A do të reagojë NATO nëse Irani sulmon Shqipërinë?

POLITIKË


Kërcënimet që Shqipërisë iu bënë nga lideri supreme i Iranit, bëri që Rama të fliste në shqip nga selia e OSBE në Vjenë duke thënë se “një sulm ndaj Shqipërisë është një sulm ndaj NATO-s”. Në aleancën e NATO-s ekziston artikulli 5 ku thuhet se çdo sulm ndaj një shteti anëtar i kësaj aleance do të aktivizojë në luftë dhe veprim të gjithë NATO për mbrojtjen e tij. Por a do të aktivizohet vërtet NATO nëse ka një sulm ndaj Shqipërisë nga Irani? Kjo ka qenë dhe fokusi i diskutimit në emisionin “Real Story”, ku për ekspertin për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë, Adrian Shtuni kjo është paska e komplikuar për shkak të natyrës së sulmit që mund të bëhet. Kjo pasi Irani nuk do të zgjedh të bëj një sulm frontal dhe të qartë, por do të jenë asimetrik përmes celulave të saj në vende të ndryshme në mënyrë që të krijojë destabilitet dhe në këtë rast do të jetë mjaft e vështirë të vërtetohet se pas këtyre sulmeve qëndrojnë pikërisht kërcënimet dhe regjimi iranian.

“Aleancat kanë kosto dhe askush në Shqipëri të mos mendojë që nuk ka kosto për të paguar. Bota nuk është lineare. Unë do të isha i habitur nëse nuk do të kishte hakmarrje nga ana e Iranit, që do të jenë të tipit asimetrik dhe nuk besoj që do jenë goditje frontale. Artikulli 5 në NATO hyn në fuqi nëse ka luftë frontale, atëherë NATO vepron. Por Irani vepron përmes celulave që veprojnë në vende të ndryshme dhe ka për të qenë tepër e vështirë që të aktivizohet ky artikull, vetëm nëse ka të dhëna shumë të sakta që Irani ka vepruar personalisht” tha Shtuni në Real Story.


Ndërsa për analistin Fatos Lubonja, Shqipëria as që hyn në hartën strategjike të botës dhe se nuk pret të ketë një hakmarrje nga Irani. Lubonja tha se problem për Amerikën mbetet klima në Lindjen e Mesme.

“Iranit nuk i mjafton një goditje e Shqipërisë për të bërë atë hakmarrjen. Është tjetërkund armiku. Nuk mendoj se do zgjedhin Shqipërinë se nuk quhet. Gjithsesi nuk besoj se një hakmarrje do ishte këtu. Problemi që shtrohet është klima që krijohet për Amerikën në Lindjen e Mesme. Me këtë vrasje të Soleimanit ku u vra dhe një ushtarak irakian, vetë Iraku që në një farë mënyre u çlirua i thotë largo trupat Amerikës” tha Lubonja.




Skip to toolbar