Kukan: Politikanët në Shqipëri të ngrihen mbi interesat e tyre. Ne duhet të bëjmë presion

Në fjalën e mbajtur të mërkurën në mbledhjen e Komisionit Europian, eurokomisioneri Eduard Kukan vlerësoi rekomandimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai u ndal u ndal në situatën politike në Shqipëri dhe tha se ajo është e tensionuar për shkak të zgjedhjeve lokale. Kukan i bëri thirrje politikanëve shqiptarë që të ngrihen mbi interesat e tyre dhe të punojnë për popullin pasi shqiptarët e meritojnë integrimin.

“Pritej nga shumë njerëz me shumë interes ky raport. Reagimi i fundit është mjaft pozitiv dhe dua që vendet e Ballkanit të bëjnë një hap përpara drejt integrimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e meritojnë vërtetë atë çka ju keni sugjeruar. Ka shumë çështje që mund të përmenden për Ballkanin Perëndimor. Ka pasur progres në rrugën e integrimit, por mund të kemi edhe më shumë rezultatet dhe lëvizje intensive përpara. Mendoj se këto kolegë e meritojnë vëmendjen. Pra ata kanë nevojë për të materializuar bazat që kanë krijuar. Në Shqipëri ka një situatë të tensionuar politike. Do të shkojnë në zgjedhje në fund të qershorit. Është në dorë të politikës që të ngrihen mbi interesat e tyre dhe të punojnë për popullin, pasi ai vërtetë e meriton. Edhe ne duhet të rishikojmë instrumentet që kemi në dispozicion për t’i bërë presion pozitiv mbi kolegët në Ballkan”, u shpreh Kukan.

KE pro negociatave për Shqipërinë. Hahn: Ne duhet t’i përmbahemi fjalës së dhënë

Komisioni Europian ka publikuar të mërkurën progres-raportin për Shqipërinë duke rekomanduar hapjen negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri evropian Johannes Hahn u shpreh se Shqipëria ka bërë reforma dhe transformim kyç në fushën e Drejtësisë duke bërë një rivlerësim të paprecedentë për gjykatësit dhe prokurorët.

“Jam i kënaqur të shikoj se si Shqipëria ka ndjekur reforma dhe ka bërë transformim kyç në sistemin e drejtësisë në një rivlerësim të paprecende të gjykatësve dhe prokurorëve”, u shpreh Hahn.

Ai tha se KE i propozon Këshillit që të miratojë hapjen e negociatave ndërsa theksoi se BE duhet ti qëndrojë fjalës që të miratojë kërkesën pasi vendet kanë bërë progres.

“Komisoini rekomandon që Këshilli të hapë negociatat me të dy vendet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Verit. Që të jemi të besueshëm duhet t’i qëndrojmë fjalës. Nëse vendi ka bërë ka progres duhet t’i përgjigjemi”, tha Hahn.

“Gjermania do hapjen e negociatave tani dhe jo në vjeshtë, për Shqipërinë”

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeituntg ka publikuar të mërkurën një artikull për çelen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Në shkrim raportohet se Bashkimi Europian dëshiron të shtyjë hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. “Do të jetë tetor, derisa të merret një vendim”, është shprehur kryetari i Komitetit të Bundestagut të Evropës, Gunther Krichbaum.

Ndërsa Ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD), nga ana tjetër, kërkon që negociatat të hapen sa më shpejt. “Tani është në dorën e BE-së për të ofruar”, shkruan Roth në një postim për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Ne i qëndrojmë fjalës dhe duhet të mbajmë zotimet tona. Në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri “progresi i prekshëm” është bërë”, është shprehur ai.

Të mërkurën, Komisioni i BE synon të rekomandojë hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet e Ballkanit. Komisioneri përgjegjës Johannes Hahn ka thënë që në prill se ai priste një vendim pozitiv nga autoritetet e Brukselit pas zgjedhjeve evropiane. Vendimi përfundimtar, megjithatë, qëndron në dorën e  vendeve anëtare të BE dhe mund të merret më 18 qershor në një takim të ministrave europianë në Luksemburg.

Në Gjermani, megjithatë, Bundestagu duhet të japë dritën jeshile – dhe kjo është e mundur vetëm nëse grupi parlamentar CDU / CSU e miraton. Hapja e negociatave për anëtarësim shihet në mënyrë kritike, veçanërisht në Holandë, Danimarkë dhe Francë.

Dy ndeshje dy fitore, kombëtarja U-18 kërkon suksesin e tretë në Kroaci

Kombëtarja U-18 e drejtuar nga trajnerët Ilir Biturku dhe Olsi Uku, prej disa ditësh është duke marrë pjesë në turneun “Kvarneska Rivijera 2019”, që po mbahet në Rijeka të Kroacisë.

Ekipi kuqezi ka arritur të fitojë dy ndeshjet e para të luajtura në këtë turne.

