Sizmologu Ormeni: Ky, një nga 55 tërmetet më të fortë në historinë e Shqipërisë

Sizmologu Rrapo Ormeni ishte i ftuar në studion e “News 24” nga gazetari Sokol Balla, ku komentoi tërmetin shkatërrimtar të së martës. Ormeni u shpreh gjatë fjalës së tij, se tërmeti i mëngjesit të së martës, është një ndër 55 tërmetet më të forta që kanë goditur vendin tonë.

Ai tha se lëkundjet sizmike nuk mund të parashikohe, por pas goditjes së tërmetit me magnitutë 6.4 ballë të shkallës Rihter do të pasohet nga lëkundje më të lehta.

“Është ndër 55 tërmetet e fortë që ka rënë deri më sot. Tërmeti kishte thellësi të madhe, 33 km. Pas ’69, ky ka qenë tërmeti më i fortë. Shkenca nuk mund t’i përcaktojë tërmetet, nuk mund ta bëjë askush. Ky tërmet ka rënë në zonën e zjarrit, që karakterizohet nga tërmete të fuqishme. Tërmeti nuk parashikohet. Pasgoditjet vijojnë, dhe siç dihet edhe një goditje e vogël shkakton panik”, tha sizmologu.

Sizmologu Ormeni tregoi se në vitin 1926 ka rënë një tërmet i ngjashëm, me fuqi rreth 6.2 ballë, që sipas tij pasoi një tjetër goditje me fuqi 5.8 ballë, e njëjtë si lëkundja e 21 shtatorit të këtij viti.

Hiqen 6 depozita gazi nga hotele e restorante në Durrës

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës njoftoi se në zonën e Durrësit, ku pati dëme të mëdha nga tërmeti, janë heq 6 depozita gazi nga disa subjekte që operojnë në fushën e hoteleri turizmit dhe hidrokarbureve.

“Në zbatim të urdhrit të brendshëm të kryeinspektorit, strukturat e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), duke bashkërenduar aksionin edhe me Shtabin e Emergjencave Civile, kanë ushtruar kontrolle në të gjitha subjektet e dëmtuara gjatë tërmetit në zonën e Durrësit, me qëllim heqjen e depozitave qendrore të gazit në subjektet me impiante qendrore të GLN”.

“Nga ana e grupeve të ISHTI janë hequr 6 depozita të mëdha, konkretisht në subjektet: Vila Verde, Hotel Lubjana, Hotel Tropikal, Karburant Gega “plazh”, Hotel Mia Mar dhe Restorant Reom në Manzë Durrës Kontrollet po vijojnë edhe në zonat e tjera të prekura nga tërmeti”, thekson Ministria e Energjetikes”, thuhet në njoftimin e ISHTI.

Foto/ Pallate dhe hotele të rrafshuar, çfarë la pas tërmeti shkatërrimtar

Tërmeti i mëngjesit të së martës ka lënë pas pasoja shkatërrimtare. Vendi është përballur me një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha të këtij lloji në vitet e fundit.

Deri më tani raportohen për tre viktima të konfirmuar zyrtarisht, ndërkohë që janë plagosur qindra persona.

Dëmet materiale janë të pallogaritshme. Dhjetëra objekte, pallate, hotele dhe shtëpi janë shembur. Madje, tërmetit të fuqishëm nuk i kanë rezistuar as muret antike në Durrës.

Më poshtë janë disa foto që tregojnë pasojat e rënda të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë mëngjesin e të martës.

Tjetër lëkundje tërmeti, shumë afër Tiranës

Një tërmet me magnitudë 3.2 ballë është ndjerë rreth orës 14:31 minuta përsëri në vendin tonë. Epiqendra e tërmetit ishte 11 km larg Vorës, dhe rreth 26 km larg Tiranës.

Tërmeti ishte në një thellësi rreth 10 km në brendësi të kores së tokës. Kjo është vala e dytë sizmike që ndihet brenda tre ditëve në vendin tonë.

