Ngjela: Reforma në Drejtësi u bllokua 2 vjet nga PD. Në shtator do kemi rezultate

AKTUALITET


Avokat Spartak Ngjela ka bërë të ditur se për 2 vite me rradhë Reforma në Drejtësi u bllokua nga PD, por falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe veçanërisht amerikanëve gjërat lëvizën dhe tani me ngritjen e SPAK dhe BKH-së në shtator pritet të ketë rezultate konkrete. Sipas Ngjelës reforma në drejtësi po ecën përpara dhe shumë shpejt do të japë rezultatet e para.

“Reforma në drejtësi ka qenë për dy vjet rresht e bllokuar. Reforma ka qenë dy vjet e bllokuar nga Partia Demokratike. PD e kapi marrëzia dhe doli nga Parlamenti për të bërë revolucion duke dështuar në planet e saj. Kjo pasi në Kuvend hynë deputetët normalë të një opozite konstruktive dhe të mençur dhe po bëjnë reformën. Reforma në Drejtësi tani është drejt fundit. Edhe “Poli i drejtësisë” u inaugurua, edhe ndërkombëtarët ishin atje. Kështu që, nisur nga këto nuk ka më dyshim që reforma në drejtësi po ecën përpara, pasi edhe Parlamentin e ka marrë Reforma në Drejtësi”, deklaroi Ngjela për gazetën Sot.


Avokat Spartak Ngjela paralajmëroi më tej se të gjithë të korruptuarit do të dalin para drejtësisë, ndërsa theksoi se lufta kundër korrupsionit sapo ka nisur. Sipas tij, politikanët e korruptuar nuk do të livadhisin dot më, pasi SPAK do të prekë të gjithë krahët. “Kushdo që ka ardhur me sandale dhe ka bërë pallate duke iu futur dorën në xhep shqiptarëve do të dalin para drejtësisë. Reforma në Drejtësi ka filluar me luftën ndaj të korruptuarve, ku të parët që kanë rënë në rrjetën e saj janë njerëzit e drejtësisë. Në gjykatë dhe në prokurori Reforma në Drejtësi ditët për ditë eksludon të korruptuarit, duke i flakur nga sistemi. Kështu që, ka filluar reforma në drejtësi që të japë efekte e saj. Tani lind pyetja se a do të fillojë apo jo në politikë? Për këtë kategori e ka në dorë SPAK dhe BKH, që të dy këto institucione janë drejt formulimit, pastaj keni për të parë se që të gjithë këta që janë bërë milionerë me paratë e popullit do të kalojnë në dorë të SPAK dhe BKH. Patjetër! Nuk mund t’i lëmë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar që të livadhisin. O do të mbretërojnë të korruptuarit ose do të fitojë populli”, u shpreh Ngjela.

Duke i bërë një analizë historisë 3 vjeçare të Reformës në Drejtësi, avokat Spartak Ngjela shprehu bindjen se pa ndihmën e Shteteve të Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimit Europian, kjo reformë nuk mund të ecte përpara. “Neve vetëm nuk e bënin dot Reformën në Drejtësi, pasi të gjithë të korruptuarit ishin bashkë të gjithë. Por falë ndërhyrjes së politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj europiane, pra të Bashkimit Europian reforma po shkon drejt përfundimit. Kështu që, Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm pasi do të çlirohet nga të korruptuarit. Korrupsioni në Shqipëri është një “zgjedhë” e plotë. Por duke parë zhvillimet e fundit di të them se jam shumë optimist që Reforma në Drejtësi do të jetë e suksesshme. Besoj se në shtator do të kemi përplasjen e Reformës në Drejtësi me korrupsionin e lartë shtetëror”, nënvizoi avokat Spartak Ngjela për gazetën “Sot”.




Skip to toolbar