Në ndeshjen e parë, përfaqësuesja kuqezi mundi ekipin kroat NK Orijent, falë golit të shënuar nga Armelindo Mema, që aktivizohet me ekipet zinxhir të QPR.

Në ndeshjen e dytë të zhvilluar të martën kombëtarja jonë fitoi kundër Venecias me rezultatin 1-0.

Golin për ekipin tonë e realizoi sulmuesi Anteu Fetahu në minutën e 74. Këtë të mërkurë pasdite do të luhet dhe ndeshja e tretë për ekipin tonë ajo kundër NK Vinodol, ku kuqezinjtë do të synojnë një tjetër fitore në këtë turne.  

Meta: Ia kam thënë dhe Ramës, s’mund të ndërhyjmë në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti Meta ka folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e shumëpërfolur të korrigjimit të kufijve. Meta i ka cilësuar këto çështje si përgjegjësi vetëm të qeverisë Kosovare, ku ndërhyrja e Shqipërisë është e panevojshme. Shqipëria mbështet dialogun dhe do të respektojë çdo vendim që Kosova do të marrë tha Meta gjatë një interviste për televizionin kosovar “Dukagjini”.

Pjesë nga intervista:

Përse keni deklaruar dhe pse jeni kundër korrigjimit të kufijve, nëse një ide e tillë përfundon dhe e çon deri në fund problemin mes shqiptarëve dhe serbëve apo mes Kosovës dhe Serbisë?

Meta: Në mënyrë fare të qartë e të kristaltë, qëndrimi im i vetëm si President i Republikës së Shqipërisë në raport me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ka qenë, është dhe do të mbetet i pandryshueshëm, me çdo faktor të Kosovës apo të Shqipërisë dhe me çdo përfaqësues të faktorëve ndërkombëtarë: dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

A e dinë të gjitha institucionet e Shqipërisë këtë që po thoni ju? A e di institucioni i kryeministrit?

Meta: Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Ua kam bërë të qartë edhe faktorëve të tjerë. Kam bërë edhe një qëndrim publik. Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti mund të krijonte keqkuptime të panevojshme.
Shqipëria ka për detyrë, mendoj unë, t’i kërkojë Kosovës një bashkëpunim, një koordinim, një unifikim për këto tema. Natyrisht edhe një koordinim tepër të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe të gjithë procesit të integrimit euro-atlantik dhe europian të rajonit tonë.

Kam theksuar me të gjithë, se nevojitet një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, por edhe me Gjermaninë, sepse është një faktor kyç dhe do të jetë gjithmonë kyç për sa i takon së ardhmes europiane të rajonit tonë, me Britaninë e Madhe që ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm për rajonin tonë, sidomos për pavarësinë e Kosovës dhe me faktorët e tjerë relevantë e të interesuar pozitivisht për perspektivën e këtij rajoni. Pastaj vendimet i takojnë popullit të Kosovës, u takojnë institucioneve të Kosovës.

“Bashkimi me Shqipërinë”, alternativa e re e Thaçit kundër BE

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vijon t’i qëndrojë idesë së tij për bashkimin kombëtar dhe këtë deklaratë duket se ka vendosur ta përsëris thuajse çdo ditë. Gjatë një aktiviteti për 20 vjetorin e operacionit ‘Shigjeta” si pjesë e UÇK-së, Thaçi tha se ëndrra e projektit të bashkimit të shqiptarëve është shumë më e lehtë se sa ka qenë çlirimi i Kosovës, por këtë duhet ta duan të dy qeveritë. Në fakt këto deklarata të Thaçit janë një kundërpërgjigje ndaj ndërkombëtarëve që nuk mundësojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, duke i lënë qytetarët e saj atë izoluar.

“E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari kjo objektivë. Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që qojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin…Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy qeverive tona” – tha Thaçi.

“Shqiptarët në një shtet”, Thaçi: Parlamentet tona të nxjerrin deklaratën e bashkimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vijon të përforcojë idenë e tij për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë fjalës së tij në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta DO-2”, Thaçi theksoi se parlamenti i Kosovës deh ai i Shqipërisë të nxjerrin deklaratën e bashkimit si një shtet i përbashkët.

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por po krijohen rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, të nxirrnin deklaratat e nevojshme, të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pa kufij.” -tha Thaçi

Thaçi tha se për këtë bashkim ka dy ide, atë të bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Evropian” apo të bashkimit “nën ombrellën shqiptare” të dy vendeve në një territor të vetëm. Të njëjtën deklaratë Thaçi e bëri edhe në Has ku tha se “Kosova dhe Shqipëria, në një të ardhme të afër të do bashkohen”.