Kujtojmë se në datën 21 shtator pasdite, vendi ynë u trondit nga lëkundje të forta tërmeti me magnitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter.

Ato shkatuan dëme të konsiderueshme materiale dhe shumë persona të lënduar. Prej asaj date, Tirana, Durrësi dhe qytete të tjera në vend, janë lëkundur nga tërmete me fuqi më të vogël.

Ndërtuesit, 10-vjet sigurim banesës. Përfiton blerësi

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën një vendim, i cili detyron ndërtuesit e objekteve që të bëjnë dhe sigurimin e ndërtesës për një periudhë 19-vjeçare. Në vendimin e zbardhur, lexohet se “Ndërtuesit, zhvilluesit apo investitori, i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar, me përfitues blerësin. Efekti i kontratës së sigurimit nis nga momenti i përfundimit të punimeve”, thuhet në VKM.

Po çfarë parashikohet për mbulimin e dëmeve?

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, kontrata e sigurimit “mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, objekti shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda”, thuhet në vendim.

Sipas Qeverisë, “limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme”.

Në momentin që ndërtuesi dhe blerësi lidhin kontratën e kalimit të pronësisë te noterët, kjo kontratë duhet të shoqërohet dhe me kontratën e sigurimit 10-vjeçar në favor të blerësit.  Tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit.

Në rastet kur kontrata e kalimit të pronësisë nuk do të jetë e shoqëruar me kontratën e sigurimit të ndërtesës, sporti i shërbimeve kadastrave nuk do të administrojë kontratën e kalimit të pronësisë, pra shit-blerja e banesës nuk do të njihet.

Ky vendim i qeverisë vjen fill pas tërmetit që goditi vendin, duke shkaktuar mijëra banesa dhe objekte të tjera të dëmtuara. Këto ndërtime do të rindërtohen nga shteti, por me VKM-në e qeverisë, në të ardhmen për çdo fatkeqësi natyrore, do të jetë siguracioni i banesës që do të duhet të marrë përsipër këtë përgjegjësi. /Realstory.al/

Tërmeti, BE dërgon ndihma në Shqipëri

Vendet e Bashkimit Europian dërguan ndihmat e para në Shqipëri, të cilat do të shpërndahen për familjet e prekura nga tërmeti i 21 shtatorit. Gjatë të dielës, në aeroportin e Rinasit, erdhën ndihmat e para nga Greqia, ku një avion ushtarak grek solli kontributin e qeverisë së shtetit fqinj për Shqipërinë. I pranishëm në pritjen e ndihmave të Greqisë për Shqipërinë në Rinas, ishte drejtori i ekipit të BE për Emergjencat Civile, Peter Glerum.

“Ne jemi këtu si skuadër e mbrojtjes civile për të ndihmuar Shqipërinë. Ne kemi marrë deri më tani ndihmat e dhëna nga 3 shtete dhe presim edhe nga shtetet e tjera”, u shpreh përfaqësuesi i BE-së, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile të Greqisë, Nikolas Hardalias, u shpreh se “jemi në Shqipëri të japim një mesazh solidariteti”.

Nërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, Paulin Luli, falënderoi në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, vendet që u solidarizuan për me Shqipërinë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin. Ndihma dërguan edhe disa vende të tjera të BE si Kroacia dhe Hungaria, ndërsa pritet të vijnë dhe nga vende të tjera.  

Pasojat e tërmetit, Veliaj: Banesat, i rindërtojmë me ndihmën e biznesit

Ne nuk mund të ndalojmë dot tërmetin, shiun apo thatësirën, por ajo që kemi në dorë është të solidarizohemi në raste fatkeqësisht dhe të kemi një reagim të shpejtë ndaj saj.’ Ky ka qenë mesazhi që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë për banorët e prekur nga tërmetet por edhe përmbytjet që erdhën më pas. Veliaj tha se banesat e dëmtuara do të rindërtohen të gjitha me ndihmën e bizneseve dhe shtetit, ndërsa shtoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në gatishmëri dhe fryma e bashkëpunimit është më e madhe se kurrë.

