Veriu i vendit lëkundet nga tërmeti

Tërmeti me magnitudë 3.2 e shkallës Rihter lëkund veriun e vendit.  Epiqendra e tij ka qenë 1.7 km në veri të Shumatit në Dibër dhe ka rënë në orët e para të mëngjesit.

Nuk ka të dhëna për dëme materiale apo të lënduar nga tërmeti.

Kujtojmë se më 21 shtator pjesa qendrore e vendit u godit nga një tërmet i fortë i shkallës 5.6 dhe u pasua nga disa goditje të tjera në ditët në vijim. Tërmeti la pas qindra shtëpi e objekte të dëmtuara dhe të plagosur.

Urdhri i Ramës, ngrihet kampi në stadium

Pas urdhrit të Ramës në mbledhjen me prefektët e vendit, menjëherë ka nisur puna për ngritjen e kampit brenda stadiumit “Niko Dovana” në Durrës. Ky kamp do të shërbejë, jo vetëm për banorët, shtëpitë e të cilëve janë prekur nga tërmeti dhe janë në rrezik për banim, apo edhe krejt të pabanueshme, por edhe për ata të cilët nga frika e tërmeteve, nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Nga emergjencat civile është vendosur menjëherë pas mbledhjes me kryeministrit ngritja e kampit të strehimit. Mëngjesin e së dielës ishte vendosur që çadrat të ngriheshin në aneksin e stadiumit, por me urdhër të kryeministrit Rama, u la që kampi të ngrihej brenda stadiumit, me qëllim që banorët të jenë më të kontrolluar dhe të marrin shërbimet e duhura.

Ndaj, ekipet e emergjencës janë drejtuar fushës së gjelbër për të ngritur kampin e strehimit të banorëve dhe për të ofruar shërbimet e tjera për të prekurit. Gjithashtu aty do të shkojnë edhe psikologë, sidomos për fëmijët. Ndërkaq, Bashkia ka marrë masa për të pasur gjithçka në funksion të banorëve, ndërsa një pjesë e ushtrisë ka zbarkuar që herët për të qenë në gatishmëri të plotë sidomos për ngritjen dhe montimin e çadrave.

Rama zhvendos shtetin në Durrës: Të qëndrojmë pranë njerëzve

Kryeministri Rama u kërkoi ministrave dhe deputetëve të grupit socialist që të shkojnë pranë familjeve të prekura nga tërmeti. Pas mbledhjes me emergjencat civile dhe me prefektët, kryeministri organizoi një takim me grupin socialist, ku të pranishëm ishin edhe kryebashkiakët e Tiranës dhe Durrësit, zonat më të prekura nga tërmeti.

Edhe në takimin me prefektët, kreu i qeverisë dha të njëjtin urdhër, duke kërkuar që i gjithë shteti të zhvendoset pranë Durrësit, ku dëmi dhe paniku ka qenë më i madh. Kryeministri vuri në dukje se është e rëndësishme që të qëndrohet pranë njerëzve me të gjitha mjetet dhe burimet njerëzore.

“Të gjithë bashkë ne të ushtrojmë të gjithë ditën për kontakte me njerëzit. Vajtja e të gjithëve në terren dhe organizimi i kontakteve është mirë të fuqizohet me kontributin e të gjithëve ne, jo vetëm deputetët e Durrësit dhe Tiranës, por të gjithë për të mbuluar çdo familje që ka nevojë për komunikim. Ka shumë shtëpi dhe pallate kanë plasaritje. Të ndahemi sipas zonave dhe kryetarët e bashkive të fokusohen te pikat kritike duke u përpjekur të mbulojmë të gjitha shtëpitë apo godinat dhe për çdo familje të ketë një kontakt”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë u shpreh se Ministria e Financave është përgatitur për skenarin më të shtrenjtë për dëmshpërblimet, por kërkoi nga të gjitha bashkitë që të japin kontributin e tyre për banesat e dëmtuara, ashtu sikur ndodhi me banesat në Floq të Korçës pas tërmetit të 1 Qershorit.

