Tërmeti, Italia dhe Greqia solidarizohen me popullin shqiptar

Tërmeti me magnitudë 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë ka lëkundur Shqipërinë, i cili e ka pasur epiqendrën në detin Adriatik, 6 km larg qytetit të Durrësit. Tërmeti shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale sidomos në Tiranë dhe Durrës, ndërsa nga raportet paraprake thuhet se ka mbi 50 të plagosur.

Në lidhje me ngjarjen, Shqipërisë i kanë ardhur edhe ndihmat e para. Kryeministri Edi Rama ka folur në telefon me kryeministrin italian Giuseppe Conte, i cili i ka shprehur solidaritetin e plotë të Italisë dhe gatishmërisë për të mbështetur Shqipërinë në përballimin me pasojat e tërmetit të rëndë që ra mbi vendin tonë.

Edhe Ambasada e Greqisë në Tiranë ka shprehur solidaritetin për popullin shqiptar. “Shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë për popullin dhe qeverinë e Shqipërisë të prekur nga tërmeti.” thuhet në reagimin e saj.

Pasojat, 68 të plagosur nga tërmeti

68 persona kanë mbetur të lënduar nga tërmeti që lëkundi vendin pasditen e të shtunës në Durrës dhe Tiranë. Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mësohet, se në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe spitalin Durrës janë paraqitur në urgjencë 68 persona.

Zonat më të prekura nga tërmeti janë Durrësi dhe Tirana, ku praprakisht mësohet se ka dëme të mëdha materiale. Ndërkohë, ende nuk dihet niveli i dëmtimit për personat të cilët kanë mbetur të lënduar nga tërmeti. Policia e Shtetit ka ngritur grupe emergjence në terren për të menaxhuar situatën. “Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit e gjithë Policia Rrugore êshtë në terren për të menaxhuar trafikun, të gjithë Specialistët e zonave dhe Patrullat e Përgjithshme kanë dalë në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve në nevojë por edhe për të shmangur panikun e krijuar”, shkruhet në një njoftim të Policisë së Shtetit.

Ilir, po negociatat do hapen?

Metës i del fjala, tërmeti apokaliptik trondit Shqipërinë. Tërmeti i frikshëm që përfshiu vendin me intensitet 7.5 ballë përveç dëme materiale shkaktoi një panik të madh tek banorët, të cilët dolën të gjithë jashtë banesave të tyre. Me qetësimin e situatës, gjëja e parë që të gjithëve u shkon në mendje janë parashikimet e presidentit Meta për rënien e tërmeteve apokaliptike.

Pak muaj më parë, Presidenti i vendit Ilir Meta paralajmëroi se vendet e Ballkanit pritet të goditet nga një tërmet apokaliptik. Ai apeloi ndaj institucioneve përkatëse që të marrin masa paraprake duke shkaktuar humor jo vetëm tek institucionet por edhe qytetarëve, pasi tërmetet, siç dihet edhe nga shkencëtarët dhe ekspertët e fushës, nuk mund të parashikohen.

Si duket presidenti Meta ka aftësi parashikuese (ose ndihmohet nga filxhani i Monës), pasi të gjithë i janë drejtuar përmes memeve se “kreu i shtetin na i tha por ne nuk e besuam”. Nëse Meta ka aftësi të parashikojë gjëra, një pyetje kemi, Po negociatat do të hapen zoti President më 18 tetor?

Tërmeti, Ministria e Mbrojtjes: Më i forti i 20-30 viteve të fundit

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion paraprak për lëkundjet e forta të tërmetit që tronditën vendin.

Tërmeti ka qenë me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë. Epiqendra ka qenë 30 km në veri të Durrësit, në bregdet afër Kepit të Rodonit.
Sipas ministrisë ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit.

Ministria njofton se është në monitorim të situatës dhe po u pergjigjet nevojave të mundshme.

Lëkundet Greqia, tërmeti 5.2 ballë trondit ishullin e Kretës

Ishulli i Kretës në Greqi është tronditur nga një tërmet 5.2 ballë i shkallës riter. Tërmeti ka rënë 23 km në veri-perëndim të Heraklionit dhe është ndjerë në të gjithë Kretën dhe ishujt e rajonit jugor të Egjeut.

Raportimet e para pohojnë se nuk është regjistruar asnjë dëm nga tërmeti. Tërmeti ka rënë të mërkurën në mëngjes në rajonin e Heraklionit, ka raportuar Instituti i Gjeodinamikës në Greqi. Zyrtarët në greqi janë shprehur se lëkundjet e tërmetit kanë zgjatur pak, rreth 5-6 sekonda.