Ne nuk kemi fuqi ta ndalojmë as tërmetin, as shiun, as borën, as të ftohtin, as thatësirën. Ajo që kemi fuqi të bëjmë është që kur ndodh një fatkeqësi, të ngrihemi në këmbë e të solidarizohemi me njëri-tjetrin. Fakti që të gjithë jemi ngritur në këmbë, të përkushtuar, që kjo punë që na hapë një sfidë të jashtëzakonshme që nuk e kishim menduar, pasi ishim përgatitur për vitin shkollor, ndërkohë që na u hapën problematika të jashtëzakonshme me mbi 500 ndërtesa me tërmetin, të paktën na ka gjetur në këmbë, na ka gjetur në gatishmëri dhe me një frymë bashkëpunimi si kurrë më parë në Tiranë”, tha Veliaj.

Edhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti u shpreh se puna për rindërtimin e  banesave të dëmtuara nga tërmeti do të shtrihet kudo ku ato janë evidentuar.

Jam shumë e lumtur që vij me një lajm shumë të mirë në këtë shtëpi, ku edhe ato shtëpi që kanë qenë të amortizuara ndër vite, të vjetra, e ku edhe dëmet ishin më të mëdha, por edhe ato shtëpi që janë ndërtime të reja e që kanë pasur dëme, ne do i rindërtojmë. Jam shumë e lumtur që do të vazhdojmë me të njëjtën frymë edhe në shtëpi të tjera”, tha Gjylameti.

Pasojat e tërmetit të 21 shtatorit ishin të rënda në disa fshatra të Tiranës, ku disa banesa u kthyen në të pabanueshme. Kryebashkiaku Veliaj vizitoi dy prej familjeve të prekura në Vaqarr, ku u premtoi se banesat do të rindërtohen brenda viti dhe se kjo praktikë, të ndihmuar edhe nga bizneset, do të ndiqet me të gjitha banesat që kanë nevojë për ndërhyrje.

Tërmeti dhe përmbytjet, vijnë ndihmat e para nga BE

Bashkimi Europian dërgon ndihmat e para në Shqipëri për banorët e prekur nga tërmeti dhe përmbytjet. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca tha se BE, por edhe vendet të tjera anëtare i janë bashkuar një nismë për të ofruar ndihma dhe mbështetjen e nevojshme për personat e prekur nga tërmeti e përmbytjet. BE shpreh solidaritetin për popullin shqiptar pas lëkundjeve të forta sizmike që përjetoi vendi më 21 shtator dhe përmbytjet që pasuan dy ditë më pas.

“BE qëndron në solidaritet me Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë pas tërmetit dhe mbështetja e BE tashmë po shkon në Shqipëri. Disa prej shteteve anëtare në BE po i bashkohen kësaj nisme për ndihma.” shkruan Soreca

Përmes aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, BE ka ardhur në ndihmë të autoriteteve shqiptare pas tërmeteve shkatërruese dhe përmbytjeve, ku më të prekurat ishin zonat e Shqipërisë së Mesme. BE është gjendur pranë fillimisht me mjetet e domosdoshme dhe asetet e ndihmës së parë si çadra, tendat, gjeneratorët e energjisë dhe pompat e ujit kryesisht në zonat e prekura. Mekanizmi i mbrojtjes Civile, që kryesohet nga Christos Stylianides, tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritete shqiptare për të monitoruar nga afër situatën dhe për të kanalizuar ndihmën e mëtejshme të BE-së sipas kërkesës.

Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Shqipërinë në këtë kohë të vështirë dhe mbështetja thelbësore e BE-së tashmë është duke shkuar. Ekspertët evropianë, asetet për të shpëtuar jetën dhe materialet së shpejti do të bëjnë ndryshime në ditët e para të rëndësishme të përgjigjes. Falënderoj ngrohtësisht Austrinë, Kroacinë, Hungarinë, Slloveninë dhe Norvegjinë për ofertat e tyre të ndihmës përmes Mekanizmit tonë të Mbrojtjes Civile. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë në zonat e prekura dhe përgjigjet e para që punojnë në tokë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të mëtejshme.” u shpreh Stylianides

Dëmtohet pallati në Vorë, banorët flasin në “Real Story”

Banorët e një pallati në Vorë, kanë apeluar për ndihmë, pasi apartamentet e tyre janë dëmtuar nga tërmeti. Në një lidhje direkte për emisionin “Real Story”, banorët, u shprehën se pallati është ndërtuar në vitin 1972, ndërsa sipas tyre ai ka gjatë gjithë kohës lëvizje.  “Ky pallat ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Është jashtë standardeve për të banuar. për 2 ditë nuk kanë ardhur njerëz por sot kanë ardhur nga bashkia dhe na kanë kontaktuar. Na thanë që do sjellim inxhinierët. Ne kërkojmë ndihmë, nuk kërkojmë kush e ka fajin. Ky pallat është i pabanueshëm. Ka shumë familjarë që janë të tmerruar. Dhe në këto moment ky pallat lëviz”, tha një prej banorëve.

Më tej, banorët janë shprehur se kërkojnë ndihmën e inxhinierëve për të bërë qëndrueshmërinë e strukturës së pallatit. “Ne jemi 36 familje, të tre shkallët. Goditja e parë e së shtunës ka qenë më e forta. Njerëzit janë tmerruar. Ky pallat është bërë që në vitin 1972. Muri ka marrë plasaritje në çdo 20 centimetër. Është vetëm me kubaturë pa kolona jashtë. Ky pallat po ta gërmojmë e shohin se çfarë rezistence ka. Unë nuk rri dot me familjen këtu. Unë jam 7 veta, që të fus familjen në këtë situatë, unë ngre duart. Të vënë dorë këtu. Le të vijnë inxhinierët e nëse më japin garanci hyj nga ky moment brenda”, tha banori.

Tërmeti fake, Prençi: Kriminale, jemi të papërgatitur

Për ish-drejtorin e Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, përhapja e lajmit “fake-news” se do të kishte një tërmet të fuqishëm, është kriminale. Në studion e Real Story të gazetarit Sokol Balla, Prençi u shpreh se lajmi i mirë ishte fakti që nga tërmeti i së shtunës, nuk pati dëme në njerëz. “Së pari dua të shpreh mendimin tim në raport me atë që ndodhi. Unë personalisht jam i gëzuar që ky tërmet nuk u pasua me dëme të rënda në jetë njerëzish. E quaj kriminale çdo “fake news”, që ndikon negativisht te psikologjia njerëzore, që terrorizon njerëzit”, tha Prençi.

Më tej, Prençi u shpreh se shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar janë të papërgatitur për situata të tilla. Sipas tij, duhet të krijohen programe edukimi në sistemin shkollor, për të reaguar ndaj situatave emergjente. “Ndërkohë shoqëria shqiptare dhe qeveria shqiptare është e papërgatitur për të përballuar tërmete. Unë kam kërkuar që të krijohen programe në shkolla për të përgatitur nxënësit për të përballuar tërmetet. Ne kemi kërkuar të shtohet buxheti për mbrojtjen civile të Shqipërisë. Vendi ynë është në rrizk të lartë të fenomeneve natyrore”, tha Prençi.

Shemsi Prençi u shpreh se duhet vizion politik, për të krijuar këto programe edukimi. Ai u shpreh se u deshën pesë vite për ndryshuar ligjin për Emergjencat Civile. Janë regjistruar deri në këto momente mbi 400 ngjarje sizmike. Shoqëria jonë ka shumë për të bërë, por së pari niveli politik i drejtimit, ku kryeministrat duhet të shohin me vizion. Na duhet vizioni, programet, për ligjin për mbrojtjen civile duhen 5 vite për të kaluar në parlament”, tha Shemsi Prençi.

Skip to toolbar