Ngjela: Reforma në Drejtësi u bllokua 2 vjet nga PD. Në shtator do kemi rezultate

Avokat Spartak Ngjela ka bërë të ditur se për 2 vite me rradhë Reforma në Drejtësi u bllokua nga PD, por falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht amerikanëve gjërat lëvizën dhe tani me ngritjen e SPAK dhe BKH-së në shtator pritet të ketë rezultate konkrete. Sipas Ngjelës reforma në drejtësi po ecën përpara dhe shumë shpejt do të japë rezultatet e para.

“Reforma në drejtësi ka qenë për dy vjet rresht e bllokuar. Reforma ka qenë dy vjet e bllokuar nga Partia Demokratike. PD e kapi marrëzia dhe doli nga Parlamenti për të bërë revolucion duke dështuar në planet e saj. Kjo pasi në Kuvend hynë deputetët normalë të një opozite konstruktive dhe të mençur dhe po bëjnë reformën. Reforma në Drejtësi tani është drejt fundit. Edhe “Poli i drejtësisë” u inaugurua, edhe ndërkombëtarët ishin atje. Kështu që, nisur nga këto nuk ka më dyshim që reforma në drejtësi po ecën përpara, pasi edhe Parlamentin e ka marrë Reforma në Drejtësi”, deklaroi Ngjela për gazetën Sot.

Avokat Spartak Ngjela paralajmëroi më tej se të gjithë të korruptuarit do të dalin para drejtësisë, ndërsa theksoi se lufta kundër korrupsionit sapo ka nisur. Sipas tij, politikanët e korruptuar nuk do të livadhisin dot më, pasi SPAK do të prekë të gjithë krahët. “Kushdo që ka ardhur me sandale dhe ka bërë pallate duke iu futur dorën në xhep shqiptarëve do të dalin para drejtësisë. Reforma në Drejtësi ka filluar me luftën ndaj të korruptuarve, ku të parët që kanë rënë në rrjetën e saj janë njerëzit e drejtësisë. Në gjykatë dhe në prokurori Reforma në Drejtësi ditët për ditë eksludon të korruptuarit, duke i flakur nga sistemi. Kështu që, ka filluar reforma në drejtësi që të japë efekte e saj. Tani lind pyetja se a do të fillojë apo jo në politikë? Për këtë kategori e ka në dorë SPAK dhe BKH, që të dy këto institucione janë drejt formulimit, pastaj keni për të parë se që të gjithë këta që janë bërë milionerë me paratë e popullit do të kalojnë në dorë të SPAK dhe BKH. Patjetër! Nuk mund t’i lëmë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar që të livadhisin. O do të mbretërojnë të korruptuarit ose do të fitojë populli”, u shpreh Ngjela.

Duke i bërë një analizë historisë 3 vjeçare të Reformës në Drejtësi, avokat Spartak Ngjela shprehu bindjen se pa ndihmën e Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Europian, kjo reformë nuk mund të ecte përpara. “Neve vetëm nuk e bënin dot Reformën në Drejtësi, pasi të gjithë të korruptuarit ishin bashkë të gjithë. Por falë ndërhyrjes së politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj europiane, pra të Bashkimit Europian reforma po shkon drejt përfundimit. Kështu që, Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm pasi do të çlirohet nga të korruptuarit. Korrupsioni në Shqipëri është një “zgjedhë” e plotë. Por duke parë zhvillimet e fundit di të them se jam shumë optimist që Reforma në Drejtësi do të jetë e suksesshme. Besoj se në shtator do të kemi përplasjen e Reformës në Drejtësi me korrupsionin e lartë shtetëror”, nënvizoi avokat Spartak Ngjela për gazetën “Sot”.

SPAK, Ngjela: Katër ministra shkojnë në betejë, më tha Rama

Spartak Ngjela i ftuar në një studio televizive, ka zbuluar një bisedë, sipas tij me Kryeministrin Edi Rama, që mësohet të ketë pohuar se nga drejtësia e re, do të prekten dhe tre ose katër ministra. Ngjela ka pohuar se gjyqet për politikanët do të jenë publike.

“Duhet të keni parasysh një gjë se çdo gjë nis nga parlamenti. Nëse funksionon ai funksionojnë të gjithë institucionet. Ik bëj betejë legale. Minimuni tre katër ministra shkojnë në betejë. Rama më ka thënë vetë se mua më kap tre ose katër ministra reforma në drejtësi. Gjyqet do jenë publikë”.

“Do të thotë se kjo shishe ujë kushton kaq. Dalin gjyqtarët që thonin pasurinë e kam nga gjyshja. Gjyshja ishte në kasolle. I kupton çfarë budalliqesh po flasin. Spikerja e zërit të Amerikës i tha Metës a nuk vjen zor që jeton në luks kur populli është i varfër”, tha Ngjela.

