Holanda i kërkon Komisionit Europian të pezullojë vizat për shqiptarët

Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Holandës në Bashkimin Europian, Robert de Groot, përmes një letre të gjatë dërguar Komisionit Europian, kërkon rishikimin e regjimit të vizave për shqiptarët, duke theksuar se është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për azil, si dhe roli që ata kanë në krimin e organizuar në Amsterdam dhe Roterdam.

“Gjatë viteve të fundit, çështjet me shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje publike në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdam dhe Roterdam.

Një shqetësim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave në përgjithësi dhe liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë në veçanti”, shkruhet në letër.

Më tej në letrën e gjatë bëhet e ditur se “që nga viti 2015, Hollanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave penale të lidhura me shtetasit shqiptarë dhe bandat e krimit shqiptar. Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikimin e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe

trafikimin e qenieve njerëzore”, sqaron përfaqësuesi i Holandës, i cili thotë se pavarësisht përpjekje për të bashkëpunuar me autoritet shqiptare, ende këto çështje mbeten problematike.

“Shqipëria dhe Hollanda po punojnë së bashku për të luftuar krimin e organizuar nga shtetasit shqiptarë në Holandë. Më 23 maj 2018 Ministri i Drejtësisë dhe Ministri për Migracionin i Holandës nënshkruan një marrëveshje me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë. Më 13 dhe 14 shkurt 2019 u mbajt takimi i parë i ekspertëve për krimin e migracionit në Holandë. Edhe pse bashkëpunimi ndërmjet policisë, gjyqësorit dhe autoriteteve të imigracionit janë përmirësuar, ka ende vend për përmirësime të mëtejshme dhe bashkëpunimi deri më tani nuk ka rezultuar me suksese konkrete në terren”, shkruhet më tej në letër.

Robert de Groot në fund të letrës shkruan se “Hollanda i kërkon Komisionit që të shqyrtojë informacionin e dhënë dhe në konsultim me Shtetet Anëtare të BE, të vendosë për nevojën për të ndërmarrë veprime në bazë të nenit 8 (pra që lidhet me regjimin e vizave) në mënyrë që të luftohen në mënyrë efektive problemet që lidhen me shtetasit shqiptarë”.

Raporti i KE, Ambasada e SHBA: Mbështetje të plotë për zbatimin e reformave të pakthyeshme

Ambasada Amerikane ka përshëndetur progres raportin e KE për Shqipërinë duke shprehur mbështetjen e saj të plotë që negociatat të hapen sa më shpejtë. Ambasada vlerësoi ecjen përpara të Shqipërisë me reformat e domosdoshme në vend dhe vijimin me zbatimin e tyre.

“Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe konfirmimin e saj se Shqipëria vijon të bëjë përpara në zbatimin e reformave jetike dhe të pakthyeshme. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara që të punojnë me partnerët tanë shqiptarë dhe të BE për të siguruar integrimin me sukses të Shqipërisë në Bashkimin Europian, përfshirë edhe mbështetjen tonë të plotë për zbatimin në vijim të reformave legjitime dhe kushtetuese gjyqësore.” shkruhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA

Nënkryetari i CDU: Do analizojmë me kujdes raportin për Shqipërinë. Asnjë vendim deri në shtator

Komisioni Europian vendosi të rekomandojë nisjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, pasi ka konstatuar progresin e bërë, por kjo nuk e ka bindur nënkryetarin e CDU-së, Johann David Wadephul.

Në një deklaratë të postuar në faqen zyrtare të CDU-së Wadephul shpehet se Shqipëria nuk i ka plotësuar kruhet që i janë lënë në 26 qershor të vitit 2018 dhe se i duhet ende kohë. Ai gjithashtu sqaron se Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave deri në fund të shtatorit.

Kujtojmë se Johann David Wadephul është përfaqësues i partive të djathta simotra të PD-së së Bashës.

“Grupi parlamentar i CDU / CSU do të analizojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe do ta krahasojë atë me analizat e tjera në dispozicion të tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse kushtet e fillimit të bisedimeve të pranimit me të dy vendet janë realizuar.

