A do të reagojë NATO nëse Irani sulmon Shqipërinë?

Kërcënimet që Shqipërisë iu bënë nga lideri supreme i Iranit, bëri që Rama të fliste në shqip nga selia e OSBE në Vjenë duke thënë se “një sulm ndaj Shqipërisë është një sulm ndaj NATO-s”. Në aleancën e NATO-s ekziston artikulli 5 ku thuhet se çdo sulm ndaj një shteti anëtar i kësaj aleance do të aktivizojë në luftë dhe veprim të gjithë NATO për mbrojtjen e tij. Por a do të aktivizohet vërtet NATO nëse ka një sulm ndaj Shqipërisë nga Irani? Kjo ka qenë dhe fokusi i diskutimit në emisionin “Real Story”, ku për ekspertin për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, Adrian Shtuni kjo është paska e komplikuar për shkak të natyrës së sulmit që mund të bëhet. Kjo pasi Irani nuk do të zgjedh të bëj një sulm frontal dhe të qartë, por do të jenë asimetrik përmes celulave të saj në vende të ndryshme në mënyrë që të krijojë destabilitet dhe në këtë rast do të jetë mjaft e vështirë të vërtetohet se pas këtyre sulmeve qëndrojnë pikërisht kërcënimet dhe regjimi iranian.

“Aleancat kanë kosto dhe askush në Shqipëri të mos mendojë që nuk ka kosto për të paguar. Bota nuk është lineare. Unë do të isha i habitur nëse nuk do të kishte hakmarrje nga ana e Iranit, që do të jenë të tipit asimetrik dhe nuk besoj që do jenë goditje frontale. Artikulli 5 në NATO hyn në fuqi nëse ka luftë frontale, atëherë NATO vepron. Por Irani vepron përmes celulave që veprojnë në vende të ndryshme dhe ka për të qenë tepër e vështirë që të aktivizohet ky artikull, vetëm nëse ka të dhëna shumë të sakta që Irani ka vepruar personalisht” tha Shtuni në Real Story.

Ndërsa për analistin Fatos Lubonja, Shqipëria as që hyn në hartën strategjike të botës dhe se nuk pret të ketë një hakmarrje nga Irani. Lubonja tha se problem për Amerikën mbetet klima në Lindjen e Mesme.

“Iranit nuk i mjafton një goditje e Shqipërisë për të bërë atë hakmarrjen. Është tjetërkund armiku. Nuk mendoj se do zgjedhin Shqipërinë se nuk quhet. Gjithsesi nuk besoj se një hakmarrje do ishte këtu. Problemi që shtrohet është klima që krijohet për Amerikën në Lindjen e Mesme. Me këtë vrasje të Soleimanit ku u vra dhe një ushtarak irakian, vetë Iraku që në një farë mënyre u çlirua i thotë largo trupat Amerikës” tha Lubonja.

BE kundër sulmeve të Turqisë: Je aleati ynë, por po gabon

Operacionet ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve po i hapin rrugë ri-ngritjes së ISIS. Ky është një shqetësim serioz për Europën” kështu është shprehur zyrtarja e lartë e BE, Federica Mogherini gjatë një konference për mediat. Mogherini tha se situata është tejet komplekse dhe për këtë edhe zgjidhja është e vështirë për tu arritur.  

Kishim një vendosmëri unanime, secili vend kontribuoi në mënyrë aktive dhe kishte konsensus nga 28 vendet anëtare për masa kufizuese. ISIS nuk është mundur plotësisht. Gjithmonë kemi paralajmëruar veten tonë dhe koalicionin global për rrezikun nga ISIS. Ky operacion ushtarak po i hap rrugë shtetit islamik për të ri-ngritur territore. Ka një shqetësim serioz për Evropën. Situata nuk është e thjeshtë, por e shtresëzuar. Kompleksiteti i situatës e bën të vështirë zgjidhjen. Ata që për Turqinë janë terroristë për ne nuk janë por kjo nuk do të thotë se nuk mund të biem dakord për shumë gjëra”.- tha Mogherini

Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme në BE, Mogherini tha se Turqia është aleat i BE-së, vend i NATO-s, por në këtë rast janë duke bërë gjënë e gabuar. Mogherini tha se BE dënon operacionet ushtarake të Turqisë në Siri dhe kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më parë.

Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’ia bëjmë të qartë Turqisë  se ne e konsiderojmë atë shtet aleat dhe për t’i thënë se po bën gjënë e gabuar në këtë rast. Autoritetet turke duhet të marrin parasysh këshillin e partnerëve se të gjithë aleatët janë duke i kërkuar t’i japin fund konfliktit ushtarak. BE do të veprojë në unision për të mos pasur konflikt më të zgjeruar. Ka një ndërhyrje nga ana e BE për operacionet e Turqisë, ka mbështetje të fortë për procesin e ndërmjetësuar nga OKB.  Ka një dënim nga BE për operacionet ushtarake të Turqisë në Siri. Kemi një angazhim sa i përket krizës humanitare dhe të refugjatëve për njerëzit në nevojë.” tha Mogherini

Turqia nisi një sulm, fillimisht ajror dhe më pas me forca tokësore, për të luftuar popullsinë kurde në verilindje të Sirisë. Shtetet e Bashkuara tërhoqën të gjitha trupat e mbetura në Sirinë veriore, për të mos u përfshirë në luftimet e nisura nga Turqia. Kurdët kanë qenë aleati i SHBA-së për një kohë të gjatë dhe sulmet turke ndaj tyre nuk janë përkrahur nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga BE.

Fact Checking/ Metamorfoza e Metës, në 2 muaj 20 sulme ndaj ndërkombëtarëve

Kushdo që e dëgjon tani presidentin Meta i duket shumë larg figurës së tij të dikurshme kur sa herë që dilte në media thoshte sloganin e famshëm “me qetësi e dashuri”. Nga një kryetar Kuvendi që të paktën në media kishte krijuar imazhin e një politikani të qetë dhe kontribuues, në rolin e presidentit Meta ka pësuar një metamorfozë. Përveçse ka marrë rolin e drejtuesit të opozitës, gjë që faktoi me mesazhin e së enjtes përmes të cilit shigjetonte hapur Bashën, Meta ka dalë hapur dhe ka sulmuar ndërkombëtarët në të paktën 20 raste.

Realstory ka bërë një verifikim për të gjitha sulmet e tij ndaj BE dhe SHBA, ku rezulton se brenda një kohe prej gati dy muajsh, Meta ka bërë 20 deklarata të forta ndaj faktorit ndërkombëtar por edhe misioneve ONM dhe EURALIUS për Reformën në Drejtësi.

Sulmet e para ai i filloi më 18 qershor, tetë ditë pas nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, në një konferencë për shtyp, ku doli kundër OSBE dhe ndërkombëtarëve, të cilët kërkuan respektimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve kohore duke treguar se njohin 30 qershorin dhe jo dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve. Me një ton të ashpër, Meta  i quajti ato ngatërrestarë dhe tha se është ai përgjegjësi për stabilitetin e vendit. “ Kush ka dëshirë të kontribuojë me ngatërresa, jemi lodhur me disa prej tyre. “ u shpreh Meta.  Por këto sulme nuk u ndalën këtu, por vijuan të shtoheshin dhe ashpërsoheshin akuzat ndaj tyre. Më 24 qershor Meta e cilësoi kuintin e ambasadorëve si një “fondacion ndërkombëtarësh” pasi ato nuk njohën dekretin e tij dhe janë përgjegjës për krizën në vend. Një ditë më pas më 25 qershor gjatë një konference për shtyp Meta i sulmoi ata sërish për mosnjohjen e dekretin e tij për anulimin e 30 qershorit duke u treguar se ai nuk kishte anuluar zgjedhjet as në Itali dhe as në SHBA, por në Shqipëri, ku ishte president vetë dhe vendoste po vetë.” Në Shqipëri i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës. Unë nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë.”

Por sulmet nuk ndalën këtu, më 26 qershor,  me një ton të ashpër gjatë takimit që zhvilloi me Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, kreu i shtetit i cilësoi ndërkombëtarët përgjegjës nëse do të ketë konflikt në vend. “Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane e njëkohësisht të gjithë aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”, shprehej Meta. Një ditë pas dekretimit të zgjedhjeve të reja më 13 tetor, më 28 qershor Meta nuk e uli sulmin e tij, por këtë herë zgjodhi të flasë përmes ish-vartësit të tij, Ylli Manjani me një ripostim të statusit të tij në Facebook, i cili deklaron se të vetmit që përfitojnë dhe kënaqen nga dhuna janë “ndërkombëtarët të cilët “fërkojnë barkun.” por që në “në fakt duhet të kenë turp””. Një ditë pas 30 qershorit, ku Meta u fut në histori si presidenti i parë që nuk voton, më 1 korrik ai sërish zgjodhi të sulmonte dhe fliste përmes Manjanit me ripostimin e statusit të tij në Facebook ku shkruante “Shumë faleminderit ambasadës se USA për deklaratën mbi votimet një partiake. Si gjithmonë edhe këtë herë, nuk ngurroi t’ja fuste kot! “