Ngjela: Meta në burg pas shkarkimit, ka shkelur Kushtetutën

Nga Spartak Ngjela

Jetojmë në një zonë ballkanike ku liderit, kush më shumë e kush më pak, nuk sundojnë si drejtues politikë, por si gënjeshtarë gënjeshtrash që nuk kanë lidhje me zhvillimin kombëtar. Shpesh kjo i bën qesharakë. Janë pushtuesit sllavë e grekë të territoreve shqiptare që vetë shtetet e tyre i kanë investime në falsitet, me histori të gënjeshtërt. Por janë edhe gënjeshtarët historikë të lidërshipeve të Shqipërisë që hedhin të njëjtën valle, sepse vjedhin shqiptarët.

l.

Në fakt, liderët aktualë të Shqipërisë, edhe në jetën e përditshme dallojnë që mbështeten të gënjeshtra, sepse janë së brendshmi me konceptimin oriental të fjalës: kjo filozofi thotë se fjala ka dalë për të fshehur mendimin. Këta kështu duket se janë ndërtuar. Por duhet të theksojmë se Perëndimi ndahet nga Lindja pikërisht te qëndrimi ndaj gënjeshtrës. Qytetërim perëndimor do të thotë antigënjeshtër.

Po shoqëria shqiptare si e ka sot raportin më të vërtetën? E ka në përmirësim, sepse ne kemi vuajtur 45 vjet nga gënjeshtra e ngritur në një sistem vrastar punist.

Po politika e sotme e gënjeshtërt a ka lidhje me punizmin vrastar? Sigurisht që ka, sepse shqiptarët jetuan për 45 vjet sipas këtij kushti: ose jashtë i varfër në ekstrem dhe më gënjeshtrën, ose me të vërtetën, por në burg.

ll.

Si paraqitet sot karakteri gënjeshtar i politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, në Serbi dhe në Greqi?

Në këtë pellg ballkanik, më tipikët janë: Berisha,-Basha në Tiranë; Thaçi në Prishtinë; dhe Rama në Tiranë..

Më qesharakë duket të jetë Berisha dhe Lulzim Basha. Sepse në fakt janë në hall ngaqë kërcënohen nga Reforma që po vjen për hetimin e pasurisë së tyre. Prandaj janë bërë qesharakë me gënjeshtrën e tyre: këta nuk i pranon politika e lartë perëndimore, janë kundër Uashingtonit pikërisht për këtë, dhe dalin nëpër rrugë me flamuj amerikanë. Politika amerikane tallet me ta, dhe këtë e di edhe Berisha edhe Basha. Por ju mendoni se ata mendojnë që po gënjejnë politikën amerikane me këtë gjest? Jo, gënjejnë përkrahësit e tyre te të cilët nuk do t’i mbështetnin po ta dinin se nuk i pranon fare Uashingtoni.

Dhe janë edhe më qesharakë kur paguajnë ndonjë gjerman apo ndonjë amerikan, që nuk kanë lidhje fare me politikën e lartë, dhe i detyrojnë edhe këta që të gënjejnë. Dhe përsëri me të njëjtin qëllim: të gënjejnë shqiptarët.

Ka edhe më shumë se kaq te sistemi gënjeshtar i tyre. Basha në fillim dhe Berisha si shtytës pas tij, edhe pse e dinë që Reforma në Drejtësi drejtohet nga amerikanët, sokëllijnë në jerm dhe thonë që bëhet nga Rama. Ramë ziu është me ta, por nuk ka ç’bën, kurse dy të tjerët që kanë hallin e pronave dhe të parasë së akumuluar në mënyrë të paligjshme, mendojnë që të gënjejnë përkrahësit që këta të kenë një motiv revoltues. Po revolta përse duhet? Revolta lipset që, këta të dy dhe disa të tjerë të taborit të tyre të shpëtojnë pronat dhe paratë. Por tani, pas kërcënimit amerikan, edhe revoltë nuk mund të ketë më.

Domethënë asgjë. U dogjën kot. Nuk i shpëtojnë dot pronat dhe paratë. Kjo kohë nuk i përkrah dhe reforma është sot detyrë shqiptare që shqiptarët të hyjnë në Bashkimin Europian dhe në rrugën e zhvillimit për të mposhtur një herë e mirë varfërinë. Kjo do të thotë se, shpronësimi i të korruptuarve është shpresa për shpëtim e shqiptarëve. A e kuptoni tani që korrupsioni shqiptar nuk ka më te ardhme!

Po pse lodhen këta të korruptuar? Kot. Madje janë mëse teveqelë kur mendojnë se pronat dhe sundimin do ta ruajnë me anë të Rusisë, dhe prandaj gënjejnë për çdo gjë.

