Rrëfimi i zjarrfikësit italian: Njerëzit na falënderonin e dridheshin nga frika

“Kur njerëzit na shihnin në rrugë, na ndalonin, na falënderonin dhe na ofronin ushqim, ëmbëlsira, donin të na bënin dhurata”. Këto janë përshtypjet e para për shqiptaret, dhënë nga një prej zjarrfikësve italianë, që mbërriti në Durrës, në kulmin e dhimbjes, e teksa nën rrënoja kishte trupa që prisnin të nxirreshin, e toka vazhdonte të dridhej nga tërmeti.

Quhet Massimo Marconcini, 51 vjeç, nga Livorno. Ka qenë ish atlet olimpik në Lojërat Olimpike në Barcelonë e së fundi një nga 175 zjarrfikësit që erdhën në Durrës me ekipet e shpëtimit, raporton media italiane. Ai tregon se skenat që pa para syve nuk i kishte të panjohura. Ishte njësoj si në tragjeditë që ka kaluar e madje gjunjëzuar edhe Italinë me tërmetet në Amatrice, Umbria, Marche, Ischia dhe Rigopiano.

Ai thotë se ishte në Durrës, toka u drodh nga lëkundja 5.2, pasgoditja e radhës.

“Isha poshtë një ndërtese. Pata frikë, por falë zotit nuk zgjati shumë”, tregon ai, duke pohuar se vendi është i ri, por me ndërtime të paorganizuara mirë. “Me tërmetin nuk mësohesh dot”, thotë ai, ndërsa shton se “ankthi nuk hiqet si gërmadhat dhe as shkundet si pluhuri”.

Për gazetën italiane “Il Fatto quotidiano” ai thotë gjithashtu se “Pavarësisht eksperiencës ka pasur momente që dhe vetë zjarrfikësit italianë janë frikësuar. Me tërmetin nuk mësohesh dot dhe asgjë nuk përfundon me mbarimin e lëkundjes. As ankthi nuk hiqet si gërmadhat dhe as shkundet si pluhuri”.

Kosova sjell 50 psikologë pas tragjedisë së tërmetit

Përveç jetëve të vdekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, kjo tragjedi solli edhe pasoja psikologjike për të gjithë të dëmtuarit. Të gjithë shqiptarët kanë kaluar dhe po kalojnë momente ankthi dhe kanë nevojë për mbështetje e këshilla psikologjike. Kosova ka qenë e para që u erdhi në ndihmë shqiptarëve në forca civile dhe së fundmi do të sjellë edhe psikologë.

50 psikologë, 4 psikiatër, 1 epidemiolog dhe mjekë po trajnohen në Prishtinë për të udhëtuar më pas drejt Shqipërisë. Ky ekip do të mbërrijë të dielën në Shqipëri, për t’i ardhur në ndihmë popullatës, veçanërisht në zonat më të prekura.

Ndërkohë, me kërkesë të ministrisë së mbrojtjes së Shqipërisë dhe me urdhër të komandantit të forcës së sigurisë së Kosovës, FSK nisi edhe kontingjentin e parë me pajisje ushtarake fushore drejt Shqipërisë. Do të duhet shumë kohë që të gjithë ta marrin vetën pas kësaj ngjarjeje tragjike dhe mbështetja e specialistëve është mënyra më e mirë për ta kaluar.

Lezha në gjendje emergjence, ngrihet në Milot Qendra Operacionale

Në Milot është ngritur Qendra Operacionale për menaxhimin e situatës së krijuar pas tërmetit, në qarkun Lezhë. Përfaqësuesi i Prefekturës është përgjegjësi kryesor dhe kjo Qendër do të shërbejë për grumbullimin e gjithë informacionit e problematikave, me qëllim koordinimin e veprimeve për zgjidhjen në kohë të tyre.

Ngritja e qendrës është njoftuar nga ministri Lleshaj, i cili deklaroi se në Qendrën Operacionale janë anëtarë nga të gjitha institucionet shtetërore, Bashkitë, Policia, Shëndetësia, Arsimi, Zjarrfikëset. Një kënd i posaçëm do të jetë në dispozicion të gjithë organizatave apo aktorëve të tjerë vendas dhe të huaj që do të bashkohen në aksionet e përbashkëta. Qendra do të funksionojë 24/24 dhe do të drejtojë dhe koordinojë gjithë veprimtaritë në funksion të menaxhimit të emergjencës në Qarkun e Lezhës.

