Rusia sulmon Bushatin pas deklaratës në Real Story

Ambasada e Rusisë në Tiranë reagoi pas deklaratave të deputetit socialist në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, ku foli për rezolutën kundër ndërhyrjeve të huaja në Shqipëri, që po përgatitet për miratim në Kuvend. Bushati u shpreh në Real Story se “Shqipëria nuk është imune ndaj virusit rus”. Ambasada Ruse e sulmon ashpër deputetin socialist, duke e cilësuar analfabet, madje i rekomandon atij të lexojë një studim për sigurinë e informacionit, botuar në Rusi.

“Pasi kemi dëgjuar argumentet e autorit të rezolutës, z. Ervin Bushati për një farë virusi, me anë të të cilit rusët mund të “infektojnë” gjithë kompjuterët në rajonin e Ballkanit, u bindëm për analfabetizmin kompjuterik të krijuesve të kësaj “vepre”. Me këmbëngulje u rekomadojmë të lexojnë librin “Siguria Ndërkombëtare e Informacionit” të sapobotuar në Rusi të një prej specialistëve më të mëdhenj të MPJ-së ruse në këtë fushë”, shkruhet në deklaratë.

Por, sulmet e Ambsadës së Rusisë në Tiranë nuk janë vetëm ndaj Bushatit, por edhe ndaj aleatit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkura të Amerikës. Sipas ambasadës ruse në Tiranë, sa herë që Rusia është akuzuar  për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, sipas saj, nuk ka pasur fakte konkrete. Ajo shkruan se autoritetet shqiptare po trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” e brendshme, ndërsa akuzon se e “gjitha kjo po ndodh nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

 “Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg. Është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh dukshëm nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve (ah po, kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme)”, shkruhet gjithashtu në deklaratën e Ambasadës së Rusisë në Tiranë.

Ariu sulmon një person në Kukës. Niset helikopteri për ta shpëtuar

Një person është sulmuar nga ariu në fshatin Nangë, në vendin e quajtur Sasat në bjeshkët e Gjallicës.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se personi ka marrë plagë të shumta në kokë dhe në trup, të cilat i kanë shkaktuar hemorragji.

Personi ndodhet në një terren të vështirë malor, teksa ka lajmëruar sallën e mergjencave për të dërguar një helikopter që t`i vijë në ndihmë.

Helikopteri është nisur nga baza ajrore e Farkës, ndërkohë që personi i sulmuar nga ari ka ndezur një zjarr për të sinjalizuar vendndodhjen e tij në mal.

Për shkak të terrenit të thyer malor, është e pamundur ndërhyrja me automjete, raporton Report Tv.

Vijon…

Meta nuk u ndahet ndërkombëtarëve: Po mbajnë Shqipërinë në ngërç

Në 1 orë e 30 minuta konferencë për mediat, Ilir Meta, pas një periudhe të gjatë heshtje, ka sulmuar përsëri ashpër ndërkombëtarët. Meta bëri përgjegjës, për atë që ai e quan ‘antagonizëm’, pikërisht faktorin ndërkombëtar. Sipas Ilir Metës, Rama dhe Basha janë nxitur në ‘mungesën e përgjegjësisë’ nga ndërkombëtarët, që sipas Presidentit, arsyeja e këtij polarizimi është për të ‘mbajtur Shqipërinë në situatë ngërçi.  

“Kjo ka qenë një situatë artificiale, e kam thënë, shqiptarët nuk e kanë merituar, se ky polarizim nuk jeton poshtë në shoqëri, në lagje, komunitete, fshatra, ky është një antagonizëm nga lart, por duket dhe si antagonizëm i orkestruar nga jashtë për të mbajtur Shqipërinë në një situatë ngërçi, dhe jo për të pasur ato kredenciale si një vend i NATO-së që duhej të kishte hapur negociatat, dhe që njerëzit nuk duhet të ikin me vrap nga vendi. Nëse reflektojnë tani është gjë e madhe, ja kam kërkuar prej kohësh. Ka qenë e pamundur deri tani për shkak të pavullnetit të tyre. U kam dhënë një rrugë për të ecur në rrugën e kthimit të vendit në shinat e kushtetutës”, tha Meta.