Po gënjeshtra ç’duhet kur kjo reformë po drejtohet nga forcat politikës amerikane? Kot. Është më shumë natyra naive e njeriut të akuzuar që i ka pushtuar në këto kohë. Njeriu i akuzuar që nuk di të mbrohet, gënjen si një fëmijë.

ll.

Po Meta?

Edhe ky gënjen për të shpëtuar veten dhe pronat nga Reforma. Këta birbore e kanë ditur se janë zgjedhur në krye të vendit për interesin e tyre vetjak të pasurimit. Kështu mendon ende dhe ky Meta. Është në një hall dyfish. Duan ta shkarkojnë në Parlament e ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Por, po shkoi atje, mund të marrë dënim me burg, se shkelja e kushtetutës është vepër penale. Në fakt, për Shqipërinë dhe shqiptarët, ky do të jetë hapi i parë pozitiv që nga viti 1924. Dhe sigurisht që do të ndodhë.

Kurse Meta po bëhet qesharak me Bashën duke tundur ato dekrete pa vlerë të cilat do bëhen shkak për dënimin penal të presidentit të Shqipëris. Janë të dy jashtë arsyes juridike të mbrojtjes, dhe mendojnë se, e vetmja rrugë e shpëtimit të tyre është destabilizimi i Shqipërisë. Kanë marrë në dorë një dekret pa vlerë juridike, dhe kërkojnë të fshehen pas tij. Nuk arrijnë të kuptojnë që një ditë e re zgjedhësh është normë juridike që del nga kushtetuta jo nga letra pa vlerë. Nuk janë në gjendje të pyesin veten: coli është organi ligjor që dëo të organizojë zgjedhjet?

Prandaj me thirrjet dhe pohimet e tyre nuk po dihet se kë kërkojnë të gënjejnë, veten apo të tjerët!!!

lll.

Po Thaçi? Ky del të jetë një tjetër lloj gënjeshtari. U vërtit e u vërtit me presidentin e Serbisë, Vuçiç, dhe gënjente për territoret. Donte t’i jep Serbisë Kosovën e Veriut, dhe gënjente sikur gjithçka e bënte që t’i merrte Sërbisë Preshevën dhe territoret e banuara nga shqiptarët. Donte të thosh që Presheva është më e rëndësishme për Kosovën se Mitrovica. Por dështoi, dhe tani më gënjeshtrat e Preshevës po bëhet qesharak. Në fakt kjo është rruga, sepse, tragjikja, kur dështon, kthehet në komike.

Ja këta janë.

lV.

Po Vuçiç?

Ky është më interesanti se ky nuk di ende të kuptojë se për cilin interes luan: luan për interesin e tij, apo për interesin e Serbisë. Në fakt kuptohet se po tallet me veten. E di që Serbia nuk pranohet nga Perëndimi, por gënjen serbët. Indirekt iu thotë këtyre: do ta marrim sërish Kosovën. Por befas Kosova i ka vënë taksë 100 përqind mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Kjo e tremb, se i del bllof gënjeshtra, se serbët pyesin: “kaq e fortë qënka Kosova?” Dhe prandaj Vuçiçi vërtitet e vërtitet me takime shterpë presidentësh europianë të rendësishëm, të cilët i thonë në Beograd se Kosiva është një shtet i pavarur.

Nuk kuptohet, ky kaqol, e di historinë apo jo? E di ky që territoret shqiptare shkojnë deri në Nish? Në fakt bën sikur nuk e di, njëlloj si e gjitha shkolla serbe që edhe pse e di që janë të ardhur në Ballkanin Perëndimor, thërrasin gjithë ditës se tokat tyre janë pushtuar nga shqiptarët. Do vazhdojë të gënjejnë dhe për ca pak kohë.

V.

Po Rama?

Ky ka gënjyer boll; por tani është në tërheqje sepse e njohu më në fund forcën amerikane. Nuk doli hapur për asnjë kundërshti dhe gënjeu deri në caqe që nuk kishin të bënin me Reformën. Tani duket se është në pritje. Por për të, në këto momente ka vetëm një pyetje: A do ta çojë deri në fund goditjen për shkarkim të presidentit Meta, apo do të tërhiqet me ndonjë gënjeshtër të rëndomtë,?

Ngjela: Opozita në depresion, SHBA po pastron korrupsionin Meta, Berisha, Basha

Nga Spartak Ngjela

Në çdo kohë që kalon me ngjarje të rënda në një vend, gjithmonë pyetet: pse erdhën këto ngjarje të rënda; dhe, çfarë i shkaktuan shoqërisë ato?

Këtu flitet, sigurisht, për ngjarjet e rënda që ia shkaktojnë shoqërisë së vet të pushtetshmit.

Sa herë që një shoqëri drejtohet nga injorantë dhe të korruptuar, pyetet: nga erdhën këta individë, si dolën në krye të vendit dhe cili ishte dëmi i tyre?

