Ekspertët e huaj inspektojnë pallatet e dëmtuara: Cilët janë të pabanueshëm

Grupet e ekspertëve të huaj, ata zviceranë dhe francezë, në bashkëpunim me kolegët shqiptarë, kanë inspektuar disa nga pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Durrës. Ata u shpjeguan banorëve se nëse pallati apo ndërtesa ka një shenjë të kuqe do të thotë që konsiderohen të pabanueshëm. Nëse pallati juaj ka një kryq të kuq, ai rezulton i pabanueshëm.

Një pallat shumëkatësh  në lagjen 17 në Durrës iu nënshtrua inspektimit nga ekspertë të huaj dhe shqiptarë. Me pas specialistët u shpjeguan banorëve të pallatit për gjendjen e tij. “Ne pamë që nuk ka dëmtime shumë të mëdha, dhe ne jemi të besueshëm. Ka tre shtylla ku ka nevojë për hulumtime të thella. Këto 3 shtylla ne i kemi markuar me ngjyrë të kuqe dhe nuk ka arsye që ndërtesa të shkatërrohet”, tha eksperti zviceran.

Banorët kërkojnë të dinë se me çfarë është bërë vlerësimi. “Për shkallën e parë, është parë me çekiç. Shkallën e dytë, për sa i përket këtyre 3 shtyllave që janë shënuar me të kuqe, kanë nevojë për hulumtime dhe studime specifike që do të duhet të ndodhin më mbrapa. Objekti është i pabanueshëm dhe akt ekspertiza është kjo: Asnjë banor nuk do të hyjë brenda, pasi në shkallët e katit të parë ka pasur çarje sepse skema statike e zgjedhur për shkallët nuk ka qenë e përshtatshme. Kjo skemë statike ka bërë që shkallët të thyhen por nuk përbën rrezik për qëndrueshmërinë e objektit. Ne nuk e dimë se sa mban objekti, këtë hiqeni nga mendja. Asnjë nga ju nuk do hyjë  në banesë. Policia do të marrë masat”, tha eksperti shqiptar.

Në një  moment të dytë ai sqaron se tre kolonat me shenjë të kuqe duhet të studiohen hollësisht. “Ne jemi të interesuar të gjejmë nëse ka dëme sidomos nëse ka dëme në strukturë. Nga aq sa kemi parë deri tani, dëmtime në strukturën kryesore janë të paktën 3 pika që ne i kemi shënuar dhe kanë nevojë për më shumë hetime, por në pjesën tjetër të ndërtesës nuk ka dëmtime të tilla në strukturën kryesore. Ne po shkëmbejmë informacione me kolegët tanë nga Franca dhe ata shqiptarë. Pra jemi 3 palë që vlerësojmë situatën. Për momentin kjo anë e ndërtesës është e pabanueshme. Ne kemi mbajtur shënim çdo informacion dhe vëzhgim të cilat i janë dorëzuar kolegëve tanë shqiptarë dhe që rrjedhimisht do të duhet të jenë në duart e autoriteteve shqiptare. Policia ka rrethuar këtë vend pasi për momentin ndërtesa është e pabanueshme por nuk ka rrezik shembjeje. Kjo është një ndërtesë që në këto raste ne e kategorizojmë me shenjë të verdhë, që nënkupton se kjo ndërtesë është e pabanueshme që duhen hetime dhe vëzhgime të mëtejshme por njëkohësisht nuk ka rrezik që struktura të shembet”, deklaroi eksperti.

Dyndje në Kosovë, Haradinaj: Po i mashtrojnë për në Gjermani

Pas tërmetit të 26 nëntorit, ku humbën jetën 52 persona dhe qindra mbetën të plagosur, shumë shqiptarë janë nisur drejt trojeve kosovare për të gjetur strehim. Por mes tyre ka pasur dhe persona abuzues, të cilët janë bazuar në disa thashetheme se nga Kosova, ata do të dërgohen për strehim në Gjermani.

Një problematikë e tillë është vënë në dukje nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, shoqërisë civile, por edhe subjekteve politike, që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria.

