“Fauda”, Basha: Rama do SPAK dhe BKH paralele

Lulzim Basha komentoi të dielën pasdite lajmin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama, se të hënë do të prezantohet Paketa Speciale Anti-KÇK, apo ligji për “Fauda” shqiptare. Fillimisht, duke mos komentuar procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, Basha u shpreh se mbështet ngritjen e SPAK dhe BKH, ndërsa sipas tij, Rama është bërë pengesë për ngritjen e këtyre institucioneve.

“Sa i përket SPAK dhe BKH kam theksuar dhe theksoj mbështetjen time totale, mbështetjen totale të PD. Vonesat për ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së kanë një autor dhe ky është Edi Rama.  Edi Rama ka vonuar pa asnjë shkak ngritjen e SPAK-ut dhe të BKH-së, ndaj sot gjendemi me kriminelë që duhet të jenë në burg, por hanë e pinë me Edi Ramën nga mëngjesi në darkë, diktojnë tendera dhe koncesione. Prapa çdo koncesioni korruptiv ka një bandë kriminale me një kryebandit që është aleat politik i Edi Ramës, figura të njohura të krimit të organizuar”, tha Basha.

Sipas tij, prezantimi i “Fauda” shqiptare, është një përpjekje e Kryeministrit për të sabotuar SPAK dhe BKH. Për Lulzim Bashën, Kryeministri kërkon të ngrejë një SPAK dhe BKH paralele që ta ketë nën kontroll.  “Nesër do të shpallë një masë që ka për qëllim të ndërtojë një SPAK dhe BKH paralele, që ta ketë ai nën kontroll. Të njëjtën gjë që donte të bënte me Saimir Tahirin, tani do ta bëjë vetë. Është një mashtrim për shqiptarët dhe partnerët. Është zyrtarizim i shtetit me polici partiake. Edi Rama e di mirë se një SPAK dhe BKH e pavarur është një kërcënim për të dhe për bandën e tij. Rikthimi i këtij modeli është i papranueshëm për ne.”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati thotë se këtë projekt e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, ndërkohë që Rama donte të vendoste në krye të tij Saimir Tahirin. “Do të shpallë nesër projektin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ku do të vinte Saimir Tahirin, komandant të SPAK-ut dhe të BKH-së. Për ta kujtuar si çështje. Ndërkohë që kishin plasur disa çështje, mes të cilave edhe e Mark Frrokut, sepse kishte ardhur ekstradimi dhe ky e fshihte ekstradimin, pastaj largoi Artan Didin, e bëri kokë turku, ishte koha kur Shqipëria ishte mbushur me drogë në këtë moment, Edi Rama miratoi në Kuvend një ligj që e bënte Ministrin e Brendshëm kapon e SPAK dhe të BKH-së”, shtoi kryedemokrati.

SPAK drejt formimit, të hënën emërohen 8 të parët

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion e njohur me emrin SPAK shumë shpejt pritet të jetë gati. Të hënën, pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, të emërojë 8 prokurorët e parë të kësaj strukture.

8 emrat e kandidatëve për t’u emëruar në këtë prokurori speciale janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho, të cilët kanë kaluar të dy fazat e vettingut, një nga kriteret bazë të përzgjedhjes së kandidatëve. Ndërsa kandidatët Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Anita Jella dhe Manjola Kajana janë ende në pritje të vettingut të tyre.

Të hënën, pas emërimit të 8 prokurorëve do të hapet edhe gara për të zgjedhur drejtuesin e tyre, mes këtyre 8 emrave. KLP do t’i lërë 5 ditë kohë 8 prokurorëve që të shprehin interesin e tyre për të marrë drejtimin e SPAK.

Kjo strukturë që perceptohet si bërthama e drejtësisë së re do të hetojë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse dhe pritet që të vendos pas hekurave njerëz të pushtetshëm të korruptuar ose “peshqit e mëdhenj”. Pikërisht kjo drejtësi e re, që ka nisur me vettingun dhe do të vijojë me ngritjen e SPAK dhe BKH, ka tmerruar politikanë, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar.