Po në Shqipërinë e 30 vjetëve të fundit, e cila u drejtua nga injorantë, dhe një plejadë të korruptuarish, nga erdhën, si hipën në pushtet, dhe sa është realisht dëmi që i sollën këta Shqipërisë e shqiptarëve?

Dëmi është shumë i madh. Por, ardhja e krerëve të tyre është shumë e dyshimtë. Tani, kur të gjithë bashkë janë drejt likuidimit, origjinën e tyre dhe përkrahjen politike për të ardhë në pushtet, duhet t’ia lëmë kohës ta zgjidhë me anë të provave dokumentare, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ka dyqind vjet që janë sulmuar brutalisht nga fqinjët pushtues territoresh të gjera të Arbërisë.

Ajo që i duhet imediatisht shqiptarëve dhe Shqipërisë, është likuidimi tërësor i korrupsionit të lartë shtetëror.

l.

Korrupsionin lartë shtetëror shqiptar ka qenë një gjëmë kombëtare. Por tani ai është në grahmat e fundit, për këtë duhet të jemi të sigurt.

Shqiptarët e kanë ditur saktë se kush i ka qeverisur, por nuk kanë patur mundësi të vepronin. E vetmja gjë që kanë bërë shqiptarët ka qenë ikja nga Shqipëria.

Po korrupsioni si ka operuar në Shqipëri pas vitit 1991?

Ky ka operuar me injorancën e blerë, me fanatikë të paguar si fansa që iu premtohej pronë, dhe me njerëz të thjeshtë që kanë besuar te gënjeshtrat e përsëritura të liderëve të korrupsionit kryeministror shqiptar që drejtonin dy partitë kryesore: Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.

Por, historia e Shqipërisë befas hyri në një rrjedhë të re të pamenduar dot nga korrupsioni. Në këtë rrjedhë të re e futi me forcë politika amerikane – kështu do të shkruajë historia.

ll.

Ka pasur një këmbëngulje permanente të politikës amerikane kundrejt Shqipërisë, duke filluar që në vitin 1919 me presidentin Ëillson.

Ka vijuar pastaj në vitin 1961 dhe në vitin 1962 me presidentin Xhon Kenedi kundër ndërhyrjes sovjetike në Shqipëri dhe largimin e flotës sovjetike nga Vlora; ka vijuar me presidentin Riçard Nikson për garantimin e autonomisë së gjerë të Kosovës, e cila u vendos direkt nga presioni i Niksonit kundrejt Josif Broz Titos. Por gjithçka erdhi dhe dha një shkëlqim historik me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë amerikane në luftën për çlirimin e Kosovës, në vitin 1999.

Tani gjithçka po flet për një aleancë të gjerë shqiptaro-amerikan dhe për karakterin demokratik të ndërhyrjes së politikës amerikane për likuidimin e korrupsionit të lartë shqiptar. Likuidimi i këtij korrupsioni është domosdoshmëri për politikën e re amerikanë në panshqiptarizimin e Ballkanit Perëndimor. Politika amerikane sot në këtë zonë është thjesht: “gjithëshqiptarizmi në Ballkanin Perëndimor “.

Në fakt, Ballkani Perëndimor është Arbëria klasike dhe me panshqiptarizëm duhen kuptuar të drejtat e shqiptarëve që janë shkelur nga fqinjët pushtues territoresh shqiptare dhe, në një rrafsh historik, nga fuqitë e mëdha, Rusia dhe Franca.

Kjo është arsyeja që korrupsioni Berisha, Basha, Meta me taboret e tyre, në një sens historik, janë për Shqipërinë një gjëmë pushtuese. Sigurisht që korrupsioni shqiptar është shumë më i gjerë se kaq, por politika amerikane duket se është e përqëndruar në likuidimin e këtij segmenti, sepse ndërkohë ky korrupsion ka marrë karakter të hapur antikombëtar.

lll.

Nga shqiptarët ishte krejt e pamundur që të likukdohej kjo gjëmë kombëtare, sepse korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar kishte forcën e shtetit dhe demagogjinë kundrejt përkrahësve në elektoratin shqiptar dhe në opinionin publik. Kishte gjithashtu forcën e parasë me të cilën likuidoi plotësisht lirinë e shtypit dhe të medias elektronike. Kjo midie u fut qorrazi në një lojë pseudoarmiqësore grupesh të mëdha politikë, që bënin sikur luftonin njëri-tjetrin, por që në fakt mbështeteshin te paraja korruptive.

Po politika amerikane, si penetroi ajo me forcë në këtë gjendje?

Politika amerikane penetroi dhe e dominoi me forcë situatën politike në Shqipëri, pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 2014.

Pikërisht në këtë vit filloi strukturimi juridik i Reformës në Drejtësi, e cila u kurorëzua juridikisht me kushtetutën e vitit 2016. Por gjithçka në këtë ndërmarrje historike u kurorëzua nga forca e politikës amerikane, dhe sidomos nga aksioni politik permanent i ambasadorit amerikan Donald Lu.

lV.

