalori i kryedemokratit Basha dhe Voltana Ademit, të cilët gjithashtu flasin për 6 % e qytetarëve që votuan dhe se sa të turpshme ishin zgjedhjet e 30 qershorit, zgjedhje që në fakt u njohën me ligj nga Kolegji Zgjedhor dhe nga i gjithë faktori ndërkombëtar.

E vetmja shpresë sot për shqiptarët e cfilitur, të vjedhur, të mashtruar, mbeten SHBA-të, dhe Europa demokratike! Me 30 qershor në Shkodër nuk pati zgjedhje por votime nga më të turpshmet e të paimagjinueshmet! Megjithatë kaq e madhe ishte diferenca ndërmjet vullnetit qytetar dhe rezultatit, saqë kandidati monist mori vetëm 6% të votave të njerëzve të administratës, te të joshurëve dhe të kërcënuarve!”.- thuhet në letër

Voltana duket se i ka ulur kryet dhe e ka kuptuar se nuk mund të mbajë dot me dhunë zyrën e bashkisë, në një kohë kur edhe ligji edhe gjykatat e vendit kanë folur në favor të 30 qershorit, që konsiderohen nul nga opozita jashtëparlamentare. Në mungesë të mbështetjes së Bashës, por dhe figurave të Partisë Demokratike për të mbajtur bashkisë, siç u pa në rastin e Kamzës, duket se Voltana i ka kthyer shpresat e saj nga “lutjet” e vetë shkodranëve.

Ish-kryeministri suedez impresionohet nga Shkodra

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, i cili dikur deklaronte se “Shqipëria është në prag kolapsi” ka zgjedhur të vizitojë qytetin e Shkodrës në këto ditë gushti.

Vetë politikani i njohur evropian ka postuar një foto në të cilën shkruan impresionet e tij për qytetin e lashtë të Shqipërisë dhe sugjeron se ia vlen të vizitohet pasi është një qytet interesant.

“I ndodh njeriut të përfundojë në Shkodër. Por ia vlen është një qytet interesant”.

Në statusin e këtij të fundit ka reaguar ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili i jep disa këshilla dhe lavdëron qytetin e origjinës së tij, aty ku edhe ka dalë deputet:

“Shkodra është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. Një qytet që kombinon trashëgiminë astro-hungareze me atë Veneciane dhe otomane. Plus atë të socializmit sigurisht. Ka pafund gjëra për të parë në qytet dhe zonat përreth”, shkruan Bushati.

Bushati para pak ditësh u shkarkua nga detyra për Shkodrën, por në të vetmin koment që ka dhënë për median ka thënë se, nuk janë ofiqet që e pengojnë të vazhdojë ta mbështesë Shkodrën. Dhe mesa duket ky ishte një rast për ta promovuar atë!

Ndërsa Carl Bildt ka shërbyer si kryeministër i Suedisë në vitet 1991-1994 dhe si ministër i Jashtëm në vitet 2006-2014. Aktualisht është bashkë-kryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

Rreth dy vite më parë zyrtari i KE-së deklaroi se Shqipëria është në prag të një kolapsi politik, por përgjigjen e mori menjëherë nga Kryeministri Edi Rama i cili shkroi në twitter se Shqipëria qëndron e fortë si shkëmb. “I dashur Carl Bildt, Shqipëria qëndron si shkëmb! Ne po ndërtojmë shtet dhe askush nuk na largon nga rruga jonë drejt drejtësisë, rritjes dhe punës”, shkruan Rama.

Shkodër, qëlloi me armë zjarri në ajër, arrestohet 22-vjeçari

Një person qëlloi me armë zjarri në ajër duke alarmuar banorët në fshatin Gudë të Shkodrës. Banorët kanë lajmëruar policinë, e cila ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të një 22-vjeçari, i cili lëvizte me armë me vete.

Në pranga ra shtetasi me iniciale P.Th. 22 vjeç, i cili u kap me një pistoletë me 16 fishekë luftarak me vete.

I riu i arrestuar pritet të gjykohet për verat penale  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e  municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Aksident i trefishtë në Shkodër, plagosen dy persona

Një aksident i trefishtë ka ndodhur në aksin Shkodër-Lezhë, në afërsi të fshatit Beltojë.

Një motor tip “Yamaha” është përplasur me makinë tip “Renault” pas humbjes së kontrollit të mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë. Nga përplasja motori ka rrëshqitur matanë rrugës duke aksidentuar edhe një person me biçikletë që po kalonte aty.

Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur drejtuesi i biçikletës 32-vjeçari me iniciale D. Gj. dhe ai i motorit 31-vjeçari me iniciale M. S. Dy të plagosurit kanë marrë mjekimin në spital dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit të trefishtë dhe dyshimet paraprake bien mbi shpejtësinë tej normave të lejuara të motorit.

Mungesa e higjenës, AKU gjobit katër biznese në Tiranë dhe Velipojë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur katër biznese në Tiranë dhe Shkodër, me vlerë totale 2.57 milion lekë. AKU ka njoftuar se gjatë të mërkurës janë kryer kontrolle në disa biznese, furrë buke, byrektore dhe fast-food. Në kryeqytet, inspektorët e AKU-së kanë gjobitur një binzes “Furrë Buke Pastiçeri Losha”.