Megjithatë, një ekzaminim i tillë nuk mund të bëhet me ngut. Kjo nuk do të ishte e pranueshme për popullin gjerman dhe as nuk do të bënte drejtësi ndaj vendeve në fjalë. Në këtë drejtim, Bundestagu gjerman nuk do të jetë në gjendje të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit deri në fund të shtatorit – siç u pajtua me kolegët e grupit parlamentar të SPD-së.

Një analizë fillestare tregon se Shqipëria deri më tani nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim siç u la porosi nga ministrat e jashtëm të BE më 26 qershor 2018.

Ende nuk ka sistem gjyqësor funksional.

As Gjykata Kushtetuese as Gjykata e Lartë nuk punojnë. As SPAK dhe as BKH-ja nuk u krijuan ashtu sic u premtua. Ka përparime në nivelet e ulëta dhe të mesme në luftën kundër korrupsionit. Por ka shumë pak raste të hetimit të korrupsioni në nivelet e larta. Megjithatë, ministrat e jashtëm të BE e kërkuar me force këtë gje në qershor të vitit 2018. Janë të dobëta përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar.

Përveç kësaj, nuk është nisur asnjë procedurë ligjore ndaj politikanëve dhe kriminelëve të përgjuar në fillim të vitit për blerje të votave. Në fund të fundit, ligji i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm nuk është miratuar akoma. Në fund të fundit, Kodi i ri zgjedhor i kërkuar nga Ministrat e Jashtëm ende nuk është vendosur.

Në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për më shumë kohë për t’u përgatitur për negociatat e pranimit. Vendi duhet të bëjë çdo përpjekje për të përmirësuar kushtet për një vendim pozitiv të BE në shtator. Kjo përfshin një dialog të vërtetë midis qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën politike.

Grupi parlamentar i CDU/ CSU është ende i gatshëm të ndihmojë. Të dyja palët duhet, megjithatë, të përgatiten për një dialog të tillë pa parakushte. Asnjë temë nuk mund të përjashtohet që nga fillimi”,thuhet në deklaratën e Johann David Wadephul. Ende nuk dihet nëse ky është një qëndrim personal i tij, apo i gjithë grupit të CDU-së.

Brukseli nxit anëtarësimin, por brenda BE ka skepticizëm. Trazirat politike në Shqipëri mund të ndikojnë

Politico.eu i ka kushtuar një artikull vendimit të Komisionit Europian për të çelur dritën jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për t’iu bashkuar BE-së, ndërsa thekson se pavarësisht rekomandimit të dytë, ende ka skepticizëm mes vendeve anëtare.

Shkrimi i përkthyer nga Politico.eu:

Komisioni përsëri mbështet nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE për Shkupin dhe Tiranën, por ende përballet me skepticizëm.

Për të dytin vit me radhë, Komisioni Evropian i bëri thirrje BE-së që të lejojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë bisedimet e anëtarësimit. Komisioni argumentoi të mërkurën se sjellja e Tiranës dhe Shkupit më pranë BE do të bënte si rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit ashtu edhe vetë Bashkimin Evropian më të qëndrueshëm.

Por argumentet e Komisionit nuk i bindën të gjithë vendet anëtare të BE vitin e kaluar, me Francën dhe Holandën që në mënyrë efektive bllokuan fillimin e bisedimeve. Dhe është shumë e qartë se rezultati do të jetë ndryshe këtë herë.

Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE, paraqiti vendimin me të cilin përballen qeveritë e BE-së si një çështje e kredibilitetit të bllokut. Ajo vuri në dukje se BE kishte mbajtur perspektivën e bisedimeve të anëtarësimit nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndërmorën reforma për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe tha se të dy vendet kanë mbajtur fjalën.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar një vendosmëri të fortë për të përparuar në rrugën e BE dhe kanë arritur rezultate konkrete dhe duhet të jenë të pakthyeshme”, tha Mogherini.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë pjesën e tyre të punës, tani është ana e Bashkimit Evropian për të përmbushur pjesën e vet.”