Ekspertët nga Zvicra në terren, testojnë stabilitetin e banesave

Ekspertët zviceranë vazhdojnë punën në terren. Në  qytetin e Durrësit ata kanë kontrolluar disa nga ndërtesat e prekura nga tërmeti, ndërsa në fund pritet të japin fjalën e tyre nëse janë apo jo të banueshme. Në Krujë ekipi ka testuar stabilitetin e disa ndërtesave që kanë qëndruar për të përcaktuar nëse janë të sigurta për jetën e qytetarëve.

Një ekip me 15 specialistë të mobilizuar nga qeveria zvicerane janë në Shqipëri për të ndihmuar vendin me pasojat e tërmetit më të rënde në dekadat e fundit. Ekipi përfshin ekspertë në dy fusha: (1) inxhinierë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave: (2) ekspertë që vlerësojnë nevojat dhe planifikojnë veprimet në përgjigje të tyre, raporton Albinfo.ch

 “Programi ynë i bashkëpunimit në Shqipëri duhej patjetër të përfshinte një përgjigje ndaj tërmetit tragjik që goditi të martën. Duke parë seriozitetin e gjendjes, qeveri zvicerane zgjeroi përpjekjet duke sjellë misionin e parë me ekspertë, të cilët do të vlerësojnë nevojat, do të japin asistencë të menjëhershme dhe do të propozojnë masa afatgjata pas tërmetit”, tha ambasadori zviceran në Shqipëri, Adrian Maître.

 “Zvicra mbështet Shqipërinë jo vetëm në kohë të mira, por edhe në momente të vështira”, tha Sebastian Eugster, udhëheqës i ekipit të misionit zviceran dhe zv. kreu për ndihmën humanitare në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës.

Zyrtare, përfundon kërkimi: Në “Mira-Mare” nuk është gjetur trup tjetër

Ministria e Mbrojtjes njofton zyrtarisht se ka përfunduar kërkimi në të gjitha zonat, përfshirë këtu edhe rrënojat e hotel Mira-Mare ku nuk është gjetur asnjë trup tjetër, ndërkohë që numri përfundimtar i viktimave të tërmetit është 50.

“Zyrtarisht operacioni i kërkim shpëtimit në zonat Durrës e Thumanë, më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit ka përfunduar. Në 3 ditë u nxorën nga rrënojat 50 viktima, përmes operacionit ku morën pjesë rreth 250 efektivë të kërkim shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

Po bëhen saktësimet e fundit të gjeneraliteteve të viktimave përmes familjarëve të tyre për të dalë më pas me listën përfundimtare emërore. Lidhur me kërkimet e fundit në Mira Mare nuk është gjetur asnjë trup. Pas kërkim shpëtimit në terren, ekspertë shqiptarë e të huaj nisin punën për verifikimet e dëmeve në terren”, deklaron Ministria e Mbrojtjes e cila njofton se tashmë ka nisur puna për verifikimin e dëmeve të tërmetit katastrofik.

“Mos më vdisni para kohe se s’gjeni dot zgjidhje”, Rama debat me banorët në Kombinat

Përveç Thumanës e Durrësit ku tërmeti shënoi viktima, edhe disa zona në Tiranë kanë pësuar dëme të shumta. Kryeministri Rama ka qenë mëngjesin e së shtunës në zonën e Kombinatit ku pa nga afër dëmet e tërmetit dhe ku zhvilloi një takim me banorët e kësaj zone ku nuk mungoi debati i zjarrtë mes palëve. Banorët i kërkuan kryeministrit zgjidhje për situatën, ndërsa i thanë se kanë disa ditë që flenë jashtë në të ftohtë.

Kryeministri u premtoi banorëve se ekspertët e bashkisë por edhe të huaj do të inspektojnë pallatet dhe banesat e tyre dhe do të vendosin si do të veprohet me to. Ndërkohë, tha Rama të gjithë banorët nuk kanë pse flenë jashtë, por t’i drejtohen qendrave sociale ku përveç fjetjes sigurojnë edhe ushqim të ngrohtë dhe falas.

“ Sa do zgjasi nuk ta them dot sot. Ju kemi ofruar të shkoni në qendrat e pritjes. Pallat gati tani për tani nuk kemi. Një vend ku të fusësh kokën është në qendrën sociale të pritjes. Më ke mua përballë, merre gocën dhe ikim bashkë.