Haradinaj thotë se asnjë qytetar që shkon në Kosovë nuk do të mbetet pas strehim, por kjo situatë po keqpërdoret dhe po vijnë persona që nuk janë prekur nga tërmeti. “Çdo shtetas i Shqipërisë, që hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmeti”, tha Haradinaj.

Sipas tij, ata shkojnë në Kosovë me shpresën se do ikin drejt Gjermanisë, por kjo nuk do të ndodhë. “Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët, po i sjell në kushte të vështira… është dimër, nuk është në rregull. “Nuk është e vërtetë që ata që hyjnë në parkun gjerman i dërgojmë në Gjermani, është mashtrim. Kushdo që vjen aty do ta ketë kujdesin tonë se ne jemi vëllezër, por nuk është e vërtetë që nga aty i ngarkojmë në avionë dhe i dërgojmë në Gjemani me bileta falë e strehim falë në Gjermani, kjo është një zgjidhje emergjente. Kushdo që është në zor ne i trajtojmë me respekt, por mos t’i mashtrojmë për t’i prurë në Kosovë. Për shembull, shkon atje një këngëtar e mbush një autobus dhe vjen e lëshon midis Prishtinës dhe kërkon shtab emergjent ose shkojnë OJQ-të, mbushin automjetet e bjerë këndej, ngadalë duhet të bëhet një planifikim, një koordinim dhe të punohet si i ka hije”, ka thënë Haradinaj.

Dhjetori nis me tërmet, dy lëkundje të tjera tundin vendin

Shqiptarët u zgjuan përsëri nga lëkundjet e tërmetit mëngjesin e të dielës të këtij fillim dhjetori.

Rreth orës 07:04, një lëkundje me magnitudë 4.2 e shkallës Rihter me epiqendër në detin Adriatik lëkundi për disa sekonda vendin.

Ndërkohë, thellësia e këtij tërmeti ishte 10 km. Fatmirësisht lëkundjet kanë zgjatur vetëm pak sekonda, por kanë qenë të forta.

Disa minuta më pas, u ndjenë dhe disa lëkundje të tjera me magnitudë 3.2 të shkallës Rihter me epiqendër po në detin Adriatik.

Vogëlushi i plagosur do në spital Sadikun, psikologët i sjellin prindërit e futbollistit

Një vogëlush që po mjekohet prej plagëve nga tërmeti, u ka kërkuar psikologëve t’i sjellin në spital një futbollist të njohur shqiptar.

Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë tregon një rast tejet të veçantë dhe prekës: Më 28 nëntor 2019, njëri prej djemve që i shpëtoi tërmetit dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, u ka shprehur dëshirën psikologëve se dëshiron të takojë idhullin e tij të futbollit Armando Sadiku.

Sulmues klubit spanjoll të Málaga-s dhe përfaqësueses shqiptare. Dhe psikologët janë vënë menjëherë në lëvizje për të plotësuar kërkesën e papritur dhe tejet të pamundur për t’u plotësuar. Në pamundësi fizike të tij, prindërit e Sadikut kanë qene të pranishëm tek vogëlushi me dhurata, fanellën e futbollistit të tij të parapëlqyer dhe një shumë parash që do t’i vijë në ndihmë. Urdhri i Psikologut në Republikën e Shqipërisë ka falënderuar Armando Sadikun, mamin dhe babin e Armandos, që ndihmuan t’i rikthehet buzëqeshja edhe për pak çaste. Po ashtu kanë marrë përgëzime psikologja Ventina Telhaj dhe koleget e tjera të Urdhrit të Psikologut, duke i bërë krenarë anëtarët e Urdhrit.

Ambasadori japonez: Do sjellim specialistë të ndërtimeve që i rezistojnë tërmeteve

Ambasadori i Japonisë, i cili është një shtet me aktivitet të lartë sizmik, ka deklaruar se do të vijnë në Shqipëri sizmologë shumë të zotë dhe specialistë për ndërtime që i rezistojnë tërmetit.

“Japonia është mësuar me tërmete dhe kemi sizmologë shumë të zotë dhe me përvojë dhe specialistë për ndërtime që i rezistojnë tërmetit. Do të dërgojmë këtu disa specialistë si dhe do të dërgojmë tenda dhe mallra”, tha ambasadori japonez.