Avokatët e fillimit të bisedimeve me dy vendet e Ballkanit argumentojnë se vendimi do të sigurojë që BE të ketë një ndikim të fortë në krahun juglindor përballë konkurrencës nga fuqitë e tjera, duke përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Dy shtete të tjera të Ballkanit – Serbia dhe Mali i Zi – tashmë janë angazhuar në bisedimet e anëtarësimit për vite me rradhë.

Por skeptikët, të udhëhequr nga Franca, argumentojnë se BE-ja nuk duhet të mendojë të zgjerohet derisa të reformohet kështu që të mund të qeverisë veten në mënyrë më efikase. Kritikët gjithashtu kanë nënvizuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe varfërinë që pllakos vendet e Ballkanit pas luftërave të viteve 1990 dhe ngriti si shqetësim frikën se zgjerimi do të importojë më shumë nga këto probleme në BE.

Në një takim të ministrave të BE në Luksemburg qershorin e kaluar, një shumicë e vendeve anëtare argumentoi në favor të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Tiranën dhe Shkupin. Por opozita e drejtuar nga Parisi dhe Haga, me mbështetjen e Danimarkës, bëri që çështja të shtyhej për një vit, pasi vendimet për zgjerimin kërkojnë unanimitet.

Një tjetër takim i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE më 18 qershor duket sikur mund të përfundojë në të njëjtën mënyrë – me një shtyrje, të paktën për një ose dy muaj, nëse jo më gjatë.

Deri më tani, Parisi nuk ka treguar shenja të ndryshimit të linjës së saj. Përkundrazi, Nathalie Loiseau, ish ministri i Europës i Francës, mburret gjatë fushatës zgjedhore të Parlamentit Europian për të kapur fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Loiseau, i cili kryesoi listën e kandidatëve për zgjedhje të Presidentit Emmanuel Macron, gjithashtu theksoi qëndrimin e saj të vijës së ashpër javën e kaluar në Tuitter.

Një diplomat i BE i përfshirë në procesin e zgjerimit tha se shumë persona në Bruksel kishin menduar se Franca do të zbuste qëndrimin e saj pas zgjedhjeve. “Por pas këtij tuitteri nga Loiseau, fillou të mendojë se kjo nuk do të ndryshojë”, tha diplomati.

“Nëse e përsërisni tani, kështu publikisht, nuk do të ndryshoni mendjen tuaj për disa javë”, tha një diplomat tjetër.

Gjermania, përkundrazi, ka marrë një rol udhëheqës në Ballkan nën kancelaren Angela Merkel dhe është më e hapur për mbështetjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e cila ndryshoi emrin e saj këtë vit sipas një marrëveshje për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë dhe për të hapur rruga drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Por edhe Berlini mund të luftojë për të arritur një pozitë të qartë deri në kohën e mbledhjes së 18 qershorit.

Duke shpresuar për të shmangur bërjen e zgjerimit një çështje të fushatës dhe duke u përballur me presion nga Parisi, sipas dy diplomatëve, Komisioni vonoi publikimin e vlerësimeve vjetore deri pas zgjedhjeve evropiane. Por ky vendim nënkupton që Bundestagu, i cili duhet të japë fjalën e vet për çdo vendim të zgjerimit, nuk ka kohë për të menduar dhe për të dhënë mendimin e tij para takimit.

Nëse mbledhja e qershorit nuk mund të arrijë një vendim, diplomatët thonë se çështja mund të përfundojë në axhendën e një samiti të liderëve të BE më vonë gjatë muajit ose në një mbledhje tjetër të ministrave në korrik.

Megjithëse Franca dhe Gjermania nuk janë në të njëjtën faqe për këtë çështje, diplomatët thanë se nuk presin që ajo të shkaktojë një përleshje të hapur midis dy fuqive më të mëdha të BE.

“Unë kisha frikë nga një skenar i tillë, por jo më,” tha një diplomat i lartë i BE, i cili vuri në dukje se Macron dhe Merkel kishin punuar së bashku në një samit në Berlin në prill me qëllim të zbrazjes së tensioneve në Ballkan.

Nëse bisedimet e zgjerimit përfundimisht marrin dritën e gjelbër, mund të mos jetë për të dy vendet. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka fituar vlerësime për marrëveshjen e saj me Greqinë, trazirat politike të kohëve të fundit në Shqipëri i kanë dhënë Parisit një arsye të re për t’i thënë jo Tiranës.