Gati SPAK, 8 prokurorë emërohen më 25 nëntor

Data 25 nëntor do të jetë një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Tre vjet pas miratimit në Kuvend të Reformës në Drejtësi, një nga institucionet me të rëndësishme të saj, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Antikrimit të Organizuar (SPAK), do të ketë 8 prokurorët e parë të saj. Lajmin e dha kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së KLP të martën.

Ibrahimi u shpreh për gazetarët se: “Kemi vendosur që në datën 25 nëntor të marrim vendimin për të emëruar 8 prokurorët e parë të SPAK”, tha ai. Më pas, do të lihet një periudhë kohe tre-javore, që ky institucion të emërojë kryetarin e tij dhe të bëhet i mundur transferimi i dosjeve hetimore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te SPAK.

Më pas, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të shkrihet duke mos ekzistuar më. Ndërkohë, pasi SPAK të ketë zgjedhur kryetarin e tij, ai do të vendos dhe për strukturën e Prokurorisë Speciale, ku sipas nevojës mund të kërkojë emërimin e prokurorëve shtesë të përkohshëm. Prokurorët që do të marrin detyrën më 25 nëntor janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondilli, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.

Megjithatë, ndonëse SPAK pritet të fillojë punë në fillim të muajit dhjetor, do të duhet të ngrihet paralelisht dhe Gjykata Speciale, e cila do të zëvendësojë Gjykatën e Krimeve të Rënda. Më herët, për këtë çështje, Gent Ibrahimi është shprehur se do të punohet paralelisht dhe me institucionet e tjera siç është Këshilli I Emërimeve në Drejtësi.

“Qeshni tani me SPAK, por…”, Hajdari e Peza zbulojnë dosjet e para për hetim

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ka sjellë përplasje në studion e emisionit “Real Story” mes të ftuarve, sidomos në lidhje me hetimin dhe trajtimin  e këtyre rasteve nga SPAK. Shkëlqim Hajdari, ish drejtues  i prokurorisë së Apelit në Tiranë, tha se ka besim të fortë se SPAK do të hetojë të gjitha këto dosje dhe shumë më tepër. Madje sipas tij ato persona që sulmojnë SPAK janë ata që do të kenë problemet më të mëdha në këtë strukturë anti-korrupsion. Madje për Hajdarin dosja e parë duhet të jetë ajo e gjyqtarit Skerdilajd Konomit, ndërsa shtoi se kush qesh tani me SPAK do shoh rezultatin në fund.

Publiku shqiptar pret që të krijohet Byroja e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion. Vettingu është bërë i fortë. Kam bindje se brenda dhjetorit do të krijohet Byroja e Posaçme e Hetimit. Brenda këtij viti do të zgjedhim edhe prokurorin e Përgjithshëm. Janari do t’i gjejë strukturat e ngritura. Bëj pjesë tek ata njerëz që e njohin mirë sistemin e prokurorisë. Gjyqësori është masakruar nga politikanët. Prokurorët e Përgjithshëm janë prodhuar politikisht. Anëtarë te Gjykatës së lartë janë prodhuar politikisht. Me pagat që do të paguhen prokurorët e posaçëm, janë shumë të mira për nivelin e Shqipërisë. Ka një dosje para kësaj të Arjan Ndojit që duhet të hetohet. Është dosja e gjyqtarit që është hedhur në erë në mes të Vlorës. Unë nuk bëjë optimistin. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka për të bërë në Shqipëri ndryshimin e madh. Këta njerëz që do të punojnë në këtë prokurori do të besojnë tek fuqia e tyre dhe jo tek fuqia e njerëzve të tjerë. Kush nuk beson tek prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ka probleme të mëdha”, tha Hajdari.