Vdekja e Xhesikës, Rama: E dija që s’do ia dilte, por nuk ia thosha dot të atit

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar edhe njëherë takimin që pati mëngjesin e sotëm me Ilia Biqikun, babanë e Xhesikës, viktimës së 51-të nga tërmeti i tmerrshëm. Në takimin që pati me ambasadorët në Pallatin e Brigadave, Rama u shpreh se e dinte që 20-vjeçarja nuk do ia dilte dot, por që këtë lajm të hidhur s’ia thoshte dot të atit.

“E dija që ajo nuk do ia dilte dot. Xhesika vdiq sot (të shtunën), duke e çuar numrin e viktimave në 51, dhe pas diskutimit që pata me mjekët, e dija që s’do ia dilte dot. Takova të atin sot paradite por nuk ia thosha dot këtë lajm të hidhur”, tha Rama.

Babai i Xhesika Biqikut iu lut kryeministrit Edi Rama në mëngjes, pak orë para se e bija të ndërronte jetë që ta transportonte jashtë vendit. Ndërsa Rama i dha fjalën duke i thënë se e kishte me merak vajzën e tij, si të ishte e vetja. Por pak orë më vonë, shpresat u shuan për Xhesikën që i ra një tullë në kokë, teksa dilte nga pallati ku banonte në Kombinat dhe e reja ndërroi jetë.

20-vjeçarja ishte parashikuar të nisej me helikopter drejt Italisë që dy ditë më parë, por gjendja e saj e rënduar e vështirësoi këtë proces. Pasi mjekët italianë panë gjendjen e saj u shprehën se lëvizja më e vogël do të ishte fatale për jetën e Xhesikës.

Rama takon ambasadorët, kërkon ndihmë për rindërtimin

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ambasadorët e huaj në vendin tonë në Pallatin e Brigadave, ku ka kërkuar ndihmë për rindërtimin pas tërmetit të fuqishëm që mori jetën e 51 shqiptarëve dhe shkatërroi mijëra banesa. Fillimisht, kreu i qeverisë ka bërë një falënderim për të gjitha shtetet që iu gjenden pranë Shqipërisë në këto momente të vështira.

“Ju falënderoj që i keni qëndruar pranë popullit shqiptar dhe që keni dëshmuar dhe treguar dhimbjen dhe vullnetin për të na ardhur në ndihmë. Do doja të falënderoja Luigin dhe Leylan që dërguan mesazhe dhe që shprehen në emër të të gjitha shteteve anëtarë te BE dhe të SHBA gatishmërinë për të ndihmuar. Faleminderit shumë dhe më lini të përgëzojë me gjithë fuqinë e zemrës punën e shkëlqyer që është bërë nga të gjitha ekipet. Dua të ndaj me ju emocionet, ndjenjat, ndjenjën mjaft të veçantë që pati një reagim të menjëhershëm nga Italia, Greqia, Turqia, Franca që qenë nga të parët fare që treguan dhimbjen e tyre dhe të tjerët njëri pas tjetrit. Fjalët nuk e përshkruajnë dot atë se çfarë ka dashur të thonë për ne, është e shkëlqyer. E shkëlqyer, Vucic, Zaev nga fqinjët, njerëz që përqafojnë vende që nuk janë në mes të pasurve apo të fortëve, për të mos folur për vëllezrit tanë në Kosovë. E shkëlqyer. Ndjesë nëse harrojë dikë, por të gjithë kanë qenë të shkëlqyer. Ambasadorë faleminderit që në të njëjtën ditë keni shprehur ngushëllimet. Presidenti  Rumanisë, ishte mbresëlënës. Ekipi i shpëtimit rumun, erdhi pa ia kërkuar, ato nga Zvicra thjesht erdhën për ne dhe bënë një punë të shkëlqyer. Ekipi grek bëri diçka që është frymëzuese. Isha aty dhe së fundi nxorën një tunel 6.5 m një djalë, gjatë kohës që ekipet tona ishin të shteruar. Trysnia ishte e madhe, përgjegjësia ishte e madhe shumë dhe ishim shumë të prekur. Nuk u besoja veshëve se sa bukur i kishte shprehur emocionet e veta Papa Françesku. Ndjesë të gjithë atyre që harrova të përmend, princi i Kurorës, populli i Arabisë Saudite nga dërguar mesazhe non stop. Izraeli ishte i jashtëzakonshëm, erdhën pa ua kërkuar. Thashë sa bukur, nuk kanë qeveri akoma dhe e bënë. Është e jashtëzakonshme. Duke iu falënderuar dhe mirënjohjen përballë sfidës së re që është për të inspektuar se ku gjendemi. Do të doja të thosha disa gjëra, se ju e dini Shqipërinë. E dini që është e pamundur nga ana njerëzore për ta bërë këtë gjë të vetëm dhe në mënyrë normale, nënkuptoj me mekanizma normal. Prandaj u kam kërkuar udhëheqësve tuaj, nga Britania e Madhe dhe ambasadorë pranoni ngushëllimet e mia për çfarë kanë ndodhur. Pra përmenda Britaninë e Madhe, duke thënë që kemi nevojë për ndihmë, të Japonisë, të Suedisë, të Zelandës së Re pa harruar vëllezërit tanë në Lindjen e Mesme që të na ndihmojnë”, tha Rama.