Raporti i plotë i KE: Opozita duhet të angazhohet për një konsensus të gjerë evropian

Shqipëria mori dje dritën jeshile nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Ndërsa ne sot po sjellim një pjesë se çfarë përmban progres-raporti i KE-së për Shqipërinë:

Kriteri politik

Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të mirë dhe demonstroi vendosmërinë e saj të vazhdueshme për të përparuar në axhendën e BE. Ajo ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, veçanërisht në kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të qershorit 2018 për hapjen e negociatave të pranimit, në një atmosferë politike të polarizuar vazhdimisht. Partitë e opozitës, shumica prej të cilave hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare në shkurt të vitit 2019, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike dhe të angazhohen për një konsensus të gjerë evropian. Zbatimi i reformës së drejtësisë ka vazhduar vazhdimisht, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi dhe duke hedhur themelet për forcimin e sektorit dhe konsolidimin e pavarësisë, paanshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Rezultatet konkrete janë arritur në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (verifikimit). Ristrukturimi institucional i gjyqësorit ka vazhduar gjithashtu.

Gjyqësori

Organet e reja për vetëqeverisje të pavarur të gjyqësorit u krijuan, duke shkaktuar formimin e mëtejshëm të institucioneve të specializuara gjyqësore dhe hetuese për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Përpjekje të përcaktuara vazhduan në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë luftën kundër trafikimit të drogës dhe kultivimit, duke kontribuar në krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve. Vazhdimisht për vitet e fundit, Shqipëria tregoi një angazhim të fortë për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Bashkëpunimi ndërkombëtar i policisë, veçanërisht me Shtetet Anëtare të BE-së, gjithashtu është intensifikuar, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme të zbatimit të ligjit në masë të madhe dhe arrestimin dhe ndjekjen penale të krerëve të organizuar kriminalë.

Krijimi i një regjistri të ngurtë të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë afatgjate që vazhdon të kërkojë përpjekje të mëtejshme të përforcuara dhe të qëndrueshme nga Shqipëria, duke përfshirë bashkëpunimi operacional me Shtetet Anëtare të BE.

Reforma e administratës

Për më tepër, vazhdoi reforma e administratës publike me objektivat e përgjithshme të rritjes së profesionalizmit dhe transparencës në procedurat e rekrutimit për shërbimin civil, si dhe forcimin e politikë-bërjes duke konsoliduar strukturat e koordinimit sektorial dhe krijimin e kuadrit rregullator për vlerësimin e ndikimit. Masat për përforcimin e mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe personat që u përkasin minoriteteve dhe romëve, si dhe politikat kundër diskriminimit, u ndoqën më tej. Rritja ekonomike u rrit më tej nga 3.8% në 2017 në 4.2% në vitin 2018 dhe papunësia dhe deficiti buxhetor ranë edhe pse mbetën të larta. Mungesa e njohurive produktive, nivelet e ulëta të arsimit dhe transferimet teknologjike pengojnë konkurrencën e saj dhe integrimin në zinxhirët e vlerave ndërkombëtare.

Rekomandimi

Në dritën e progresit të arritur dhe kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandon që Këshilli tani hap negociatat e pranimit me Shqipërinë. Për të mbështetur momentin e vazhdueshëm të reformës, Komisioni do të zbatonte një qasje të përforcuar për kapitujt negociues mbi gjyqësorin dhe të drejtat themelore, si dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë në vend. Shqipëria duhet të vazhdojë ndërtimin e shënimeve të ngurta në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Një konsensus më i fortë kombëtar mbi prioritetin mbizotërues të integrimit në BE, tejkalimi i polarizimit aktual dhe demonstrimi i vullnetit politik për ndarjen e partive, është gjithashtu e nevojshme për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga vendi.

