Nga Skënder Minxhozi
Erion
Veliaj i bëri një nder të vogël zyrës së Vetëvendosjes në Tiranë të martën, kur
e sulmoi me nervozizëm për deklaratat e saj rreth protestave të Astirit. Fryma
polemike e replikës së bashkisë ndaj një lëvizjeje, e cila është vërtet partia
e kryeministrit të ri të Kosovës, por në Tiranë njihet si një OJF e thjeshtë,
vetëm sa tërhoqi vëmendje dhe i bëri një reklamë të pakërkuar Vetëvendosjes
“shqiptare”. Me fare pak mund, ajo mori mbi vete prozhektorë dhe ekspozim që
realisht nuk i meriton.
Fitorja
elektorale e Albin Kurtit është një ngjarje që ka prodhuar valë sizmike edhe
jashtë Kosovës. Ciprasi i fundit ballkanik, siç e kanë quajtur politikanin
kontrovers kosovar, shihet si një
kërcënim për elitat tradicionale politike në të gjithë zonën, përfshirë edhe
Tiranën, ku një klasë politike shumëvjeçare shfaq tashmë një dozë të lartë
konsumimi dhe mungese idesh e vizioni për të ardhmen e vendit. Nisur nga kjo
premisë, lëvizja e Kurtit përflitet prej kohësh si një kërcënim real për
politikanët e Tiranës zyrtare, megjithëse deri tani Vetëvendosja në Shqipëri
njihet vetëm si frymë, e jo si projekt politik.
Vitin
e shkuar, në dhjetor, Edi Rama bëri një transplantim të çuditshëm qeveritar,
duke filtruar në kabinetin e tij dy ministra nga Kosova. Kjo qe e para herë kur
në ajër u hodh e para hipotezë e një integrimi gradual mes elitave politike të
Shqipërisë dhe Kosovës. Sepse le ta themi hapur dhe qartë: është e vështirë
edhe sot, 12 vjet pasi Kosova ka shtetin e saj të pavarur, që të gjesh një
fushë ku dy pjesët e kombit mund të flasin për integrim ndërshqiptar. Edhe
futbollin e ndamë, e jo më të tjerat. Nuk kemi as prefiksin e telefonit të
përbashkët, s’po bashkojmë dot doganat, s’po krijojmë dot ekonomi të
integruara, ndërkohë që na bashkon vetëm një autostradë.
Dy
anët e kufirit, e kanë marrë si diçka të mirëqenë faktin që sistemet politike,
po edhe ato të mediave e komunikimit, kanë mbetur të ndara qartësisht sipas
vijave gjeopolitike. Vetëm vitet e fundit psh, televizionet kryesore të Tiranës
kanë nisur ta shohin tregun kosovar si fitimprurës, duke investuar në staf dhe
programe të orientuara drejt asaj pjese të kombit shqiptar. Kurse gazetat e
deri diku edhe portalet, janë ndëshmia sesi jemi të ndarë, e jo të bashkuar.
Në
këtë aspekt edhe jeta politike në dy anët e kufirit ka shkelur në të njëjtat
gjurmë. Është e vështirë të marrësh përgjigje të sakta nga kalimtarët në
sheshin Skënderbej, nëse i pyet për siglat kryesore të partive të Kosovës. E
njëjta gjë edhe për banorët e Prishtinës, nëse ju bën pyetje specifike për
politikën e Tiranës. Dy shtetet, më saktë dy elitat politike të tyre, kanë
refuzuar të parashtrojnë dhe zbatojnë një projekt integrimi mbarëkombëtar, duke
e lënë idenë e bashkimit në hullitë e një klisheje hipokrite që vlen vetëm për
t’u konsumuar në data historike apo fjalime udhëheqësish. Kemi jetuar të ndarë
dhe me vetëdijen e plotë që “secili të shohë punën e vet në shtëpi të tij”.
Në
këtë truall, një eksportim i Vetëvendosjes në terrenin politik toksik të
Tiranës është realisht një ëndërr e qepur me pe të bardhë. Projektet politike
duan fytyra të njohura, shumë vullnet, kohë dhe para. Dhe Vetëvendosja e
këtushme nuk ka asnjërën prej tyre. Të paktën deri tani.
Vetëvendosja
është një projekt krejt specifik që vlejti si armë fatale përballë skotës së
politikanëve të lodhur e të korruptuar të luftës. Ajo u krijua dhe fitoi duke i
folur publikut kosovar dhe duke i bërë betejat e saj atje, në Kosovë.
Të
mendosh që një degëzim i kësaj partie, qoftë edhe i partisë në pushtet në
Prishtinë, të çajë koracën e kalbur por të trashë të politikës së Tiranës, do
të thotë të mos kesh kuptuar asgjë nga ajo që ka ndodhur në Shqipëri në 30
vitet e fundit. Ku kanë dështuar me rradhë të gjithë projektet alternative,
duke nisur nga vitet e hershme ’90, e deri në nismat e viteve të fundit të
Lëvizjes Kuqezi, partisë së Bamir Topit, Gjergj Bojaxhiut etj.
E
parë kështu, edhe replika e bashkisë kundër Vetëvendosjes, përveç faktit se
vinte pas një dite të tensionuar dhe kur nervat ishin të lodhura, nuk është se
ka ndonjë shpjegim tjetër çfarëdo. Përkundrazi. Albin Kurti ka pasur disa
flirte të shkurtra me opozitën e Tiranës në muajt e fundit. E megjithatë kjo
është pak, fare pak, që të konsiderohet si një investim afagjatë në garën
politike të Shqipërisë. Dukej sikur ai i takonte berishën e Metën më shumë për
inta të Ramës, sesa për ndonjë afrimitet çfarëdo me këta politikanë, që ai i
njeh fort mirë se çfarë përfaqësojnë.
Krizën
politike të Shqipërisë nuk e zgjidhin dot as ministrat e importuar, as partitë
e importuara. Të dyja janë gjetje artificiale të momentit.