Rama zhvendos shtetin në Durrës: Të qëndrojmë pranë njerëzve

AKTUALITET


Kryeministri Rama u kërkoi ministrave dhe deputetëve të grupit socialist që të shkojnë pranë familjeve të prekura nga tërmeti. Pas mbledhjes me emergjencat civile dhe me prefektët, kryeministri organizoi një takim me grupin socialist, ku të pranishëm ishin edhe kryebashkiakët e Tiranës dhe Durrësit, zonat më të prekura nga tërmeti.

Edhe në takimin me prefektët, kreu i qeverisë dha të njëjtin urdhër, duke kërkuar që i gjithë shteti të zhvendoset pranë Durrësit, ku dëmi dhe paniku ka qenë më i madh. Kryeministri vuri në dukje se është e rëndësishme që të qëndrohet pranë njerëzve me të gjitha mjetet dhe burimet njerëzore.


“Të gjithë bashkë ne të ushtrojmë të gjithë ditën për kontakte me njerëzit. Vajtja e të gjithëve në terren dhe organizimi i kontakteve është mirë të fuqizohet me kontributin e të gjithëve ne, jo vetëm deputetët e Durrësit dhe Tiranës, por të gjithë për të mbuluar çdo familje që ka nevojë për komunikim. Ka shumë shtëpi dhe pallate kanë plasaritje. Të ndahemi sipas zonave dhe kryetarët e bashkive të fokusohen te pikat kritike duke u përpjekur të mbulojmë të gjitha shtëpitë apo godinat dhe për çdo familje të ketë një kontakt”, tha Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë u shpreh se Ministria e Financave është përgatitur për skenarin më të shtrenjtë për dëmshpërblimet, por kërkoi nga të gjitha bashkitë që të japin kontributin e tyre për banesat e dëmtuara, ashtu sikur ndodhi me banesat në Floq të Korçës pas tërmetit të 1 Qershorit.

“Të njëjtën gjë si në Korçë do të bëjmë përsëri në vijim, çdo bashki do të përfshihet në një kontribut sado modest. Ministria e Financave ka përgatitur çdo skenar, edhe më të shtrenjtin ne jemi gati, por është çështja e një solidariteti real dhe pa diskutim që paralelisht me këtë strukturat e shëndetësisë janë të angazhuara për të asistuar për ndihmat e periudhës së ndërmjetme. Ti ngarkohet çdo bashkie një pjesë sado e vogël e solidaritetit, sidomos me familjet. Vëmendje të veçantë për çdo familje me fëmijë të vegjël, pasi aty është problemi kryesor. Pas kësaj mbledhje duhet të shkojmë në Durrës. Janë 24 orë të rëndësishme, sa i përket dëmeve askush nuk duhet të shqetësohet”, u shpreh Rama.

Më herët, të njëjtat kërkesa, kryeministri bëri edhe me prefektët, ku nuk munguan edhe kritikat, sidomos me rastin e stadiumit të Durrësit, i cili nuk është hapur për qytetarët, të cilët janë detyruar të rrinë në rrugicat pranë tij, por nuk ishin ndezur dritat. Për këtë i ka kërkuar prefektit që kjo situatë të mos përsëritet dhe nata t’i gjejë të përgatitur. Po ashtu, Rama ka kërkuar angazhimin e psikologëve dhe njerëzve të komunikimit me publikun, që të flasin, mbështesin dhe shpjegojnë banorët në panik.




Skip to toolbar