“Kam folur edhe me kryetarin e Komunës së Anogjisë dhe nuk ka dëmtime. Më shumë u ndje në Heraklion. Ishte termet i shkurtër, 5-6 sekonda. Kam bërë një seri thirrjesh telefonike. Nuk ka asnjë shqetësim apo dëmtim,“ tha Stavros Arnaoutakis, guvernatori i Kretës.

Megjithatë, për shkak të thellësisë së madhe të epiqendrës së tij, me rreth 70 km nën tokë, vala sizmike është përhapur shumë por nuk ka pasur forcë shkatërruese, pavarësisht shkallës 5.2 ballë.

Tërmeti në Korçë, nis ndërtimi i shtëpive, Balluku: Të parat, familjet në nevojë

Shtëpitë e shkatërruara nga tërmetet e rëna në Korçë kanë nisur të rindërtohen. Dëmet më të mëdha tërmeti i shkaktoi në fshatin Floq, Qafzez dhe Vidohovë. Të martën ka nisur simbolikisht ndërtimi i shtëpisë së parë por që do të vijojë me ndërtimin e 124 banesave që janë shkatërruar plotësisht nga tërmeti. Gjatë nisjes së punimeve ka qenë e pranishme Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Ministrja Balluku tha se qeveria është e impenjuar për të mbledhur fonde për rindërtimin e të gjitha shtëpive të shkatërruara dhe në rikonstruksionin  e atyre pjesërisht të dëmtuara. Puna do të nis me 40 shtëpitë e para të familjeve më në nevojë tha Balluku, deri në përfundimin e të gjitha shtëpive të dëmtuara.

“Qeveria shqiptare është impenjuar për të ngritur fonde solidariteti qoftë nga bizneset, bashkitë që na kanë mbështetur. 124 shtëpitë që janë të pabanueshme do të ndërtohen. Janë 40 shtëpi që do të nisin nga puna. Jemi duke nisur simbolikisht me njërën nga banesat. Sot një ditë me shi si për të na treguar që duhet ti marrim sa me shpejt masat. Kantieret do të hapen paralelisht në zone dhe do nisin punën menjëherë. Të gjithë investitorët do nisin punën paralelisht. Edhe në Qafzez e në Vidohovë. Ne kemi priorizuar familjet me vështirësi sipas kritereve apo problemeve sociale. Do nisim punë nga ata që janë më të dëmtuar. Këto fonde janë siguruar nga investitorët që bashkëpunojnë me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë” tha  Balluku

Tërmeti 7.4 ballë godet Zelandën e Re, jepet alarm për cunami

Një tërmet me magnitudë 7.4 ballë ka goditur ishujt Kermadec në Zelandën e Re dhe Oqeanin Paqësor duke shkaktuar paralajmërim për cunami.

Autoritetet në Zelandën e Re lëshuan një paralajmërim ku u bëri thirrje njerëzve të largoheshin nga plazhi pasi priten rryma të forta dhe të rrezikshme, sidomos në orët në vazhdim.

Nuk duhet ende nëse nga tërmeti i fortë ka pasur dëme materiale apo viktima.

PS dhe bashkitë e drejtuara prej saj akordojnë fonde për tërmetin, shmangen bashkitë e LSI!

Partia Socialiste ka vendosur të japë në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti një fond prej 70 milionë lekësh, i cili do të gjenerohet nga fondet e selisë Rozë. Ky vendim është marrë të hënën paradite në mbledhjen e Kryesisë së PS, ku ndër të tjera është vendosur dhënia e kësaj shume financiare për rindërtimin e banesave të banorëve që u prekën nga tërmeti i rënë disa ditë më parë.

“Së pari, ne vendosëm që Partia Socialiste ti bashkohet fondit të solidaritetit për banorët e prekur nga tërmeti në Qarkun e Korçës dhe konkretisht të alokojë një fond prej 70 milionë lekësh. Partia Socialiste ka vendosur ti bashkohet kësaj fushate duke hequr nga fondet e saj dhe duke ia shtuar fondin e solidaritetit”, u shpreh Elisa Spiropali pas mbledhjes së kryesisë.