Meta zgjodhi të fliste me 2 korrik në konferencën e tij të famshme ku sulmet përfshinë këdo, veçanërisht të huajt, deklarata të cilat për shumicën u cilësuan si “të çmendura”. Meta bëri disa akuza dhe deklaratat të paarsyeshme, madje duke shpallur edhe zgjedhje presidenciale në një Republikë parlamentare. Meta akuzoi ndërkombëtarët se po punojnë për interesat e Ramës madje duke i akuzuar edhe për “Deep State” që synon një “total state capture” (kapje të plotë të shtetit) në Shqipëri. “I kam bërë të qartë zotit Basha, Kryemadhit dhe mikut tim doktorit të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd, që punon sipas parimeve të Deep State që synon kapjen e shtetit. PPPd do të thotë, Politikanët, Propaganda, Policia (Rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar sipërmarrës, gazetarë, opozitarë, qytetarë) dhe d e vogël diplomatë që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”, deklaroi Meta. Në këto akuza ai nuk kurseu as miliarderin George Soros, të cilin e akuzoi për “Deep State” duke i thënë se “Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit, Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi”.

Më 3 korrik zgjodhi të sulmojë reformën në drejtësi, jo pak po 5 herë brenda 12 orëve. Filloi me një sulm mëngjesin e 3 korrikut përmes një postimi në Facebook dhe më pas përfundoi me letrën drejtuar Naureda Llagamit, kryetaret të këshillit të lartë gjyqësor. Si në postimet e tij në Facebook ashtu edhe në letrën zyrtare drejtuar KLGJ-së, Meta sulmon ashpër EURALIUS, ndërkombëtarët e misionit të BE, që janë marrë posaçërisht me hartimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ku sipas presidentit zgjidhjet provizore të propozuara nga misioni ndërkombëtar i BE-së janë në shkelje të Kushtetutës. “Për sa i takon pjesës së opinionit të “EURALIUS V” (që rekomandon një skemë delegimi të gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë deri në emërimin e anëtarëve të përhershëm të saj) presidenti vëren se ky propozim cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës” – thuhet në deklaratat e tij të shumta atë ditë duke e cilësuar Reformën në Drejtësi si “Ramaformë”.  Sigurisht që po atë ditë nuk i munguat sulmit as ambasadori i BE-së, Luigi Soreca duke e akuzuar se ai ishte ai “realisht për nxitjen e dialogut mes palëve?” dhe shefja e ONM, Genoveva Calavera për Reformën në Drejtësi. Më 5 korrik sërish duke e sulmuar Calaverën dhe ndërkombëtarët Meta tha se nuk i trembët SPAK dhe Reformës në Drejtësi duke treguar se sapo kaloi Spaçin. Mospranimi i zgjedhjeve të reja më 13 tetor si nga ndërkombëtarët dhe vetë aktorët politik të skenës shqiptare, duket se nuk e lanë presidentin të pushonte i qetë. Më 8 korrik ai lajmëroi një tjetër konferencë, që sa vijnë e bëhen më të shpeshta, sërish duke sulmuar aleatët e Shqipërisë dhe akuzuar ato për njëanshmëri në lidhje me zgjedhjet. “Presidenti i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit .”

Ditën e 16 korrikut, Presidenti Meta e nisi sërish me një status në Facebook duke sulmuar Reformën në drejtësi apo “Ramaformën” nuk kurseu aspak sulmet e ashpra për përfaqësuesit e misioneve OPDAT, USAID, ONM dhe EURALIUS se nuk i kishin ardhur presidentit në dy takime në 2017 dhe 2018 për mbledhjen e KED dhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. “Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit.” – shkruan Meta. Gjatë një vizite në Xhafzotaj të Shijakut, vetëm dy ditë më pas, më 18 korrik,Meta sulmoi sërish ndërkombëtarët duke përdorur shprehjen se ato mund të “bëjnë edhe gomarin të fluturojë”, por kjo nuk ndodh në Shqipëri.  “Le të thotë kush të dojë e çfarë të dojë, çdo shqiptar e çdo ndërkombëtar se gomari fluturon! Ne mund t’i themi se kjo mund të ndodhë në art, mund të ndodhë në ëndërr e mund të ndodhë në piktura, por ne e dimë që gomari, të paktën këtu në Shqipëri nuk është shqiponjë që të fluturojë!”