Edhe Alfred Peza shprehu besimin se kjo strukturë do të ketë sukses dhe se në fillim duhet të nis me dosjen e Adriatik Llallës.  “Për mua dosja e parë që duhet të hetojë SPAK, është dosja e Adriatik Llallës, sepse ai e solli sistemin e prokurorisë në këtë situatë.’ tha Peza

Do ketë dhe disa prokurore që janë promovuar në kohën e Adriatik Llallës që do të jenë pjesë e hetimit të SPAK. Në listën e gjatë “non grata” të SHBA, Adriatik Llalla është i pari” tha Shkëlqim Hajdari.

Më skeptiku në lidhje me SPAK ishte gazetari Basir Çollaku, i cili tha se “kur kjo strukturë të sjell emra konkret para drejtësisë për hetim për dosjet e bujshme që kanë mbetur në heshtje, atëherë mund të thuhet se kjo strukturë po funksionon.”

SPAK me 8 prokurorë. Emrat që do hetojnë “peshqit e mëdhenj”

SPAK do të jetë gati në nëntor. Ky është vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas rekomandimit të Komisionit të Posaçëm, që propozoi hapat e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, Komisioni i Posaçëm do të përgatisë aktet e nevojshme për t`u miratuar, ku në vendim është përcaktuar që fillimisht, pjesë e SPAK, do të emërohen 8 prokurorë të cilët kanë kaluar Vettingun. Gjithashtu, së bashku me emërimin e 8 prokurorëve të SPAK, do të bëhet dhe caktimi i përkohshëm i drejtuesit të kësaj strukture, deri në kryerjen e procedurave për zgjedhjen e drejtuesit sipas rregullores.

Në të njëjtën kohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë ndërprerjen e caktimeve të përkohshme për prokurorë që janë të emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por janë emëruar në prokurori të tjera. Pra, kështu do të pushojë së funksionuari Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi rolin e saj do ta ketë Prokuroria Speciale, që pritet të jetë në funksion në muajin nëntor. Gjithashtu, Gent Ibrahimi do të duhet të koordinojë punën me Këshillin e Lartë Gjyqësor, për të marrë në mënyrë të njëkohshme vendimet për Gjykatën e Posaçme, e cila do të zëvendësojë në rastin konkret Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Kështu, krijimi i këtyre dy organeve në të njëjtën kohë, i hap rrugë një tjetër procesi të rëndësishëm, hetimit dhe dërgimit përpara drejtësisë të kriminelëve me profil të lartë apo zyrtarëve publik që kanë abuzuar me detyrën apo kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Ngritja e SPAK është një nga institucionet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që merr dritën jeshile të krijimit pas mbështetjes publike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurorët që do të emërohen të parët, sipas listës së KLP, janë Altin Dumani, Arben Kraja,  Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra. Të gjithë këta prokurorë kanë kaluar Vettingun dhe janë gati të hetojnë dosje të rëndësishme dhe të dërgojnë përpara drejtësisë “peshqit e mëdhenj”.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i KLP Gent Ibrahimi u shpreh se nreda muajit nëntor do të emmërohen 8 prokurorët e parë të SPAK dhe drejtuesi i këtij institucioni, që do të përcaktojë organikën e saj. “Ne sot arrijmë përfundimin se ngritja me 8 apo 10 nuk na përket ne. Vendimin për dyshmenë e ka marrë kushtetutë-bërësi. SPAK është një institucionin kushtetues. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të fiksojë organikën e saj. Ne emërojmë ata që mundemi dhe për momentin mund të emërojmë vetëm 8. Mendoj se deri në nëntor mund të kemi të ngritur SPAK. Ne kemi bërë llogarinë që të marrim të gjitha vendimet e nevojshme. Këshilli nuk e gjykoi të përshtatshme linjën e veprimit dyshemenë me 10 anëtarë. Nuk na takon ne ta marrim këtë përgjegjësi. Drejtuesi i SPAK do të plotësojë organikën. Ne po emërojmë prokurorët për SPAK, ne nuk marrim vendimin për krijimin e SPAK. Ne nuk e shkelim kushtetutën për ngritjen e SPAK me 8 anëtarë”, tha Ibrahimi.