Pra, Meta ‘shkarkon’ përgjegjësinë e tij për thellimin e krizës me ‘dekret’, dhe vë ‘nën akuzë’ ndërkombëtarët, si shkaktarët e krizës politike në vend. Në fakt, ndërkombëtarët, të paktën vendet aleate, gjatë gjithë kohës, jo vetëm që nuk kanë nxitur ‘polarizimin’ dhe ‘antagonizmin’, siç presidenti pretendon, por kanë bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim. Janë lehtësisht të verifikueshme deklaratat e vendeve partnere, që nga nisja e krizës e deri më sot, që u kanë kërkuar palëve politike të ulen në dialog, të bashkëpunojnë për reformat kryesore në vend dhe të punojnë për qëllimin madhor të Shqipërisë, hapjen e negociatave me BE.

Por sulmet nuk u ndalën me kaq. Ai ka shigjetuar Reformën në Drejtësi. Gjatë deklaratës së tij, Meta përmendi rastet e bashkëpunimit të Shqipërisë me Komisionin e Venecias, duke sjellë shembulli për hartimin e Kushtetutës së vitit 1998. Lidhur me këtë dokument themeltar të funksionimit të shtetit, Meta u shpreh se ka qenë një nga kushtetutat më të mira të vendit.

 “Jam këtu për të dhënë përgjigje përtej objektit të punës së Komisionit të Venecias. Për komisionin e Venecias unë kam respektin më të madh. Nuk janë diplomatë që flasin pa përgjegjësi se do ikin nesër dhe do vazhdojnë punën e tyre. Ata janë një referencë edhe për vendet e tjera. Ndaj ka bërë shumë mirë Kuvendi që e ka ftuar. Në vitin 1998 kushtetutën e bëmë me Komisionin e Venecias. Ajo u votua. Pastaj u ndryshua brenda natës dhe nuk u pyet as Venecia as qytetarët, e duartrokitën disa ambasadorë”, tha Meta.

Më tej, kreu i shtetit vijoi sulmin ndaj Reformës në Drejtësi, madje duke lënë të kuptohet se shkaku pse vendi është në krizë politike, është pikërisht moszbatimi i kësaj reforme. “Kjo situatë është edhe shprehje e një krize kushtetuese institucionale të vendit. Një nga arsyet pse jemi këtu është se janë shkelur rekomandimet e Venecias për Prokurorinë e Përgjithëm dhe për Gjykatën Kushtetuese. Prandaj duhet t’i kishim dëgjuar ata”, tha Meta. /Relastory.al/

E kritikuan për qëndrimet në samitin e G-7, Trump sulmon mediat amerikane

Presidenti Donald Trump shprehu zemërim ndaj mediave kryesore amerikane për mënyrën se si e mbuluan pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7s në Francë. Ai mbrojti gjithashtu preferencën e tij që samiti i vitit të ardhshëm të mbahet në njërin nga vendpushimet e tij private në shtetin Florida.

Një pjesë e mirë e mbulimit mediatik të presidentit amerikan në samitin e Francës, i cili përfundoi të hënën, nuk e paraqiti Presidentin Trump në dritë pozitive, duke e vënë theksin tek keqkuptimet, tek ato që disa i quajtën gafa apo te mungesa e bashkëpunimit me udhëheqësit e tjerë botërorë për çështje të tilla kritike si mjedisi.

“Është për të ardhur keq që i tërë spektakli i G-7s tregoi se ishte pjesë e një normaleje të re, ku demokracitë më të mëdha liberale të botës pranojnë që nuk janë në sinkron me presidentin e vendit, i cili duhet të udhëheqë përpjekjet e tyre për të menaxhuar botën dhe burimet e saj me mençuri dhe përgjegjësi, por që në fakt nuk vepron ashtu,” thuhej në editorialin e bordit të gazetës New York Times, e cila vjen çdo mëngjes në tryezën e Presidentit Trump.

Redaktori i rubrikës për kontrollin e fakteve në gazetën Washington Post, Glenn Kessler shkruante se gjatë konferencës së gjatë për shtyp të presidentit në mbyllje të G-7s, Presidenti Trump “bëri shumë deklarata false, mashtruese ose të pasakta për një sërë çështjesh.”