Sakaq, po këtë të hënë, Bashkia e Elbasanit ka vendosur të japë 30 milionë lekë nga fondi i saj i emergjencave për rindërtimin e shtëpive të banorëve të prekur nga tërmeti. Vendimi është marrë në mbledhjen e këshillit bashkiak të kësaj të hëne.

Këtij solidarizimi i është bashkuar edhe Bashkia e Librazhdit e cila akordoi një fond prej 2.6 milion lekë të reja e po ashtu bashkitë e Gramshit dhe të Belshit. Bashkia e Prrenjasit, e drejtuar nga LSI, shprehet se nuk ka fonde ndërsa Bashkia e Cerrikut, gjithashtu e drejtua nga LSI, thotë se nuk e ka një udhëzim të tillë.

Tërmeti në Korçë, shqyrtohet mundësia për ndërtimin e një lagje të re në fshatin Floq

Korça vijon të jetë nën makthin e lëkundjeve të tokës, të cilat ende nuk kanë pushuar plotësisht. Megjithatë, duket se pjesa më e vështirë ka kaluar, dhe tashmë ka nisur puna për verifikimin e dëmeve dhe sigurimin e strehimit për banorët. Këtë të enjte pasdite në Prefekturën e Korçës është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile, ku është diskutuar rreth situatës dhe ecurisë së vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Prefekti i Korçës Dhori Spirollari është shprehur se në total janë dëmtuar 290 banesa, ndërsa 121 shtëpi janë dëmtuar plotësisht dhe nuk mund të banohen. “Nga tërmeti në Korçë janë dëmtuar 290 banesa. 121 shtëpi të dëmtuara plotësisht dhe nuk mund të banohen. Godina e ish-maternitetit të Korçës në funksion të banorëve”, ka thënë fillimisht Spirollari.

Më pas ai ka folur edhe për verifikimin e dëmeve dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara të banorëve. Sipas Dhori Spirollarit, në terren kanë ardhur ekspertët e sizmiologjisë për të verifikuar situatën, ndërsa po mendohet ndërtimi i një lagje të re në fshatin Floq, nëse në vendin e banesave ekzistuese nuk mund të bëhen rindërtim objektesh.

Në Floq kanë ardhur ekspertë të studimeve sizmologjike. Do vlerësohet nëse do rindërohet aty ku ishin banesat. Për momentin zgjidhja më e mirë ishin çadrat. Do vlerësohet mundësia për ndërtimin e banesave në vende të tjera, nëse është i pamundur ndërtimi në vendodhjen aktuale. Specialistët po bëjnë përllogaritjet për vlerën e dëmeve. Me përfundimin e verës të gjitha banesat do të jenë të rindërtuara”, ka thënë Dhori Spirollari.

Rama viziton familjet e prekura nga tërmeti: Në vjeshtë do futeni në banesat e reja

Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në fshatrat e prekura nga tërmeti i pak ditëve më parë në Korçë. Kreu i Qeverisë ka vizituar fshatin Floq dhe Qafëzezë, ku ka parë nga afër gjendjen e banorëve, të cilëve u janë dëmtuar banesat nga lëkundjet e tokës.

“Kjo është një e keqe që do sjellë të mirën e vet, se ne do t’i rindërtojmë të gjitha shtëpitë dhe sigurisht që do jenë edhe më mirë se sa ishin dhe do t’ju kompensojmë me dëmet çfarë ka brenda, që mund të jetë dëmtuar”, – tha kryeministri Rama në bisedën që pati me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi, duke siguruar se para vjeshtës banorët do jenë në shtëpitë e tyre.

Floqi është fshati më i prekur, ku 75 shtëpi janë të pabanueshme dhe rreth 100 të tjera kanë dëme më të lehta. Për familjet e mbetura pa strehë, përveç çadrave të ngritura nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ofrohet edhe shërbimi i kujdesit shëndetësor 24 orë dhe trajtimi ushqimor.

Sistemimi i qytetarëve nëpër shkolla dhe ambiente më të përshtatshme banimi ka filluar. “Kemi bërë atë bilancin e parë të të gjithë dëmeve dhe ndërkohë kemi bërë gati dhe planin e ndërhyrjes, kështu që besoj që shumë shpejt do fillojmë të bëjmë ndërhyrjet në mënyrë që brenda periudhës së verës të kemi zgjidhur të gjithë problematikën dhe patjetër me fillimin e vjeshtës ju të jeni nëpër shtëpi e të mos rrini më jashtë”, – u tha kryeministri Rama banorëve të prekur. 

Skip to toolbar