8 prokurorë gati për SPAK

#NËRADAR


SPAK është kryefjala e ditës në Shqipëri. Nga negociatat e Shqipërisë me BE, te nevoja për të parë rezultate konkrete të Reformës në Drejtësi, e bëjnë këtë institucion (Prokurorinë Speciale Anti Korrupsion dhe Anti Krimit të Organizuar), një çështje dite. Ndonëse kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë deklaroi gjatë verës së SPAK do të ishte gati në fund të shtatorit apo fillim të tetorit, kjo strukturë ende nuk është funksionale. Shkak është bërë Vettingu i prokurorëve. Por, ky proces i gjatë dhe delikat, duket se nuk do t`i marrë dhe shumë kohë ngritjes së SPAK.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, SPAK duhet të ketë 15 prokurorë, ndërsa ngritja e tij bëhet dhe me 10 prokurorë. Aktualisht, janë “skanuar” nga Vettingu 10 nga 15 kandidatët që dëshirojnë të bëhen pjesë e SPAK. Nga këta, 8 prokurorë janë gati t`i nënshtrohen vlerësimit të pikëzimit nga KLP, ndërsa dy prokurorë të tjerë janë në pritje të shkallës së dytë të Vettingut, pasi vendimi i KPK-së është apeluar nga Komisioneri Publik.


Konkretisht, Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, janë 8 prokurorët për të cilët nuk është apeluar vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ndërkohë, Besnik Muçi dhe Manjola Kajana, pasi kaluan shkallën e parë të Vettingut, janë në pritje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Por nëse vonohet procesi i Apelit, lajmi i mirë është se janë në proces Vettingu dy prokurorë të tjerë.

Ndini Tavani pret të thirret në seancë dëgjimore në datën 7 tetor, ndërsa Anita Jella pati seancën dëgjimore në datën 4 tetor. Kjo do të thotë se dy prokurorët janë në fazën finale të Vettingut, duke iu bashkuar listës së kandidatëve për t`u bërë pjesë e SPAK. Megjithatë, edhe nëse kalojnë shkallën e parë të rivlerësimit, dy prokurorët e sipërpërmendur do të duhet të presin dhe vendimin e Komisionerit Publik, nëse do të ankimojë apo jo vendimin ndaj tyre. Gjithësesi, ngritja e SPAK duket gjithnjë dhe më afër, pasi për krijimin e tij, duhen vetëm dy prokurorë. /Realstory.al/

Prokurorët që kaluan Vettingun:

  1. Altin Dumani                   
  2. Arben Kraja                     
  3. Klodian Braho                
  4. Enkeleda Millonaj           
  5. Edvin Kondili                  
  6. Ened Nakuçi                    
  7. Elida Kaçkini                 
  8. Behar Dibra                    

Në pritje të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit:

  1. Besnik Muçi               
  2. Manjola Kajana

Në proces Vettingu:

  1. Ndini Tavani                 
  2. Anita Jella                     
  3. Doloreza Musabelliu     

Në pritje të procesit të Vettingut:

  1. Anton Martini                
  2. Elisabeta Imeraj             



Skip to toolbar