Lufta kundër korrupsionit

Në regjistrimin e hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsioni, trendi i përgjithshëm pozitiv i viteve të fundit ka vazhduar. Megjithatë, përpjekjet e mëtejshme janë të nevojshme për të konsoliduar këtë prirje, siç tregohet nga disa të dhëna statistikore. Në veçanti, numri e dënimeve përfundimtare që përfshijnë zyrtarë të rinj apo të mesëm kanë rënë pak krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit (ka qenë 289 dënime të tilla në vitin 2018 krahasuar me 331 në vitin 2017). Numri i përgjithshëm i referimeve në prokurori gjithashtu u zvogëlua (2 126 në vitin 2018 dhe 2 342 në vitin 2017).

Në vitin 2018, një gjykatës i Gjykatës së Apelit u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda (rasti aktualisht në nivelin e apelit) dhe një prokuror u dënua nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda (rasti aktualisht në Gjykatën Supreme). Kishte 102 raste të reja kundër zyrtarë të lartë të dërguar në prokurori në 2018. Kjo ka qenë një hap para në krahasim me vitin 2017 ku kishte vetëm 61 (10 persona të paditur). Megjithatë, hetimet e shpeshta në vitet e fundit deri më tani nuk kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm përfundimtar dënimesh të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Kjo rrezikon të nxisë një kulturë të mosndëshkimit.

Reporterët pa Kufij apel Shqipërisë të mbrojë gazetarët nga dhuna në protestat e opozitës

Reporterët pa Kufij (RSF) u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të mbrojnë gazetarët, të cilët kanë qenë vazhdimisht në mesin e viktimave të dhunës së rëndë gjatë katër muajve të fundit të demonstrimeve të opozitës që bën thirrje për largimin e Kryeministrit Edi Rama për shkak të dyshimit për korrupsion.

Çdo javë, gazetarët që mbulojnë protestat kanë marrë plagë të rënda. RSF ka mësuar se së paku katër gazetarë ishin viktima të akteve të agresionit nga demonstruesit gjatë fundjavës së dhunshme të 11-12 majit, kur protestat kishin në shënjestër zyrën e kryeministrit.

Mateo Brahja nga ABC News u sulmua nga protestuesit e zemëruar që i penguan ata të filmonin dhe thyen pajisjet.  Ndërsa gazetari Arsen Rusta raportoi se ishte objekt i kërcënimeve serioze.

“Ne dënojmë klimën e tanishme të frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe u bëjmë thirrje autoriteteve që të marrin masa të menjëhershme në mënyrë që sulmet të ndalen”, tha Pauline Adès-Mével, kryetarja e tryezës së Unionit Evropian të RSF dhe Ballkanit

“Kjo dhunë dhe retorika anti-media e politikanëve të caktuar duhet të dënohen plotësisht për hir të reformave demokratike të Shqipërisë dhe perspektivave të progresit në përpjekjen e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh situatën aktuale politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, ne jemi të shqetësuar se incidentet e mëtejshme mund të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe procesin e pranimit në BE “.

RSF është shqetësuar për nivelin e dhunës që nga fillimi i protestave. Dy gazetarë, Isa Myzyraj nga Ora News TV dhe Marsela Karapanço nga A2 News CNN Albania, kanë marrë shërbim spitalor më 16 shkurt pas protestës së opozitës.

RSF gjithashtu dënoi plagët e marra nga dy gazetarë, Eliza Gjediku e TV Tema dhe gazetari freelance Arben Dajçi, gjatë demonstratave të opozitës në Tiranë më 13 prill.

Mes kaosit në rritje, niveli i mosbesimit ndaj mediave po arrin nivele të pashembullta dhe disa gazetare kanë raportuar se janë objektiva të sulmeve të pështira.

Gazetarja e TV Klan Ola Xama tha se ajo ishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga një anëtar i Gardës në parlamentin shqiptar, ndërsa Enkelejda Mema, një gazetare me të njëjtin kanal televiziv, tha se ajo kishte marrë fyerje seksiste nga kryetari i Akademisë së shkencave Skënder Gjinushi më 25 maj.

Shqipëria renditet e 82 nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të RSF në 2019./Shkrim i përkthyer nga Reporterët pa kufij. Shkrimin e plotë e lexoni në linkun më poshtë:

Sezoni turistik bën bashkë policinë shqiptare dhe atë të Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj firmosën në prizren “Memorandumin e bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, në territorin e Republikës së Shqipërisë për sezonin turistik veror 2019”, nisur nga fakti se gjatë sezonit turistik ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe një numër mjetesh rrugore të Kosovës që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet tona.