Zoti Trump, i cili i ka kritikuar në mënyrë të përsëritur të dyja gazetat kryesore për mbulimin që i bëjnë atij, deklaroi të martën në mëngjes në Twitter se “G-7a ishte një sukses i madh për SHBA dhe për të gjithë. Mbulimi nga ana e Medias së Çalë nuk kishte asnjë lidhje me atë që ndodhi në të vërtetë në Francë – FAKE NEWS. Ishte e mrekullueshme!.”

Ish nënpresidenti Joe Biden, një nga kandidatët kryesorë të Partisë Demokrate, i cili sfidon zotin Trump në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, publikoi një deklaratë që e karakterizon performancën e presidentit në G-7 si “një tjetër dëshmi se si politika e jashtme katastrofale e Presidentit Trump i ka lënë Shtetet e Bashkuara në izolim, ndërsa bota lëviz pa ne”.

Zoti Biden shtonte se “Nuk ka metaforë më tipike që tregon se si kjo administratë ka hequr dorë nga udhëheqja globale amerikane sesa karrigia bosh në takimin e G-7s për klimën. Kur bëhet fjalë për të zgjidhur krizën ekzistenciale të kohës sonë, Trump largohet nga tryeza në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.”

President Trump po përballet gjithashtu me kritika për thirrjen që Rusia të pranohet në samitin e udhëheqësve pa parakushte.

“Asnjë anëtar tjetër i grupit nuk ka propozuar që Rusia të kthehet në G-7, siç propozoi ai, por që ata rezistuan. Me këtë, zoti Trump theksoi statusin e tij të izoluar”, shkruante Michael D’Antonio, autor i librit “E vërteta për Trump”, në një opinion të botuar në faqen e internetit të rrjetit CNN, një entitet tjetër mediatik që Presidenti Trump e ka etiketuar shpesh si “lajme të rreme”.

Katër senatorë të Partisë Demokrate i dërguan të martën zotit Trump një letër ku shprehin kundërshtimin e tyre të fortë që presidenti rus Vladimir Putin të ulet së bashku me drejtuesit e grupit të demokracive të industrializuara.

“Të ripranosh Rusinë e Putinit në G-7 do të ishte në kundërshtim me vlerat tona dhe një mohim i qartë i përgjegjësive të Shteteve të Bashkuara si demokracia kryesore në botë,” përfundon letra e nënshkruar nga senatorët Jack Reed, Charles Schumer, Robert Menendez dhe Mark Warner.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën në Biarritz se samiti i G-7s i vitit të ardhshëm, me mikpritës Shtetet e Bashkuara, mund të mbahet në vendpushimin e tij privat në Doral të Floridës.

Presidenti vuri në dukje, mes të tjerash, afërsinë e vendpushimit nga aeroporti ndërkombëtar i Majemit dhe sallat apo parkimet e tij të bollshme.

Walter Shaub, ish drejtor i Zyrës Qeveritare për Etikën, tha se presidenti, duke sugjeruar që takimi të mbahet në pronën e tij “ngre mundësinë shumë reale që procesi i prokurimit të preket nga ndikimi korruptiv”.

Kongresmeni republikan Rick Santorum e quajti “të papërshtatshëm” reklamimin nga presidenti të një prej pronave të tij private. Zoti Trump “nuk i bën vetes asgjë të mirë me gjëra të tilla,” tha zoti Santorum në CNN. “Ju lutem zoti President. Ndalni. Ju lutem.”

Raportimet që pasuan në lidhje me vendpushimin si një vend i mundshëm për mbajtjen e samitit, vinin në dukje një shkrim të janarit 2017 në gazetën Miami Herald lidhur me me një marrëveshje për zgjidhje ligjore mes vendpushimit të golfit të quajtur Trump National Doral Miami dhe një udhëtari biznesi që e kishte paditur vendpushimin, me pretendimin se tartabiqet i kishin gllabëruar pjesën e sipërme të trupit gjatë qëndrimit në rezort.

Zoti Trump u përgjigj të martën në Twitter:

“Në Doral nuk ka asnjë tartabiq. Demokratët e së Majtës Radikale, kur dëgjuan se Doral National Miami, i cili ndodhet në vendin e përkryer (për G-7n e radhës) ishte duke u shqyrtuar si mundësi për G-7n e ardhshme, përhapën atë thashethem të rremë dhe të ulët. Jo mirë!”/VOA/

Skip to toolbar