Ndaj këtij biznesi janë gjetur disa shkelje, nga mungesa e liçensës përkatëse për të ushtruar aktivitetin, deri te prodhimi dhe tregtimi i produkteve ushqimore jashtë kushteve hijeno-sanitare. Gjithashtu, ky binzes ushtronte aktivitetin pa pasur libreza shëndetësore për punonjësit, ndaj, për shkeljet e konstatuara, AKU ka vendosur një gjobë me vlerë 2 milion lekë ndaj këtij biznesi.

Ndërkohë, në Velipojë, janë gjobitur tre biznese, dy byrektore dhe një fast-food, të cilët janë gjetur me shkelje të ndryshme ligjore. Mungesa e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesa e kushteve hijeno-sanitare dhe mungesa e librezave shëndetësore për punonjësit, kanë qenë disa nga shkeljet, për të cilat AKU ka marrë masa administrative ndaj këtyre biznesev, duke vendosur gjobë me vlerë 570 mijë lekë në total.

PD akuza për fletë votimi false, KQZ: Erdhën nga Sllovenia në 30 qershor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, se në Shkodër është votuar me fletë votimi false. Drilona Hoxha, zëdhënsja e KQZ-së, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka treguar me detaje gjithë procedurën e riprintimit të fletëve të votimit në Slloveni pas shkatërrimit të materialeve zgjedhore në KZAZ-së në Vaun e Dejës).

KQZ shprehet se fletët e votimit u printuan në Slloveni në datën 29 qershor, dhe janë sjellë në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të datës 30 qershor, duke u shpërndarë më pas në Qendrat e Votimit.

“Duke marrë shkas lidhur me akuzat për fletë e Votimit në Vaun e Dejës, KQZ se fletët e votimit janë prodhuar nga kompania sllovene e cila u kontaktua nga KQZ pas ngjarjes së ndodhur në KZAZ 6. Në procesverbalin e doganës në 30 qershor në 2:30 të mëngjesit shkruhet procedura e transportit të fletëve të votimit. Mjeti u regjistrua nga kompania TIMS në orën 01:58 minuta dhe fletët e votimit u kontrolluan nga punonjësit e KQZ”.

“Pas marrjes së dakordësisë është aplikuar procedura e deklarimit të thjeshtuar. pas kësaj procedure mjeti i është dorëzuar punonjësve të KQZ. Kjo procedurë ka përfunduar në orën 02″15 të mëngjesit. Fletët e votimit kanë mbërritur në Shkodër dhe shpërndarja e tyre ka përfunduar në orën 06 të mëngjesit, për të qenë gati para nisjes së orarit zyrtar të votimeve”, deklaron KQZ.

Rudina Hajdari mban premtimin për shkollën që u dogj nga militantë të PD

Pas djegies nga militantë të PD të shkollës “Shejnaze Juka” e cila u përdor si KZAZ në Shkodër, deputetja Rudina Hajdari deklaroi se rrogën e saj do ta investonte në rregullimin e dëmeve materiale që shkaktoi zjarri.  Me një status në Facebook, Hajdari tregon se këto investime ishin kryer nga bashkia dhe se rroga e saj do të përdoret për të blerë libra artistikë të integruar në kurrikulat mësimore, për nxënësin e shkollës.

“Me datë 05.07.2019 vizitova shkollën “Shejnaze Juka” me qëllimin për të investuar rrogën time në ambientet e shkollës pas ngjarjes së datës 18.6.2019. Pas vizitës time u konstatua se pas investimit të bërë nga Bashkia Shkodër, nuk ishte i nevojshëm një investim tjetër i këtij lloji.

Pas bisedimeve me drejtorin e shkollës, Z. Kolë Shiroka u pa e arsyeshme që shuma e parashikuar nga paga ime të shkojë për librat artistikë, të cilat janë të integruar në kurrikalat mësimore, të vlefshme për të tre vitet e gjimnazit, t’i shtohen bibliotekës së shkollës. Këto libra do të shërbejnë si për 500 nxënësit që janë aktualisht të regjistruar në shkollë, ashtu edhe për brezat e tjerë që do vijnë në vitet e ardhshme.

Duke qenë libra, të cilat janë të detyrueshëm të lexohen për gjatë 3 viteve shkollore, të gjithë nxënësit që nuk kanë mundësinë të pajisen me libra do të kenë akses falas në bibliotekë për të tërhequr librin që u nevojitet.” –shkruan Hajdari

Shkodër, kapen 205 kg drogë në një fugon, 5 të arrestuar

Policia e Shkodrës ka arrestuar 5 persona në kuadër të operacionit të koduar “Prekalori” ku dhe ka sekuestruar 205 kg lëndë narkotike. Droga e llojit marijuanë ishte duke u transportuar me një fugon me targë AA855. Të arrestuar janë shtetasit:

-Z. K., 53 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë në Mal të Zi për trafik narkotikësh. (kryetar i grupit të strukturuar kriminal);

-Gentian Meçaj, 31 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”. (bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të grupit)

-K. M., 28 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar);

-E. H., 29 vjeç, banues në Malësi e Madhe (anëtar);

-Xh. D., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar).

Arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, me qëllim përfitimin.

Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një fugon, në të cilin ndodheshin të arrestuarit Z. K. dhe G. M. Këto dy persona do të shkëmbenin drogën me 3 bashkëpunëtorët e tjerë të arrestuar. Ky grup kriminal kryesisht funksiononte në trafikimin e drogën nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi.

Nga operacioni policia sekuestroi automjeti tip fugon; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.”

Skip to toolbar