Ky Memorandum thekson rëndësinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në fushën e trafikut rrugor për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore, uljen e numrit të ngjarjeve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, duke krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet tona.

Punonjësit e Policisë së Kosovës, së bashku me punonjësit e Policisë Rrugore të Policisë së Shtetit, nga 1 korriku deri në 31 gusht 2019, do të kryejnë shërbime të përbashkëta në territorin shqiptar. Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave funksionale, nuk do të ketë kompetenca policore ekzekutive dhe nuk do të mund të ndërmerren aktivitete, për të cilat është kompetent oficeri i palës pritëse.

Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës do të kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së Kosovës.

KE dritë jeshile për Shqipërinë, Merkel ende në mëdyshje

Edhe pse KE rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se Merkel kërkon të bëjë një vlerësim të hollësishëm të këtij raporti dhe më pas të jap një vendim zyrtar mbi hapjen apo jo të negociatave.

Raporti i komisionit të BE-së rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ky rekomandim duhet të shqyrtohet tani në 28 shtetet anëtare. Njëri prej të cilëve është Gjermania.

Qeveria gjermane ende nuk ka krijuar një opinion unik për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministri socialdemokrat i Evropës, Michael Roth, rekomandon qartazi çejen e negociatave, kabineti i kancelares Angela Merkel pret progres-raportet që ta shqyrtojë me hollësi vendimin e komisionit.

E pyetur në konferencën e rregullt për shtyp nga Dë për këtë çështje zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane Martina Fietz tha, se “do ta analizojmë me kujdes dhe pastaj do të shohim se cilat janë konkluzionet operative që do të ndërmarrim”.

Por sikurse i ka deklaruar agjencisë gjermane të lajmeve DPA, kryetari i komisionit të Bundestagut për Europën, deputeti kristiandemokrat Gunther Krichbaum, nga ana e unionit konservator “mund të jetë tetor kur të merret një vendim”. Sipas tij “sigurisht që s’pritet gjë” me një votë pozitive të 28 vendeve anëtare në mes të qershorit.

Në prag të publikimit të progres-raporteve të Komisionit të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, i është drejtuar opinionit të sotëm gjerman me një koment të botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Michael Roth, i cili është edhe vetë deputet socialdemokrat, por edhe përgjegjës për politikën gjermane në Bashkimin Evropian, ka përsëritur kërkesën për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në pjesën për Shqipërinë, ministri shtetit thotë se “në vështrim të parë situata mund të duket më e komplikuar. Por arsyeja është sepse opozita ia del vazhdimisht që të prodhojë tablo dramatike – në vend që të garojë me qeverinë me ide konstruktive në parlament, të cilin për momentin e bojkoton.” Roth tërheq vëmendjen se : “Kjo politikë e papërgjegjshme penguese nuk duhet të fshehë atë që ka arritur vendi.” Duke përmendur këtu reformën e drejtësisë, bashkëpunimin e suksesshëm të organeve shqiptare të sigurisë, me partnerët gjermanë, austriakë dhe Italinë si edhe rishtazi me agjencinë kufitare të BE-së, Frontex./ Deutsche Welle

Ismajli: Nuk pendohem që zgjodha Shqipërinë, Kosovës i uroj suksese

Ardian Ismajli ishte përzgjedhur nga mediat kroate si pjesë e formacionit të vitit në Kroaci. Qendërmbrojtësi i kombtares shqiptare, që aktivizohet me Hajduk Splitin, ka bërë një sezon të shkëlqyer, aq sa i vlejti për një ftesë edhe në kombëtaren kuqezi. Nga grumbullimi i kësaj të fundit, ai ka folur këtë të mërkurë në konferencë për shtyp. Ismajli ka komentuar fillimisht lajmin e mediave kroate.

“Jam i kënaqur nga paraqitjet personale në nivel klubi dhe me kombëtaren. Kjo, edhe falë mikpritjes së lojtarëve këtu. Më kanë mbeshtetur shumë, ndaj iu them faleminderit të gjithëve. Shpresoj t’ua kem shpërblyer në fushë, sa herë kam luajtur”.