Më tej, ai shpjegoi se njerëzit ndihen të pasigurtë dhe kanë nevojë të fitojnë siguri. “Njerëzit kanë frikë, janë të pasigurt. Kanë nevojë që të shohin që bota nuk do të na lërë vetëm. Njerëzit janë larguar nga Tirana dhe Durrësi. Nuk ndihen të sigurt. Në Kryeministri gjysma e njerëzve nuk flenë në Tiranë, vijnë në mëngjes por pastaj shkojnë në Vlorë, Elbasan. Në shtëpinë e nënës sime ka shumë që nuk jetojnë aty. Njerëzit ndihen të pasigurt. Është e qartë”, deklaroi kryeministri.

Rama ka njoftuar se ditë e nesërme do të mblidhet Komitetin Ndërkombëtar të Rindërtimit dhe të gjithë kontribuuesit, ndërsa ka ftuar edhe opozitën që të marrë pjesë. “Nesër do të takohem me komitetin ndërkombëtar të rindërtimit. Është një organizim me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, për ngritjen e fondeve dhe përfaqësues të bankave të shoqatave të ndryshme, të Dhomës së Tregtisë. Kështu që do të dëshiroja që opozita të bashkohej me ne që të hedhin në tryezë idetë e tyre dhe të marrin idenë më të mirë. Nuk është fjala kush është më inteligjenti. Nuk është koha që të zihemi kush është më i mençuri, më i miri. Tani është koha që të përballemi me sfidën si qenie njerëzore që kanë vendime, për të marrë më të mirë për vendin tonë. Kemi nevojë për ju”, tha Rama, duke iu drejtuar edhe ambasadorëve.

Ftesa e Ramës për ndihmë pas tërmetit, Basha: Nuk është koha për politikë

Ftesës së Ramës për të bashkuar forcat që të përballojnë situatën emergjente të krijuar pas tërmetit me pasoja tragjike, lideri demokrat iu përgjigj nga Durrësi, duke i thënë kreut të qeverisë se tani nuk është koha për politikë, protagonizëm dhe manovra. Basha u shpreh se tani fokusi i opozitës është për të ndihmuar njerëzit dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe qeveria, ndërsa bilanci se çfarë u bë dhe çfarë duhet të ishte bërë më mirë i takon një momenti të dytë.

“Tani e gjithë energjia jonë ajo që po bëjmë dhe do të bëjmë është të jemi afër njerëzve. Do të vijojmë ta bëjmë, tani nuk është koha për politikë. Njerëzit kanë nevojë për strehë, për ushqim dhe siguri. Ky është prioriteti ynë. Tani nuk është koha as për politikë dhe as për propagandë. Ne jemi pranë banorëve dhe udhëzime te mia jo vetë për strukturat e PD-së, por të gjithë është për nevojë urgjente, ky është fokusi ynë dhe vëmendja jonë, nuk kemi kohë sot për manovra politike dhe ky duhet të jetë fokusi edhe i qeverisë. Këto ditë që kanë qenë të tmerrshme nuk kanë qenë ditë për t’u marrë me analizën dhe përgjegjësitë, ka një ditë dhe kohë që do të të merremi se çfarë u bë dhe duhej bërë më mirë. Nuk mund të bëhet politikë me këta njerëz, janë pa strehë dhe pa ushqim. Prioriteti ynë është dhe i opozitës është për t’iu ndihmuar, jo protagonizëm, propagandë dhe manovra”, tha Basha nga Durrësi.