Politika amerikanë, pasi e konstatoi se nuk mund të kishte Shqipëri perëndimore e demokratike pa likuiduar korrupsionin Berisha , Basha Meta, filloi veprimtarinë e vet konkrete.

Po, si? Nga duhej të fillonte, dhe ku duhej të mbështetej?

Në këtë kohë në pushtet ishin socialistët. Socialistëve historia e re e Shqipërisë iu kishte mësuar se nuk mund të dilnin dot kundër politikës amerikane, se e kishin provuar një herë në vitet 1992-1995. Dhe u pa që ata u rreshtuan tërësisht pro politikës amerikane, pavarësisht nga ndonjë luhatje sporadike.

Gjithësesi duhet pranuar se socialistët e pranuan dhe e çuan deri në fund ristrukturimin jurudik antikorrupsion në Shqipëri, pavarsisht që nga reforma antikorrupsion do të cënoheshin dhe prekeshin edhe individë të lidershipit të saj.

Kurse, studimi adekuat i ekspertizës amerikane e kapi që, themeli ku mbahej korrupsioni shqiptar ishte pushteti gjyqësor. Ata e konceptuan realisht skemën e korrupsionit se si ai funksiononte në Shqipëri: një pushtet gjyqësor i korruptuar që vazhdimisht degradonte drejtësisinë dhe që krijonte mundësinë e vjedhjes së madhe të korrupsionit politik shtetëror. Ky pastaj grabiste vlerat shoqërore me anë të klientelizmit, uzurpimit të pronës dhe burimeve bujqësore e minerare në Shqipëri.

Të dy bashkë këta pushtete, pushteti gjyqësor dhe pushteti politik, krijuan në Shqipëri simbiozën më të shëmtuar historike të një korrupsioni.

Por pyetja që ngriti ekspertiza amerikane ishte kjo: nga duhej filluar lufta për likuidimin e këtij korrupsioni dyfish?

V.

Historia e gjatë e demokracisë në Perëndim ka treguar se një sistem demokratik mbahet si i drejtë dhe i barabartë vetëm nga një pushtet gjyqësor i pavarur. Në fakt demokracia nuk mund të funksionojë dot pa një pushtet gjyqësor të pavarur, sepse ajo degradon në demagogji dhe në një korrupsion të përbindshëm. Demagogjia në politikë dhe korrupsioni në shtet, janë dy ingredientët thelbësorë të korrupsionit shtetëror. Me demagogji bëhen zgjedhjet dhe “lufta politike”, kurse me korrupsion fitohen paratë me të cilat mbahet pushteti, blihen votat, ushqehet krimi i organizuar dhe garantohet nëpër bankat ofshore pasuria e pushtetarëve të korruptuar.

Pikërisht kjo ka ndodhur në Shqipëri në këta 20 vjetët e fundit, por këtë kapi edhe politika amerikane kur me forcë e detyroi politikën e korruptuar shqiptare të pranonte kushtetutën e vitit 2016, kushtetutë kjo e cila u bë kuidesenca e Reformës në Drejtësi.

Vl.

Tamam këtu nisi procesi antikorrupsion në Shqipëri, i cili, në funksion të kushtetutës së re, formuloi ligjet e reja të vetingut dhe filloi procesin gjyqësor antikorrupsion në drejtësinë shqiptare. Proces ky që deri tani, ka likuiduar për korrupsion 90% të Gjykatës Kushtetuese, 99% të Gjykatës së Lartë dhe rreth 40 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Por ndërkohë u formua më në fund edhe vetë SPAK- u, që është grupi institucional që do të gjykojë korrupsionin në politikën e lartë. Ky grup institucional është: Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Të tre këta institucione që do të gjykojnë taboret korruptive Meta, Berisha e gjithë të tjerët, do të sjellin në Shqipëri atmosferën e gëzuar të vendosjes së drejtësisë.

Po socialistët që kanë ndërkohë mazhorancën në Parlament, a do t’i qëndrojnë korrekt interesit kombëtar shqiptar dhe politikës amerikane?

Vll.

Në fakt, mu këtu fillon politika e re e Shqipërisë. Parlamenti shqiptar tani është pa opozitën e korruptuar të Partisë Demokratike, e cila, duke dashur të krijonte destabilizimin e Shqipërisë me një revolucion imagjinar, dogji mandatet e deputetit dhe doli në rrugë. Ishte nën mendimin e fshehtë se me një destabilizim të Shqipërisë do të shpëtonte nga ndëshkimi antikorrupsion, sepse e mendonte destabilizimin në Shqipëri edhe si interes antishqiptar të fqinjëve.