/Realstory.al/

KLP drejt ngritjes së SPAK. SHBA monitoron mbledhjen

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet këtë të premte për të diskutuar ngritjen e Prokurorisë Speciale, SPAK. Pas dështimit të mbledhjes të disa ditëve më parë, për shkak se anëtari Besnik Cani nuk ishte njohur me materialet e mbledhjes, KLP diskuton hapat e mëtejshme për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme. Ndryshe nga herën e fundit, në axhendën e publikuar nga KLP, në mbledhjen e të premtes, do të jenë të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, EURALIUS dhe OPDAT.

Prania e këtyre vëzhguesve vjen fill pas dështimit të mbledhjes të së hënës, ku KLP do të diskutonte nëse SPAK mund të ngrihet me 8 prokurorë që kanë kaluar Vettingun, dhe dy të tjerë që kanë kaluar vetëm shkallën e parë të rivlerësimit.

Por, ajo mbledhje dështoi pasi anëtari i KLP-së Besnik Cani kërkoi shtyrjen e saj. Një ditë pas  asaj mbledhje, një përfaqësues i lartë i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim me kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, të cilit i shprehu mbështetjen e SHBA për SPAK.

Gjatë takimit që pati me kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi, zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews u shpreh se “SHBA është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet KLP”, ndërsa theksoi se “Amerika është e vendosur të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, mësohet të ketë thënë zyrtari amerikan gjatë takimit me Gent Ibrahimin. Ndaj, këtë të premte, SHBA dhe përfaqësues të tjerë që hartuan Reformën në Drejtësi, do të vëzhgojnë mbledhjen e KLP-së, ku pritet të hidhet hapi i rëndësishëm për ngritjen e SPAK. /Realstory.al/

SHBA ofron mbrojtje: E dimë kush po e pengon SPAK

Zvarritja e ngritjes së SPAK është një çështje që shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një takimi që pati me kryetarin e KLP-së, Gent Ibrahimi, zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews u shpreh se “SHBA është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet KLP”, ndërsa thekson se “Amerika është e vendosur të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, mësohet të ketë thënë zyrtari amerikan gjatë takimit me Gent Ibrahimin. Një mesazh i fortë ky që vjen nga SHBA, vetëm një ditë pasi dështoi mbledhja e KLP-së ku do të diskutohej për ngritjen e Prokurorisë Speciale me tetë anëtar.

Duke shprehur mbështetjen për zbatimin e reformës në drejtësi, zyrtari amerikan është shprehur se “SHBA do të asistojë punën e KLP”, për të vijuar procesin e nisur. Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Jorgan K. Andrews, është shprehur gjithashtu se “baza ligjore e ngritur për institucionet e reja të drejtësisë është e fortë” dhe “e aftë të mbajë larg korrupsioni dhe presioni i politikës mbi këto struktura”-tha ai. Ai gjithashtu u shpreh se në Shqipëri “duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse tani keni instrumentet e duhura”.

Ndërkohë, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, duke treguar se procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritjen e SPAK është në hapat e fundit, i tha zyrtarit amerikan se: “Këshilli po shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashmë të vetuar dhe 2 prokurorë te komanduar nga lista e kandidateve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar vetting-un me vendim të formës së prerë”, u shpreh Ibrahimi. E pranishme në takim ishte dhe e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri Leyla Moses-Ones. Jorgan K. Andrews është caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, ku mbikëqyr programet e kësaj  byroje në Europë dhe Azi.

Zvarritet ngritja e SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë publikoi pjesën e debatit mes Gent Ibrahimit dhe anëtarit të KLP Besnik Cani, në mbledhjen e zhvilluar të hënën, ku do të diskutohej nëse mund të ngrihej Prokuroria Speciale me 8 prokurorët që e kanë kaluar Vettingun. Pas largimit të mediave nga salla e mbledhjes, anëtari Besnik Cani mori fjalën duke u ankuar se emaili me materialet e rendit të ditës i kishte shkuar jashtë orarit zyrtar të punës. Ai pretendon se emaili i kishte mbërritur në orën 16:47 minuta të datës 18 tetor, ndërsa dita pasardhës ishte fundjavë. Për këto arsye, Besnik Cani shprehet se nuk kishte kohë të njihej me materialet e mbledhjes.

