Mogherini të mërkurën në Tiranë, por jo për krizën

Shefja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini do të vizitojë Tiranën në datat 8 dhe 9 maj ku do të marrë pjesë në samitin “Brdo-Brijun”, ku do të jenë të pranishëm presidentët e Rajonit.

Pavarësisht se vizita e saj përkon me kulmin e një krize politike në vend, duket se Mogherini nuk e ka aspak në plan të negociojë me palët. Të paktën kështu ka thënë sot për mediat ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

 “Përfaqësueja e lartë e BE, Federica Mogherini do të jetë në Tiranë për arsye rajonale ku do jenë të pranishëm presidentët e Rajonit. Ajo do të ketë takime dypalëshe më autoritetet më të larta të Shqipërisë. Misioni ka qenë i parashikuar dhe ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin”, deklaroi Soreca.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca tha se krizën duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe se ekziston një urë për dialog.

“Pra, janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urën që ekziston, në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç, në të cilin gjendemi dhe që nga kjo të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, pra përfaqësimi i plotë i tyre në zgjedhje”, tha ambasadori i BE.

BE kërkon dialog: Opozita të futet në zgjedhje

Bashkimi Europian është i qartë në kërkesën e tij drejtuar politikës shqiptare: “Është koha për dialog”.  Kështu u shpreh sot për mediat ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, teksa theksoi se palët duhet të ulen në bisedime dhe se opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

“Ne shpresojmë që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ne kërkojmë që opozita të jetë prezente. Tani është koha për dialog. Opozita duhet të flasë mes vetes dhe me qeverinë në mënyrë që të kemi pjesëmarrje”, tha Soreca për mediat pasi doli nga një takim me komisionarin për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Jam shumë i nderuar që kisha  të vizitojë zyrën këtu dhe të bisedoja me të gjithë personelin këtu. Kjo zyrë është shumë e rëndësishme si për vendin tuaj ashtu dhe për qytetarët. Ishte kënaqësi për mua që komisioneri më tha se ankesat që nga viti 2014 janë 10-fishuar. Kjo do të thotë se qytetarët e Shqipërisë tashmë janë të ndërgjegjësuar se në rast se e drejta e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale shkelet ata kanë të drejtën të ankohen pranë institucioneve. Besoj që ju e dini se legjislacioni i BE për mbrojtjen e të dhënave personale është një ndër më të mirat. Shohim se Shqipëria po harmonizon legjislacionin e saj me atë të BE”, tha Soreca.

Ambasadori i BE kërkon takim Rama-Basha

“Është koha për kompromis”. Kështu është shprehur sot për gazetarët Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Ne kemi qenë të parët që kemi bërë ftesa për thirrje për dialog. Vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment dhe në çdo takim.  Është momenti për kompromis. Kompromisi do të thotë që Qeveria dhe Opozita takohen në mesin e urës. Unë mendoj se ura ekziston thjesht duhet gjendur”, tha ambasadori i BE-së, i cili ishte sot i pranishëm në aktivitetin për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë.

Në fjalën e tij ai theksoi nevojën për të luftuar korrupsionin në administratën shtetërore duke bërë të ditur se kjo vazhdon të mbetet një sfidë, por në këtë aspekt Shqipëria ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të  gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.

Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë.

Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm.

Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte.

Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE.

Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët.

Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE”, tha Soreca.

Prej muajsh tashmë vendi ndodhet në krizë politike, për shkak se deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë braktisur kuvendin, ndërkohë që përmes protestave kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Skip to toolbar