Kombëtarja U-21, Lleshi e Kola: Ndaj Turqisë duam pikët dhe… fatin

Nga ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, gjatë ditës së sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy lojtarë të kombtares U-21. Klenadro Lleshi dhe Aristidi Kolaj, ishin dy futbollistët që kanë folur, në prag të ty ndeshjeve të muajit qershor, asaj zyrtare me Turqinë dhe 2 ndeshjeve miqësore me Uellsin.

Të dy lojtarët ishin pjesë e grumbullimit provizor me Kombëtaren A, e drejtuar nga Edy Reja, duke treguar emocioniet e grumbullimit për herë të parë në ekipin A. “Mikpritja e grupit ishte shumë e mirë, u ndjeva shumë komod. Të gjithë ishin me dëshirë dhe lojtarët shumë pozitivë”.

Sa i përket aktivizimit, i përket trajnerit unë kam për detyrë të stërvitem dhe të kryej detyrat që më takojnë, të tjerat ia lëmë kohës. Çdo gjë vjen me kohën, duke dhënë maksimumin tënd në çdo hap”, ka thënë futbollisti i Leganes B, që sezonin e ardhshëm pritet të debutojë në La Liga.

Shqipëria U-21 do të përballet me Turqinë në ndeshjen zyrtare, që do të zhvillohet në transfertë më 7 qershor. Mesfushori është shprehur se në këtë takim ekipi ynë do të synojë rezultat pozitiv. “Për ne ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme pasi duhet të marrim rezultat, kjo vjen për arsye se kemi luajtur 2 ndeshje në këto eliminatore dhe nuk kemi marrë atë qe duhet sa i përket rezultatit”.

“Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe shkojmë për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Futbolli luhet 11 ndaj 11, ne kemi dhënë maksimumin por nuk kemi pasur edhe fatin me vete”, ka thënë mesfushori.

Në fund ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke u shprehur se këtë sezon do të bashkohet me ekipin A të Leganes në La Liga. “Për momentin luaj me Leganes B por kontratën e kam me ekipin A, shpresoj shumë shpejt ti bashkohem, por është zgjedhje e trajnerit”, është shprehur Klenadro Lleshi.

Ndërsa futbollisti tjetër, Aristidi Kolaj u shpreh: “Ne jemi një skuadër kombëtare shumë e bashkuar dhe po shkojmë në ndeshjen e Turqisë, për të marrë një fitore. Në Itali luaj me ekipin e Sasuolos U-19, kam bërë mirë në kampionat dhe për tu stërvitur stërvitem me ekipin A. Jam grumbulluar edhe për ndeshje miqësore të kombëtares dhe jam ambjentuar me shokët e ekipit”.

Balla: Brenda 48 orësh Shqipëria merr lajmin e mirë për negociatat

“Pas 48 orësh Shqipëria do të marrë lajmin e mirë nga Komisioni Europian për hapjen negociatave”. Kështu u shpreh të hënën në mesditë, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një intervistë televizive në News 24. Ai tha se Komisioni Europian do të publikojë progres raportin dhe do të japë vlerësim pozitiv për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke kërkuar hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Pas 48 orësh Shqipëria do të marrë rekomandim pozitiv për hapje të negociatave. Kjo sepse qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka bërë punë të madhe për shtetin e së drejtës dhe për integrimin e vendit për në BE, me reformat që janë sjellë në tavolinë. Nuk po them se me rekomandimin pozitiv Shqipërisë i mbaruan hallet, por është bërë e rëndësishme për integrim më tej për në BE. Ndërsa meraku i Bashës dhe opozitës është reforma në drejtësi”, tha Balla, i cili komentoi krizën politike në vend, duke theksuar dhe njëherë se maxhoranca është gati për dialog, por pa negociuar datën e zgjedhjeve që është 30 qershori, afati i fundit kushtetues.

Kristi Qose shënon nga penalltia, Ruzomberok shkon në Europë

Mesfushori i kombëtares Kristi Qose ka shënuar përsëri në Sllovaki për skuadrën e Ruzomberok në ndeshjen e fundit të kampionatit.

Ruzomberok luajti në transfertë ndaj Zilina takimin e fundit të kampionatit sllovak, teksa Qose shënoi në minutën e 42`-të të takimit, duke i dhënë barazimin e përkohshëm ekipit.

Në fakt, mesfushori i talentuar shqiptar fitoi një penallti tre minuta para se ndeshja të shkonte në pushimin e pjesës së parë, ndërsa Zilina kryesonte me rezultatin 1-0.

Qose e mori përsipër vetë gjuajtjen nga njëmbëdhjetë metërshi, duke shënuar me “panenka”.

Kështu u vendos barazpesha në fushën e lojës, por pas pushimit skuadra vendase shënoi dhe tre herë në portën e ekipit të Ruzomberok, ndërsa këto të fundit ngushtuan shifrat në 4-2, por pa shmangur humbjen.

Megjithatë, skuadra e Ruzomberok ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm, pasi ruajtën evendin e tretë në renditjen përfundimtare të kampionatit.

Skip to toolbar