Opozita e dalë nga Parlamenti, filloi përplasjen e dhunshme, por pa forcë reale. E vijoi këtë gjullurdi primitive pa fare ide, derisa u kërcënua drejtpërsëdrejti nga politika amerikane dhe u tulat nga provat që kishte mbledhur FBI kundër saj. Tani ajo është në depresion politik, kurse Parlamenti vijon punën me zëvendësuesit kushtetues, të cilët janë në numur 90 % properëndimorë dhe po e çojnë përpara Reformën në Drejtësi, bashkë me mazhorancën socisliste.

Pikërisht kjo është arsyeja që tani, pas formimit të SPAK-ut, krimi i organizuar shqiptar dhe korrupsioni i lartë shtetëror janë në prag të likuidimit të tyre gjyqësor. Tani, madje pritet që, që në këtë muaj dhe në dy muajt në vijim, në gusht dhe në shtator, shqiptarët do ta shohin konkretisht luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror, ashtu sikurse po ndjekin luftën e nisur e në vijim kundër korrupsionit në pushtetin gjyqësor.

Është pikërisht koha kur do të fillojë të lindë realisht optimizmi shqiptar… Për këtë jam i sigurt.

Ngjela: Meta u nderua me një çmim fantazëm nga miku Saliut

Avokati Spartak Ngjela ka reaguar në lidhje me çmimin Luani i Artë në Venezia që presidenti Meta ka marrë ditën e shtunë. Ngjela cilëson se në fakt ky është një çmim fantazim që përveç Aleksander Vuçiç në 2018 e ka marrë dhe Meta në 2019. Pra një fondacion që të krijimin e saj ka ndarë vetëm 2 çmime. Ndërkohë që avokati Ngjela tha ky fondacion drejtohet nga miku i vjetër i Sali Berishës, pika e dobët e Ilir Metës.

Meta na paska marrë një çmim fantazmë. Vjet e ka marrë këtë çmim Aleksandër Vuçiç. E kuptoni ku jemi? Ky çmim që ka marrë emrin e Luanit të Artë të Venedikut, i cili jepet për filmin më të mirë, është regjistruar në vitin 2017 me të njëjtin emër, por si Luani i Artë për Paqe. Sigurisht që nuk ka lidhje me çmimin e filmit të cilit i ka përvetësuar emrin. Ky çmim që ka marrë Meta drejtohet nga Fondacioni Italian Foedeus që kryesohet nga Mario Baccini: pjesë e tij është edhe miku i vjetër i Sali Berishës Franco Fratini.  Nuk ka të dhëna nëse është ndarë në vitin 2017 ky çmim, por në vitin 2018 ky çmim i është ndarë Aleksandar Vuçiçit, por, në emër të tij, më 1 dhjetor 2018 e ka tërhequr ambasadori i Serbisë në Romë Goran Aleksiç. Fituesi i dytë i çmimit është Ilir Meta.”-shkruan Ngjela në Facebook.

Avokati gjithashtu nuk i la ironitë duke shtuar se ndoshta Metës do i hyjë në punë çmimi si lehtësim për gjykimin e tij në shkelje të kushtetues. “Po ku mund të pyesë drejtësia e re nga çmimet fantazmë! Meta do të shkojë drejt gjykimit për shkelje të kushtetutës, është mirë ta marrë me vete edhe medaljen e çmimit, se mund të ketë lehtësira…”

Përmes një postimi në Facebook presidenti Ilir Meta, ditën e shtunë, njoftoi se është nderuar me çmimin Luani i Artë në Venezia për kontributet e tij në demokraci. Një çmim që askush nuk e di se për çfarë nderohesh edhe po të kërkosh në google.

Ngjela: Meta po provokon ndërkombëtarët me psikologjinë e Çorovodës!

Acta non verba

Këtë kërkojnë shqiptarët nga politika amerikane – veprim dhe jo fjalë, kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Dhe po shihet që kjo po ndodh sot, kur shteti po goditet nga antishteti për të destabilizuar shoqërinë.

Korrupsioni i lartë e goditi shtetin, por tani ka humbur.

Ndërkombëtarët ishin më të fortë në luftën kundër agresionit antishtet të Partisë Demokratike. Korrupsioni Berisha dhe grupi i tij nuk arritën dot asgjë në planet e tyre për destabilizim. Por as politikën perëndimore nuk e lëkundën dot me agresivitetin e tyre dhunues.

“Nëse do të ushtroni dhunë rrugësh, ne do t’ju shpallim organizatë terroriste të terrorit ndërkombëtar”; i tha politika e lartë amerikane Lulzim Bashës. Dhe tërheqja e tij u pa të premten në datën 21 qershor.

Pas kësaj nuk mund të ketë më asgjë destabilizuese në Shqipëri, duan apo nuk duan inspiruesit e anarkizmit, në Shqipëri apo jashtë saj.