Nuk të ndaloj dot nëse do të rrish në shi. Qendra sociale të mban me bukë do të kesh edhe dyshek.  Do më lini ta mbaroj. S’po më lini të flas.

Nga ky moment do të vijojnë punën ekspertet. Nëse do shemben banesat në Kombinat. Qendrat Sociale janë të përkohëshme. Mos më vdisni para kohe, se nuk do gjeni zgjidhje. Me durim dhe qetësi do bëhen gjërat. Shkoni tek të afërmit. Tërmeti ka rënë edhe në Itali. Janë akoma nëpër kabina.

Është e shkruar kjo. Unë për vete nuk lëviz nga krevati ra nuk ra, tërmet, nuk lëviz. Ja dole përjashtë i shpëtove tërmetit, shkelje lëvoren e portokallit, rrëshqite e vdiqe, është e shkruar kjo punë”, tha Rama në takim me banorët e Kombinatit.

#TiNukDoJeshKurrëVetëm😢👐🏿🇦🇱Tiranë, Kombinat – Aty ky pallatet silikate të viteve ‘70, kanë ankthosur qindra familje🙁 JU LUTEM DURIM dhe MOS DËGJONI SHARLATANËT që shfaqen si shkencëtarë nëpër ekrane duke nxitur fantazinë e ushqyer frikën JU LUTEM🙏https://e-albania.al/dhuro/

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 30. November 2019

Ende ka shpresë për njerëz, qeni nuhat diçka nën rrënoja

Vijon pa ndërprerje kërkimi i personave nën rrënojat e hotelit “Mira Mare” në Durrës, aty ku po punojnë ekipet nga Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Një nga ekspertët e ekipit malazez thotë se qeni i tij ka nuhatur praninë  e personave nën rrënoja dhe operacioni vijon ende në këtë zonë të Durrësit, për të nxjerrë në rastin më të mirë një person të gjallë, ose një tjetër trup të pajetë. Nga ana tjetër, kërkimet janë mbyllur zyrtarisht në të gjitha zonat e tjera.

“Këtu ka skuadra nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Jemi përpjekur të futemi brenda kësaj ndërtese, pasi nuk kemi saktësisht një informacion nëse ka viktima apo njerëz në ndërtesë. Natën e kaluar qeni im nuhati diçka por nuk e dimë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë.

Megjithatë ne po vijojmë të kërkojmë dhe po përpiqemi të futemi brenda kësaj ndërtese, por ky proces është shumë i vështirë pasi ndërtesa është e gjitha e shkatërruar. Shpresoj shumë qe ta realizojmë këtë”, ka thënë drejtuesi i ekipit malazez të kërkim-shpëtimit.

Nxori gruan dhe vajzën me 3 fëmijë, por mbeti vetë brenda 20 minuta

Familja e tij jeton në një pallat shumë pranë tre pallateve që u shembën në tokë pas tërmetit në Thumanë, por për fat të mirë, ajo i shpëtoi tragjedisë. Kryefamiljari Ajushi, që jeton në një nga apartamentet e një tjetër pallati të dëmtuar tregon se ka përjetuar momente tmerri, ndërsa ka nxjerrë nga banesa vajzën e tij me katër fëmijë dhe gruan e sëmurë me bombol oksigjeni, ndërsa mbeti nën rrënoja për 20 minuta.

“Dolëm në kohë. Të gjithë shpëtuan. Gruaja ishte matanë te krevati atje. Vajza me djalin këtu. Ishim 9 veta këtu. I nxora, ata ngela vetë. Gruaja është sëmurë me valvul oksigjeni. Prandaj ngela brenda duke nxjerrë atë. Shpëtova desh Zoti. Me zor kam dalë”, tregon Ajushi. Pallati i tij është në gjendje të mjaft të rënduar. Të gjitha shkallët janë rrënuar, dhe tashmë godina mund të rrezikojë edhe shembjen.

Veliaj: Po çmontohet një oxhak në Qytet Studenti! Banorët t’i binden autoriteteve

Tërmeti i 26 nëntorit fatmirësisht në Tiranë nuk shkaktoi humbje jetësh, siç ndodhi në Durrës dhe Thumanë, por ka lënë pas jo pak pasoja në dëmtime banesash private dhe publike. Për këtë arsye, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në inspektimin e magazinave të grumbullimit të ndihmave në Farkë, kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për t’iu bindur urdhrave të strukturave të posaçme të Bashkisë së Tiranës dhe ekspertëve konstruktorë, që të mos kthehen në banesat e cilësuara si të pabanueshme dhe që përbëjnë rrezik për jetën.