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës të bashkohen në një tryezë të përbashkët për të shpalosur aty të gjitha idetë dhe propozimet në përballimin e situatës së vështirë që vendi po kalon pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit që shkaktoi dhjetëra viktima. Shefi i mazhorancës i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryedemokratit Basha duke thënë se në këto momente nuk është koha për politikë, por për paqe dhe “ftillim” siç ai shprehet, për t’i shkuar në ndihmë popullit shqiptar.

Prej 12 orësh asnjë lëkundje mbi 3 ballë, Sizmologët: Situata po normalizohet

Katër ditë pas tërmetit të fortë, sizmologët deklarojnë se situata është drejt normalitetit dhe pasgoditjet e mëdha nuk kanë asnjë efekt dëmtimi. Nga verifikimet e kryera rezulton se Shqipëria prej 12 orësh nuk ka pasur ndonjë pasgoditje me magnitudë mbi shkallën 3.0 Rihter.

Që prej mëngjesit të 26 Nëntorit, kur vendi u godit nga një tërmet 6.3 ballë, janë shënuar plot 1260 nëngoditje të tjera sizmike. “Këto pasgosditje nuk kanë asnjë efekt në dëmtime strukturore”, tha sizmologu. Por Rrapo Ormeni thotë se trendi i tyre ka ardhur në rënie, çka dëshmon se vala sizmike po shkon drejt shuarjes.

“Sa më i madh tërmeti aq më të mëdhenj janë edhe pasgoditjet dhe janë shënuar disa pasgoditje të mëdha. Ky është një tregues i mirë që kjo energji atje po çlirohet deri sa të stabilizohet plotësisht”, shpjegoi ai.

Mëngjesin e së shtunës është shënuar një tërmet 3.1 i shkallës Rihter në zonën e Korçës, por Ormeni thotë se nuk ka lidhje mes dy fenomeneve, pasi ndodhen në pllaka tektonike të ndryshme. “Tërmete të tillë bien gjatë ditës disa, s’kanë lidhej këto lloj thyerje me njëra-tjetrën. Aktivizimi i Korçës është një thyerje tjetër, aktivizohet më vete”, tha ai.

Ndërkohë, në orën 5.28 të mëngjesit në detin Adriatik, diku mes Lezhës dhe Shëngjinit është shënuar një pasgoditje me shkallë 3.0 Rihter. Sizmologët qetësojnë duke thënë se gjithsesi në Tiranë apo zona të tjera që ndodhen më larg epiqendrës nuk ka vend për panik, pasi lëvizjet nuk janë të rrezikshme.

Ursula von der Leyen: Në Tiranë, Komisioneri Europian i krizave

Bashkimi Europian është përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira që po kalon nga tërmeti. Mesazhi vjen nga Kryetarja e  Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila në një postim në twitter shkruan.

“Sapo fola me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili më tregoi për situatën e vështirë pas tërmetit. Kam shumë respekt për qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar të qetë pavarësisht rrethanave. Dua që ata të dinë që BE është përkrah tyre me dhembshuri dhe me veprim. Janez Lenarčič do të udhëtojë për në Shqipëri të mërkurën. Unë i kam kërkuar atij që të më mbajë të informuar nga afër për situatën”, shkruan ajo në Twitter.

Janez Lenarčič është pjesë e kabinetit të ri të Komisionit Europian. Ai është një diplomat me 30 vite eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe menaxhimin e krizave. Tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë me 26 nëntor la pas 51 të vdekur dhe më shumë se 900 të tjerë të plagosur. Ndërkohë, dëmet materiale janë të pallogaritshme.

Skip to toolbar