Shteti nuk mund të goditet më nga antishteti.

l.

Shteti i kërcënuar nga antishteti ndodh të jetë kështu për dy arsye nxitëse: e para – kur shteti kërkon të asgjesojë krimin e organizuar, kurse vetë krimi i organizuar kundërvepron e hidhet në sulm me krim për të shkaktuar pështjellim shoqëror; dhe, e dyta, kur marrëzia ka pushtuar një pjesë të politikës drejtuese të vendit.

Në Shqipëri duket se janë në veprim të dy këta kushte arsyetuesë. Njëri, kushti i parë, ka karakter terrorist; kurse tjetri, kushti i dytë, ka karakter psikik. I pari eshtë me natyre të theksuar kriminale dhe kërkon që të trembë ligjin apo politikën me akte terroriste; kurse i dyti, duke qenë psikik, ka të bëjë me shumë me gjendjen emocionale.

Me e përgjithshmja për këtë gjendje emocionale është frika nga ndëshkimi, sepse, kur grupet e korruptuara qeveritare me përkrahje në shoqëri, kërcënohen nga ligji, e humbasin qetësinë psikike dhe degradojnë në marrëzi. Por marrëzia e tyre, si rregull, vjen dhe transmetohet te përkrahësit e zjarrtë që kanë, të cilët ose janë të prirë ndaj një interesi abstrakt, ose janë bashkëpunëtorë me korrupsionin shtetëror, ose pastaj janë thjesht simpatizantë të pasionuar të forcës politike që aspiron për pushtet politik.

Kështu po ndodh edhe në Shqipëri.

ll.

Gjithsesi tani korrupsioni është krejt i pafuqishëm. Politika perëndimore e kërcënoi me prova, dhe e ka neutralizuar gjendjen.

Shpresën e fundit korruosioni e pati tek një dekret fantazëm i presidentit Ilir Meta. Por nuk krijoi dot gjë. Kohët e fantazmave juridike nuk kanë jetë në hapësirat perëndimore. Kurse ai dekret fantazëm po e çon Metën drejt shkarkimit, dhe po të mos tregohet pragmatik, mund ta drejtojë përkundrejt akuzës penale.

Në fakt, Meta duhet të largohet se e ka humbur ekuilibrin nga frika e antikorrupsionit. Edhe ky po lodhet kot. Provokon politikën amerikane, dhe provokon ambasadorët me psikologjinë e Çorovodës. Dhe ata qeshin me të, sepse ia dinë arsyen pse i bën: është i trembur.

Dhe koha po ecën drejt rrafshimit të korrupsionit shqiptar, i cili nuk ka shpresë.

Por gjithçka varet nga data 30 qershor. E cila nuk duhet të ndryshojë.

Suksesi i parë i madh i antikorrupsionit është zhvillimi i zgjedhjeve në 30 qershor. Në këtë ditë vdes përfundimisht njëri krah i korrupsionit shqiptar, shteti forcohet dhe në korrik fillon aktiviteti i SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Domethënë fillon seleksionimi i individëve që do të akuzohen nga SPAK dhe do të komfiskohen sipas ligjit të antimafies.

E tillë është situata, dhe kështu do të zhvillohet, në këtë rrugë.

Ngjela: Nëse do shpërndajë parlamentin, Metën e pret burgu përjetë

Avokati Spartak Ngjela e ka cilësuar si dënim me burg të përjetshëm nëse presidenti Meta vendos të shpërndajë parlamentin me kërkesën e tij, që i bëri KQZ për numrin e deputetëve.

 “Nëse do të shkarkohet le ta lërë me kaq, nëse do të dënohet me burgim të përjetshëm le të vazhdojë. Nuk ka asnjë pikë në kushtetutë të shpërndajë parlamentin, përveç dy rasteve. Nëse bën një dekret jashtë kompetencave quhet i pavlefshëm dhe nuk e shqyrton askush.” -u shpreh Ngjela për News 24

Për sa i përket nismës së PS për shkarkimin e presidentit, Ngjela tha se ky është një kalvar që zgjat për 3 muaj dhe përgjatë kësaj kohe, Meta do të qëndrojë president.

35 deputetë duhet të paraqesin kërkesën për shkarkim, parlamenti ia drejton komisionit te ligjeve i cili thërret Presidentin dhe e merr në pyetje, parlamenti mblidhet dhe thërret presidentin në dëgjesë më pas formulon një komision hetimor parlamentar, i cili zgjat deri në 3 muaj dhe thërret Presidentin sa herë të dojë. Komisioni i kthen raportin Kuvendit, i cili e voton me 94 vota. Më pas i shkon gjykatës kushtetuese për verifikim. Nuk ka njeri t’i rezistojë këtij kalvari. Niksoni dha dorëheqjen. Është tre muaj kalvar. Deri sa të vijë votimi në Parlament, Meta është President”- theksoi Ngjela.