“Lidhur me thirrjen e mbledhjes së sotme z.Kryetar, dua t`ju bëj me dije se unë si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk kam jam njoftuar në orarin zyrtar të punës. E-maili zyrtar i punës, që kemi ne, ka mbërritur tek mua dhe tek anëtarët e Këshillit në orën 16:47 të datës 18. E shtunë e diel pushim, dhe vetëm sot kam pasur mundësinë ta shoh këtë rend dite këtu, të shoh vetëm disa prej akteve jo të gjitha aktet”, u shpreh Cani.

Kështu, ai kërkoi që mbledhja të shtyhet duke adresuar kritika ndaj administratës së KLP-së, që sipas tij duhet të lexojë procedurën dhe ligjin për organizimin e mbledhjeve. “Unë çmoj kryetar që mbledhja të shtyhet dhe të merret afati që na përcakton ligji, me 7 ditë. E kam debatuar njëherë në këtë sallë dhe do vazhdoj të debatoj se nuk mund të vazhdojmë më me këtë histori. sot për sot e sot për nesër. Komisioni le t`i shoh procedurat dhe të përgatisi mbledhjet ashtu siç e thotë ligji. Në këto rrethana unë nuk kam pasur mundësi të njihem me këto akte që kërkojnë të miratohen, ndaj kërkoj shtyrjen e seancës”, shprehet Besnik Cani.

Pas tij reagoi kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi, i cili shpreh se të gjithë anëtarët e Këshillit ishin njoftuar gjatë një takimi të zhvilluar në Vlorë. Por, në atë takim, Besnik Cani kishte munguar me vullnetin e tij, duke u bërë i vetmi anëtar që nuk ishte njoftuar për rendin e ditës.

“Ndoshta keni të drejtë për këtë çështje. Anëtarët e Këshillit janë informuar në mënyrë të drejtpërdrejt për këtë mbledhje gjatë takimit tonë në Vlorë, ku ju munguat. Në këtë kuptim i dhamë vetes lirinë që e-mailin ta çonim pak më vonë, pasi të gjithë ishim aty dhe të gjithë e morën vesh që do mblidheshim sot dhe çfarë do diskutonim, ndërsa ju zgjodhët të mos ishit. Megjithatë, mbledhjen e deklaroj të mbyllur pas kërkesës suaj”, tha Gent Ibrahimi.

Në mbledhjen e ditës së hënë të KLP-së, u miratua caktimi i përkohshëm i disa prokurorëve në prokuroritë e rretheve, ndërsa në pikën e shtatë të rendit të ditës do të diskutohej për SPAK. Për diskutimin e kësaj pike, Gent Ibrahimi kërkoi që të mos ishin të pranishëm mediat. Pas largimit të kamerave nga salla reagoi dhe Besnik Cani, duke kritikuar administratën e KLP-së për vonesën e dërgimit të materialeve.

Megjithatë, në mbledhjen e datës së 21 tetor, pika e diskutimit ishte e një rëndësie të veçantë, pasi do të diskutohej nëse do të bëhej e mundur ngritja e SPAK me 8 prokurorë, apo do të pritet ende për kalimin e Vettingut dhe të dy prokurorëve. Kjo pikë nuk u diskutua dot të hënën, çka do të thotë shtyrje dhe paafat për ngritjen e SPAK, një nga strukturat më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë. /Realstory.al/

AUDIO E MBLEDHJES SE KLP

SPAK fut në “sherr” KLP. Ibrahimi ndërpret mbledhjen

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi mbledhjen e radhës të hënën në mesditë. Në rendin e ditës ishte miratimi i disa prokurorëve në prokuroritë e rretheve. Pas përfundimit të procedurës për caktimin e gjashtë prokurorëve në rrethe, Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi kërkoi që pjesa tjetër e mbledhjes të zhvillohej pa praninë e mediave.