“Të njëjtën gjë si në Korçë do të bëjmë përsëri në vijim, çdo bashki do të përfshihet në një kontribut sado modest. Ministria e Financave ka përgatitur çdo skenar, edhe më të shtrenjtin ne jemi gati, por është çështja e një solidariteti real dhe pa diskutim që paralelisht me këtë strukturat e shëndetësisë janë të angazhuara për të asistuar për ndihmat e periudhës së ndërmjetme. Ti ngarkohet çdo bashkie një pjesë sado e vogël e solidaritetit, sidomos me familjet. Vëmendje të veçantë për çdo familje me fëmijë të vegjël, pasi aty është problemi kryesor. Pas kësaj mbledhje duhet të shkojmë në Durrës. Janë 24 orë të rëndësishme, sa i përket dëmeve askush nuk duhet të shqetësohet”, u shpreh Rama.

Më herët, të njëjtat kërkesa, kryeministri bëri edhe me prefektët, ku nuk munguan edhe kritikat, sidomos me rastin e stadiumit të Durrësit, i cili nuk është hapur për qytetarët, të cilët janë detyruar të rrinë në rrugicat pranë tij, por nuk ishin ndezur dritat. Për këtë i ka kërkuar prefektit që kjo situatë të mos përsëritet dhe nata t’i gjejë të përgatitur. Po ashtu, Rama ka kërkuar angazhimin e psikologëve dhe njerëzve të komunikimit me publikun, që të flasin, mbështesin dhe shpjegojnë banorët në panik.

Durrës, meshë dhe lutje për mbrojtje nga tërmetet

Tërmeti solidarizoi çdo person që ndjeu lëkundjet e tokës. Të gjithë vrapuan për tu larguar nga ndërtesat e disa të tjerë për të shpëtuar të afërmit, fëmijët apo prindërit.

Edhe objektet e kultit fetar janë prekur nga kjo ngjarje. Mesha në ditën e së dielës në kishën ”Shën Luccia” të Durrësit i është kushtuar lutjes për mbrojtjen nga tërmetet.

Të gjithë besimtarët janë paralajmëruar të dalin qetësisht nga ky objekt i kultit fetar në rast se do të ketë lëkundje tërmeti gjatë meshës.

Lleshaj: Shtëpitë e pushimit, në shërbim të qytetarëve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha gjatë mbledhjes me Prefektët e qarqeve se janë vënë në shërbim të qytetarëve të prekur nga tërmetet edhe shtëpitë e pushimit në ministrinë që ai drejton.

Ndër të tjera, ministri Lleshaj iu kërkoi edhe institucioneve të tjera shtetërore të ofrojnë ambientet publike, por edhe shtëpitë private për familjarët e prekur nga tërmeti i fuqishëm.

 “Policia do të jetë në gatishmëri. Prefektët do vazhdojnë të jenë në krye të këtij procesi. E rëndësishme është që të gjitha kapacitetet që kemi t’i aktivizojmë plotësisht. Shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Brendshme do të jenë në dispozicion, që mbrëmë kanë qenë në shërim të familjeve. Por edhe shtëpitë private do vihen në shërim të qytetarëve të dëmtuar.

Institucionet shtetërore do të mund të ofrojnë edhe shtëpi private. Fokusi do mbetet Durrësi. Me rëndësi të jashtëzakonshme mbetet evidentimi i detajeve. Ne do ta menaxhojmë këtë situatë siç duhet”, tha Lleshaj.

Ndihmë për të prekurit, Veliaj: Rroba dhe ushqime

Qytetarët e Tiranës mund të japin kontributin e tyre për të gjithë të prekurit nga tërmetet. Pranë Bashkisë së Tiranës në qendër është ngritur edhe një pikë ndihmash për të prekurit, ku çdokush mund të japë rroba apo ushqime.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në këto momente të tregohen solidarë dhe të kontribuojnë me ndihma për të prekurit. “Tek Bashkia Tiranë kemi vendosur një pike ndihmash për të prekurit – të lutem sill rroba dhe ushqime kur të dalësh”, shkruan Veliaj.