Më pas, 22-vjeçari ka folur për situatën në kombëtare, duke u shprehur se pavarësisht ndërrimit të trajnerëve, në ekip duhet të ketë harmoni. “Nuk e di, nëse do të ketë ndryshime, por ekipi ka nevojë për harmoni. Megjithatë, gjërat i di më mirë trajneri i ri”, ka thën Ismajli.

Më herët ai ishte pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ndërsa vendosi që të zgjidhte Shqipërinë për të luajtur me kombëtaren e parë. Nuk ka pendesë për këtë lëvizje nga mbrojtësi. “Unë kam luajtur më parë me Kosovën, por kam zgjedhur Shqipërinë Nuk kam asnjë pendesë për këtë lëvizje. Kosova po paraqitet vërtet mirë, ndaj iu uroj suksese shokëve të mi atje. Shqipëria po kalon ngërçet e veta, por do t’i kalojë shumë shpejt ato dhe do të ngjitet ku i takon”.

Në fund ai ka folur dhe për merkaton, duke deklaruar se është duke vlerësuar ofertat, ndërsa për momentin është i fokusuar te kombëtarja, ky synon fitoren me Islandën. “Nëse marrim tri pikë ndaj Islandës, gjithçka mund të ndodhë. Pastaj presim Moldavinë në shtëpi dhe, pa e nënvlerësuar atë, kemi shanse për tri pikë të tjera. Pra, ngjitemi në kuotën e 9 pikëve. Le të mendojmë për Islandën për momentin, si t’i kundërvihemi asaj. Ne shkojmë me optimizëm në këtë transfertë”.

Mogherini: Kriza politike nuk ndikon. Shqipëria i ka bërë detyrat.

Pas përfundimit të konferencës për Progres-Raportin e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, drejtuesit e lartë të unionit kanë mbajtur një konferencë për shtyp. Federica Mogherini u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm me reformat e ndërmarra. Shefja e Politikës së Jashtme në BE tha se Shqipëria e ka bërë punën që i takon për përmbushjen e detyrave. Tani është radha e vendeve anëtare të bëjnë atë që u takon për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të arritjeve dhe suksese që janë mbresëlënëse, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë treguar rezultate për reformat. Zbatim mbresëlënës i reformës në drejtësi, që ka sjellë rezultate të prekshme. Kam qenë së fundi në Tiranë për Samitin. Në bazë të një vlerësimi të rreptë dhe objektiv këtë vit për herë të dytë komisioni rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Ato kanë bërë pjesën e tyre të punës dhe tashmë është radha e BE-së të bëjë punën e tij. Topi ynë tani do të kalojë në Këshillin e Evropës. BE të japë ato merita aty ku ato ekzistojnë. Kur ne vlerësojmë meritat në mënyrë objektive, ato duhen njohur. Në të kundërt do të dëmtohet besueshmëria e BE-së, do të minohet stabiliteti dhe do të shkurajonin reformat e mëtejshme, ndoshta sjellin edhe një moment zhgënjimi në këto vende të rajonit, por edhe në BE dhe tek BE si institucion”, u shpreh Mogherini.

E pyetur nga gazetarja shqiptare Marsela Karapanxho nëse kriza aktuale politike do të ndikojë në vendimin e Këshillit të Ministrave të BE në 15 qershor, i cili ka fjalën e fundit për hapjen ose jo të negociatave, komisionerja e jashtme e Komisionit Europian, tha se në vlerësimin e saj teknik, kriza ka kudo, përfshirë edhe vetë në Ballkan, porse Shqipëria i kishte bërë tashmë detyrat e saj dhe se meritonte çeljen e negociatave.

“Vlerësimi është i qartë që të nisim negociatat sa më parë. Nëse i referohemi krizës, cili vend nuk ka kaluar krizë politike?! Dhe në Shqipëri sa herë që e vizitojmë ka kriza politike. Në vlerësimin tim kjo nuk është politike por teknike. Në vlerësimin tonë Shqipëria ka bërë detyrat e saj”, tha Mogherini.

Skip to toolbar