Në pikën e shtatë të rendit të ditës do të diskutohej për çështje të ndryshme, mes të tjerave edhe për ngritjen e SPAK. Pikërisht, në diskutimin e kësaj pike, pas largimit të mediave nga salla e mbledhjeve, antëri i KLP-së Besnik Cani, siç raportojnë mediat, mori fjalën duke u shfaqur disa ankesa.  Ai pretendoi se materialet e rendit të ditës i ishin vënë në dispozicion me vonëse, duke u shprehur se nuk kishte pasur kohë të njihej me to.

Besnik Cani i është drejtuar Genti Ibrahimit se materialet e mbledhjes i kishin mërritur të premten pas orarit zyrtar, ndërsa kërkoi që mbledhja të shtyhet. Në këto kushte, Gent Ibrahimi ndërpreu vazhdimin e mbledhjes duke u larguar nga salla.

8 prokurorë gati për SPAK

SPAK është kryefjala e ditës në Shqipëri. Nga negociatat e Shqipërisë me BE, te nevoja për të parë rezultate konkrete të Reformës në Drejtësi, e bëjnë këtë institucion (Prokurorinë Speciale Anti Korrupsion dhe Anti Krimit të Organizuar), një çështje dite. Ndonëse kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë deklaroi gjatë verës së SPAK do të ishte gati në fund të shtatorit apo fillim të tetorit, kjo strukturë ende nuk është funksionale. Shkak është bërë Vettingu i prokurorëve. Por, ky proces i gjatë dhe delikat, duket se nuk do t`i marrë dhe shumë kohë ngritjes së SPAK.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, SPAK duhet të ketë 15 prokurorë, ndërsa ngritja e tij bëhet dhe me 10 prokurorë. Aktualisht, janë “skanuar” nga Vettingu 10 nga 15 kandidatët që dëshirojnë të bëhen pjesë e SPAK. Nga këta, 8 prokurorë janë gati t`i nënshtrohen vlerësimit të pikëzimit nga KLP, ndërsa dy prokurorë të tjerë janë në pritje të shkallës së dytë të Vettingut, pasi vendimi i KPK-së është apeluar nga Komisioneri Publik.

Konkretisht, Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, janë 8 prokurorët për të cilët nuk është apeluar vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ndërkohë, Besnik Muçi dhe Manjola Kajana, pasi kaluan shkallën e parë të Vettingut, janë në pritje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Por nëse vonohet procesi i Apelit, lajmi i mirë është se janë në proces Vettingu dy prokurorë të tjerë.

Ndini Tavani pret të thirret në seancë dëgjimore në datën 7 tetor, ndërsa Anita Jella pati seancën dëgjimore në datën 4 tetor. Kjo do të thotë se dy prokurorët janë në fazën finale të Vettingut, duke iu bashkuar listës së kandidatëve për t`u bërë pjesë e SPAK. Megjithatë, edhe nëse kalojnë shkallën e parë të rivlerësimit, dy prokurorët e sipërpërmendur do të duhet të presin dhe vendimin e Komisionerit Publik, nëse do të ankimojë apo jo vendimin ndaj tyre. Gjithësesi, ngritja e SPAK duket gjithnjë dhe më afër, pasi për krijimin e tij, duhen vetëm dy prokurorë. /Realstory.al/

Prokurorët që kaluan Vettingun:

  1. Altin Dumani                   
  2. Arben Kraja                     
  3. Klodian Braho                
  4. Enkeleda Millonaj           
  5. Edvin Kondili                  
  6. Ened Nakuçi                    
  7. Elida Kaçkini                 
  8. Behar Dibra                    

Në pritje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit:

  1. Besnik Muçi               
  2. Manjola Kajana

Në proces Vettingu:

  1. Ndini Tavani                 
  2. Anita Jella                     
  3. Doloreza Musabelliu     

Në pritje të procesit të Vettingut:

  1. Anton Martini                
  2. Elisabeta Imeraj             
Skip to toolbar