Ndërkaq, në kuadër të Ditës Pa Makina, në kryeqytet do të vijojnë aktivitetet e programuara. “Aktivitetet për fëmijët do të vazhdojnë normalisht. Dje kuptuam sa nevojë kemi të kalojmë më shumë kohë me njëri-tjetrin e të shijojmë jetën”, thekson në mesazhin e tij Veliaj.

Sizmiologu: Shqipëria u godit nga 297 lëkundje

Shqipëria është goditur 297 herë nga lëkundjet e tërmetit që prej pasdites së të shtunë, por fatmirësisht ato kanë qenë me intensitet të ulët. Kështu ka deklaruar sizmiologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për “News 24”, lidhur me situatën e rëndë nga tërmetet e njëpasnjëshme në vend.

Sizmiologu tha se rreziku i tërmeteve ka kaluar, pas lëkundjes së fuqishme 5.8 ballë pasditen e së shtunës, ndërsa theksoi se lëkundjet do të vijojnë.

“Ka qenë një natë me më pak lëkundje se dje. E vetmja lëkundje e fortë ishte ajo 4.9 ballë. Që prej pasdites së djeshme, janë regjistruar 297 goditje. Nga ora 12 e natës janë regjistruar 87 goditje, por me magnituda të vogla” u shpreh Ormeni, ndërsa qetësoi kur tha që mendohet se goditja kryesore ka kaluar. Sipas tij, goditje pas goditjeve do të kemi, por nuk do të jenë të rrezikshme.

“Goditjet vazhdojnë me ditë dhe me javë, por në rënie. Madhësia e tyre vjen vetëm duke u zvogëluar”, shpjegoi sizmiologu.

Tirana në panik: Tërmet 5.8 ballë

Një tërmet me magnitudë 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë ka lëkundur Shqipërinë e mesme. Tërmeti i fuqishëm e ka pasur epiqendrën në detin Adriatik, 6 km larg qytetit të Durrësit.

Lëkundjet e tokës janë ndjerë deri në juglindje të vendit, ndërsa në Tiranë banorët kanë dalë të tmerruar nga banesat e tyre. Lëkundja e parë është regjistruar rreth orës 16:00 me orën lokale, ndërsa pak më vonë është regjistruar dhe një tjetër lëkundje.

Fatmirësisht frekuenca e lëkundjes ka zgjatur vetëm për pak sekonda. Ndërkohë paraprakisht raportohet për disa dëme materiale, por ende nuk ka një raportim të saktë nëse ka të lënduar.

Në qytetin e Durrësit lëkundjet kanë qenë shumë të forta, ku paraprakisht mësohet se një pallat është çarë vertikaliasht, ndërsa ende nuk dihet nëse ka të lënduar.

Tërmeti 4.2 ballë lëkund jugun, epiqendra në Himarë

Një tërmet 4.2 ballë ka goditur Himarën, epiqendra e të cilit ka qenë 15 km në det.Tërmeti ka rënë në orët e mbrëmjes, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në Sarandë e Gjirokastër.

Për lëkundjet e tokës ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes, ku njofton se nga tërmeti ka dëme materiale apo të lënduar në njerëz.

Lëkundjet kanë qenë të forta duke alarmuar banorët, të cilët kanë dalë jashtë banesave të tyre.

Greqi, tërmeti 3.5 ballë në brigjet e Karpathos, tmerrohen pushuesit

Greqia nuk po gjen qetësi nga lëvizjet sizmike të tokës. Gjatë të mërkurës një tjetër tërmet 3.5 ballë ka goditur brigjet e Karpathos e mbipopulluar nga pushuesit.

Epiqendra e tërmetit ishte në det 28 kilometra në verilindje të Karpathos, ndërsa thellësia 10 km. Nuk raportohet për dëme materiale apo viktima nga tërmeti. Gjithashtu dhe të martën një tërmet 3.3 ballë goditi zonën bregdetare të Rodosit, pa shkaktuar dëme.

Aktiviteti sizmik në Greqi prej kohësh është mjaft aktiv duke përhapur panik tek banorët.

Skip to toolbar