Spartak Ngjela: Meta do të thellojë krizën, të shkarkohet e të…pijë birrë!

Avokat Spartak Ngjela ka reaguar pas firmosje së dekretimit të dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Sipas Ngjelës, lëvizja e Metës është për të thelluar më tej krizën politike, duke shpëtuar veten, berishën dhe bashën duke e çuar vendin në anarki. “Kjo është krizë anarkike. Ky është qëllimi i këtij presidenti, që duhet të rrëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Data 30 qershor ka këtë pyetje: me kë jeni, me shtetin apo më anarkinë. Ilir Meta, Berisha dhe Basha duan anarkinë, që të shkatërrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të shpëtojnë pronat, paratë e grabitura në mbi 20 vjet, si dhe t’i shpëtojnë ndëshkimit penal”, shkruan Ngjela.

Më tej, Spartak Ngjela ngre disa pyetje, të cilat i drejtohen presidentit. Sipas Ngjelës, a ka siguri Meta që palët do të ulen në tryezën e dialogut, apo në rastin tjetër, sikur palët të mos pajtohen kurrë. “Ja kriza që dëshiron të krijojë Ilir Meta duke anulluar ditën e zgjedhjeve, por pa caktuar një ditë tjetër.  Ky është shkatërrim i paramenduar i sistemit politik në Shqipëri. Ku e gjen Presidenti sigurinë se palët do të ulen për të gjetur një datë tjetër zgjedhjeje? Po sikur palët të mos pajtohen kurrë, çfarë ndodh? Nëse palët nuk ulen, dhe nuk do të ulen, nuk do të ketë kurrë më zgjedhje në Shqipëri?”, shkruan Ngjela.

Duke u shprehur se KQZ nuk duhet të pranojë një akt administrativ të pavlefshëm, Ngjela shkruan se tashmë Presidenti Ilir Meta duhet të shkarkohet, dhe të vendoset gjendja e jashtëzakonshme. “Duhet të fillojë urgjentisht me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pas kësaj ai nuk ka më forcë juridike. Le të presë Gjykatën Kushtetuese e të pijë birrë. Nuk ka rrugë tjetër.  Duhet parë edhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme është e vetmja kurë kundër anarkisë”, thotë ndër të tjera Spartak Ngjela.

Sulmi ndaj drejtësisë, Ngjela: Meta ka humbur arsyen nga frika e SPAK

“Ilir Meta ka humbur arsyen nga frika e SPAK”. Kështu i komenton avokati Spartak Ngjela kritikat e presidentit Ilir Meta drejtuar Euralius dhe Reformës në Drejtësi.  Sipas Ngjelës, Meta është i trembur nga reforma në drejtësi pasi ai do të ndëshkohet për aferat e kryera.

“Këta sa më shumë i afrohen goditjes penale që do t’ju vijë nga reforma në drejtësi, aq më shumë bëhet vrer zemra e tyre. Janë të shqetësuar. Problemi i të provuarit në jurisprudencë me dëshminë ka një aksiomë: i dëshpëruari, i tremburi dhe idioti nuk merren për dëshmitarë sepse nuk mund të dëshmojnë të vërtetën. Edhe këta tani futen tek ata dy të parët, të dëshpëruar dhe të trembur. Krijohet një lidhje, një koneksion midis të tremburit dhe të dëshpëruarit sepse frika të çon në dëshpërim, dëshpërimi çon në frikë dhe kjo pastaj të humb arsyen. Meta ka humbur arsyen sepse nuk mundesh ti të godasësh as OSBE, as Uashingtonin dhe as ndërkombëtarët në tërësi. Ata kanë marrë përsipër reformën në drejtësi, kë kap reforma në drejtësi nuk është përgjegjësia e tyre, por e atyre që nuk kanë ditur të drejtojnë, por janë korruptuar. Kështu që kot të merresh me ta”, është shprehur Ngjela për gazetën “Sot”.

Sipas Ngjelës, Ilir Meta ka harruar se është kryetar shteti dhe ka nisur të bëjë opozitë. “Ne duhet të shikojmë ecurinë e shpejtë të reformës në drejtësi sepse Meta flet mbi pozitën e kreut të shtetit prandaj gabon rëndë. Sepse ke edhe këta të tjerët nga ana tjetër, të gjithë kështu flasin, por këtyre nuk iu rëndon shumë sepse ata janë opozitarë. Të trembur janë të gjithë dhe Meta duket sikur po bën opozitë me demokracinë ndërkombëtare”, u shpreh Spartak Ngjela.

Dy ditë më parë, Presidenti Ilir Meta kritikoi reformën në drejtësi duke thënë se nuk është e suksesshme, ndërsa për misionin ndërkombëtar Euralius tha se merr urdhëra politikë.

Skip to toolbar