 “Situata në Tiranë e kaloi fazën e parë të emergjencës, por nuk kemi kaluar pa dëme të theksuara. Gjëja e parë që kërkoj është bashkëpunim me autoritetet që i deklarojnë shtëpitë ose pallatet si të pabanueshme. Nuk kemi nevojë për heroizma, por për sjellje gjakftohtë, pa panik, dhe me bindje të plotë ndaj autoriteteve që komunikojnë shtëpitë e pabanuara, ose inxhinierët që bëjnë verifikimet e tyre. Kjo është jetike! Nuk besoj se ka njeri me mend në kokë që do pranojë të rrezikojë dhe të këmbëngulë kundër vullnetit të Policisë dhe zjarrfikësve, për t’u futur në një pallat, ku në fakt alternativa është edhe më e mirë se shtëpia që po lë pas e që mund të jetë e dëmtuar”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës është e detyruar të kryejë edhe disa aksione për prishje të kontrolluar të disa ndërtesave, të cilat kanë shfaqur probleme nga tërmeti dhe përbëjnë rrezik për jetën e banorëve. Ai theksoi se të gjitha këto familje Bashkia e Tiranës do t’i akomodojë në qendrat sociale dhe hotelet e kryeqytetit. “Do të kemi disa operacione prishjesh në Tiranë: Duhet të çmontojmë një oxhak te Qyteti Studenti, i cili është pushtuar nga ndërtimet pa leje. Ka marrë disa krisje, është një situatë e rrezikshme, e kështu me radhë, do të marrim vlerësime gjatë ditës edhe për pallate të tjera që duhen evakuuar, ndërkohë qendrat sociale janë hapur 24/7; pra, për banorët e Tiranës strehimi do të bëhet ose në një qendër sociale ose në ndonjë nga hotelet ku tashmë kemi një listë pritjesh, që mund të akomodojnë njerëz në kushte shumë të mira”, nënvizoi Veliaj.

Thumana në zi! “Zoti e vendosi sa me na marrë, e sa me na lanë”, Lamtumira për 10 viktima

Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, në Thumanë po bëhen nderimet e fundit në nder të familjes Cara dhe Greku, të cilët humbën jetën nga shembja e tre pallateve, pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.

Në orën 13:00 ishte varrimi i dy familjeve. Njëra prej atyre ajo e Carajve është një nga më të prekurat e kësaj fatkeqësie, pasi 7 anëtarë të kësaj familje kanë gjetur vdekjen në gërmadhat e pallateve të shembura. Homazhet po bëhen nën një çadër pranë një godine që njihet edhe si teatri i Thumanës. Në ceremoninë mortore të pranishëm janë edhe kryeministri Rama, zv.kryeministri Erion Braçe, ministri brendshëm Sander Lleshaj dhe ish ministrja e arsimit, Lindita Nikolla. “Zoti kshu e mendoi, 2 me na i lënë dhe 7 me na i marrë. Ne vetëm me qëndru se s’kemi rrugë tjetër. E kemi menaxhuar mirë. Besoj se do ta kalojmë, stafi mjekësor janë aty, e kam mendu se do të jemi në një situatë shumë më të vështirë. Respekt pa fund!”  tha një familjar në takimin me kryeministrin Rama. Në këto momente të trishta fjalët janë të pakta edhe për kryeministrin, i cili ka qëndruar kokë ulur dhe në heshtje në nder të viktimave.

Po ashtu kanë qenë të shumtë të pranishmit në homazhe, familjarët, shokë, miq, të afërm por edhe të panjohur që janë prekur nga kjo tragjedi. Por edhe në familjen Greku, tre anëtarë të familjes kanë humbur jetën, ndërsa për Dorjanin dhe Denisën, kjo është dita më e vështirë të jetës së tyre.

Ndërkohë familjarët kanë nisur edhe vajtimin e viktimave, që kanë krijuar një situatë akoma më të trishtë pranë çadrave ku janë strehuar të prekurit nga tërmeti. Në këtë ceremoni mortore kanë ardhur shumë të afërt të cilët me lule në duar dhe me lot në sy shohin për herë të fundit arkmortet e familjarëve të tyre.

Skip to toolbar