Edhe pse u duk sikur ra për disa ditë në qetësi dhe shkoi me pushime në Gjirin e Lalzit ku nuk mungonin dhe foto e tij me rroba banjo duke përshëndetur qytetarët, Presidenti Meta u shfaq sërish me sulmet e tij pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar. Më 24 korrik, nga dera e Gjykatës Kushtetuese, në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit foli për““rilindës lokalë” dhe ‘rilindës ndërkombëtarë” që e lanë vendin pa Gjykatë Kushtetuese duke shtuar do të marrë fund njëherë e mirë sundimi i oligarkëve. “Më 30 korrik, presidenti doli në një konferencë për shtyp, që u dukë sikur do të ishte e fundit me nisjen e pushimeve për institucionet dhe administratën, por nuk ishte kështu. Meta tha se do të vijonte konferencat për të bindur palët që 13 tetori është data e zgjidhjes së krizës në vend. Ndërsa nuk harroi të përmendte edhe ndërkombëtarët duke thënë se ato janë bërë palë me Ramën për të krijuar “Ramaformën”. “Siç ka shqiptarë të ndryshëm ka dhe ndërkombëtar të ndryshëm”, ndërsa tha se për integrimin e vendit nuk keni pse pyesni “ndërkombëtarët pasi ato janë me një “mandat të limituar”, por të pyesin atë vetë, pasi është marrë me këtë proces gjatë gjithë karrierës së tij politike.”

Katër ditë më pas, më 3 gusht Presidenti Meta ka shtuar dozën e sulmit kundër SHBA-së duke akuzuar zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Mathew Palmer për “njëanshmëri” “Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike”. Më 5 gusht duket se shënohet edhe sulmi i fundit i Metës ndaj ndërkombëtarëve me dekretimin e dy ligjeve njëri prej të cilëve “ndryshimet për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” edhe pse Meta i vlerësoi ndryshimet nuk hezitoi të akuzonte EURALIUS se “për shkak të nxitimit të tyre dhe mosgjykimit në mënyrë të thelluar nuk e hartuan në mënyrën e duhur ligjit që në fillim.”

Sulmet e presidentit Meta gjatë gjithë kësaj kohë kanë qenë të paprecedentë, të forta dhe të ashpra, por duket se ditët e fundit po fokusohet në një tjetër rol, atë të drejtimit të opozitës duke lënë në hije dhe mënjanuar Bashën. /RealStory.al

Calavera: Vetingu po trondit themelet e korrupsionit

Vetingu i ka dhënë një mesazh të fortë të gjithë personave që kanë abuzuar me pushtetin dhe akuzat që i bëhen këtij procesi rivlerësimi, por edhe Reformës në Drejtësi, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ONM, Genoveva Ruiz Calavera e ka cilësuar si tronditje të themeleve të sistemit të korrupsionit. Gjatë një interviste me shkrim për Zërin e Amerikës, Calavera tha se sulmet ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë por edhe reformës në drejtësi janë domethënëse për ONM, pasi kjo tregon se procesi po ecën me ritmet e duhura.

 “Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethënëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. “ tha Calavera, deklaratë që të lë të mendosh se i referohet sulmeve që Presidenti Meta ka bërë vazhdimisht ndaj Reformës në Drejtësi por edhe vetë ONM se ka kontribuar në krijimin e asaj që kreu i shtetit e quan “Ramaformë”.

Në lidhje me akuzat se ka pasur ndërhyrje politike në procesin e vetingut, Calavera e mohoi këtë fakt duke theksuar se janë marrë masa serioze që të sigurohet pavarësia e vetingut dhe në asnjë mënyrë të mos përfshihet niveli politik në to.“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”– pohon shefja e ONM.

Calavera konfirmoi se ndërkombëtarët janë të interesuar të shohin sa më parë rezultate konkrete të reformën në drejtësi dhe realizmin e shteti të së drejtës.

Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit. Angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Calavera.

Deklaratë që në fakt, Calavera e ka bërë edhe kohë më parë duke iu përgjigjur akuzave të presidentit Meta por edhe opozitës jashtëparlamentare se BE dëshiron të shoh ligje që zbatohen, pra të shoh njerëz në burg.  

Skip to toolbar